Eja, Më Ndiq
16–22 Nëntor. Ethëri 6–11: “Që e Keqja të Mund të Zhduket”


“16–22 Nëntor. Ethëri 6–11: ‘Që e Keqja të Mund të Zhduket’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“16–22 Nëntor. Ethëri 6–11”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020

Pamja
maunet jaredite në det

Unë do t’ju Nxjerr Përsëri nga Thellësitë, nga Jonathan Arthur Clarke

16–22 Nëntor

Ethëri 6–11

“Që e Keqja të Mund të Zhduket”

Duke folur për analin jaredit, Mormoni komentoi se “është e domosdoshme që të gjithë njerëzit të dinë gjërat që janë shkruar në këtë rrëfim” (Mosia 28:19). Mbajeni këtë gjë në mendje kur lexoni kapitujt tek Ethëri 6–11. Përse janë këto gjëra të nevojshme – ose dobiprurëse – për ju dhe njerëzit tuaj të dashur?

Shënojini Mbresat Tuaja

Qindra vjet pasi jareditët u shkatërruan, nefitët zbuluan rrënojat e qytetërimit të tyre të lashtë. Mes këtyre rrënojave ishte një anal i mistershëm – fletë prej “ari të kulluar” që ishin “të mbushura me gdhendje” (Mosia 8:9). Mbreti nefit, Limhi, pati përshtypjen se ky anal ishte i rëndësishëm: “Pa dyshim një mister i madh përmbahet brenda këtyre fletëve”, tha ai (Mosia 8:19). Sot ju keni një përmbledhje të këtij anali, të përkthyer në gjuhën tuaj, dhe ajo quhet libri i Ethërit. Ai vjen nga i njëjti anal që nefitët “dëshironin jashtë mase” ta lexonin dhe kur e lexuan, “ata ishin të mbushur me hidhërim; megjithatë, ai u dha atyre njohuri të madhe, në të cilën ata u gëzuan” (Mosia 28:12, 18). Teksa lexoni për ngritjen dhe rënien tragjike të jareditëve, ju do të gjeni shumë çaste hidhëruese. Por mos e anashkaloni gëzimin e nxjerrjes së mësimeve nga kjo histori. Në fund të fundit, ashtu siç Moroni shkroi: “Është në urtësinë e Perëndisë që këto gjëra t’ju bëhen të ditura” (Ethëri 8:23), sepse, në qoftë se mund të mësojmë nga dështimet dhe sukseset e jareditëve, “e keqja … mund të zhduket dhe [mund] të vijë koha që Satani të mos ketë pushtet mbi zemrat e fëmijëve të njerëzve” (Ethëri 8:26).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Ethëri 6:1–12

Zoti do të më çojë drejt tokës sime të premtuar.

Ju mund të gjeni ide shpirtërore nëse e krahasoni udhëtimin e jareditëve përmes oqeanit me udhëtimin tuaj përmes vdekshmërisë. Për shembull, çfarë ka siguruar Zoti që e ndriçon udhën tuaj sikurse gurët në maunet e jareditëve? Çfarë mund të përfaqësojnë maunet ose erërat që “fry[jnë] në drejtim të tokës së premtuar”? (Ethëri 6:8.) Çfarë mësoni nga veprimet e jareditëve përpara, gjatë dhe pas udhëtimit? Si po ju çon Zoti drejt tokës suaj të premtuar?

Pamja
Jareditët duke udhëtuar me kafshë

Udhëtimi i Jareditëve përmes Azisë, nga Minerva Teichert

Ethëri 6:5–18, 30; 9:28–35; 10:1–2

Zoti më bekon kur jam i përulur.

Megjithëse krenaria dhe ligësia duket se mbizotërojnë në historinë jaredite, në këta kapituj ka edhe shembuj të përulësisë – veçanërisht tek Ethëri 6:5–18, 30; 9:28–35 dhe 10:1–2. Përsiatja e pyetjeve vijuese mund t’ju ndihmojë të mësoni nga këta shembuj: Përse e përulën veten këta jareditë në këto situata? Çfarë bënë ata që ta tregonin përulësinë e tyre? Si u bekuan ata për rrjedhojë? Vini re se në disa raste njerëzit u detyruan nga rrethanat e tyre që të ishin të përulur. Merrni parasysh se çfarë mund të bëni që me gatishmëri të “ecni përulësisht para Zotit” (Ethëri 6:17), në vend që të detyroheni të jeni të përulur (shih Mosia 4:11–12; Alma 32:14–18).

Ethëri 7–11

Udhëheqësit e drejtë i bekojnë njerëzit që ata udhëheqin.

Kapitujt 7–11 të Ethërit mbulojnë të paktën 28 breza. Edhe pse nuk mund të jepen shumë hollësi në një hapësirë të tillë të vogël, një model del shpejt në pah: udhëheqja e drejtë çon drejt bekimeve dhe begatisë, ndërkohë që udhëheqja e ligë çon drejt robërisë dhe shkatërrimit.

Më poshtë janë vetëm disa nga mbretërit e përmendur në këta kapituj. Lexojini vargjet e bashkërenditura dhe shihni se çfarë mund të mësoni nga shembujt e tyre – pozitivë dhe negativë – rreth udhëheqjes. Teksa e bëni këtë, mendoni për mundësitë që mund të keni për të udhëhequr ose për të ndikuar te njerëz të tjerë në shtëpinë tuaj, komunitetin tuaj, në thirrjen tuaj në Kishë e kështu me radhë.

Ethëri 8:7–26

Çfarë është një lidhje e fshehtë?

Kur dy ose më shumë njerëz komplotojnë që t’i mbajnë të fshehta veprimet e tyre të liga, ata përfshihen në një lidhje të fshehtë. Ata shpesh nxiten nga dëshira për pushtet ose pasuri. Përveç lidhjes së fshehtë të përshkruar tek Ethëri 8:7–18, shembuj të tjerë mund të gjenden te Helamani 1:9–12; 2:2–11; 6:16–30 dhe Moisiu 5:29–33. Tek Ethëri 8:18–26, Moroni përshkruan pasojat e lidhjeve të fshehta (shih edhe Ethëri 9:4–12) dhe na paralajmëron që të mos i përkrahim ato.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.

Ethëri 6:2–12

A do t’i pëlqente familjes suaj ta luante me role udhëtimin e jareditëve drejt tokës së premtuar? Ndoshta ju mund ta përdorni një dhomë të errët si maune dhe disa elektrikë dore për të përfaqësuar gurët e shndritshëm. Ju mund të flitni për mënyrën se si jareditët e treguan besimin e tyre te Zoti duke u futur brenda mauneve, pavarësisht se e dinin që do të “mbul[oheshin] në thellësinë e detit” (Ethëri 6:6). Pas leximit të vargut 9, pjesëtarët e familjes mund të tregojnë himnet e tyre të parapëlqyera të përlëvdimit dhe t’i këndojnë ato së bashku. Si mund të krahasohen shtëpitë tona me maunet e jareditëve? Cila është toka e premtuar drejt së cilës Zoti po e çon familjen tonë?

Ethëri 6:22–23

Gjatë gjithë kësaj jave familja juaj mund të shikojë me vëmendje për mënyrën se si u përmbush paralajmërimi profetik i vëllait të Jaredit rreth robërisë. Çfarë paralajmërimesh na kanë dhënë udhëheqësit tanë të Kishës? Në çfarë mënyrash shpërfillja e këshillës së tyre mund të na çojë në robëri?

Ethëri 8:23–26

Sipas këtyre vargjeve, përse Moroni u urdhërua t’i shkruante “këto gjëra” rreth lidhjeve të fshehta? (Ethëri 8:23.) Çfarë kemi mësuar nga libri i Ethërit që mund të na ndihmojë të marrim bekimet e përshkruara te vargu 26?

Ethëri 9:11

Si ndikojnë dëshirat tona mbi zgjedhjet tona? Çfarë mund të bëjmë si familje për t’u siguruar që i dëshirojmë gjërat e Perëndisë?

Ethëri 11:8

Që të mësoni më shumë rreth mëshirës së Zotit për ata që pendohen, ju mund të lexoni fragmentet te Mosia 26:29–30; 29:18–20; Alma 34:14–16 ose Moroni 6:8. Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të tregojnë shembuj të mëshirës së Perëndisë nga shkrimet e shenjta ose nga vetë jeta e tyre.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Veproni sipas asaj që mësoni. Të mësuarit e ungjillit përfshin më shumë sesa leximin dhe përsiatjen. Ne shpesh mësojmë më shumë duke vepruar sipas të vërtetave në shkrimet e shenjta (shih Gjoni 7:17). Çfarë do të bëni që të vini në jetë atë që lexoni tek Ethëri 6–11?

Pamja
maunet jaredite në det

Maunet Jaredite, nga Gary Ernest Smith