Seminari
1 Korintasve 15:13–28


1 Korintasve 15:13–28

“Por Tashti Krishti u Ringjall prej së Vdekurish”

Pamja
Pikturë e Jezu Krishtit duke parë drejt qiellit me krahët e ngritura lart. Ai është pranë varrit ku u vendos.

Përfytyro për një çast sikur Jezu Krishti nuk do të ishte ringjallur asnjëherë. Çfarë do të nënkuptonte kjo për botën? Për ty personalisht? Përse Ringjallja e Krishtit është kaq e rëndësishme? Kur shenjtorët në Korint dyshuan për të vërtetat rreth Ringjalljes, Pali u shkroi atyre për kuptimin që Ringjallja e Shpëtimtarit mund të kishte për ta. Ky mësim mund të të ndihmojë të ndiesh dashuri dhe vlerësim më të madh për Jezu Krishtin për shkak të fitores së Tij mbi vdekjen.

Një ditë që ndryshoi historinë

Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi për një pyetje për të cilën kishte hulumtuar dikur. Shiko materialin filmik “Behold the Man!” [“Shiheni Njeriun!”] nga kodi kohor 1:37 deri në 2:31, në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org ose lexo pohimin e mëposhtëm.

Pamja
Portreti zyrtar i Plakut Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2006. U thirr si Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë më 3 shkurt 2008. Bëri portretin zyrtar në vitin 2008 duke e zëvendësuar portretin e bërë në vitin 2004.

“Kohët e fundit e pyeta internetin: ‘Cila ditë e ndryshoi më shumë udhën e historisë?’

Përgjigjet u radhitën nga habitëse e të çuditshme deri në kuptimplote dhe që nxitën mendim. Mes tyre, dita kur një asteroid parahistorik goditi gadishullin Jukatan; ose kur në vitin 1440 Johan Gutenbergu përfundoi shtypshkronjën e tij; dhe sigurisht dita në vitin 1903 kur vëllezërit Rajt i treguan botës se njeriu me të vërtetë mund të fluturojë.

Nëse po ajo pyetje ju bëhej juve, çfarë do të thoshit?”

(Diter F. Uhtdorf, “Shiheni Njeriun!”, Liahona, maj 2018, f. 107–108)

  • Cila ditë do të thoshe se e ka ndryshuar më shumë udhën e historisë? Përse?

Plaku Uhtdorf tregoi ngjarjen që ndjeu se e ndryshoi më shumë udhën e historisë. Shih materialin filmik “Behold the Man!” [“Shiheni Njeriun!”] nga kodi kohor 4:20 deri në 4:55 ose lexo pohimin e mëposhtëm.

Pamja
Portreti zyrtar i Plakut Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2006. U thirr si Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë më 3 shkurt 2008. Bëri portretin zyrtar në vitin 2008 duke e zëvendësuar portretin e bërë në vitin 2004.

“Ka shumë ngjarje gjatë gjithë historisë që kanë ndikuar thellë në fatin e kombeve dhe të njerëzve. Por bashkojini të gjitha dhe ato nuk mund të fillojnë të krahasohen me rëndësinë e asaj që ndodhi në atë mëngjes të Pashkës së parë.

Çfarë është ajo që e bën flijimin e pafundmë dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit ngjarjen më të rëndësishme në histori – më ndikuese se luftërat botërore, fatkeqësitë katastrofike dhe zbulimet shkencore jetëndryshuese?”

(Diter F. Uhtdorf, “Shiheni Njeriun!”, Liahona, maj 2018, f. 108)

  • Si mendon, përse Shlyerja dhe Ringjallja e Shpëtimtarit është ngjarja më e rëndësishme në histori?

  • Përse është Ringjallja e Jezu Krishtit me rëndësi për ty?

Ringjallja e Jezu Krishtit

Pali u shkroi shenjtorëve korintasve për të korrigjuar besimin e rremë që qe krijuar se nuk kishte Ringjallje. Ndërsa i studion fjalët e tij, krijo një grafik të ngjashëm me atë në vijim për të mbajtur shënim hollësitë dhe të vërtetat nga shkrimet e shenjta, si edhe nxitjet që merr nga Fryma e Shenjtë. Bërja e kësaj mund të të ndihmojë t’i kuptosh më mirë shkrimet e shenjta, të kesh një përvojë më të fuqishme të të nxënit dhe ta thellosh dashurinë dhe të kuptuarit që ke për Shpëtimtarin dhe fitoren e Tij mbi vdekjen.

1. Vizatoje dhe plotësoje grafikun vijues në ditarin tënd të studimit:

Nëse Jezu Krishti nuk do të ishte ringjallur …

Për shkak se Jezu Krishti u ringjall …

Lexo te 1 Korintasve 15:13–19. Shto dy ose tre pohime në anën e majtë të grafikut tënd në bazë të asaj që mësove nga këto vargje.

  • Si do të ndikoheshe ti dhe të tjerët nëse Jezusi nuk do të ishte ringjallur?

1 Korintasve 15:20–22 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merr parasysh t’i shenjosh fragmentet e zotërimit doktrinor në mënyrë të dallueshme që të mund t’i gjesh me lehtësi. Do të mësosh më shumë për këtë fragment të zotërimit doktrinor në mësimin e ardhshëm.

Tani lexo te 1 Korintasve 15:20–22. Kërko se çfarë do të ndodhë për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit. Shtoje atë në kolonën e djathtë të grafikut tënd. Vër re që “fryti i parë” te vargu 20 i referohet Jezu Krishtit që është personi i parë i ringjallur.

  • Çfarë thekson Pali se do të ndodhë për shkak se Jezusi u ringjall?

Ky fragment na ndihmon të kuptojmë se për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit, të gjithë do të ringjallen. Vdekja fizike vjen tek të gjithë si rezultat i Rënies së Adamit dhe Evës. Jezu Krishti e kapërceu këtë pasojë për të gjithë si një dhuratë falas.

Ndalo dhe mendo për atë që mund të të mësojë për Jezu Krishtin kjo dhuratë e ringjalljes universale.

  • Çfarë të mëson për Shpëtimtarin mposhtja e vdekjes fizike prej Tij për të gjithë njerëzit?

Nëse është e mundur, shiko materialin filmik “#Aleluja – një Mesazh Pashke rreth Jezu Krishtit” (2:13), në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org. Kërko dhe rendit në kolonën djathtas të grafikut tënd mënyrën se si mund të bekohesh për shkak të Ringjalljes së Shpëtimtarit. “Aleluja” është një shprehje që do të thotë “lavdi thuri Zotit” (shih te Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Hallelujah”).

  • Çfarë mësove nga materiali filmik që të bën të duash t’i thurësh lavde Zotit?

Kujto pyetjen më herët në mësim: “Përse Ringjallja është e rëndësishme për ty?”

  • Si ndikohet përgjigjja jote për atë pyetje nga ajo që studiove sot?

  • Si e përfytyron, çfarë do të ndiesh për Jezu Krishtin kur Ai të të japë jetë të re ty dhe njerëzve të tu të dashur?

Çfarë kuptimi ka për ne Ringjallja e Tij

Udhëheqësit e lashtë dhe të sotëm të Kishës kanë dëshmuar për kuptimin që ka për ne fitorja e Shpëtimtarit mbi vdekjen.

Lexoji vargjet te 1 Korintasve 15:51–58, Alma 11:42–44 dhe pohimin vijues nga Plaku Pol V. Xhonson, i Të Shtatëdhjetëve, vajza e të cilit vdiq nga kanceri. Shto në grafikun tënd të tjera hollësi të rëndësishme që sheh. Vër re që “paprishshëm” (1 Korintasve 15:52) do të thotë të ekzistosh përjetë dhe të mos kalbesh.

Pamja
Plaku Pol V. Xhonson, i Kuorumit të Të Shtatëdhjetëve, bën një portret zyrtar, i vitit 2021.

“Secili prej nesh ka kufizime dhe dobësi fizike, mendore dhe emocionale. Këto sfida … do të gjejnë zgjidhje. Asnjëri prej këtyre problemeve nuk do të na mundojë pasi të ringjallemi. …

… Ne e dimë se [Krishti] mund të na shërojë pavarësisht nga ajo që është thyer brenda nesh. Ne e dimë se Ai ‘do të thajë çdo lot nga sytë [tanë]; dhe vdekja nuk do të jetë më, as brengë, as klithma, as mundim’ [Zbulesa 21:4].”

(Pol V. Xhonson, “Dhe Vdekja Nuk Do Të Jetë Më”, Liahona, maj 2016, f. 122, 123)

Shqyrtoje grafikun tënd. Përsiat se si ajo që mbajte shënim, ndikon te ndjenjat e tua ndaj Jezu Krishtit.

  • Si të ndihmoi në studimin tënd përdorimi i këtij grafiku?

  • Si ndikon ajo që mbajte shënim, në dashurinë që ti ndien për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin dhe prej Tyre?

Për ta përmbyllur studimin tënd, merre parasysh të shikosh materialin filmik “I Know That My Redeemer Lives” [“E Di se Jeton Shëlbuesi Im”] (5:25) ose të lexosh tekstin e himnit “E Di, Jeton Shëlbuesi Im” (Himne, nr. 74), në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org.

Në fund të grafikut tënd, shkruaj atë që mësove apo ndjeve sot, që ishte më kuptimplotë për ty dhe arsyen përse.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Si mund të ndikojë tek unë njohuria për fuqinë e Ringjalljes së Krishtit?

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, shpjegoi:

Pamja
Portreti Zyrtar i Presidentit Dallin H. Ouks, i bërë në mars 2018.

“Siguria se ringjallja do të përfshijë mundësinë që të jemi me pjesëtarët e familjes sonë – bashkëshortin, bashkëshorten, prindërit, vëllezërit e motrat, fëmijët dhe nipërit e mbesat – është një inkurajim i fuqishëm për t’i përmbushur përgjegjësitë tona familjare në vdekshmëri. Na ndihmon të jetojmë së bashku në dashuri në këtë jetë, në pritje për bashkimet dhe shoqërimet e gëzueshme në jetën tjetër.”

(Dallin H. Oaks, “Resurrection”, Liahona, maj 2000, f. 16)

Merre parasysh të shikosh materialin filmik “Sunday Will Come” [“E Diela do të Vijë”] (2:31) për ide të tjera. Ky material filmik është në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org.

Si ndihmon Shlyerja dhe Ringjallja e Shpëtimtarit në humbjet që përjetojmë në vdekshmëri?

Shikoje materialin filmik “Come What May, and Love It” [“Le të Ndodhë Ç’të Ndodhë, Duaje Atë”] nga kodi kohor 8:23 deri në 9:12, në të cilin Plaku Jozef B. Uirthlin (1917–2008), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegon se si Shpëtimtari na ndihmon për humbjet që përjetojmë në vdekshmëri. Ky material filmik është në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org.

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Pamja
Portreti i Plakut D. Tod Kristoferson. Fotografuar në mars 2020.

“Shpëtimtari i rregullon të gjitha gjërat. Asnjë padrejtësi në vdekshmëri nuk është e përhershme, madje as vdekja, sepse Ai e rikthen jetën sërish. Asnjë dëmtim, paaftësi, tradhti apo shpërdorim nuk kalon pa u dëmshpërblyer në fund për shkak të drejtësisë dhe mëshirës së Tij përfundimtare.”

(D. Tod Kristoferson, “Ringjallja e Jezu Krishtit”, Liahona, maj 2014, f. 112)

A do të ringjallen të gjithë në të njëjtën kohë?

“Pali shpjegoi se Ringjallja ndjek një radhë ose sekuencë të përcaktuar (shih te 1 Korintasve 15:23). …

Jezu Krishti ishte njeriu i parë që u ringjall. Menjëherë pas Ringjalljes së Tij, kishte shenjtorë të drejtë që u ngritën nga varri (shih te Mateu 27:52–53). Në Ardhjen e Dytë, Ringjallja do të vazhdojë me daljen e shenjtorëve të tjerë të drejtë, që ‘janë të Krishtit, në ardhjen e tij’ (1 Korintasve 15:23). Nëpërmjet zbulesës së ditëve të mëvonshme, ne mësojmë se këta njerëz do të trashëgojnë mbretërinë çelestiale [shih te Doktrina e Besëlidhje 76:50–70; 88:97–98]. Më pas do të vijë ringjallja e atyre që do të marrin lavdinë terrestiale [shih te Doktrina e Besëlidhje 76:71–79; 88:99]. Ata do të pasohen në fund të Mijëvjeçarit nga ata që do të trashëgojnë lavdinë telestiale [shih te Doktrina e Besëlidhje 76:81–86; 88:100–101]. Përfundimisht, Ringjallja do të përmbyllet me ngritjen e … ‘bij[ve të] humbjes’ që nuk do të marrin asnjë shkallë lavdie, por do të ‘kthehen përsëri në vendin e tyre, për të gëzuar atë që janë të gatshëm të marrin, sepse ata nuk ishin të gatshëm të gëzonin atë që mund të kishin marrë’ [shih te Doktrina e Besëlidhje 76:31–39, 43–44; 88:28–32, 35, 101–102]” (New Testament Student Manual [2014], f. 385).

Ata shpirtra që u rebeluan në jetën para lindjes dhe nuk morën një trup të vdekshëm, nuk do të jenë ndër ata që do të ringjallen (shih te Doktrina e Besëlidhje 76:32–39).