Instituti
Mësimi 16 Materiali i Mësuesit: Tempulli i Kirtlandit dhe Çelësat e Priftërisë


“Mësimi 16 Materiali i Mësuesit: Tempulli i Kirtlandit dhe Çelësat e Priftërisë”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 16 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 16 Materiali i Mësuesit

Tempulli i Kirtlandit dhe Çelësat e Priftërisë

Zoti i urdhëroi shenjtorët që të ndërtonin një tempull në Kirtland të Ohajos dhe premtoi se Ai do t’u dhuronte atyre “fuqi nga lart” (Doktrina e Besëlidhje 95:8). Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të marrin në shqyrtim se si mund t’u binden më plotësisht urdhrave të Zotit që lidhen me tempullin. Do t’i ndihmojë gjithashtu që të shpjegojnë domethënien e çelësave të priftërisë që u rivendosën në Tempullin e Kirtlandit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zoti i ndihmoi shenjtorët ta përmbushnin urdhrin e Tij për të ndërtuar Tempullin e Kirtlandit.

Ftojini studentët të mendojnë për diçka që Zoti, nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, ua ka kërkuar të bëjnë anëtarëve të Kishës që duket e vështirë ose rraskapitëse. Kërkojuni disa studentëve që t’i tregojnë klasës një shembull.

Paraqitni një figurë të Tempullit të Kirtlandit. Kujtojuni studentëve se në dhjetor të vitit 1832, Zoti i urdhëroi shenjtorët të ndërtonin në Kirtland “një shtëpi të Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 88:119).

Pamja
Tempulli i Kirtlandit

Shpjegoni që më shumë se pesë muaj pas urdhërimit të Zotit, udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës ende nuk kishin filluar ta ndërtonin tempullin. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 95:1–3 si klasë, duke kërkuar atë çfarë tha Zoti rreth vonesës së shenjtorëve për ndërtimin e tempullit.

  • Si mendoni, përse mosndërtimi i tempullit mund të gjykohet si një “mëkat tepër [i] rëndë” (vargu 3; shih edhe vargun 6).

  • Si mendoni, në çfarë mënyrash ndëshkimi i Zotit për shenjtorët për mosndërtimin e tempullit ishte shenjë e dashurisë së Tij për ta? (Shih vargun 1.)

Ftojini studentët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 95:8, duke kërkuar një arsye pse donte Zoti që të ndërtohej një tempull në Kirtland.

Shpjegoni se fjala dhuroj do të thotë t’i jepet dikujt një dhuratë. Dhurimi [indaumenti] për të cilin flitet te Doktrina e Besëlidhje 95, përfshinte dhuratat e njohurisë dhe fuqisë shpirtërore. Ceremonia e dhurimit në tempull siç praktikohet sot, nuk u zbulua deri në vitin 1842 në Navu të Ilinoisit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë te Doktrina e Besëlidhje 95:11–12.

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga premtimi i Zotit bërë shenjtorëve në vargun 11? (Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruani në tabelë një parim të ngjashëm me sa vijon: Ndërsa përpiqemi fort të zbatojmë urdhërimet e Zotit, Ai do të na japë fuqi për ta kryer vullnetin e Tij.)

  • Përse ky premtim nga Zoti mund të ketë qenë një ngushëllim për shenjtorët në Kirtland? (Shih thënien e Motrës Eliza R. Snou në pjesën 1 të materialit përgatitor.) Si mundet të jetë ky parim një ngushëllim për ju në jetën tuaj sot?

  • Cilat ishin disa nga sakrificat që bënë shenjtorët në mënyrë që t’i bindeshin urdhërimit të Zotit për të ndërtuar Tempullin e Kirtlandit? (Nëse nevojitet, nxitini studentët të rishikojnë pjesën 1 të materialit përgatitor.)

  • Si u dha Zoti fuqi dhe ndihmë shenjtorëve për të ndërtuar Tempullin e Kirtlandit?

Ftojini studentët të rishikojnë thënien nga Presidenti Tomas S. Monson në pjesën 1 të materialit përgatitor dhe të mendojnë për sa vijon: Si ndihmojnë shenjtorët sot në ndërtimin e tempujve? Ç’lloj sakrificash po bëj unë që lidhen me adhurimin në tempull?

  • Si mendoni, përse sakrifica shpesh është e lidhur me bekimet e tempullit?

PËRMIRËSIMI I MËSIMDHËNIES DHE I TË MËSUARIT TONË

Jepuni studentëve kohë për t’u menduar. Kur studentëve u jepet kohë të reflektojnë mbi përvojat nga të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit, Fryma e Shenjtë mund të ndihmojë për të risjellë kujtime në mendjen e tyre. Ndonjëherë ndërthurja e kësaj metode me ftesën ndaj studentëve për t’i shënuar mendimet e tyre përpara se t’i tregojnë ato, mund të çojë në përgjigje më kuptimplote dhe një gatishmëri më të madhe për të treguar.

Jepuni kohë studentëve të mendojnë (dhe ndoshta të shkruajnë) rreth: 1) sakrificave që i kanë bërë në lidhje me tempullin, 2) bekimeve që ata kanë marrë tashmë nga tempulli dhe 3) çfarë mund të bëjnë për t’i mbajtur më me zell urdhërimet e Zotit që lidhen me tempullin.

Zoti e pranoi Tempullin e Kirtlandit dhe çelësat e priftërisë iu dhanë Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit.

Shënim: Studentët do të studiojnë te Doktrina e Besëlidhje 109 lutjen përkushtuese për Tempullin e Kirtlandit në mësimin 20.

Shpjegoni se nëpërmjet sakrificave të shenjtorëve dhe ndihmës së Zotit, Tempulli i Kirtlandit u përfundua dhe më pas u përkushtua më 27 mars 1836. Dhurimi i fuqisë nga ana e Zotit erdhi si rrjedhojë e bindjes së shenjtorëve për ndërtimin e tempullit.

  • Cilat janë disa nga shfaqjet shpirtërore që përjetuan shenjtorët gjatë përkushtimit të Tempullit në Kirtland? (Nxitini studentët të kujtojnë atë që e studiuan te pjesa 2 e materialit përgatitor.)

Shpjegoni se një javë më vonë, Shpëtimtari dhe lajmëtarë të tjerë qiellorë iu shfaqën Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në tempull. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë kreun e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 110.

Paraqitni figurën vijuese:

Pamja
Zoti Shfaqet në Tempullin e Kirtlandit, nga Del Parson

Lexoni me klasën te Doktrina e Besëlidhje 110:1–10, duke kërkuar përshkrime për Shpëtimtarin dhe mesazhin e Tij drejtuar Jozefit dhe Oliverit. Ftojini studentët të tregojnë atë që u bëri përshtypje. Teksa studentët tregojnë, lëruni kohë që të diskutojnë për pyetje si ato që vijojnë:

  • Çfarë mund të mësojmë rreth Zotit nga shfaqja dhe mësimdhënia e Tij në shtëpinë e Tij të sapondërtuar?

  • Çfarë na mësojnë fjalët dhe premtimet e Zotit te vargjet 7–8 për shenjtërinë e tempujve të Tij?

  • Çfarë ndikimi do të kishte tempulli i Kirtlandit te pjesa tjetër e botës? (Shih vargjet 9–10.)

Ftojini studentët të tregojnë atë që dinë për lajmëtarët e tjerë engjëllorë që u shfaqën në Tempullin e Kirtlandit. Ju mund të paraqitni të vërtetën vijuese: Zoti dërgoi lajmëtarë qiellorë në Tempullin e Kirtlandit për të dorëzuar çelësat e priftërisë, thelbësorë për punën e shpëtimit.

Kërkojuni studentëve të shpjegojnë gjithashtu çelësat që këta lajmëtarë ua dorëzuan Jozefit dhe Oliverit. Drejtojini studentët te pjesa 2 e materialit përgatitor nëse është e nevojshme. Teksa studentët tregojnë, merreni parasysh të paraqitni emrat e Moisiut, Eliasit dhe Elijas me çelësat përkatës.

  • Në ç’mënyra jemi bekuar sot për shkak të çelësave të priftërisë që u dorëzuan në Tempullin e Kirtlandit?

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Jozef Filding Smith

“Tempulli i Kirtlandit mban një vend të veçantë në kronikat e ndërtimit të tempujve. Ai nuk është si tempujt e tjerë. Ai u ndërtua kryesisht për rivendosjen e çelësave të autoritetit.” (Joseph Fielding Smith, Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, [1955], 2:242)

Merreni parasysh të tregoni një shembull rreth një mënyre të veçantë se si çelësat e dorëzuar në Tempullin e Kirtlandit e kanë bekuar jetën tuaj. Dëshmoni se çelësat e priftërisë që iu dorëzuan Profetit Jozef Smith dhe Oliver Kaudërit, mbahen dhe përdoren sot nga secili anëtar i Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, nën drejtimin e Presidentit të Kishës.

Për Herën Tjetër

Shpjegoni se në përgatitje për orën tjetër mësimore, studentët do të kenë mundësinë të studiojnë një nga periudhat më të errëta në historinë e Kishës, kur shenjtorët përjetuan sprova, përndjekje dhe tradhti. Ftojini studentët ta studiojnë materialin përgatitor dhe të vijnë në klasë gati që të tregojnë parime të cilat mund t’i ndihmojnë ata të përballen me kundërshtimin e vështirësitë duke pasur besim te Perëndia.