Eja, Më Ndiq 2024
23–29 Dhjetor: “Ai do të Vijë në Këtë Botë për të Shëlbuar Popullin e Tij”. Krishtlindja


“23–29 Dhjetor: ‘Ai do të Vijë në Këtë Botë për të Shëlbuar Popullin e Tij’. Krishtlindja”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)

“23–29 Dhjetor. Krishtlindja”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)

Pamja
Jozefi, Maria dhe foshnja Jezus në një grazhd

Behold the Lamb of God [Vini re Qengjin e Perëndisë], nga Walter Rane

23–29 Dhjetor: “Ai do të Vijë në Këtë Botë për të Shëlbuar Popullin e Tij”

Krishtlindja

Nga Nefi te Moroni, çdo profet i Librit të Mormonit ishte i zotuar ndaj qëllimit të shenjtë, të përmbledhur në faqen e titullit të librit: “Për bindjen e [gjithë njerëzve] se Jezusi është Krishti”. Një profet e pa Atë si një shpirt para lindjes dhe një tjetër pa në vegim shërbesën e Tij në vdekshmëri. Njëri qëndroi mbi mur për të shpallur shenjat e lindjes së Tij dhe të vdekjes së Tij, dhe një tjetër ra në gjunjë përpara trupit të Tij të ringjallur, duke prekur plagët në duart, këmbët dhe ijën e Tij. Ata të gjithë e dinin këtë të vërtetë thelbësore: “Nuk ka as udhë, as mënyrë tjetër, nëpërmjet së cilës njeriu mund të shpëtojë, vetëm nëpërmjet gjakut shlyes të Jezu Krishtit i cili … vjen për të shëlbuar botën” (Helamani 5:9).

Prandaj gjatë kësaj periudhe të Krishtlindjes, ndërkohë që besimtarët anembanë botës kremtojnë mirësinë dhe dashurinë e Perëndisë në dërgimin e Birit të Tij, përsiatni mënyrën se si Libri i Mormonit e ka forcuar besimin tuaj te Krishti. Teksa mendoni rreth lindjes së Tij, përsiatni arsyen përse erdhi Ai dhe mënyrën se si ardhja e Tij e ka ndryshuar jetën tuaj. Atëherë ju mund të provoni gëzimin e vërtetë të Krishtlindjes, dhuratën që Jezu Krishti ju jep.

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Jezu Krishti u lind që të ishte Shpëtimtari im.

Në periudhën e Krishtlindjes, sipas traditës, lexohet historia e lindjes së Shpëtimtarit në Dhiatën e Re, por ju mund të gjeni profeci emocionuese të kësaj ngjarjeje të shenjtë edhe në Librin e Mormonit. Për shembull, profecitë e lindjes dhe shërbesës së Shpëtimtarit gjenden te 1 Nefi 11:13–36; Mosia 3:5–10 dhe Helamani 14:1–13. Çfarë mbresash për Jezu Krishtin ju vijnë teksa i lexoni këto fragmente dhe mendoni thellë për simbolikën e shenjave të lindjes së Tij? Si e forcojnë dëshmitë e këtyre profetëve dëshminë tuaj për Krishtin dhe misionin e Tij?

Ja tek janë disa sugjerime të tjera për t’ju ndihmuar të përqendroheni te Jezu Krishti në periudhën e Krishtlindjes.

  • A e dinit se mund të shihni mesazhe nga takimet shpirtërore të mëparshme për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë në Gospel Library [Bibliotekën e Ungjillit]? Kërkojini në koleksionin “Christmas Videos” [“Materiale Filmike për Krishtlindje”]. Merreni parasysh t’i shpërndani këto mesazhe dhe këtë muzikë për të përhapur gëzimin e Krishtlindjes.

  • Ju dhe familjes suaj gjithashtu mund t’ju pëlqejë të dëgjoni përzgjedhje nga koleksioni “Christmas Music” [“Muzikë për Krishtlindje”] te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  • Merreni parasysh të planifikoni veprimtari që ju ose familja juaj mund t’i bëni në ditët që çojnë drejt Krishtlindjes, për të ndier Shpirtin e Krishtit, të tilla si t’i shërbeni dikujt ose të këndoni së bashku himne të Krishtlindjes. Shihni faqen e internetit ndricojeboten.org për ide.

Shihni edhe te Mateu 1:18–25; 2; Lluka 2; 3 Nefi 1:4–22; “Larg në një Koritë”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 26–27.

Jezu Krishti është Shëlbuesi i botës.

Arsyeja kryesore pse e kremtojmë lindjen e Jezu Krishtit, është për shkak të flijimit të Tij shlyes. Për shkak të atij flijimi, Ai mund të na shpëtojë nga mëkati dhe vdekja, mund të na ngushëllojë në pikëllime dhe të na ndihmojë që të “përsos[emi] në [T]ë” (Moroni 10:32). Çfarë keni mësuar nga Libri i Mormonit këtë vit rreth fuqisë së Shpëtimtarit për t’ju shëlbuar? A ju bie në sy ndonjë rrëfim ose mësim? Merreni parasysh se çfarë mësoni nga fragmentet vijuese rreth misionit shëlbues të Shpëtimtarit: 2 Nefi 2:6; Alma 7:7–13; 11:40 dhe Helamani 5:9; 14:16–17. Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni për t’ia treguar Atij mirënjohjen tuaj?

Pamja
ikona e seminarit
Libri i Mormonit dëshmon për Jezu Krishtin.

Fraza “Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit” është më shumë se thjesht një nëntitull për Librin e Mormonit; është një thënie e qëllimit të tij hyjnor. Përsiatni atë që mësoni nga shkrimet e shenjta vijuese rreth misionit të Librit të Mormonit që të dëshmojë për Krishtin: 1 Nefi 6:4; 19:18 dhe 2 Nefi 25:23, 26; 33:4, 10.

Merreni parasysh të shënoni në ditar mënyrën se si studimi i Librit të Mormonit këtë vit ju ka sjellë më pranë Krishtit. Thëniet vijuese mund të ndihmojnë:

  • “Diçka që e mësova ose e ndjeva rreth Shpëtimtarit këtë vit, ishte …”

  • “Të mësuarit rreth Shpëtimtarit në Librin e Mormonit e ndryshoi mënyrën se si unë …”

  • “Njeriu im i parapëlqyer [ose historia ime e parapëlqyer] në Librin e Mormonit më mësoi që Shpëtimtari …”

Ndoshta është dikush që do të bekohej po ta dinte se si ndiheni ju për Librin e Mormonit. Si mund t’i tregoni përvojat dhe dëshminë tuaj? Mund të ndiheni të frymëzuar t’u jepni një kopje si dhuratë për Krishtlindje. Programi elektronik Libri i Mormonit e bën të thjeshtë shpërndarjen.

Peshkopi Zherald Kosé renditi disa të vërteta nga Libri i Mormonit rreth Jezu Krishtit (shihni te “Një Dëshmitar i Gjallë i Krishtit të Gjallë”, Liahona, maj 2020, f. 39–40). Mund t’i hidhni një sy listës së tij dhe të përsiatni se si e ka ndryshuar ose mund ta ndryshojë secila nga këto të vërteta jetën tuaj.

Shihni edhe tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Libër i Mormonit”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistave Liahona dhe Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Për shkak se kjo e diel është e diela e pestë e muajit, mësuesit/et e Fillores nxiten të përdorin veprimtaritë e të mësuarit te “Shtojca B: Përgatitja e Fëmijëve për të Ecur Gjatë Gjithë Jetës në Shtegun e Besëlidhjeve të Perëndisë”.

Jezu Krishti është dhurata e Atit Qiellor për mua.

  • Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të përqendrohen te dhurata që na dha Ati Qiellor duke dërguar Birin e Tij, ju mund të mbështillni një figurë të Jezu Krishtit si dhuratë për Krishtlindje. Ju dhe fëmijët tuaj mund të flisni rreth dhuratave të parapëlqyera të Krishtlindjes që i keni marrë ose shpresoni t’i merrni. Më pas ata mund ta hapin dhuratën me figurën e Krishtit dhe të diskutojnë se si Ai ka qenë një dhuratë e çmuar për ne. Një këngë si “Ai Dërgoi Birin e Tij” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 20–21) mund ta pasurojë këtë bashkëbisedim. Ndihmojini fëmijët tuaj të gjejnë fraza te kënga të cilat përshkruajnë bekimet që kemi për shkak të lindjes së Jezusit.

Jezu Krishti u lind që të ishte Shpëtimtari im.

  • Fëmijëve tuaj mund t’u pëlqejë t’ju tregojnë atë që dinë për lindjen e Jezusit. Libri i Figurave Artistike të Ungjillit ka disa figura që mund t’i ndihmojnë ata të thonë tregimin (shihni figurat nr. 28, 29, 3031). Mund të vështroni edhe figurat që përshkruajnë jetën dhe flijimin shlyes të Shpëtimtarit. Pse e dërgoi Atin Qiellor Jezu Krishtin?

    Pamja
    engjëlli
  • Fëmijëve tuaj mund t’u pëlqejë edhe të bëjnë vetë vizatimet e tyre të lindjes dhe shërbesës së Jezusit. Ndoshta ata mund të vizatojnë atë që përshkruhet te 1 Nefi 11:13–23; Mosia 3:5–10; Helamani 14:1–13 dhe te 3 Nefi 1:4–22. Më pas ata mund t’ju tregojnë se çfarë mund të mësohet nga vizatimet e tyre rreth Jezu Krishtit.

  • Për të theksuar se edhe Bibla, edhe Libri i Mormonit na mësojnë për lindjen e Jezusit, mund t’i renditni ngjarjet e përshkruara te Lluka 2:4–14; Mateu 2:1–2 dhe 3 Nefi 1:15, 19–21. Më pas fëmijët tuaj mund t’i shqyrtojnë këto shkrime të shenjta për të përcaktuar cilat ngjarje ndodhën në Bethlehem, në kontinentin amerikan apo në të dyja ato. Përse jemi mirënjohës që e kemi Librin e Mormonit si një dëshmi të dytë për lindjen e Jezusit?

Fëmijëve u pëlqejnë historitë. Historitë janë një nga mënyrat më të mira për t’i ndihmuar fëmijët t’i mësojnë e kujtojnë të vërtetat. Kur të tregoni historinë e lindjes së Jezusit, merrni parasysh të tregoni histori nga jeta juaj që kanë ndihmuar në forcimin e besimit tuaj te Shpëtimtari.

Libri i Mormonit dëshmon për Jezu Krishtin.

  • Ndërsa ju dhe fëmijët tuaj përfundoni studimin tuaj të Librit të Mormonit këtë vit, mund të jetë një kohë e mirë për t’i treguar njëri-tjetrit tregimet ose fragmentet tuaja të parapëlqyera nga ky libër i shenjtë. Vështrimi i disa prej figurave te materiali Eja, Më Ndiq ose Tregime të Librit të Mormonit mund t’i ndihmojë fëmijët tuaj ta mbajnë mend atë që kanë mësuar këtë vit. Ndihmojini ata të kuptojnë se çfarë na mësojnë këto tregime për Jezu Krishtin.

  • Gjithashtu mund t’u jepni fëmijëve tuaj një figurë të Jezusit ose lërini ata që të bëjnë vetë vizatimet e tyre për Të. Ftojini që t’i ngrenë lart vizatimet e tyre sa herë që e dëgjojnë emrin e Krishtit ndërsa lexoni te 2 Nefi 25:23, 26. Dëshmoni se Libri i Mormonit u shkrua për të na ndihmuar që të “besoj[m]ë në Krisht” (2 Nefi 25:23).

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Pamja
një engjëll duke i treguar Nefit virgjëreshën Marie në një vegim

Nephi’s Vision of the Virgin Mary [Vegimi i Nefit për Virgjëreshën Marie], nga Judith A. Mehr