Instituti
Mësimi 24 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Profeti Jozef Smith – Një Shikues i Zgjedhur


“Mësimi 24 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Profeti Jozef Smith – Një Shikues i Zgjedhur”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 24 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Pamja
Jozef Smithi me fletët e arta

Mësimi 24 Materiali i Përgatitjes së Klasës

Profeti Jozef Smith – Një Shikues i Zgjedhur

Zoti e përshkroi Profetin Jozef Smith si një “shikues të zgjedhur”, i cili do t’i sillte njerëzit te një njohuri e besëlidhjeve të Zotit (2 Nefi 3:7–8). Prapëseprapë që nga fillimi i Rivendosjes, Jozef Smithi i pranoi ndjenjat e tij të papërshtatshmërisë. Ndërsa e studioni këtë material, merreni parasysh se si mund t’u përgjigjeni me besim thirrjeve nga Zoti, pavarësisht nga dobësitë tuaja. Merreni gjithashtu parasysh se si mund t’u përgjigjeni atyre që do ta kritikonin Jozef Smithin për shkak të dobësisë së tij.

Pjesa 1

Çfarë mund të mësoj unë nga Jozef Smithi rreth vetë aftësisë sime për t’i shërbyer Zotit?

Kur ishte i ri, Jozef Smithi u ndje i mbingarkuar emocionalisht lidhur me thirrjen e tij nga Zoti. Ai tha për veten e tij:

Pamja
Profeti Jozef Smith

“Qëndrova vetëm, një i ri i pamësuar, për të luftuar urtësinë e botës … me një zbulesë të re”. (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 67)

“Unë isha një djalë i panjohur … dhe rrethanat e mia të jetës ishin të tilla që të më bënin një djalë pa pasoja për botën … që ish[a] i detyruar të siguro[ja] një jetesë të varfër me anë të punës [sime] të përditshme.” (Joseph Smith – Historia 1:22–23).

Pamja
Në Qoftë se Ndonjërit nga Ju i Mungon Urtia, nga Walter Rane

Jozefi mendoi se sa “e çuditshme ishte” që “njerëz të pozitave të larta do të më kushtonin rëndësi të mjaftueshme për të nxitur mendjen e publikut kundër meje dhe të krijonin një përndjekje të hidhur” (Joseph Smith – Historia 1:22–23).

Përfytyroni ndjenjat që mund të ketë pasur Jozefi ndërsa përkthente kapitullin te 2 Nefi 3 në Librin e Mormonit dhe mësoi nga Lehi që Jozefi i Egjiptit profetizoi për një “shikues të zgjedhur” në ditët e mëvonshme.

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te 2 Nefi 3:7, 11, 13.

Në një zbulesë të mëvonshme, Zoti shpjegoi një arsye përse Ai e kishte zgjedhur dhe thirrur Jozefin të ishte profeti i Rivendosjes:

“Në të vërtetë, kështu të thotë Zoti ty, shërbëtori im Joseph Smith, unë jam mjaft i kënaqur me ofertën … sepse për këtë qëllim të kam ngritur, që unë të mund të tregoj urtësinë time nëpërmjet gjërave të dobëta të tokës”. (Doktrina e Besëlidhje 124:1)

Duke komentuar për fragmentin e shkrimit të shenjtë te 2 Nefi 3, Plaku Markus B. Nash, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim:

Pamja
Plaku Markus B. Nash

“Mund të duket e paarsyeshme që Zoti do të thërriste të dobëtit për të kryer një punë të fuqishme. Prapëseprapë, ata që e pranojnë dobësinë e tyre, mund të shtyhen pikërisht nga ajo dobësi për të kërkuar forcën e Zotit. Ata pra që përulen me besim, do të forcohen nga Ai, i cili ka të gjitha fuqinë në qiell dhe tokë (shih Mateu 28:18; Mosia 4:9).

Që nga koha e rinisë së tij, Jozef Smithi iu afrua Zotit me këto kushte. …

Jozefi e përshkroi veten si ‘një djalë i panjohur … që ishte i detyruar të siguronte një jetesë të varfër me anë të punës së tij të përditshme’ (Joseph Smith – Historia 1:23). Ai lindi në një shtresë të ulët shoqërore, me arsimim të kufizuar shkollor. …

Jozefi e ndjeu aq fort mungesën e arsimimit saqë një herë vajtoi se ishte kapur në kurth në ‘burgun e vogël e të ngushtë sikur të ishte në terrin e plotë [ekzaktësisht kështu] të letrës, penës, bojës së shkrimit dhe të një gjuhe të shtrembëruar, të shkatërruar, të hallakatur e të papërsosur’. Pavarësisht nga kjo, Zoti e thirri atë të përkthente Librin e Mormonit – të 588 faqet e tij siç u botuan fillimisht – të cilin ai e përktheu në më pak se 90 ditë! …

Po, një temë e Librit të Mormonit – dhe e jetës së Profetit Jozef – është që të dobëtit, të cilët e kërkojnë Zotin me përulësi dhe besim, bëhen të fortë, madje të fuqishëm, në punën e Zotit. Ky forcim do të ndodhë edhe në gjëra që duken të vogla. …

… Ekziston një mësim tjetër, më vetjak: nëse ne, ashtu si Jozefi, do ta pranojmë dobësinë tonë dhe do t’i drejtohemi me besim Zotit, me gjithë zemrën tonë, të vendosur për ta bërë vullnetin e Tij, edhe ne do të bëhemi të fortë prej dobësisë. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që dobësia hiqet në vdekshmëri – por do të thotë se një individ i tillë do të bëhet i fortë nga Perëndia.” (“Joseph Smith: Strength Out of Weakness”, Ensign, dhjetor 2017, f. 55–56, 58)

Pamja
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Çfarë mund të mësoni nga Zoti që e quan Jozef Smithin një të vdekshëm me dobësi dhe më pas e forcon Jozefin për të bërë punën e Tij?

Pjesa 2

Çfarë thanë ata që kishin njohje të ngushtë me Jozef Smithin, për të dhe karakterin e tij?

Zoti i shpalli Jozefit të Egjiptit se pasardhësit e tij do ta vlerësonin shumë Profetin e Rivendosjes (shih 2 Nefi 3:7). Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, shpalli:

Pamja
Presidenti Dallin H. Ouks

“Njerëzit që e njihnin më mirë Jozefin dhe qëndruan më pranë tij në udhëheqjen e Kishës, e deshën dhe e mbështetën atë si profet. Vëllai i tij, Hajrëmi, zgjodhi të vdiste përkrah tij. Xhon Tejlori, i cili qe gjithashtu atje kur ai u vra, tha: ‘Unë dëshmoj përpara Perëndisë, engjëjve dhe njerëzve, se ai qe një burrë i mirë, i nderuar, i virtytshëm … – se karakteri i tij vetjak dhe publik ishte i paqortueshëm – dhe se ai jetoi e vdiq si një njeri i Perëndisë’ (The Gospel Kingdom [1987], f. 355; shih edhe DeB 135:3). Brigam Jangu, shpalli: ‘Nuk mendoj se jeton ndonjë njeri në tokë që e njihte [Jozef Smithin] më mirë sesa unë; dhe kam guximin të them se, përveç Jezu Krishtit, s’ka jetuar ndonjëherë as nuk jeton në këtë tokë ndonjë njeri më i mirë’ (në Journal of Discourses, 9:332).” (Dallin H. Oaks, “Joseph, The Man and the Prophet”, Ensign, maj 1996, f. 71)

Xhejn Shnajdër Riçardsi tha për personalitetin dhe karakterin e Jozefit:

Pamja
Xhejn Shnajdër Riçards

“[Jozef Smithi] ishte një nga figurat më tërheqëse që kam pasur ndonjëherë fatin e mirë të takoj. … Si Shikues dhe Zbulues, ai ishte i patrembur dhe i hapur, por prapëseprapë i përulur, duke mos e konsideruar kurrë veten më shumë sesa thjesht zëdhënës, nëpërmjet të cilit fliste Perëndia. Si Udhëheqës i popullit të tij, ai ishte përherë aktiv dhe përparimtar, por gjithmonë i thjeshtë dhe i vëmendshëm ndaj tyre dhe rrethanave të tyre të sprovuese.” (Jane Snyder Richards, në “Joseph Smith, the Prophet”, Young Woman’s Journal, dhjetor 1905, f. 550)

Eduin Holdeni rrëfeu se Profeti ishte i mbushur me dashurinë e Perëndisë, i etur për t’i lartësuar dhe bekuar të tjerët:

Pamja
Eduin Holden

“Në vitin 1838, Jozefi dhe ca të rinj po luanin lojëra të ndryshme në natyrë, midis të cilave ishte një lojë me top. Shpejt atyre iu iku interesimi. Ai e vuri re këtë dhe, duke i thirrur së bashku, tha: ‘Le të ndërtojmë një kasolle me trarë’. Kështu ata filluan, Jozefi dhe të rinjtë, të ndërtonin një kasolle me trarë për një të ve. E tillë ishte mënyra e Jozefit, të ndihmonte gjithmonë në çfarëdo që mundej.” (The Juvenile Instructor, 1 mars 1892, f. 153)

Eliza R. Snou shkroi për përulësinë dhe integritetin moral të Profetit:

Pamja
Motra Eliza R. Snou

“Jetova me familjen e Jozef Smithit dhe i dhashë mësim familjes së tij, dhe pata mundësi të mjaftueshme për të parë ‘mënyrën e tij të përditshme të të jetuarit dhe të të folurit’ si një profet i Perëndisë; dhe sa më shumë u njoha me të, aq më shumë e vlerësoja si të tillë. … Në devocionin e tij ai ishte po aq i përulur sa një fëmijë i vogël.” (Eliza R. Snow, “Sketch of My Life”, Relief Society Magazine, mars 1944, f. 136)

Meri Frost Adamsi kujtoi një nga veprat dashamirëse të Jozefit:

“Ndërkohë që Jozefi ishte kryebashkiaku i Navusë, një shenjtor të ditëve të mëvonshme zezak, me emrin Enthëni, e arrestuan se shiste pije alkoolike në ditën e Shabatit, gjë që ishte kundër ligjit. Enthëni e kishte bërë këtë që të mblidhte para për të blerë lirinë e fëmijës së tij që ishte skllav në jug. Ai e kishte blerë lirinë e bashkëshortes së tij dhe të vetën dhe tani dëshironte ta sillte fëmijën e tyre për t’u bashkuar me ta. Pavarësisht nga denjësia e kauzës së Enthënit, Profeti tha: ‘Më vjen keq, Enthën, por ligji duhet të respektohet dhe do të na duhet të vendosim gjobë’. Sidoqoftë, ‘të nesërmen, Vëllai Jozef i dhuroi Enthënit një kalë të mirë, duke e udhëzuar që ta shiste dhe t’i përdorte paratë e fituara për blerjen e fëmijës’.” (“Joseph Smith, the Prophet”, Young Woman’s Journal, dhjetor 1906, f. 538)

Pamja
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Çfarë mësoni për karakterin e Jozef Smithit nga rrëfimet e atyre që e njohën atë? Çfarë ndjenjash dhe dëshmie keni për Profetin Jozef Smith?

Pjesa 3

Si duhet të përgjigjem kur ndeshem me informacione negative rreth Profetit Jozef Smith?

Edhe pse puna e Jozef Smithit për të rivendosur ungjillin sapo kishte filluar, ishte profetizuar që shumë njerëz do të flisnin kundër tij dhe do ta akuzonin atë për veprime dhe shtysa të liga. Jozef Smithi shënoi në historinë e tij një profeci të dhënë nga engjëlli Moroni kur ai iu shfaq Jozefit në vitin 1823. Në atë kohë, Jozefi ishte vetëm 17 vjeç.

Pamja
ikonë, përsiatni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Studioni vargun Joseph Smith – Historia 1:33.

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, sugjeroi mënyra se si shenjtorët e ditëve të mëvonshme mund të përgjigjen ndaj kritikave kundër Profetit Jozef Smith:

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“A duhet të habitemi me të keqen e thënë kundër [Jozef Smithit]? Apostulli Pal u quajt i shkalluar dhe i marrë [shih Veprat e Apostujve 26:24]. Shpëtimtari ynë i Dashur, Biri i Perëndisë, u quajt grykës, pijanec dhe i pushtuar nga një djall [shih Mateu 11:19; Gjoni 10:20]. …

Shumë nga ata që nuk e pranojnë punën e Rivendosjes, thjesht nuk besojnë se qenie qiellore u flasin njerëzve në tokë. E pamundur, thonë ata, që fletët e arta të jenë dorëzuar nga një engjëll dhe të jenë përkthyer nga fuqia e Perëndisë. Prej atij mosbesimi, ata e hedhin poshtë me ngut dëshminë e Jozefit dhe disa fatkeqësisht zhyten më tej deri në zhvlerësim të jetës së Profetit dhe përgojim të karakterit të tij. …

Pyetjeve rreth karakterit të Jozefit, ne mund t’u tregojmë fjalët e mijëra vetave të cilët e njihnin atë personalisht dhe të cilët dhanë jetën e tyre për punën që ai ndihmoi të ngrihej. …

Ne mund t’i kujtojmë kërkuesit të sinqertë se informacioni në internet nuk ka një filtër të së ‘vërtetës’. Disa informacione, pavarësisht se sa bindëse duken, thjesht nuk janë të vërteta. …

Ne mund t’i kujtojmë kërkuesit se disa informacione rreth Jozefit, ndonëse të vërteta, mund të paraqiten tërësisht jashtë kontekstit të kohës dhe rrethanave të tij. …

Çdo besimtar ka nevojë për një pohim shpirtëror për misionin dhe karakterin hyjnor të Profetit Jozef Smith. Kjo është e vërtetë për çdo brez. Pyetjet shpirtërore meritojnë përgjigje shpirtërore nga Perëndia. …

Një dëshmi për Profetin Jozef Smith mund t’i vijë në mënyrë të ndryshme secilit prej nesh. Ajo mund të vijë kur gjunjëzoheni në lutje, duke i kërkuar Perëndisë t’ju konfirmojë që ai ishte një profet i vërtetë. Mund të vijë kur lexoni rrëfimin e Profetit për Vegimin e Parë. Një dëshmi mund të pikojë në shpirtin tuaj kur e lexoni Librin e Mormonit në mënyrë të vazhdueshme. … Me besim dhe qëllim të vërtetë, dëshmia juaj për Profetin Jozef Smith do të forcohet.” (Nil L. Andersen, “Jozef Smithi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 28–30)

Pamja
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Si mendoni, përse është e rëndësishme të përfshini një studim nga burime të besueshme së bashku me lutjen kur kërkoni t’u përgjigjeni pyetjeve rreth Jozef Smithit dhe misionit të tij profetik? Si mendoni, përse pyetjet rreth Jozef Smithit dhe misionit të tij profetik meritojnë përgjigje shpirtërore nga Perëndia?