Seminari
2 Thesalonikasve 2


2 Thesalonikasve 2

Braktisja e Madhe

Pamja
Një grup njerëzish nga periudha e Dhiatës së Re të mbledhur rreth një burri. Njerëzit po e dëgjojnë burrin të flasë. Figura ilustron zhvillimin e bindjeve të rreme dhe braktisjen që ndodhi në kishën e hershme të krishterë pas vdekjeve të apostujve të parë të Jezu Krishtit.

Si do të ishte jeta jote po të mos kishe plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit? Pali u mësoi shenjtorëve në Thesaloniki se ligësia e njerëzve do të çonte përfundimisht në largimin nga ungjilli (shih te 2 Thesalonikasve 2:1–7). Ky mësim mund të të ndihmojë të kuptosh se si ndodhi Braktisja e Kishës së Dhiatës së Re dhe përse Kisha e Shpëtimtarit duhej të rivendosej në ditët e mëvonshme.

Braktisja e Madhe

Përfytyro sikur je një misionar në ditën e parë të misionit tënd. Ti duhet t’i japësh dikujt mësim për Braktisjen e Madhe.

  • Si do t’ia shpjegoje këtë atij?

  • Përse mund të jetë sfiduese kjo?

  • Si mendon, përse është e rëndësishme ta kuptojmë Braktisjen e Madhe?

Në ditarin tënd të studimit, shkruaj pyetjet që ke rreth Braktisjes së Madhe ose pyetjet që mund të bëjë një kërkues. Teksa studion, kërko ndihmën e Atit Qiellor për të gjetur përgjigje për këto pyetje.

Pali profetizon për rënien e Kishës

Shenjtorët thesalonikas kishin shumë shqetësime për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit dhe menduan se mund të ndodhte shumë shpejt. Pali i trajtoi shqetësimet e tyre në letrën e tij dhe shpjegoi se diçka tjetër do të ndodhë përpara se Krishti të vijë përsëri.

2 Thesalonikasve 2:1–3 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merr parasysh t’i shenjosh fragmentet e zotërimit doktrinor në mënyrë të dallueshme që të mund t’i gjesh me lehtësi.

Lexo te 2 Thesalonikasve 2:1–3 dhe kërko atë që dha mësim Pali se do të ndodhë përpara Ardhjes së Dytë të Krishtit. Përdor poshtëshënimet për të të ndihmuar t’i kuptosh më mirë fjalët e Palit.

  • Çfarë dha mësim Pali se do të ndodhë përpara Ardhjes së Dytë të Krishtit?

Kjo “rënie” e përshkruar nga Pali ishte Braktisja e Madhe, që ndodhi pas vdekjes së Apostujve të Jezu Krishtit. Kjo Braktisje e Madhe është ndryshe nga braktisja vetjake, që ndodh kur individët rebelohen ose largohen nga e vërteta (shih tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Braktisje”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).

  • Në ç’mënyrë e tregojnë fjalët e Palit kujdesin dhe shqetësimin e Perëndisë për shenjtorët thesalonikas?

Një nga të vërtetat që mund të mësojmë nga këto vargje, është se ishte profetizuar në kohët e lashta se përpara Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit do të ndodhte një braktisje e Kishës së Tij.

  • Si mendon, përse është e rëndësishme që kjo e vërtetë të kuptohet?

Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se përse ndodhin periudha të braktisjes.

Pamja
Portreti zyrtar i Presidentit M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2004.

“Ati ynë Qiellor i do të gjithë fëmijët e Tij dhe Ai do që të gjithë ata të kenë bekimet e ungjillit në jetën e tyre. Drita shpirtërore nuk ka humbur [ngaqë] Perëndia [ua kthen] shpinën fëmijëve të Tij. Përkundrazi, errësira shpirtërore shfaqet kur fëmijët e Tij [ia] kthejnë shpinën kolektivisht Atij. Ajo është një pasojë e natyrshme e zgjedhjeve të këqija, [të bëra] nga individë, komunitete, shtete dhe qytetërime të tëra.”

(M. Rasëll Ballard, “Nxjerrja e Mësimeve nga e Kaluara”, Liahona, maj 2009, f. 32)

  • Çfarë të bën përshtypje nga kjo thënie? Pse?

Për shkak se Ati Qiellor i di të gjitha gjërat (shih te 2 Nefi 9:20), Braktisja e Madhe nuk erdhi si befasi për Të. Ai i do të gjithë fëmijët e Tij (shih te Gjoni 3:16), prandaj Ai siguroi një mënyrë për ta mposhtur këtë Braktisje të Madhe nëpërmjet Rivendosjes së Kishës së Jezu Krishtit dhe ungjillit (shih te Veprat e Apostujve 3:19–21; Efesianëve 1:10).

Thelloje kuptueshmërinë tënde për Braktisjen e Madhe

Veprimtaria vijuese mund të të ndihmojë të kuptosh më mirë se si ndodhi Braktisja e Madhe dhe përse Kisha e Shpëtimtarit duhej të rivendosej në ditët e mëvonshme.

Studioji fragmentet e shkrimeve të shenjta dhe thënien në vijim nga Presidenti Rasëll M. Nelson dhe më pas përgjigju për pyetjet më poshtë.

  1. 1 Nefi 13:24–28: Nefi sheh në vegim atë që do të ndodhte me të vërtetat e rëndësishme në Bibël.

  2. Amos 8:11–12: Amosi profetizon për një uri shpirtërore që do të vinte.

  3. Veprat e Apostujve 20:29–30: Pali paralajmëron se anëtarët e Kishës së Shpëtimtarit do të largoheshin nga ungjilli.

  4. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:

    Pamja
    Portreti zyrtar i Rasëll M. Nelsonit.

    “Sepse Perëndia ynë i gjallë është një Perëndi i dashur! Ai do që fëmijët e Tij ta njohin Atë dhe Jezu Krishtin, të cilin Ai e dërgoi! Dhe Ai do që fëmijët e Tij të fitojnë pavdekësi dhe jetë të përjetshme!

    Për këtë qëllim të lavdishëm, misionarët tanë japin mësim rreth Rivendosjes. Ata e dinë se rreth 2.000 vite përpara, Zoti krijoi Kishën e Tij. Pas kryqëzimit të Tij dhe vdekjes së Apostujve të Tij, njerëzit e ndryshuan Kishën dhe doktrinën e saj. Atëherë, pas brezash errësire shpirtërore dhe sikurse u parashikua nga profetë të mëparshëm, Ati Qiellor dhe Jezu Krishti rivendosën Kishën, doktrinën e saj dhe autoritetin e priftërisë së saj. Në saje të asaj Rivendosjeje, njohuria dhe ordinancat thelbësore për shpëtimin dhe ekzaltimin janë përsëri të disponueshme për të gjithë njerëzit. Në fund, ai ekzaltim e lejon secilin prej nesh të jetojë me familjet tona në praninë e Perëndisë dhe të Jezu Krishtit përgjithmonë!”

    Rasëll M. Nelson, “Kapeni Valën”, Liahona, maj 2013, f. 46

Nëse ke ende pyetje rreth domethënies së braktisjes, merre parasysh të studiosh pjesën “Braktisja e Madhe” nga “Mësimi 1: Mesazhi i Rivendosjes së Ungjillit të Jezu Krishtit” te Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2005). Ti mund të mësosh më shumë rreth këtyre temave edhe duke parë materialin filmik “What Is the Restoration?” [“Çfarë Është Rivendosja?”] (5:13) ose “Kisha e Jezu Krishtit” (1:27), që mund të gjendet në ChurchofJesusChrist.org.

Çfarë është Rivendosja?Kisha e Jezu Krishtit

1. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Çfarë mësove rreth Braktisjes së Madhe?

  • Çfarë mësove rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit nëpërmjet këtyre mësimeve?

  • Bazuar tek ajo që mësove, përse ishte e nevojshme Rivendosja?

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi pyetje që ai dhe bashkëshortja e tij mund t’i kishin pasur po të kishin jetuar gjatë Braktisjes së Madhe: “Çfarë mungon këtu? Çfarë do të donim të kishim? Çfarë shpresojmë njëmend se Perëndia do të na japë në përgjigje të dëshirimit tonë shpirtëror?” (“Një Ndriçim i Përkryer i Shpresës”, Liahona, maj 2020, f. 81). Përsiat për mendime dhe ndjenja të ngjashme që mund të kishe pasur po të kishe jetuar në atë kohë.

2. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Si do të ishte jeta jote po të mos kishe plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit?

  • Për çfarë je më shumë mirënjohës në lidhje me Kishën e rivendosur të Shpëtimtarit? Pse?

  • Çfarë mendon se Ati Qiellor dëshiron që të dish, ndiesh ose bësh për shkak të këtij mësimi?

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë? 

A e vunë re Braktisjen të krishterët që jetuan përpara Rivendosjes?

Reformisti Martin Luter (1483–1546) dha mësim:

“Nuk kam kërkuar asgjë tjetër veç reformimit të Kishës në përputhje me Shkrimet e Shenjta. … Thjesht them se krishterimi ka pushuar së ekzistuari mes atyre që duhej ta kishin ruajtur atë.”

(Në E. G. Schwiebert, Luther and His Times: The Reformation from a New Perspective [1950], f. 509)

Roxher Uilliamsi, udhëheqësi i hershëm amerikan i krishterë (1603–1683), shpjegoi:

“Braktisja … deri më tani ka korruptuar gjithçka sa nuk mund të ketë shërim nga ajo braktisje derisa Krishti të dërgojë apostuj të rinj për t’i vendosur kishat sërish”.

(Në Philip Schaff, The Creeds of Christendom, 3 vëll. [1877], 1:851)

Filozofi holandez Erasmus (1466–1536) dha mësim:

“Gjithçka tani është kaq e ngatërruar me këto pyetje [të doktrinës] dhe dekrete sa ne nuk guxojmë as të shpresojmë për ta kthyer botën drejt krishterimit të vërtetë”.

(The Praise of Folly, përkth. Clarence H. Miller, bot. i 2-të [2003], f. 155–156)

A ka pasur vetëm një braktisje?

Gjatë gjithë kohës ka pasur disa periudha ungjillore që kanë përfunduar në braktisje. Atëherë Zoti në mëshirën e Tij e rivendosi ungjillin e Tij në tokë duke thirrur profetë. Për të mësuar më tepër rreth këtij modeli, shikoni “Periudhat ungjillore: Modeli i Braktisjes dhe i Rivendosjes” (6:52), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

Si duhet t’i shohim njerëzit e mirë të besimeve të tjera?

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, shpjegoi:

Pamja
Portreti Zyrtar i Presidentit Dallin H. Ouks, i bërë në mars 2018.

“Ne besojmë se pjesa më e madhe e udhëheqësve fetarë dhe e ndjekësve janë besimtarë të sinqertë që e duan Perëndinë dhe e kuptojnë e i shërbejnë Atij aq sa munden. Ne u jemi borxhli burrave dhe grave që e mbajtën gjallë dritën e besimit dhe të të mësuarit ndër shekuj deri në ditën e sotme. Ne vetëm duhet ta vëmë në kontrast dritën më të pakët që ekziston mes njerëzve që nuk i dinë emrat e Perëndisë dhe Jezu Krishtit, për të kuptuar kontributin e madh të dhënë nga mësuesit e krishterë përgjatë epokave. Ne i nderojmë ata si shërbëtorë të Perëndisë.”

(Dallin H. Oaks, “Apostasy and Restoration”, Ensign, maj 1995, f. 85)