Dhënia e Shërbesës
Dhënia e Shërbesës nëpërmjet Konferencës së Përgjithshme
Parimet


Parimet e Dhënies së Shërbesës

Dhënia e Shërbesës nëpërmjet Konferencës së Përgjithshme

Me të gjitha citimet që lartësojnë shpirtërisht, traditat familjare dhe mësimet nga shërbëtorët e Zotit, konferenca e përgjithshme na jep mënyra të shumta për të dhënë shërbesë – përpara, gjatë dhe pas fundjavës së konferencës së përgjithshme!

Liahona, Prill 2020

Pamja
scenes from general conference

Si mësuesit e klasës së përgatitjes për në mision, Suzi dhe Tomi Mallëni u drejtojnë rregullisht anëtarëve të klasës së tyre sfidën për të ftuar dikë që të shohë konferencën e përgjithshme.

“Ftesa ndaj dikujt që të bëjë diçka është pjesë përbërëse e punës misionare dhe ajo gjen zbatim edhe për dhënien e shërbesës”, thotë ajo. “Studentët tanë rregullisht raportojnë më pas se çfarë rezultati të mirë pati për ta dhe gjithashtu për personin që e ftuan.”

Këtu janë disa mënyra që studentët e tyre i raportuan mbi interesimin ndaj të tjerëve:

  • “Ne i japim shërbesë një miku që ka disa probleme me të cilat po ndeshet. E ftuam të dëgjonte konferencën e përgjithshme për përgjigje. Kur u takuam me të pas konferencës, na tha se dëgjoi kaq shumë ide që do ta ndihmonin.”

  • “Ne bëmë një festë për konferencën e përgjithshme dhe çdo njeri solli ushqime për t’i ngrënë. Ishte kaq shumë zbavitëse sa vendosëm ta bënim sërish.”

  • “Ftova një mike që të shihte konferencën e përgjithshme me mua. Teksa folëm për këtë gjë, vendosëm të shkonim te shtëpia e mbledhjeve që të dinim nëse mund ta shihnim atje. Shkuam dhe ishte përvoja më e mirë që të ishim atje!”

Siç e kanë mësuar çifti Mallën dhe studentët e tyre, ka shumë mënyra për të dhënë shërbesë nëpërmjet konferencës së përgjithshme. Ajo është një mënyrë e mrekullueshme për të treguar citime që lartësojnë shpirtërisht, tradita familjare, diskutime domethënëse dhe mësime nga shërbëtorët e Zotit!

Ftojini të Tjerët në Shtëpinë Tuaj

“Shpëtimtari i urdhëroi pasuesit e Tij: ‘Ta doni njëri‑tjetrin; sikurse unë ju kam dashur’ (Gjoni 13:34). Prandaj ne shohim te mënyra se si na deshi Ai. … Nëse e bëjmë Atë shembullin tonë, ne gjithmonë duhet të përpiqemi që t’i afrohemi çdo njeriu për ta përfshirë.” – Presidenti Dallin H. Ouks1

Vite më parë mësuesi ynë i mrekullueshëm Majku vuri re se tre fëmijët e mi dhe unë kishim vetëm një kompjuter të vogël dore për të parë konferencën e përgjithshme. Ai menjëherë na ftoi të vinim në shtëpinë e tij dhe ta shihnim me të dhe gruan e tij, Xhekin, duke këmbëngulur se do u pëlqente shumë shoqërimi me ta. Fëmijët e mi ishin shumë të emocionuar që ta shihnin konferencën në një televizor të vërtetë; unë e çmova shumë që kisha përkrahjen e tyre; dhe të gjithëve na pëlqeu shumë koha që kaluam së bashku.

Pas kësaj, ta shihnim konferencën e përgjithshme së bashku u bë traditë. Edhe kur e morëm televizorin tonë, ne ende shkonim plot gëzim te shtëpia e Majkut dhe Xhekit me jastëkët, fletoret dhe gostitjet tona për konferencën e përgjithshme. Dëgjimi i fjalëve të profetëve së bashku e bënte konferencën më të veçantë. U bëmë si familje. Majku dhe Xheki u bënë disa prej miqve të mi më të mirë dhe si gjyshër të dytë për fëmijët e mi. Dashuria dhe miqësia e tyre kanë qenë një bekim i jashtëzakonshëm për familjen time. Jam kaq mirënjohëse për gatishmërinë e tyre që i hapën shtëpinë e tyre dhe zemrat e tyre për ne.

Suzan Erd, Kaliforni, SHBA

Parime për t’u Marrë Parasysh

“Vuri re”

Shpëtimtari plot dashuri shpenzoi kohë të shihte nevojat e të tjerëve dhe më pas të vepronte për t’ua plotësuar nevojat (shih Mateu 9:35–36; Gjoni 6:5; 19:26–27). Ne mund të bëjmë të njëjtën gjë.

“Menjëherë na ftoi”

Pasi i vëmë re nevojat e njerëzve të cilëve u japim shërbesë, hapi pasues është të veprojmë.“Dëgjimi i fjalëve të profetëve”

Ne duhet të “mblidhe[mi] së bashku shpesh” (Moroni 6:5) që të mësojmë së bashku, të rritemi shpirtërisht së bashku dhe të flasim për gjërat shpirtërore që janë më të rëndësishmet për shpirtrat tanë.

“Eja, zën’ e profetit d’gjo, fjalën e Perëndis’”2 mund të jetë një nga ftesat më të rëndësishme që mund t’u bëhet njerëzve që u japim shërbesë.

“Dashuria dhe miqësia”

Për t’i ndihmuar dhe ndikuar te të tjerët, ne duhet të ndërtojmë marrëdhënie me dhembshuri dhe “dashuri [të] pashtirur” (shih Doktrina e Besëlidhje 121:41).

Pamja
looking at a tablet

Përhapeni me Anë të Internetit

“Kanalet e mediave shoqërore janë mjete botërore që mund të ndikojnë personalisht dhe pozitivisht te një mori e madhe individësh e familjesh. Unë besoj se ka ardhur koha që ne si dishepuj të Krishtit t’i përdorim siç duhet dhe më me efektshmëri këto mjete të frymëzuara për të dëshmuar për Perëndinë, Atin e Amshuar, planin e Tij të lumturisë për fëmijët e Tij dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, si Shpëtimtarin e botës.” – Plaku Dejvid A. Bednar3

Interneti na lejon ta përhapim ungjillin në të gjithë botën. Më pëlqen shumë kjo! Unë tregoj për disa veprimtari për konferencën e përgjithshme, por kryesisht përpiqem të ndihmoj të tjerët që të krijojnë një diskutim nga bisedat e konferencës së përgjithshme. Të kuptuarit e pyetjeve të të tjerëve shpesh mund të na ndihmojë që t’i shohim gjërat në një dritë të re dhe mund të jetë një pikënisje për diskutimin e pyetjeve tona të rëndësishme.

Kam zbuluar se teksa i përdorni pyetjet që të diskutoni biseda nga konferenca e përgjithshme me familjet të cilave u jepni shërbesë, kjo ju ndihmon të shihni anët e tyre të forta si edhe nevojat e tyre. Një nga pyetjet e mia të parapëlqyera që e bëj, është: “Çfarë teme ju ka prekur nga sesioni më i fundit i konferencës së përgjithshme?”

Përgjigjja gati gjithmonë ju lejon të shihni atë që po ndodh në jetën e tyre dhe çfarë është e rëndësishme për ta. Ju lejon të bëheni një vëlla ose një motër shërbestare më e mirë, sepse arrini t’i kuptoni ata më qartësisht.

Kamilla Gillham, Kolorado, SHBA

Parime për t’u Marrë Parasysh

“Përhapim ungjillin”

Ne kemi besëlidhur që të “qëndro[jmë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” (Mosia 18:9).

“Krijojnë një diskutim”

Mesazhet e konferencës së përgjithshme mund të frymëzojnë bashkëbisedime të mahnitshme, kuptimplote dhe të udhëhequra shpirtërisht. Dhe këto lloj diskutimesh mund t’i forcojnë marrëdhëniet tuaja, mund ta ndihmojnë dëshminë tuaj të rritet dhe mund t’ju sjellin gëzim! (Shih Doktrina e Besëlidhje 50:22.)

“I përdorni pyetjet”

“Pyetjet e mira do t’ju ndihmojnë të kuptoni interesat, shqetësimet ose pyetjet që kanë të tjerët. Ato mund ta përmirësojnë mësimdhënien tuaj, ta ftojnë Shpirtin dhe t’i ndihmojnë njerëzit të mësojnë.”4

Shënime

  1. Dallin H. Oaks, “Love and the Law” (material filmik), mormonandgay.ChurchofJesusChrist.org.

  2. “Eja, Zën’ e Profetit D’gjo”, Himne, nr. 15.

  3. David A. Bednar, “Flood the Earth through Social Media”, Liahona, gusht 2015, f. 50.

  4. Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2005), f. 189.