Dhënia e Shërbesës
Dhënia e Shërbesës nëpërmjet Historisë Familjare
Parimet


Parimet e Dhënies së Shërbesës, Shkurt 2020

Dhënia e Shërbesës nëpërmjet Historisë Familjare

Pamja
ministering

Ilustrimi nga Joshua Dennis; figura në sfond dhe fotografia nga Getty Images

Liahona, Shkurt 2020

Të ndihmosh dikë për historinë e vet familjare është një mënyrë e fuqishme për të dhënë shërbesë. Ndërsa i lidhni të tjerët me paraardhësit e tyre nëpërmjet historive dhe hollësive familjare, ju arrini të mbushni boshllëqe në zemrën e tyre që nganjëherë ata as që e dinin që i kishin (shih Malakia 4:5–6).

Qoftë nëse është një anëtar që ka gjithë jetën në Kishë, apo dikush që nuk ka dëgjuar ndonjëherë për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, të gjithë fëmijët e Perëndisë dëshirojnë fort të dinë rreth faktit se nga erdhën.

Shpesh nuk kërkohet shumë kohë për të lënë një përshtypje të thellë e afatgjatë, siç tregohet në historitë vijuese.

Gjetja e Familjarëve në mbi 9 000 Metra Lartësi

Kohët e fundit, gjatë një fluturimi në kthim për shtëpi, u gjenda pranë Stivit, i cili më tregoi pjesë nga historia e tij vetjake. Ai kishte marrë diplomën e shkollës së mesme, ishte futur në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara si specialist komunikimi në moshën 18‑vjeçare dhe shpejt filloi punë në Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë ndihmë për komunikimin presidentit të Shteteve të Bashkuara. Nga mosha 18 deri në 26 vjeç, ai shërbeu për dy presidentë të Shteteve të Bashkuara. Historitë e tij ishin mbresëlënëse!

“Stiv”, i thashë, “duhet t’i hedhësh në letër këto histori për pasardhësit e tu! Ata duhet t’i kenë këto histori nga dora jote sipas këndvështrimit tënd.” Ai ra dakord.

Pastaj Shpirti më nxiti ta pyesja se çfarë dinte ai rreth paraardhësve të tij. Stivi dinte shumë për anën e familjes nga nëna e tij, përfshirë një histori se si familja e tij dikur kishte ngrënë darkë me Abraham Linkolnin ndërkohë që ishte duke bërë fushatë në zonat rurale gjatë zgjedhjeve presidenciale të Shteteve të Bashkuara në 1860-ën.

Gjithsesi për anën e familjes nga babai i tij nuk dinte shumë. Ai dëshironte vërtet që të dinte më shumë. Nxora telefonin dhe hapa programin FamilySearch. “Stiv, ne mund ta gjejmë familjen tënde pikërisht tani!”

U lidha me internetin përmes valëve të mundësuara në avion. E vendosa telefonin në tryezën përpara meje që të shihnim të dy. Bëmë kërkime në programin PemaFamiljare. Brenda pak minutash të dy ia ngulëm sytë certifikatës martesore të stërgjyshit me stërgjyshen e tij.

“Qenkan ata!”, tha ai. “Më kujtohet tani mbiemri i saj!”

Një frymë emocioni na pushtoi të dyve. Ne punuam për 45 minutat në vazhdim me ndërtimin e profileve të paraardhësve që ai i njihte më pak. Ai më kërkoi t’i premtoja se do ta vazhdonim së bashku kërkimin në Kolorado. Ne shkëmbyem informacionin e kontaktit ndërsa avioni po ulej.

Ja tek ishim, duke fluturuar mbi 9 000 metra lartësi, me një pajisje të vogël sa dora ime, duke kërkuar për një burrë dhe një grua të martuar 100 vjet më parë, të cilët kishin qenë të humbur për të dhe familjen e tij. E pabesueshme! Por ne i gjetëm. Familje u lidhën. Histori u sollën në kujtesë. Ndiem ndjenja mirënjohjeje për teknologjinë dhe mjetet. Kjo nuk ishte asgjë më pak përveçse një mrekulli.

Xhonatan Peti, Kolorado, SHBA

I Rrethuar nga Familjarë të Rinj

Maria kishte qenë anëtare joaktive për më shumë se 20 vjet. Disa muaj më parë, ne shpenzuam dy orë me të në shtëpinë tonë, duke bërë kërkime për familjen e saj nëpërmjet regjistrimeve të përgjithshme të popullsisë dhe dokumenteve të tjera. Në një çast ajo shpërtheu në lot duke thënë: “Kam mësuar më shumë rreth familjes sime për dy orë nga ç’kam ditur gjatë gjithë jetës sime!”

Në mbarim të takimit tonë së bashku, ne i treguam asaj veçorinë Relatives Around Me [Të Afërmit rreth Meje] te programi PemaFamiljare. Doli që bashkëshorti im dhe unë jemi familjarë të largët me Marian. Ajo shpërtheu sërish në lot, duke thënë që kishte menduar se ishte e vetme. Ajo as që e kishte ditur se kishte familjarë në atë zonë. Pak javë më vonë, Maria u takua me peshkopin tonë. Ajo tani po punon lidhur me përgatitjen për tempullin dhe ka takuar shumë kushërinj “të rinj” në lagjen tonë!

Karol Rajner Everet, Karolina e Veriut, SHBA

Recetë për Dhënie Shërbese

Eshli, një motër të cilës i jap shërbesë, dhe unë kemi libra gatimi nga gjyshet tona. Librin ajo e ka nga stërgjyshja, dhe i imi është një libër i sistemuar prej meje kur trashëgova kutinë e recetave të gjyshes Grinud pasi ajo ndërroi jetë.

Që të dyja, Eshli dhe unë, zgjodhëm një recetë nga librat tona të gatimeve dhe një mbrëmje pas pune u takuam bashkë për t’i provuar. Ajo zgjodhi një recetë ëmbëlsire, kështu që së pari gatuam ëmbëlsirën dhe e futëm në furrë. Unë zgjodha një lloj salce – një ushqim i pandashëm në çdo festë familjare të familjes Grinud. E bija e Eshlit, Alisa, na ndihmoi duke provuar ushqimin për shije. Pastaj, për shkak se Eshli nuk donte që fëmijët e saj ta hanin të gjithë ëmbëlsirën, ajo u çoi ca motrave të cilave u jepte shërbesë.

Gjëja që pëlqeja më shumë nga mbrëmjet tona të recetave, është se ndërsa gatuanim dhe piqnim në furrë, ne bisedonim rreth të gjitha temave të zakonshme për dhënien e shërbesës – vështirësive të saj dhe të miat. Por bisedonim edhe rreth gjysheve dhe nënave tona, gjë e cila ishte diçka e ëmbël për të dyja ne.

Xhenifer Grinud, Jutë, SHBA

Mënyra të Veçanta për të Ndihmuar

Historia familjare mund të hapë dyert rreth mundësive për dhënien e shërbesës kur duket sikur asgjë tjetër nuk do t’i hapë. Ja tek janë disa ide që mund t’i provoni.

  • Ndihmojini që të regjistrojnë dhe të ngarkojnë regjistrime zanore me tregime nga historitë familjare, veçanërisht ato që përkojnë me fotografi.

  • Krijoni një grafik në formë erashke ose dokument tjetër të shtypur të historisë familjare që mund ta jepni si dhuratë.

  • Mësojuni mënyra si ta shënojnë historinë e tyre duke mbajtur një ditar, në një mënyrë që u pëlqen. Ditar zanor? Ditar me fotografi? Fragmente materialesh filmike? Ka shumë mundësi për ata që nuk i parapëlqejnë formatet standarde të ditarit.

  • Shkoni së bashku në tempull që të bëni ordinanca për paraardhësit. Ose ofroni të bëni ordinanca për emrat e familjarëve të tyre nëse kanë më shumë nga ç’mund të bëjnë.

  • Mblidhuni së bashku për të treguar tradita familjare.

  • Ndiqni së bashku një kurs për historinë familjare.