Eja, Më Ndiq
9–15 Shtator. 2 Korintasve 1–7: ‘Paqtohuni me Perëndinë’


“9–15 Shtator. 2 Korintasve 1–7: ‘Paqtohuni me Perëndinë’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)

“9–15 Shtator. 2 Korintasve 1–7”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019

Pamja
Jezu Krishti

9–15 Shtator

2 Korintasve 1–7

“Paqtohuni me Perëndinë”

Ndërsa lexoni 2 Korintasve 1–7 këtë javë, mendoni për anëtarë të veçantë të klasës – për ata që vijnë në klasë dhe për ata që nuk vijnë. Si mund të bekohen ata nga parimet e këtyre kapitujve?

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Jepuni kohë anëtarëve të klasës që të japin ide të cilat e bëjnë më të efektshëm studimin nga ana e tyre të shkrimit të shenjtë.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

2 Korintasve 1:3–7; 4:6–10, 17–18; 7:4–7

Sprovat tona mund të jenë një bekim.

  • Ndoshta në klasën tuaj është dikush që po përjeton një sprovë të vështirë. Përvojat që përshkroi Pali dhe këshillat që ai dha te 2 Korintasve, mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës që të mendojnë rreth bekimeve që mund të vijnë prej sprovave të tyre. Për të filluar një diskutim, ju mund t’i kërkoni një anëtari/je të klasës që të vijë i/e përgatitur për të biseduar rreth mënyrës se si e bekoi një sprovë jetën e tij apo të saj, ose atë që ai apo ajo mësoi nga dikush tjetër që e duroi mirë një sprovë. Më pas ju mund t’u jepni anëtarëve të klasës disa minuta që të rishikojnë 2 Korintasve 1:3–7; 4:6–10, 17–18 dhe 7:4–7, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth qëllimeve dhe bekimeve të sprovave. (Për shembuj të mësimeve të tij, shih përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet.) Kërkojuni anëtarëve të klasës ta tregojnë atë që gjejnë. Ju mund të sugjeroni që ta lexojnë me zë të lartë vargun ku ata gjetën një mësim të veçantë dhe më pas të tregojnë një përvojë apo dëshmi që lidhet me atë mësim.

  • Merreni parasysh t’u jepni kohë anëtarëve të klasës që të përsiatin për mënyrën se si sprovat mund ta bekojnë jetën tonë, përfshirë, me anë të rishikimit të mësimeve të Palit të cilat gjenden te 2 Korintasve 3–7; 4:6–10, 17–18 dhe 7:4–7. Gjatë kësaj kohe ata mund të shkruajnë për mënyrën se si mund të gjejnë zbatim mësimet e Palit në mundimet me të cilat po përballen në vetë jetën e tyre.

  • Për t’i shtuar vlerë diskutimit tuaj, merreni parasysh që të këndoni së bashku himnet e parapëlqyera të anëtarëve të klasës, të cilat dëshmojnë për ngushëllimin dhe bekimet që Ati Qiellor dhe Shpëtimtari na ofrojnë në kohë sprovash – të tilla si “Sa i Fort’ një Themel” (Himne, nr. 41). Pasi të keni kënduar së bashku, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të kërkojnë një frazë te 2 Korintasve 1 dhe 4 që ata mendojnë se përputhet me mesazhin e himnit.

2 Korintasve 2:5–11

Ne marrim bekime dhe i bekojmë të tjerët kur falim.

  • Të gjithë kemi pasur përvoja kur dikush na ka “shkaktuar trishtim” neve apo familjes sonë (vargu 5). Ndoshta anëtarët e klasës mund të kontrollojnë te 2 Korintasve 2:5–11, duke kërkuar këshilla nga Pali për mënyrën se si ta trajtojmë dikë që na ka fyer. Merreni parasysh që t’i ftoni anëtarët e klasës të rishikojnë Llukën 15:11–32; Gjonin 8:1–11 dhe citimin nga Plaku Kevin R. Dankan (shih “Burimet Shtesë”) për të mësuar më shumë rreth mënyrës se si duhet t’i trajtojmë ata që kanë mëkatuar. Si e lëndojmë veten dhe të tjerët kur nuk jemi të gatshëm të falim?

2 Korintasve 5:14–21

Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të paqtohemi me Perëndinë.

  • Shumë njerëz vijnë në kishë me dëshirën për t’u ndier më pranë Perëndisë dhe një diskutim mbi 2 Korintasve 5:14–21 mund t’i ndihmojë ata. Për të filluar, anëtarët e klasës mund të hulumtojnë për kuptimin e fjalës pajtoj, ndoshta duke nisur ta kërkojnë fjalën në një fjalor. Çfarë idesh na jep kjo rreth të qenit të pajtuar me Perëndinë? Çfarë idesh shtesë marrim nga pjesa “Shlyej, Shlyerje” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta? Si na ndihmojnë këto ide për t’i kuptuar vargjet te 2 Korintasve 5:14–21? Ju mund të doni t’i ftoni anëtarët e klasës që të shprehin ndjenjat e tyre rreth Shpëtimtarit, Shlyerja e të cilit bën të mundur që ne të ribashkohemi me Perëndinë.

2 Korintasve 7:8–11

Trishtimi sipas Perëndisë çon drejt pendimit.

  • Vargjet te 2 Korintasve 7:8–11 japin një shpjegim ndihmues për trishtimin sipas Perëndisë dhe rolit të tij në pendim. Çfarë mësojmë rreth trishtimit sipas Perëndisë nga 2 Korintasve 7:8–11 dhe fjalët e Presidentit Diter F. Uhtdorf te “Burimet Shtesë”? Përse trishtimi sipas Perëndisë është thelbësor për pendimin?

  • Ju mund të ndiheni të nxitur t’i jepni shtysë një diskutimi më të gjerë rreth pendimit. Nëse e bëni këtë, ju mund të provoni diçka të ngjashme me këtë: Shkruani në tabelë Pendimi është . Kërkojuni anëtarëve të klasës të gjejnë mënyra për ta plotësuar këtë frazë, duke përdorur gjëra që i mësojnë prej 2 Korintasve 7:8–11, si dhe nga shkrimet e shenjta dhe burime të tjera që gjenden te “Burimet Shtesë”. Si mund t’i përdorin ata këto mësime për ta ndihmuar dikë që të kuptojë se si të pendohet me sinqeritet?

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Pyetini anëtarët e klasës a janë lutur ndonjëherë që t’u hiqet një sprovë apo një mundim i tyre. Te 2 Korintasve 8–13, ata do të zbulojnë mënyrën se si reagoi Pali kur u lut për këtë, por lutja e tij nuk mori përgjigje në mënyrën që ai e priste.

Pamja
ikona e burimeve

Burime Shtesë

2 Korintasve 1–7

T’i shohim të tjerët ashtu siç Perëndia i sheh ata na ndihmon që të falim.

Plaku Kevin R. Dankan dha mësim: “Një çelës për të falur të tjerët është të përpiqesh t’i shohësh ata siç Perëndia i sheh ata. Ndonjëherë, Perëndia mund ta heqë perden dhe të na bekojë me dhuratën e të shikuarit te zemra, shpirti dhe mendja e një personi tjetër që na ka fyer. Ky depërtim mund të çojë madje në dashuri pa kufi për atë person” (“Vajosja Shëruese e Faljes”, Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 34).

Trishtimi sipas Perëndisë frymëzon ndryshim dhe shpresë.

Presidenti Diter F. Uhtdorf shpjegoi:

Trishtimi sipas Perëndisë frymëzon ndryshim dhe shpresë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Trishtimi i botës na tërheq poshtë, na e shuan shpresën dhe na bind t’i dorëzohemi tundimit të mëtejshëm.

Trishtimi sipas Perëndisë çon në kthim në besim dhe në ndryshim të zemrës. Ai bën që ne ta urrejmë mëkatin dhe ta duam mirësinë. Na nxit që të ngrihemi në këmbë dhe të ecim në dritën e dashurisë së Krishtit. Pendimi i vërtetë ka të bëjë me shndërrimin, jo me torturimin apo mundimin” (“Ti Mund t’ia Dalësh Tani!” Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 56).

Çfarë është pendimi?

Plaku Nil L. Andersen dha mësim:

“Kur mëkatojmë, ne largohemi nga Perëndia. Kur pendohemi, kthehemi përsëri drejt Perëndisë.

Ftesa për pendim rrallëherë është një zë ndëshkimi, por më shumë një thirrje me dashuri për të bërë kthesë e për t’u ‘ri-kthyer’ drejt Perëndisë [shih Helamani 7:17]. Ajo është shenja ftuese e një Ati të dashur dhe e Birit të Tij të Vetëmlindur që të jemi më të mirë sesa jemi, të ngrihemi në një udhë më të lartë jete, të ndryshojmë si dhe të ndiejmë lumturinë prej zbatimit të urdhërimeve. Duke qenë dishepuj të Krishtit, ne ngazëllehemi për bekimin e pendimit dhe për gëzimin e të qenit të falur. Ata bëhen pjesë e jona, duke i dhënë formë mënyrës se si mendojmë dhe ndihemi. …

Për shumicën, pendimi është më shumë një udhëtim sesa një ndodhi që ndodh vetëm një herë. Ai nuk është i lehtë. Është e vështirë të ndryshosh. Kjo kërkon të vraposh përballë me erën dhe të notosh kundër rrymës. Jezusi tha: ‘Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë’ [Mateu 16:24]. Pendim do të thotë t’u largohesh disa gjërave të tilla si pandershmëria, krenaria, zemërimi dhe mendimet e papastra dhe t’u drejtohesh disa gjërave të tjera, si mirëdashja, bujaria, durimi dhe ana shpirtërore. Ai është ‘ri-kthim’ drejt Perëndisë” (“Pendohuni … Që të Mund t’ju Shëroj”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 40–41).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përfshijini ata që po hasin vështirësi. Nganjëherë anëtarët e klasës që po hasin vështirësi thjesht duhet të përfshihen që të ndiejnë se të tjerët i duan. Merreni parasysh që t’u jepni atyre një detyrë që të marrin pjesë në një mësim të ardhshëm. Mos u dorëzoni nëse nuk reagojnë ndaj përpjekjeve tuaja fillimisht. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 8–9.)