Biblioteka
Qendërzojeni Jetën Tuaj te Jezu Krishti


“Qendërzojeni Jetën Tuaj te Jezu Krishti”, Tema dhe Pyetje (2023)

Pamja
familje në Afrikë rreth një tavoline duke lexuar shkrimet e shenjta së bashku

Të Kërkuarit e Përgjigjeve për Pyetjet Tuaja

Qendërzojeni Jetën Tuaj te Jezu Krishti

Besimi te Jezu Krishti është jetik për kërkimin tonë të përgjigjeve ndaj pyetjeve më sfiduese të jetës. Ne shpesh mendojmë për besimin si një bindje e fortë fetare. Por besimi është më shumë sesa bindje fetare. Ai përfshin mirëbesim, vetëbesim dhe besnikëri. Kur kemi pyetje ose shqetësime sfiduese, ne gjithmonë mund të kthehemi te Jezu Krishti. Besimi ynë do të rritet kur i dëgjojmë fjalët e Tij, i ndjekim mësimet e Tij dhe përpiqemi fort t’i duam të tjerët sipas mënyrës se si deshi Ai.

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se “paqja mund të vijë në shpirtin tuaj teksa ndërtoni besim te Princi i Paqes”1. Ja disa gjëra për t’i mbajtur mend:

  • Jezu Krishti është themeli i sigurt për besimin tonë. Në jetën tonë të përditshme ne e vendosim besimin tonë te shumë njerëz dhe institucione. Këta përfshijnë pjesëtarë të familjes, miq, qeveri dhe punëdhënës. Por Jezu Krishti është i vetmi person tek i cili mund të mirëbesojmë plotësisht me shpresën tonë për paqe dhe shpëtim. Kisha u themelua që të sillte njerëz tek Ai. Ju mund të mirëbesoni plotësisht te Jezu Krishti, edhe kur jeni duke hasur vështirësi në aspekte të tjera të besimit tuaj.

  • Jezu Krishti ka ndjeshmëri të përsosur. Sprovat tona më të thella mund të na afrojnë më pranë Shpëtimtarit. Askush tjetër përveç Krishtit nuk mund të ketë ndjeshmëri të plotë ndaj vështirësive tona. Ai vajtoi me njerëzit të cilëve u shërbeu. Ai përjetoi vetmi, ankth të shpirtit dhe madje largimin nga prania e Atit të Tij. Ne mund t’i drejtohemi Atij dhe të gjejmë mirëkuptim e dhembshuri.

  • Plani i Perëndisë për shpëtimin jep këndvështrim. Shumë prej pyetjeve tona duken të ndryshme kur e mbajmë në mendje planin e Atit Qiellor. “Për shkak të njohurisë sonë për këtë plan”, – dha mësim Presidenti Dallin H. Ouks, – “ne fillojmë me supozime të ndryshme nga ata që nuk kanë të njëjtën njohuri si ne. Si rrjedhim, ne arrijmë në përfundime të ndryshme për shumë çështje të rëndësishme.”2 Të shqyrtuarit e pyetjeve tona me planin e shpëtimit në mendje mund të na ndihmojë t’i shohim shqetësimet tona me një këndvështrim të përjetshëm.

  • Ka pyetje parësore dhe dytësore. Nganjëherë kemi pyetje ose shqetësime që lidhen me ngjarje historike, mësime dhe rregullore të Kishës, ose dështime njerëzore. Gjetja e paqes në lidhje me pyetje të tilla, meriton përpjekjen tonë të sinqertë. Por është e rëndësishme të dallojmë të vërtetat thelbësore të ungjillit nga gjëra që nuk janë aq themelore. Jozef Smithi dha mësim se “gjithë gjërat e tjera … janë vetëm shtojca” të të vërtetave që rrethojnë misionin shpëtues të Shpëtimtarit.3

  • Zgjidhni besimin. Të fituarit e njohurisë shpirtërore kërkon që ne të “ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit”4. Nëse presim derisa të kemi prova të prekshme të gjërave shpirtërore, ne kurrë nuk do ta fillojmë procesin e zhvillimit të besimit te Jezu Krishti. Plaku Dejll G. Renland dha mësim: “Që besimi të rritet, njeriu duhet të zgjedhë që të ketë besim. Njeriu duhet të dëshirojë të ketë besim. Njeriu duhet të veprojë me besim.”5

  • Mbahuni fort tek ajo që dini. Kur ndiheni të pasigurt për besimin tuaj, “mbahuni fort tek ajo që tashmë e dini”, – këshilloi Plaku Xhefri R. Holland, – “dhe qëndroni të paepur derisa vjen dija e mëtejshme”6. Mirëbesojuni përvojave tuaja të kaluara shpirtërore. Ato janë provë që Perëndia e shpërblen me siguri shpirtërore besimin tuaj te Jezu Krishti.

Shkrime të shenjta kyç: Romakëve 8:35, 37–39; 2 Nefi 4:34–35; Mosia 4:9; Helamani 5:12