Eja, Më Ndiq 2024
16–22 Dhjetor: “Ejani te Krishti dhe Përsosuni në Të”. Moroni 10


“16–22 Dhjetor: ‘Ejani te Krishti dhe Përsosuni në Të’. Moroni 10”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)

“16–22 Dhjetor. Moroni 10”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)

Pamja
Jezusi u shfaqet nefitëve

That Ye May Know [Që Ju të Mund të Dini], nga Gary L. Kapp

16–22 Dhjetor: “Ejani te Krishti dhe Përsosuni në Të”

Moroni 10

Libri i Mormonit fillon me premtimin e Nefit për të na treguar se “mëshirat e dhembshura të Zotit janë mbi të gjithë ata që ai ka zgjedhur, për shkak të besimit të tyre” (1 Nefi 1:20). Libri mbyllet me një ftesë paralele nga Moroni: “Kujtoni sa i mëshirshëm ka qenë Zoti” (Moroni 10:2–3). Çfarë shembujsh të mëshirës së Zotit keni parë në Librin e Mormonit? Ju mund të mendoni për mënyrën e mëshirshme se si Perëndia e udhëhoqi familjen e Lehit nëpër vendin e shkretë dhe përmes ujërave të mëdha, mëshirat e dhembshura që Ai i tregoi Enosit kur shpirti i tij kishte uri për falje, ose mëshirën që Ai tregoi ndaj Almës, një armiku të ashpër të Kishës, i cili u bë një nga mbrojtësit e patrembur të saj. Ose mendimet tuaja mund të kthehen te mëshira që Shpëtimtari i ringjallur u tregoi njerëzve kur Ai i shëroi të sëmurët e tyre dhe i bekoi fëmijët e tyre të vegjël. Ndoshta më e rëndësishmja, e gjitha kjo mund t’ju kujtojë se “sa i mëshirshëm ka qenë Zoti” ndaj jush, sepse Libri i Mormonit u shkrua që ta ftojë secilin prej nesh të marrë mëshirën e Perëndisë, një ftesë e shprehur thjesht në fjalët e lamtumirës së Moronit: “Ejani te Krishti dhe përsosuni në të” (Moroni 10:32).

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Moroni 10:3–7

Pamja
ikona e seminarit
Unë mund ta di të vërtetën e të gjitha gjërave nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Premtimi te Moroni 10:3–7 ka ndryshuar jetën e miliona njerëzve rreth e qark botës. Si e ka ndryshuar ai jetën tuaj? Ndërsa lexoni te Moroni 10:3–7, merrni parasysh të lexoni me më shumë kujdes nga sa mund të keni lexuar në të shkuarën. Ju mund ta shqyrtoni secilën frazë duke i bërë vetes pyetje si këto: Çfarë do të thotë kjo? Si mund ta bëj këtë më mirë? Çfarë përvojash kam pasur me këtë?

Ndërsa e përsiatni kërkimin tuaj vetjak për të vërtetën shpirtërore, mund t’ju ndihmojë të mësoni se si e kanë gjetur të tjerët të vërtetën me anë të fuqinë së Frymës së Shenjtë. Plaku Matias Held përshkroi përvojën e tij si një anëtar i ri i Kishës (shihni “Kërkimi i Njohurisë nëpërmjet Shpirtit”, Liahona, maj 2019, f. 31–33). Plaku Dejvid F. Evans përshkroi përvojën e tij si dikush që u rrit në Kishë, por që prapëseprapë kishte pyetje (shihni “E Vërteta e të Gjitha Gjërave”, Liahona, nëntor 2017, f. 68–70). Merreni parasysh të lexoni një ose të dyja këto mesazhe dhe të shkruani ndonjë gjë që mësoni nga kërkimet e tyre për të vërtetën që ju ndihmojnë për vetë kërkimin tuaj.

Mund të eksploroni edhe atë që Perëndia ka dhënë mësim për të vërtetën duke lexuar disa nga fragmentet tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Vërtetë (e)” (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit]. Cilat shkrime të shenjta duken veçanërisht se ju japin ide? Mbase mund të zgjidhni njërin për t’ia treguar dikujt tjetër që gjithashtu po e kërkon të vërtetën me anë të Shpirtit.

Shihni edhe te Henri B. Ajring, “Besimi për të Pyetur dhe Pastaj për të Vepruar”, Liahona, nëntor 2021, f. 74–76; “Shpirt’ i Shenjt’ na Udhëzoft’”, Himne, nr. 81.

Shënojini mbresat. Të qenit i kthyer në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit do të thotë edhe ta dini, edhe ta jetoni ungjillin. Ka më tepër gjasë që ju të veproni sipas asaj që mësoni, nëse e shkruani atë. Nëse po jepni mësim, ftojini njerëzit të cilëve u jepni mësim, që t’i shënojnë mbresat e tyre shpirtërore.

Moroni 10:8–25

Perëndia më ka dhënë dhurata shpirtërore.

Ka shumë mënyra se si një njeri mund t’i “moho[jë] dhuratat e Perëndisë” (Moroni 10:8). Disa njerëz e mohojnë faktin që këto dhurata madje ekzistojnë. Të tjerë i mohojnë dhuratat e tyre thjesht duke i lënë ato pas dore ose duke mos arritur t’i zhvillojnë ato. Ndërsa lexoni te Moroni 10:8–25, kërkoni të vërteta që do t’ju ndihmojnë të zbuloni dhuratat tuaja shpirtërore dhe t’i përdorni ato për të bekuar fëmijët e Perëndisë. Pyetje si këto mund të ndihmojnë: Çfarë janë dhuratat shpirtërore? Kujt i jepen ato? Përse jepen ato? Si i marrim ne ato? A mund të mendoni për shembuj të njerëzve që po i përdorin dhuratat e renditura te Moroni 10:9–16?

Moroni 10:30–33

Unë mund të përsosem nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit.

Këshilla e Moronit “ejani te Krishti” përfshin më shumë sesa të mësuarit dhe të menduarit për Të. Përkundrazi, kjo është një ftesë që të vini te Krishti në mënyrën më të plotë të mundur, që të bëheni siç është Ai. Teksa lexoni te Moroni 10:30–33, vini re fraza që ju ndihmojnë të kuptoni se çfarë do të thotë të vini te Krishti, si bëhet e mundur kjo dhe rrjedhojat për bërjen e kësaj.

Hidhni vështrimin pas në studimin tuaj të Librit të Mormonit këtë vit dhe përsiatni se çfarë keni ndier dhe mësuar rreth Jezu Krishtit. Për shembull, si ju ka ndihmuar Libri i Mormonit për të ardhur tek Ai? Si ju ka ndihmuar ai të mbështeteni më plotësisht te hiri i Tij? Si ju ka ndihmuar ai të mos e “mohoni” fuqinë e Shpëtimtarit? Merreni parasysh t’ia jepni dëshminë tuaj vetjake për Librin e Mormonit dikujt që ka nevojë ta dëgjojë atë, përfshirë njerëzit e dashur dhe miqtë që mund të mos jenë në dijeni për mesazhin e tij.

Shihni edhe “Moroni i Fton të Gjithë që të Vijnë te Krishti” (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Moroni 10:3–4

Unë mund ta di vetë se Libri i Mormonit është i vërtetë.

  • Si mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj që ta pranojnë ftesën e Moronit për ta pyetur Perëndinë nëse Libri i Mormonit është i vërtetë? Merreni parasysh t’u jepni atyre shirita letre me fjalët Lexoni, Kujtoni, Meditoni dhe Pyesni të shkruara mbi to. Fëmijët tuaj mund t’i gjejnë këto fjalë te Moroni 10:3–4. Çfarë duhet të lexojmë, kujtojmë, meditojmë dhe pyesim në mënyrë që ta fitojmë apo ta forcojmë dëshminë tonë për Librin e Mormonit? Fëmijët tuaj mund të kërkojnë ngjashmëritë ndërmjet këtyre vargjeve dhe këngës “Kërko, Përsiat dhe Lutu” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 66).

  • Fëmijët tuaj mund të përdorin figurën në fund të këtij përvijimi për të biseduar rreth groposjes së fletëve të arta nga Moroni (shihni edhe te “Kapitulli 54: Premtimi i Librit të Mormonit”, Tregime të Librit të Mormonit, f. 156). Fëmijëve më të vegjël mund t’u pëlqejë të hiqen sikur janë Moroni duke shkruar fletët dhe duke i groposur ato. Jepini njëri-tjetrit dëshminë tuaj për Librin e Mormonit.

Moroni 10:8–19

Ati Qiellor më jep dhurata shpirtërore.

  • Për t’u dhënë mësim fëmijëve tuaj rreth dhuratave shpirtërore, mund të shkruani numrat nga 9 deri te 16 në fletë të veçanta letre dhe mbështilleni secilën fletë si dhuratë. Fëmijët tuaj mund t’i hapin dhuratat me radhë, duke lexuar vargjet te Moroni 10:9–16 që përputhen me numrat, dhe të përcaktojnë secilën dhuratë shpirtërore. Mund të bisedoni rreth mënyrës se si Ati Qiellor do që ne t’i përdorim këto dhurata për t’i bekuar fëmijët e Tij. Mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj edhe që t’i vënë re dhuratat që u ka dhënë Ati Qiellor.

Moroni 10:32–33

Jezu Krishti dëshiron që unë të vij tek Ai.

  • A e dinë fëmijët tuaj se çfarë do të thotë “ejani te Krishti”? Ndoshta mund të lexoni te Moroni 10:32 dhe ftojini ata ta përsëritin frazën me ju. Pastaj ata mund t’i mbyllin sytë ndërkohë që ju vendosni një figurë të Jezusit diku në dhomë. Më pas lërini t’i hapin sytë, të gjejnë figurën, të mblidhen rrotull saj dhe të bisedoni për mënyrat se si mund të vijmë te Krishti. Ndoshta mund të ndihmojë nëse e shkruani pyetjen: Çfarë do të thotë të vish te Krishti? Ndihmojini ata të shqyrtojnë vargjet te Moroni 10:32–33 për të gjetur përgjigje të mundshme (shihni edhe te Nenet e Besimit 1:3–4). Punoni së bashku për të renditur se çfarë do Krishti që ne të bëjmë, dhe çfarë premton Ai se do të bëjë për ne.

  • Ndoshta fëmijëve tuaj do t’u pëlqejë të bëjnë dhe zbukurojnë distinktivë në formë zemre me shkrimin: “E dua Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën time” (shihni te Moroni 10:32). Teksa e bëjnë këtë, bisedoni me ta rreth mënyrës se si ia tregojmë Perëndisë se e duam Atë.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Pamja
Moroni duke groposur fletët e arta

Përpara se t’i groposte analet, Moroni na ftoi që të “kujto[jmë] sa i mëshirshëm ka qenë Zoti” (Moroni 10:3).