Eja, Më Ndiq
11–17 Maj. Mosia 18–24: “Ne Kemi Hyrë në një Besëlidhje me Të”


“11–17 Maj. Mosia 18–24: ‘Ne Kemi Hyrë në një Besëlidhje me Të’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“11–17 Maj. Mosia 18–24”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020

Pamja
populli i Limhit duke u arratisur

Minerva K. Teichert (1888–1976), Largimi i Mbretit Limhi dhe i Popullit të Tij, 1949–1951, vaj në dru të presuar, 90 x 122 centimetra. Muzeu i Artit i Universitetit “Brigam Jang”, 1969.

11–17 Maj

Mosia 18–24

Ne Kemi Hyrë në një Besëlidhje me Të

Presidenti Tomas S. Monson dha mësim: “Ndërsa i lexojmë dhe i përsiatim shkrimet e shenjta, ne vërtet do të përjetojmë pëshpëritjet e ëmbla të Shpirtit drejtuar shpirtrave tanë” (“Nuk Ecim Kurrë Vetëm”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 122).

Shënojini Mbresat Tuaja

Rrëfimi i Almës dhe popullit të tij te Mosia 18; 23–24 tregon se çfarë do të thotë të “hyni në grigjën e Perëndisë” (Mosia 18:8). Kur u pagëzuan, ata bënë një besëlidhje me Perëndinë që t’i “shërbeni[n] atij dhe … t[’i] zbatoni[n] urdhërimet e tij” (Mosia 18:10). Ndërkohë që ky ishte një zotim thellësisht vetjak, ai kishte të bënte edhe me mënyrën se si ata e trajtonin njëri‑tjetrin. Po, udhëtimi i kthimit për tek Ati Qiellor është vetjak e individual dhe asnjë njeri nuk mund t’i mbajë besëlidhjet për ne, por kjo nuk do të thotë që ne jemi vetëm. Ne kemi nevojë për njëri‑tjetrin. Si anëtarë të Kishës së Krishtit, ne besëlidhim që t’i shërbejmë Perëndisë duke e ndihmuar dhe duke i shërbyer njëri‑tjetrit përgjatë udhës, duke i “mba[jtur] barrat e njëri‑tjetrit” (Mosia 18:8–10). Populli i Almës, pa dyshim, që kishte barra për të mbajtur, ashtu si kemi të gjithë ne. Dhe një mënyrë se si na ndihmon Zoti t’i “duro[jmë] barrat [tona] me lehtësi” (Mosia 24:15) është duke na dhënë një bashkësi shenjtorësh, të cilët kanë premtuar të vajtojnë me ne dhe të na ngushëllojnë, ashtu siç kemi premtuar ne të bëjmë për ata.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Mosia 18:1–17

Pagëzimi përfshin një besëlidhje për t’i shërbyer Perëndisë dhe për të qëndruar si dëshmitar i Tij.

Mosia 18:8–10 përmban mësimet e Almës për besëlidhjen e pagëzimit apo premtimin që i bëjmë Perëndisë në pagëzim. Teksa i lexoni këto vargje, përsiatni pyetjet vijuese:

  • Çfarë mësoni nga këto vargje për premtimet që bëtë në pagëzim? Çfarë ju premton Perëndia juve?

  • Si lidhet besëlidhja për t’i shërbyer Perëndisë (shih vargun 10) me përpjekjet tona për t’i dhënë shërbesë njëri‑tjetrit? (Shih vargun 8–9.)

  • Çfarë po bëni për t’i mbajtur premtimet tuaja?

  • Si ju ndihmon mbajtja e besëlidhjeve tuaja të pagëzimit që të jeni “të mbushur me Shpirtin”? (Mosia 18:14.) Si ju ndihmon Shpirti që ta mbani besëlidhjen tuaj?

Pamja
pagëzim në oqean

Kur bëj besëlidhje me Perëndinë, unë marr bekimet e Tij.

Ky tregim zbulon gjithashtu mënyrën e duhur të pagëzimit. Çfarë mësoni te vargjet 14–17 rreth mënyrës se si duhet të kryhet pagëzimi? Çfarë tjetër mësoni rreth pagëzimit nga Mateu 3:16; Romakëve 6:3–5; 3 Nefi 11:21–28 dhe Doktrina e Besëlidhje 20:72–74?

Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 20:37, 77, 79.

Mosia 18:17–30

Populli i Perëndisë duhet të jetë i bashkuar.

Ashtu siç e zbuluan Alma dhe populli i tij, ndjekja e Jezu Krishtit ndonjëherë do të thotë të largohesh nga një mënyrë e njohur jetese drejt diçkaje të re e të ndryshme. Por pjesëtarët e popullit të Almës morën forcë nga njëri‑tjetri si pjesë e “kish[ës së] Krishtit” (Mosia 18:17). Si ju frymëzojnë mësimet te Mosia 18:17–30 për të qenë një anëtar më i mirë i Kishës? Çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar anëtarët e lagjes apo degës suaj që të jenë “të thurur në bashkim dhe në dashuri”? (Mosia 18:21.)

Shih edhe Henri B. Ajring, “Zemrat Tona Thuren si Një e Vetme”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 68–71.

Mosia 19–20

Fjalët e profetëve do të përmbushen.

Abinadi bëri disa profeci të posaçme rreth asaj që do t’i ndodhte mbretit Noe dhe popullit të tij nëse nuk pranonin të pendoheshin. Megjithatë, disa njerëzve këto profeci iu dukën të pabesueshme (shih Mosia 12:1–8, 14–15), veçanërisht meqë nefitët e kishin mbrojtur me sukses veten kundër lamanitëve për afro 50 vjet (shih Mosia 9:16–18; 11:19). Por fjalët e profetëve do të përmbushen të gjitha – në kohën tonë po aq sa në kohën e Abinadit.

Çfarë gjeni te Mosia 19–20 që e shtynë Gideonin të shpallte se profecitë e Abinadit qenë përmbushur? (shih Mosia 20:21.) Si e forcon ky tregim besimin tuaj te paralajmërimet dhe këshilla e profetëve të Perëndisë dhe zotimin tuaj për t’iu bindur fjalëve të tyre? Kur i keni parë të përmbushen fjalët e një profeti në kohën tonë?

Mosia 21–24

Perëndia mund t’i lehtësojë barrët e mia.

Populli i Limhit dhe populli i Almës që të dy ranë në robëri, ndonëse për arsye të ndryshme dhe në rrethana të ndryshme. Çfarë mund të mësoni nga krahasimi i tregimeve të popullit të Limhit te Mosia 19–22 me ato të popullit të Almës te Mosia 18; 23–24? Ju mund të vini re mënyrën se si secili prej këtyre grupeve iu përgjigj robërisë ose mënyrën se si secili u çlirua përfundimisht. Ndërsa e bëni atë, kërkoni mesazhe që gjejnë zbatim në jetën tuaj. Për shembull, çfarë mësoni nga këto tregime që do t’ju ndihmojnë t’i mbani barrët tuaja?

Mosia 23:21–24; 24:8–17

Unë mund t’i mirëbesoj Zotit.

Ndonëse ishin penduar për mëkatet e tyre, Alma dhe populli i tij prapëseprapë e gjetën veten në robëri. Përvoja e tyre tregon që mirëbesimi te Zoti dhe të jetuarit sipas besëlidhjeve tona nuk i parandalojnë përherë vështirësitë, por ata vërtet na ndihmojnë që t’i kapërcejmë ato. Teksa lexoni te Mosia 23:21–24 dhe 24:8–17, vini re fjalë e fraza që mund t’ju ndihmojnë të mirëbesoni te Perëndia, pavarësisht nga rrethanat tuaja.

Shih edhe Tomas S. Monson, “Nuk do të të Lë, as nuk do të të Braktis”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 85–87.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.

Mosia 18:1–4

Ka një thënie që thotë se mund të numërohen farat brenda një molle, por nuk mund të numërohen mollët që vijnë nga një farë [diçka mund të mos duket e madhe, por mund të ketë rrjedhoja të mëdha]. Vetëm një person e pranoi dëshminë e Abinadit, por ai person i vetëm – Alma – pati ndikim në [shumë] breza nefitësh. Ndoshta ju mund të përdorni një frutë me fara për ta paraqitur në praktikë këtë parim. Si gjen zbatim ky mesazh për familjen tuaj? Çfarë mund të bëjmë që të flasim për dëshmitë tona me të tjerët?

Mosia 18:8–10

Çfarë mund të mësojmë për besëlidhjen tonë të pagëzimit nga këto vargje? (Shih edhe DeB 20:73, 77–79.) Çfarë po bëjmë që të përgatitemi për besëlidhjen tonë të pagëzimit apo që ta mbajmë atë?

Mosia 18:30

Cilat vende kanë domethënie të veçantë për ne për shkak të përvojave shpirtërore që kemi pasur atje?

Mosia 21:11–16; 24:10–15

Çfarë mësojmë nga krahasimi i robërisë së popullit të Almës me atë të popullit të Limhit?

Mosia 21:15; 24:11–15

Çfarë na mësojnë këto vargje rreth disa prej mënyrave se si Zoti u përgjigjet lutjeve?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Gjeni një orë që ju përshtatet. Është shpesh më e lehtë të mësoni kur mund t’i studioni shkrimet e shenjta pa u ndërprerë. Gjeni një orë që ju përshtatet dhe bëni më të mirën që të studioni vazhdimisht në atë orë çdo ditë.

Pamja
njerëz duke u pagëzuar

Ujërat e Mormonit, nga Jorge Cocco