Eja, Më Ndiq 2024
18–24 Nëntor: “Që e Keqja të Mund të Zhduket”. Ethëri 6–11


“18–24 Nëntor: ‘Që e Keqja të Mund të Zhduket’. Ethëri 6–11”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)

“18–24 Nëntor. Ethëri 6–11”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)

Pamja
maunat e jareditëve në det

I Will Bring You Up Again out of the Depths [Unë do t’ju Nxjerr Përsëri nga Thellësitë], nga Jonathan Arthur Clarke

18–24 Nëntor: “Që e Keqja të Mund të Zhduket”

Ethëri 6–11

Qindra vjet pasi jareditët u shkatërruan, nefitët zbuluan rrënojat e qytetërimit të tyre të lashtë. Mes këtyre rrënojave ishte një anal i mistershëm – fletë prej “ari të kulluar” që ishin “të mbushura me gdhendje” dhe nefitët “dëshironin jashtë mase” ta lexonin atë (Mosia 8:9; 28:12). Sot ju keni një përmbledhje të këtij anali dhe ai quhet libri i Ethërit. Kur nefitët e lexuan, “ishin të mbushur me hidhërim” kur mësuan për rënien tragjike të jareditëve. “Megjithatë, ai u dha atyre njohuri të madhe, në të cilën ata u gëzuan” (Mosia 28:12, 18). Ju, gjithashtu, mund të gjeni çaste hidhërimi në këtë libër. Por mund të gëzoheni nga kjo dhuratë njohurish. Sikurse shkroi Moroni: “Është në urtësinë e Perëndisë që këto gjëra t’ju bëhen të ditura, … që e keqja të mund të zhduket dhe të vijë koha që Satani të mos ketë pushtet mbi zemrat e fëmijëve të njerëzve” (Ethëri 8:23, 26).

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Ethëri 6:1–12

Zoti do të më udhërrëfejë gjatë udhëtimit tim në vdekshmëri.

Mund të gjeni pikëpamje shpirtërore nëse e krahasoni udhëtimin e jareditëve përmes oqeanit me udhëtimin tuaj përmes jetës. Për shembull, çfarë ka siguruar Zoti që e ndriçon udhën tuaj sikurse gurët në maunat e jareditëve? Çfarë mund të përfaqësojnë maunat ose erërat që “fry[jnë] në drejtim të tokës së premtuar”? (Ethëri 6:8.) Çfarë mësoni nga veprimet e jareditëve përpara, gjatë dhe pas udhëtimit? Si po ju çon Zoti drejt tokës suaj të premtuar?

“Kënd[ojini] lavde Zotit.” Jareditët e shprehën mirënjohjen dhe dashurinë e tyre për Perëndinë nëpërmjet këngës dhe thurjes së lavdeve (shihni tek Ethëri 6:9). Mund të kërkoni ose krijoni mundësi për ta përdorur muzikën dhe dëshminë e ndier për t’i thurur lavde Perëndisë në shtëpi dhe në kishë. Për shembull, mund të jetë e përshtatshme të këndoni një himn lavdërimi si “Perëndis’ Lart Lavdi” (Himne, nr. 34) kur të studioni vargjet tek Ethëri 6:1–12.

Pamja
familje jaredite brenda maunës së tyre

Baby on Board [Foshnjë në Anije], nga Kendal Ray Johnson

Ethëri 6:5–18, 30; 9:28–35; 10:1–2

“Ec[n]i përulësisht para Zotit.”

Megjithëse krenaria dhe ligësia duket se mbizotërojnë në historinë jaredite, në këta kapituj ka edhe shembuj të përulësisë, veçanërisht tek Ethëri 6:5–18, 30; 9:28–35 dhe 10:1–2. Përsiatja e pyetjeve vijuese mund t’ju ndihmojë të mësoni nga këta shembuj: Përse e përulën veten këta jareditë në këto situata? Si e treguan ata përulësinë e tyre? Si i bekoi Perëndia si rrjedhojë e kësaj? Merrni parasysh se çfarë mund të bëni që me gatishmëri të “ecni përulësisht para Zotit” (Ethëri 6:17), në vend që të detyroheni të jeni të përulur (shihni te Mosia 4:11–12; Alma 32:14–18).

Shihni edhe Dejll G. Renland, “Të Zbatosh Drejtësinë, të Duash Mëshirën dhe të Ecësh Përulësisht me Perëndinë”, Liahona, nëntor 2020, f. 109–112.

Ethëri 7–11

Pamja
ikona e seminarit
Unë mund të bëhem një udhëheqës/e i/e ngjashëm/me me Krishtin.

Kapitujt 7–11 tek Ethëri tregojnë për të paktën 28 breza. Ndonëse pak hollësi mund të jepen në një hapësirë kaq të vogël, një model del shpejt në pah rreth pasojave të udhëheqjes së drejtë dhe të ligë. Çfarë mësoni rreth udhëheqjes nga shembujt, negativë dhe pozitivë, të mbretërve të renditur më poshtë?

Plaku Diter F. Uhtdorf dha këshilla të dobishme rreth udhëheqjes në mesazhin e tij “Më i Madhi prej Jush” (Liahona, maj 2017, f. 78–81). Merreni parasysh ta studioni këtë mesazh, veçanërisht historitë që tregon ai, duke kërkuar parime ose modele të udhëheqjes së ngjashme me të Krishtit. Kur i keni parë këto parime ose modele të demonstrohen te njerëz që udhëheqin?

Ndërsa e përsiatni atë që keni mësuar, mendoni për mundësitë që keni për të udhëhequr ose për të ndikuar te njerëz të tjerë në shtëpinë, komunitetin, thirrjen tuaj në Kishë e kështu me radhë. Si mund t’i zhvilloni këto cilësi të udhëheqjes së ngjashme me të Krishtit, edhe nëse nuk kemi një detyrë të posaçme udhëheqjeje?

Shihni edhe “Parimet e Udhëheqjes në Kishë”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 4.2 (ChurchofJesusChrist.org).

Ethëri 8:7–26

Zoti nuk punon në errësirë.

Kur njerëzit komplotojnë që t’i mbajnë të fshehta veprimet e tyre të liga, ata përfshihen në një lidhje të fshehtë. Përveç lidhjes së fshehtë të përshkruar tek Ethëri 8:7–18, shembuj të tjerë mund të gjenden te Helamani 1:9–12; 2:2–11; 6:16–30; Moisiu 5:29–33. Merreni parasysh t’i krahasoni këto vargje me vargjet te 2 Nefi 26:22–24, në të cilat Nefi përshkroi se si Zoti e kryen punën e Tij. Si mendoni, pse Moroni u urdhërua të shkruante atë që shkroi për lidhjet e fshehta?

Çfarë keni mësuar nga libri i Ethërit që mund t’ju ndihmojë të merrni bekimet e përshkruara tek Ethëri 8:26?

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Ethëri 6:1–12

Unë mund t’i mirëbesoj Atit Qiellor që të më ngushëllojë kur jam i/e frikësuar.

  • Gjithkush ka ditë të vështira, madje edhe fëmijët e vegjël. Mbase mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të gjejnë fjalë dhe fraza tek Ethëri 6:1–12 që tregojnë se si i mirëbesuan jareditët Perëndisë gjatë disa ditëve të rënda e të frikshme. Merreni parasysh t’i tregoni njëri-tjetrit disa përvoja kur Perëndia ju ndihmoi gjatë kohëve të vështira në jetën tuaj.

Ethëri 6:9, 12, 30; 7:27; 10:2

Të kujtuarit e asaj që Zoti ka bërë, sjell mirënjohje dhe paqe.

  • Pasi mbërritën të sigurt në tokën e premtuar, jareditët ishin aq falënderues sa “derdhën lot gëzimi” (Ethëri 6:12). Mund t’i frymëzoni fëmijët tuaj të ndihen falënderues për bekimet e Perëndisë duke i ndihmuar ata të gjejnë fraza nga Ethëri 6:9, 12 që tregojnë se si ia shprehën jareditët falënderimet Perëndisë. Atyre mund t’u pëlqejë të këndojnë, siç bënë jareditët, një këngë që shpreh mirënjohje, si “Ati Im Qiellor më Do” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 16–17). Kërkojuni fëmijëve tuaj t’ju thonë disa gjëra për të cilat janë falënderues.

  • Mbase fëmijët mund të lexojnë tek Ethëri 6:30; 7:27 dhe 10:2 dhe të gjejnë atë që kujtuan këta mbretër të drejtë. Si ndikoi kjo te mënyra se si e udhëhoqën ata popullin e tyre? Ju dhe fëmijët tuaj mund të diskutoni mënyra për t’ia kujtuar vetes atë çka Perëndia ka bërë për ju. Për shembull, ndoshta ata mund të shkruajnë rreth saj ose të bëjnë vizatime. Mund të sugjeroni që të krijojnë një zakon të rregullt të të shkruarit të bekimeve që vënë re nga Perëndia (shihni te “O Remember, Remember” [“O Kujtoni, Kujtoni”] [material filmik] Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

Ethëri 7:24–27

Unë bekohem kur e ndjek profetin e Perëndisë.

  • Mbase ju dhe fëmijëve tuaj mund t’ju pëlqejë të interpretoni me gjeste disa gjëra që profeti na ka mësuar të bëjmë. Mundeni edhe ta ktheni në një lojë në të cilën gjeni se çfarë përfaqësojnë veprimet. Kjo mund t’i përgatitë fëmijët tuaj që të diskutojnë mbi atë se pse është e rëndësishme ta ndjekin profetin e Perëndisë. Më pas mund të lexoni tek Ethëri 7:24–27 për të zbuluar se çfarë ndodhi kur njerëzit iu bindën profetit të Perëndisë. Si bekohemi nga ndjekja e profetit sot?

Ethëri 9:28–35; 11:5–8

Zoti është i mëshirshëm kur unë pendohem.

  • Kërkimi i modeleve është një aftësi e dobishme e studimit të shkrimeve të shenjta. Libri i Ethërit përmban një model të përsëritur që e thekson mëshirën e Zotit. Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj ta gjejnë këtë model, ftojini ata të lexojnë tek Ethëri 9:28–35 dhe Ethëri 11:5–8, duke kërkuar ngjashmëritë midis dy ndodhive. Çfarë mësojmë nga këto histori? Mbase ata mund të kërkojnë figura te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit të njerëzve të tjerë në shkrimet e shenjta që u penduan dhe u falën.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Pamja
maunat e jareditëve në det

Jaredite Barges [Maunat e Jareditëve], nga Gary Ernest Smith