Eja, Më Ndiq
30 Shtator–13 Tetor. Efesianëve: ‘Për Përsosjen e Shenjtorëve’


“30 Shtator–13 Tetor. Efesianëve: ‘Për Përsosjen e Shenjtorëve’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)

“30 Shtator–13 Tetor. Efesianëve”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019

Pamja
familje duke parë fotografi

30 Maj–13 Tetor

Efesianëve

“Për Përsosjen e Shenjtorëve”

Mendimet dhe mbresat rreth asaj që duhet të jepni mësim dhe se si ta jepni mësim do të vijnë ndërsa studioni plot lutje Efesianëve, fjalimet më të fundit të konferencës së përgjithshme, këtë përvijim të mësimit dhe Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Merreni parasysh që t’i ftoni anëtarët e klasës të shkruajnë një përmbledhje me një fjali për diçka që e mësuan në studimin e tyre këtë javë dhe më pas vendosini përmbledhjet e tyre në tabelë. Përzgjidhini në mënyrë të rastësishme disa nga përmbledhjet dhe ftojini anëtarët e klasës që i shkruan ato të japin mendimet e tyre.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Efesianëve 2:19–22; 4:4–8, 11–16

Profetët e apostujt – dhe të gjithë ne – e forcojmë dhe e bashkojmë Kishën.

  • A mundet që ju dhe klasa juaj të ndërtoni diçka së bashku për të ilustruar mënyrën se si Kisha është “ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve” dhe se si Shpëtimtari është “guri i qoshes”? (Efesianëve 2:20). Ndoshta anëtarët e klasës mund të emërtojnë blloqe apo gota plastike dhe t’i vendosin ato në formën e një kulle apo piramide, ku Jezu Krishti dhe apostujt e profetët formojnë bazën. Pastaj ju mund të tregoni atë që do të ndodhte nëse Krishti ose apostujt dhe profetët do të hiqeshin. Përse është guri i qoshes një metaforë e mirë për Jezu Krishtin dhe rolin e Tij në Kishë? (Për një përshkrim të gurit të qoshes, shih “Burimet Shtesë”.) Anëtarët e klasës mund të kërkojnë tek Efesianëve 2:19–22; 4:11–16 bekimet që marrim ne për shkak të apostujve, profetëve dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës. Çfarë mund të bëjmë ne për ta ndërtuar jetën tonë mbi mësimet e tyre?

    Pamja
    guri i qoshes së tempullit

    Jezu Krishti është guri i qoshes i Kishës.

  • Për të treguar mënyrën se si doktrina mund të keqkuptohet pa një drejtim të vazhdueshëm nga profetë dhe apostuj, ju mund të luani një lojë në të cilën ju i tregoni një histori të shkurtër një anëtari të klasës pa i lënë të tjerët që ta dëgjojnë atë. Më pas ftojeni atë anëtar të klasës që t’ia përsëritë historinë një anëtari tjetër të klasës e kështu me radhë derisa historia të ketë kaluar te disa individë. Më pas kërkojini personit të fundit që e dëgjon historinë t’i tregojë pjesës tjetër të klasës atë që ai ose ajo dëgjoi. A ndryshoi ndonjë hollësi e historisë? Çfarë do të kishte ndodhur nëse mësuesi do të mund t’i kishte korrigjuar gabimet përgjatë udhës? Çfarë na mëson kjo veprimtari rreth arsyes përse Kisha e Krishtit duhet të “ndërt[ohet] mbi themelin e apostujve dhe të profetëve?”

  • Nëse anëtarët e klasës suaj e dëgjuan konferencën e përgjithshme që prej herës së fundit që u takuat, ftojini ata të tregojnë mënyrën se si gjërat e dhëna mësim gjatë konferencës i ndihmuan që t’i përmbushnin qëllimet e shprehura tek Efesianët 4:11–16.

  • Ndoshta ju mund t’u jepni anëtarëve të klasës një çast për të renditur disa nga “thirrje[t]” apo përgjegjësitë që janë thirrur të përmbushin në kishë (shih Efesianëve 4:1) – për shembull, vëlla shërbestar apo motër shërbestare, prind, dishepull i Krishtit e kështu me radhë. Më pas ata mund t’i shkëmbejnë listat me një anëtar tjetër të klasës, të lexojnë Efesianëve 4:4–8, 11–16, dhe të tregojnë mënyrën se si thirrjet dhe detyrat në listat e tyre ndihmojnë për ta lartësuar trupin e Krishtit. Si mund të punojmë së bashku për t’u bërë të bashkuar nën “një Zot [të] vetëm, një besim [të] vetëm, një pagëzim [të] vetëm”?

Efesianëve 5:22–6:4

Ndjekja e shembullit të Shpëtimtarit mund t’i forcojë marrëdhëniet familjare.

  • Edhe pse efesianët jetonin në një kulturë në të cilën gratë nuk trajtoheshin si të barabarta me bashkëshortët e tyre, prapëseprapë kjo letër përmban disa këshilla të vlefshme për çiftet e martuara sot. Ju mund të shkruani pyetje si ato që vijojnë në tabelë dhe t’i ftoni anëtarët e klasës të diskutojnë për to ndërsa e lexojnë Efesianëve 5:22–23 në grupe: Si e tregoi Krishti dashurinë e Tij për Kishën? Çfarë mund të bëjmë për ta ndjekur shembullin e Tij në mënyrën se si i trajtojmë bashkëshortët/et tona? Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë shembuj që ata i kanë parë të bashkëshortëve/ve që veprojnë me dashuri si të Krishtit ndaj njëri-tjetrit. Si mund t’i zbatojmë këto parime në marrëdhënie të tjera familjare?

  • Ndërkohë që këshilla e Palit për ta “nder[uar] babanë tënd dhe nënën tënde” (Efesianëve 6:2) iu drejtohej fëmijëve, ajo mund të gjejë zbatim për secilin prej nesh, pavarësisht nga mosha apo situata jonë familjare. Ftojini anëtarët e klasës të mendojnë rreth mënyrës se si mund t’i zbatojnë këshillat e Palit tek Efesianët 6:1–3 në rrethanat e tyre vetjake. Për shembull, si mund t’i nderojmë prindërit tanë edhe nëse zgjedhjet e tyre nuk përputhen me mësimet e Jezu Krishtit? Ju mund t’u jepni anëtarëve të klasës disa minuta për të shkruar atë që mund të bëjnë për t’i nderuar prindërit e tyre më mirë.

  • Nëse ka prindër – apo prindër të ardhshëm – të fëmijëve të vegjël në klasën tuaj, ata mund të përfitojnë nga diskutimi mbi Efesianët 6:4. Çfarë do të thotë t’i rritim fëmijët “në disiplinë dhe në këshillë të Zotit”? Ndoshta anëtarët e klasës që kanë fëmijë më të mëdhenj mund të tregojnë se çfarë do të thotë kjo për ta dhe mënyrën se si janë përpjekur ta zbatojnë këtë këshillë në familjet e tyre.

Efesianëve 6:10–18

Armatimi i Perëndisë do të na ndihmojë të mbrohemi nga e liga.

  • Çfarë do të ndihmonte për t’i frymëzuar anëtarët e klasës që të përpiqen ta veshin të gjithë armatimin e Perëndisë çdo ditë? Ju mund të përgatitni një veprimtari në të cilën anëtarët e klasës i përputhin pjesët e armatimit me parimet apo virtytet që ato përfaqësojnë tek Efesianët 6:14–17. Si mund të na ndihmojë çdo pjesë e armatimit që të mbrohemi nga ligësia? (Për ndonjë ndihmë, shih “Burimet Shtesë”.) Si mund ta veshin anëtarët e klasës këtë armatim? Si pjesë e këtij diskutimi, ju mund të tregoni shpjegimin e Presidentit N. Eldon Taner te “Burimet Shtesë”. Çfarë mund të bëjmë ne për të përcaktuar dhe forcuar ndonjë pikë të dobët në armatimin tonë?

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Për t’i frymëzuar anëtarët e klasës që të lexojnë letrat drejtuar Filipianëve dhe Kolosianëve, ju mund t’u tregoni atyre se një prej Neneve të Besimit bazohet te një varg që gjendet në një prej këtyre letrave. A mund ta gjejnë atë në studimin e tyre të kësaj jave?

Pamja
ikona e burimeve

Burime Shtesë

Efesianëve

Çfarë është guri i qoshes?

Guri i qoshes është guri i parë që vendoset në një themel. Ai shërben si një pikë reference për masat dhe vendosjen e gurëve të tjerë, të cilët duhet të përputhen me gurin e qoshes. Për shkak se ai mban peshën e pjesës tjetër të ndërtesës, guri i qoshes duhet të jetë i fortë, i qëndrueshëm dhe i sigurt (shih “The Cornerstone”, Ensign, janar 2016, f. 74–75).

Armatimi i Perëndisë.

Ije të ngjeshura me brezin e së vërtetës:Kjo pjesë e armatimit është si një rrip i lidhur rreth belit. Fjala brez do të thotë gjithashtu i fortifikuar, i forcuar apo i përforcuar.

Parzmore:Një parzmore mbron zemrën dhe organet e tjera jetësore.

Sandale të mbathura:Kjo i referohet mbulesës mbrojtëse për këmbët e një ushtari.

Mburojë:Një mburojë mund të mbrojë pothuaj çdo pjesë të trupit nga një shumëllojshmëri sulmesh.

Përkrenare:Një përkrenare mbron kokën.

Shpatë:Një shpatë na lejon që të ndërmarrim një veprim ndaj armikut.

“Shqyrtojeni imtësisht armatimin tuaj.”

Presidenti N. Eldon Taner, i cili shërbeu si këshilltar në Presidencën e Parë, i ftoi anëtarët e Kishës që ta vlerësonin forcën e armatimit të tyre vetjak duke përsiatur mbi përpjekjet e tyre për ta jetuar ungjillin. Ai më pas shpjegoi:

“Nëse … armatimi ynë është i dobët, mund të gjendet një vend i pambrojtur, një zonë e cenueshme për sulm dhe ne do të jemi objekt i lëndimit dhe shkatërrimit nga Satani, i cili do të kërkojë derisa t’i gjejë dobësitë tona, nëse i kemi ato.

Shqyrtojeni imtësisht armatimin tuaj. A ka ndonjë pjesë të paruajtur apo të pambrojtur? Vendosni tani që t’ia shtoni cilëndo pjesëz që i mungon. Pavarësisht se sa i vjetruar apo me mangësi mund të jetë armatimi juaj, gjithmonë kujtoni se është në fuqinë tuaj që të bëni rregullimet e nevojshme për ta plotësuar armatimin tuaj.

Nëpërmjet parimit të madh të pendimit, ju mund të bëni kthesë në jetën tuaj dhe të filloni tani të visheni me armatimin e Perëndisë nëpërmjet studimit, lutjes dhe vendosmërisë për t’i shërbyer Perëndisë dhe për t’i zbatuar urdhërimet e tij” (“Put on the Whole Armor of God”, Ensign, maj 1979, f. 46).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përpiquni fort për dashurinë si të Krishtit. Ndërveprimet tuaja me ata të cilëve u jepni mësim duhet të nxiten nga dashuria. Ju dhe nxënësit tuaj do të bekoheni ndërsa luteni për të zhvilluar dashuri si të Krishtit dhe kërkoni mënyra për ta treguar atë (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtaritf. 6; Moroni 7:48).