Eja, Më Ndiq
7–13 Janar. Mateu 1; Lluka 1: ‘Le të Më Ndodhë sipas Fjalës Sate’


“7–13 Janar. Mateu 1; Lluka 1: ‘Le të Më Ndodhë sipas Fjalës Sate’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)

“7–13 Janar. Mateu 1; Lluka 1”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019

Pamja
Maria dhe Elizabeta

7–13 Janar

Mateu 1; Lluka 1

“Le të Më Ndodhë sipas Fjalës Sate”

Përpara se të lexoni ndonjë material shtesë studimi, lexoni dhe përsiatni Mateun 1 dhe Llukën 1, dhe shënojini mbresat tuaja shpirtërore. Lejojeni Shpirtin që ta udhërrëfejë përgatitjen tuaj. Më pas, studioni idetë në këtë përvijim të mësimit dhe tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Jepuni anëtarëve të klasës disa minuta kohë që të rishikojnë Mateun 1 ose Llukën 1, dhe ftojini që të tregojnë vargun e tyre të parapëlqyer dhe të shpjegojnë se çfarë të vërtetash doktrinore mësuan. Mund t’ju duket me dobi që fillimisht të përsëritni shkurtimisht ngjarjet në këta kapituj, për të siguruar një farë konteksti për vargjet që do të tregojnë [anëtarët më lart].

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Mateu 1:18–25; Lluka 1:5–80

Ati Qiellor vepron përmes fëmijëve të Tij besnikë për t’i përmbushur qëllimet e Tij.

  • Anëtarët e klasës ka më shumë gjasa që të kenë përvoja domethënëse, kur ta studiojnë Dhiatën e Re këtë vit, nëse mund të nxjerrin mësime nga përvojat e njerëzve për të cilët lexojnë. Për t’i ndihmuar ta bëjnë këtë, ju mund t’i shkruani në tabelë emrat e njerëzve te Mateu 1 dhe Lluka 1 së bashku me referencat e shkrimit të shenjtë rreth këtyre individëve, si vijon:

    Ftojini anëtarët e klasës të zgjedhin një person për të cilin do të donin të mësonin më shumë, t’i lexojnë vargjet e renditura dhe t’i tregojnë një personi në klasë për atë çfarë mësojnë nga përvoja e atij personi. Çfarë mund të bëjmë që ta ndjekim shembullin e besnikërisë së atij personi?

    Pamja
    Gabrieli i shfaqet Maries

    Lajmërimi [i Lindjes së Krishtit], nga John Scott

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të mendojnë më thellësisht për natyrën dhe rolin e Maries në planin e Atit, ju mund të shfaqni materialet filmike “An Angel Foretells Christ’s Birth to Mary” [“Një Engjëll i Profetizon Maries për Lindjen e Krishtit”] dhe “Mary and Elisabeth Rejoice Together” [“Maria dhe Elizabeta Gëzohen së Bashku”] (LDS.org) ose mund të lexoni së bashku Llukën 1:26–38, 46–56, duke kërkuar gjërat që tha Maria, të cilat zbulojnë diçka rreth karakterit të saj. Çfarë tjetër mësojmë rreth Maries? Çfarë mund të na mësojë ajo rreth pranimit të vullnetit të Perëndisë për ne?

Lluka 1:5–25

Bekimet e Perëndisë vijnë në vetë kohën e Tij.

  • Mund të ketë njerëz në klasën tuaj të cilët, ashtu si Elizabeta dhe Zakaria, po jetojnë me drejtësi dhe prapëseprapë nuk e kanë marrë një bekim të shpresuar. Si mund t’i ndihmoni ata që të mësojnë nga shembulli i Elizabetës dhe Zakarias? Ju mund të filloni duke u kërkuar anëtarëve të klasës t’i shkruajnë bekimet për të cilat po shpresojnë. Më pas, ata mund ta shqyrtojnë Llukën 1:5–25, duke kërkuar mësime që mund të marrin prej Elizabetës dhe Zakarias rreth pritjes për [kohën e] Zotit. Ata gjithashtu mund të lexojnë e përsiatin citatet te “Burime Shtesë”. Nxitini që ta shkruajnë atë çfarë mësojnë pranë bekimit të shpresuar dhe, nëse e shohin të përshtatshme, të shprehin mendimet e tyre.

  • Çfarë shembujsh të tjerë të pritjes së kohës së caktuar nga Zoti mund të tregojnë anëtarët e klasës nga vetë jeta e tyre ose nga rrëfimet në shkrimet e shenjta? Çfarë mësojmë nga këta shembuj?

Lluka 1:26–38

“Me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme.”

  • Me raste, anëtarët e klasës – ashtu si Maria – mund ta pyesin veten se si mund të përmbushen planet e Perëndisë për ta ose premtimet e Tij ndaj tyre. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të kuptojnë që me anë të fuqisë së Perëndisë të gjitha gjërat janë të mundshme, ju mund të shfaqni figurën Lajmërimi i Lindjes së Jezusit: Engjëlli Gabriel i Shfaqet Maries (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 28) dhe t’i ftoni ata ta lexojnë së bashku Llukën 1:26–38. Çfarë mund të mësojmë rreth kapërcimit të asaj që duket e pamundshme, nga studimi i fjalëve dhe veprimeve të Maries? Kërkojuni anëtarëve të klasës të tregojnë përvoja në të cilat Perëndia i ndihmoi ata të përmbushnin diçka, që ata menduan se ishte e pamundshme. Për një shembull bashkëkohor të shenjtorëve që, me ndihmën e Perëndisë, bënë diçka që dukej e pamundshme, shikoni materialin filmik: “Sealed Together: The Manaus Temple Caravan” [“Të Vulosur së Bashku: Karvani i Tempullit të Manausit”] (LDS.org).

  • Jeta e Shpëtimtarit e provoi të vërtetën që shpalli Gabrieli: “Me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme” (Lluka 1:37). Për ta ilustruar këtë parim, ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës që të mendojnë për raste në të cilat Shpëtimtari përmbushi gjëra në dukje të pamundshme, kur bëri vullnetin e Atit të Tij (shih, për shembull, Gjoni 9:1–7). Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta kuptojnë mënyrën se si ky parim funksionon në jetën e tyre, ju mund t’i ftoni që të përsiatin pyetje si ajo në vijim: Çfarë ndryshimi sjell në jetën tuaj dijenia se asgjë s’është e pamundshme me Perëndinë? Si e ndryshon ajo mënyrën se si shërbeni në Kishë? Po mënyrën se si ndërveproni me familjen tuaj? Mund t’ju ndihmojë gjithashtu ta krahasoni Llukën 1:37 me fjalët e Shpëtimtarit te Marku 14:36.

Mateu 1:18–25; Lluka 1:26–55

Jezu Krishti është Biri i Perëndisë.

  • Një qëllim kryesor i Mateut, Llukës dhe shkruesve të tjerë të Ungjillit ishte që të dëshmonin se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë. Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës ta dallojnë këtë qëllim që në kapitujt e parë fare që do të lexojnë te Dhiata e Re? Këtu është një ide: Ndajeni klasën në grupe ose dyshe-dyshe dhe jepini secilit grup një numër vargjesh nga Mateu 1 ose Lluka 1. Ftojini që të kërkojnë ngjarje ose fjalë që e forcojnë besimin e tyre te misioni hyjnor i Jezu Krishtit si Biri i Perëndisë, dhe t’ia tregojnë klasës atë çfarë gjejnë. Disa fragmente që ju mund të sugjeroni, përfshijnë: Mateun 1:18–25 dhe Llukën 1:26–38, 39–45, 46–55. Sugjerojini klasës që, ndërsa e studiojnë Dhiatën e Re këtë vit, ata mund të mbajnë një listë me fragmente që dëshmojnë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë. Ju madje mund ta mbani këtë listë si klasë.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Për t’i nxitur anëtarët e klasës ta lexojnë Mateun 2 dhe Llukën 2 për orën mësimore të javës tjetër, ju mund të sugjeroni që nëse e lexojnë me lutje rrëfimin e lindjes së Shpëtimtarit, ata do të fitojnë ide të reja, edhe nëse e kanë lexuar atë shumë herë më parë.

Pamja
ikona e burimeve

Burime Shtesë

Mateu 1; Lluka 1

Të presësh [kohën e caktuar nga] Zoti.

Plaku Nil A. Maksuell dha mësim: “Besimi … përfshin mirëbesimin te koha [e caktuar] nga Perëndia, pasi Ai ka thënë: ‘Gjithë gjërat duhet të ndodhin në kohën e tyre’. (DeB 64:32.)” (“Lest Ye Be Wearied and Faint in Your Minds”, Ensign, maj 1991, f. 90).

Presidenti Diter F. Uhtdorf dha mësim:

“Secili prej nesh thirret të presë në vetë mënyrën tonë. Ne presim për përgjigje ndaj lutjeve. Ne presim për gjëra që në atë kohë mund të na duken kaq të drejta dhe të mira për ne, saqë ndoshta nuk mund të përfytyrojmë pse Ati Qiellor do ta vononte përgjigjen.

Më kujtohet kur po përgatitesha të trajnohesha si pilot luftarak. Kaluam një pjesë të madhe të trajnimit ushtarak paraprak në stërvitje fizike. … Sidoqoftë, ne vrapuam e vrapuam e vrapuam më tepër.

Kur po vrapoja, fillova të vë re diçka që, sinqerisht, më shqetësoi. Vazhdimisht, po ma kalonin burra që pinin duhan, pije alkoolike dhe bënin gjithë llojet e gjërave që ishin në kundërshtim me ungjillin dhe, veçanërisht, me Fjalën e Urtësisë.

Më kujtohet që mendova: ‘Pa prit pak! A nuk supozohej që unë të isha në gjendje të vrapoja e të mos lodhesha?’ Por unë isha i lodhur dhe po ma kalonin njerëz që, pa dyshim, nuk po ndiqnin Fjalën e Urtësisë. E pranoj, kjo më shqetësoi në atë kohë. Unë pyesja veten: ‘A ishte i vërtetë ai premtim apo jo?’

Përgjigjja nuk erdhi menjëherë. Por përfundimisht unë mësova se premtimet e Perëndisë nuk përmbushen gjithmonë aq shpejt ose në mënyrën si mund të shpresojmë; ato vijnë sipas kohës së Tij dhe në mënyrat e Tij. Vite më vonë munda të shihja provën e qartë të bekimeve fizike që u vijnë atyre që i binden Fjalës së Urtësisë – përveç bekimeve shpirtërore që vijnë menjëherë nga bindja ndaj cilitdo prej ligjeve të Perëndisë” (“Vazhdoni me Durim”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 58).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Nxitini anëtarët e klasës t’i studiojnë shkrimet e shenjta në shtëpi. Një mënyrë si mund ta nxitni studimin e shkrimit të shenjtë në shtëpi është që t’u jepni kohë anëtarëve të klasës të tregojnë gjërat e zbuluara dhe idetë nga studimi i tyre vetjak dhe familjar. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 29.)