Eja, Më Ndiq
25–31 Maj. Mosia 29 – Alma 4: “Ata Qenë të Paepur dhe të Palëvizshëm”


“25–31 Maj. Mosia 29 – Alma 4: ‘Ata Qenë të Paepur dhe të Palëvizshëm’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“25–31 Maj. Mosia 29 – Alma 4”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020

Pamja
Alma i Riu duke predikuar

Alma i Riu Duke Predikuar, nga Gary L. Kapp

25–31 Maj

Mosia 29 – Alma 4

“Ata Qenë të Paepur dhe të Palëvizshëm”

Leximi i shkrimeve të shenjta fton zbulesën. Jini të hapur ndaj mesazheve që Zoti dëshiron t’ju japë.

Shënojini Mbresat Tuaja

Disa njerëz mund ta shohin sugjerimin e mbretit Mosia për t’i zëvendësuar mbretërit me gjykatës të zgjedhur thjesht si një reformë të zgjuar politike. Por për nefitët, veçanërisht për ata që jetuan nën sundimin e mbretit të lig Noe, ky ndryshim kishte domethënie shpirtërore gjithashtu. Ata e kishin parë se si një mbret i padrejtë kishte shkaktuar “paudhësi” dhe “shkatërrim të madh” mes popullit të tij (Mosia 29:17) dhe ata po “pritnin me padurim” të ishin të lirë nga një ndikim i tillë. Ky ndryshim do t’i lejonte ata të ishin përgjegjës për drejtësinë e tyre vetjake dhe të “përgjigje[shin] për mëkatet e [tyre]” (Mosia 29:38; shih edhe DeB 101:78).

Sigurisht, mbarimi i sundimit të mbretërve nuk do të thoshte mbarimi i problemeve në shoqërinë nefite. Njerëz dinakë si Nehori dhe Amlici përhapën ide të rreme, jobesimtarët i përndoqën shenjtorët dhe shumë anëtarë të Kishës u bënë krenarë dhe u larguan nga Kisha. Prapëseprapë, “pasues[it e] përulur të Perëndisë” mbetën “të paepur dhe të palëvizshëm” pavarësisht nga ajo çfarë ndodhte përreth tyre (Alma 1:25). Dhe për shkak të ndryshimit të dekretuar nga Mosia, ata mund të “treg[onin] me zërat e tyre” për të ndikuar për mirë në shoqërinë e tyre (Alma 2:6).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Mosia 29:11–27; Alma 2:1–7

Unë mund të kem një ndikim pozitiv në komunitetin tim.

[Kishin kaluar] vetëm pesë vjet nën pushtetin e gjykatësve dhe nisi një krizë që do ta vinte në provë deklaratën e Mosias që zëri i popullit zakonisht do të zgjidhte atë që ishte e drejtë (shih Mosia 29:26). Çështja përfshiu lirinë fetare: një burrë i quajtur Amlici, u përpoq t’i “hiqte [popullit] të drejtat dhe privilegjet e kishës” (Alma 2:4). A keni vënë re të kërcënohen të drejtat fetare në vendin apo komunitetin tuaj? Çfarë mësoni nga mënyra se si u përgjigjën nefitët ndaj këtij kërcënimi? (Shih Alma 2:1–7.)

Me gjasë ka shumë çështje të rëndësishme me të cilat po përballet komuniteti juaj. Si mundeni ju, ashtu si nefitët, të siguroheni që zëri juaj të përfshihet në “zërin e popullit”? Ndoshta ju jetoni në një vend ku zëri i popullit ka ndikim të kufizuar në qeveri; nëse është kështu, a ka mënyra të tjera se si ju mund të keni një ndikim pozitiv në komunitetin tuaj?

Alma 1

Unë mund ta dalloj dhe të mos e pranoj doktrinën e rreme.

Ndonëse Nehori përfundimisht rrëfeu se ajo që dha mësim ishte e rreme, mësimet e tij vijuan të kishin ndikim te nefitët për shumë vite (shih Alma 1:15–16; 2:1–2; 14:14–18; 15:15; 21:4; 24:28). Përse njerëzve mund t’u jenë dukur joshëse mësimet e Nehorit? Teksa e lexoni Almën 1:2–4, shikoni nëse mund t’i dalloni gënjeshtrat te mësimet e Nehorit; ndoshta do të vini re që ato jepen mësim bashkë me të vërteta të pjesshme.

Gideoni iu kundërvu Nehorit “me fjalët e Perëndisë” (Alma 1:7, 9). A mund të mendoni për shkrime të shenjta që i hedhin poshtë gënjeshtrat e Nehorit? Ja disa shembuj: Mateu 7:21–23; 2 Nefi 26:29–31; Mosia 18:24–26 dhe Helamani 12:25–26, por ka shumë të tjerë. Si mund t’ju ndihmojnë këto shkrime të shenjta që t’i përgënjeshtroni të pavërtetat që jepen mësim sot?

Një mënyrë tjetër se si t’i drejtoheni studimit të Almës 1 nga ju është që ta krahasoni Nehorin dhe pasuesit e tij (vargjet 3–9, 16–20) me “njerëz[it e] Perëndisë” (vargjet 25–30; shih edhe 2 Nefi 26:29–31). Si mund të jeni më shumë si njerëzit e Perëndisë? A vini re ndonjë “intrig[ë] priftër[ore]” në vetë shërbimin tuaj?

Alma 1:27–31; 4:6–15

Dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit nuk i vënë zemrat e tyre pas pasurive.

Që të dy kapitujt 1 dhe 4 të Almës përshkruajnë periudha kohore kur Kisha përparoi, por anëtarët e Kishës, në secilin rast, reaguan ndaj asaj begatie në mënyra të ndryshme. Çfarë ndryshimesh vini re? Bazuar tek ajo që gjeni, si do ta përshkruanit qëndrimin që kanë “pasues[it e] përulur të Perëndisë” (Alma 4:15) ndaj pasurive dhe begatisë? Çfarë ndiheni të frymëzuar të ndryshoni në vetë qëndrimin tuaj?

Alma 4

“Fjal[a] e Perëndisë” dhe një “dëshmi [e] kulluar” mund ta ndryshojnë zemrën.

Çfarë e bëri Almën të “mërzitej shumë” (Alma 4:15) tek Alma 4? Disa mund të thonë se posti i kryegjykatësit do ta kishte vënë Almën në pozicionin më të mirë për t’i zgjidhur problemet që shihte mes popullit të tij. Por Alma mendoi se kishte një mënyrë më të mirë. Çfarë ju lë mbresa rreth mënyrës së tij për ta ndihmuar popullin e tij? Studimi juaj mund të frymëzojë mendime rreth mënyrës se si ju mund të keni ndikim të drejtë te njerëzit përreth jush; nëse po, veproni sipas atyre mendimeve.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.

Alma 1:19–25

Familja juaj mund të përfitojë nga përcaktimi i mënyrave të ndryshme se si reaguan ndaj përndjekjes anëtarët e Kishës në këto vargje. Ndofta ju mund të praktikoni disa mënyra se si të përgjigjeni në mënyrë të përshtatshme kur të tjerët i sulmojnë bindjet tona. Materialet filmike te ChurchofJesusChrist.org/religious-freedom/examples mund të jenë të dobishme.

Alma 3:4

Çfarë mesazhi donin të kumtonin amlicitët kur i “vunë [një] shenj[ë] vetes”? (Shih Alma 3:4, 13.) Çfarë mesazhesh mund të japim ne – në mënyrë të qëllimshme ose jo – me pamjen tonë të jashtme? Ky mund të jetë një çast i mirë për të shqyrtuar pjesën “Veshja dhe Pamja e Jashtme” te broshura Për Forcën e Rinisë (2011), f. 6–8.

Alma 4:2–3

Çfarë gjërash ose përvojash na kanë “zgjua[r] që ta kujto[jmë] detyrën” tonë kundrejt Perëndisë? (Alma 4:3.) Ndofta do të ishte e dobishme të flitni për këto vargje pasi ta zgjoni familjen tuaj në mëngjes. Ju, atëherë, mund të diskutoni se si sfidat e zgjimit fizikisht na ndihmojnë t’i kuptojmë sfidat e zgjimit shpirtërisht.

Alma 4:10–11

Si mund ta shmangim të qenit një “pengesë e madhe për ata që nuk bë[jnë] pjesë në kishë”? (Alma 4:10.) Mund të jetë gjithashtu e dobishme të flitni se si mund të sigurohemi që veprimet e të tjerëve, veçanërisht të bashkanëtarëve të Kishës, të mos bëhen pengesa të mëdha për përparimin tonë shpirtëror.

Alma 4:19

Për ta ndihmuar familjen tuaj që ta kuptojë fuqinë e dëshmisë, ju mund t’u kërkoni atyre që të mendojnë për një rast kur të dëgjuarit e dëshmisë së dikujt ndikoi thellësisht tek ata. Përse mund të ketë zgjedhur Alma të përdorë dëshminë dhe fjalën e Perëndisë për t’i prekur zemrat e njerëzve? (Shih edhe Alma 31:5.) Përse është kjo më e efektshme sesa metodat e tjera që mund të përdorin njerëzit për t’i bindur të tjerët të ndryshojnë? A ka njerëz, besimin e të cilëve mund ta forcojmë duke u dhënë dëshminë tonë atyre?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Përshtatja e shkrimeve të shenjta për veten tuaj. Merreni parasysh mënyrën se si historitë dhe mësimet e shkrimeve të shenjta gjejnë zbatim në jetën tuaj. Për shembull, ju mund të gjeni paralelizma ndërmjet botës së sotme dhe problemeve shoqërore që hasën nefitët tek Alma 1–4.

Pamja
nefitët duke luftuar me amlicitët

Alma dhe Amlici, nga Scott M. Snow