Seminari
Marrja e Njohurisë Shpirtërore, Pjesa 1


Marrja e Njohurisë Shpirtërore, Pjesa 1

Vepro me Besim

Pamja
i ri duke përsiatur për shkrimet e shenjta

Njëri prej qëllimeve të zotërimit doktrinor është të të ndihmojë të mësosh dhe zbatosh parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë ta kuptosh dhe zbatosh parimin specifik të të vepruarit me besim te Jezu Krishti kur dalin sfida dhe pyetje të vështira.

Kur dalin sfida dhe pyetje të vështira

Gjatë vdekshmërisë, të gjithë ne përballemi me sfida dhe pyetje të vështira që mund të mos jenë të lehta për t’u zgjidhur. Lexoji skenarët në vijim ndërsa mendon për përvoja të ngjashme që ke pasur ti ose dikush që e njeh.

Një i ri ka shumë pyetje rreth rregulloreve të Kishës dhe fillon të pyesë veten a është Kisha realisht e vërtetë.

Një e re sheh një publikim në mediat shoqërore që e vë në pikëpyetje një doktrinë të Kishës. Tani ajo fillon ta vrasë mendjen vetë për atë doktrinë.

Një e re pyet veten a marrin lutjet vërtet përgjigje pasi vëllai i saj vuajti dhe vdiq nga një sëmundje e pashërueshme, pavarësisht nga lutjet dhe bekimet që iu ofruan atij.

  • Cilat janë disa nga mënyrat e ndryshme se si njerëzit mund të zgjedhin të përgjigjen kur përballen me sfida ose pyetje të vështira si këto?

Gjej një çast për të reflektuar për përvojat e tua të përballjes me sfida dhe pyetje të vështira. Mund të jetë e dobishme të mendosh për pyetjet vijuese: A ke pasur sukses për gjetjen e përgjigjeve? Çfarë të ka ndihmuar të gjesh paqe? Çfarë nuk të ka ndihmuar?

  • Cilat janë disa nga pyetjet ose sfidat që ke (ose që kanë njerëz të tjerë që i njeh) të cilat nuk janë të lehta për t’u zgjidhur?

  • Pse mendon se Ati Qiellor na lejon të kemi pyetje të pazgjidhura në vend që të na i japë gjithmonë përgjigjet?

Kur dalin pyetje, është rëndësishme të kujtohet se Zoti na nxit të bëjmë pyetje dhe të kërkojmë përgjigje (shih te Mateu 7:7–8; Jakob [Bibël] 1:5–6; Doktrina e Besëlidhje 42:61). Bërja e pyetjeve dhe kërkimi i përgjigjeve është një pjesë jetike e përpjekjes sonë për të mësuar të vërtetën, e ndjekur nga zbatimi dhe të jetuarit e asaj që kemi mësuar në pikësynimin tonë për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari dhe Ati ynë Qiellor.

Tre parime që mund të na udhërrëfejnë ndërsa kërkojmë t’i zgjidhim pyetjet ose çështjet dhe ta rritim kuptueshmërinë tonë për të vërtetën e përjetshme përfshijnë:

  • Vepro me besim.

  • Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm.

  • Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore.

Të tria këto parime mund të jenë të rëndësishme për t’u përdorur kur përballesh me pyetje dhe shqetësime që nuk zgjidhen lehtë ose kur përjeton sprova.

Vepro me besim

Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të kuptosh parimin vijues: Teksa veprojmë me besim, Zoti na jep paqe dhe forcë ndërsa kërkojmë përgjigje për pyetjet dhe shqetësimet tona.

1. Përgjigju për pyetjen vijuese në ditarin tënd të studimit.

  • Çfarë mendon se do të thotë të veprosh me besim?

Thelloje kuptueshmërinë tënde për atë që do të thotë të veprosh me besim duke e përfunduar veprimtarinë e të mësuarit më poshtë. Mund të jetë e dobishme të studiosh me dikë tjetër që të mund të ushtrohesh për të shpjeguar atë që ke kuptuar dhe të mësosh nga të tjerët.

Çfarë do të thotë të veprosh me besim?

Lexo te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022) pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore”, paragrafët 1–2 dhe 5–7 dhe pohimin vijues nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Teksa studion, kërko se çfarë do të thotë të veprosh me besim dhe çfarë mund të të ndihmojë për ta vënë në zbatim këtë parim kur ke pyetje.

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Besimi nuk bie mbi ne nga rastësia, as nuk qëndron me ne nga e drejta e parabirnisë. … Besimi te Jezu Krishti është një dhuratë nga qielli që vjen kur ne zgjedhim të besojmë dhe kur e kërkojmë e mbahemi tek ai. … E ardhmja e besimit tuaj nuk vjen nga rastësia, por nga zgjedhja. …

Besimi nuk kërkon kurrë një përgjigje për çdo pyetje, por kërkon sigurinë dhe guximin që të shkojmë përpara, ndonjëherë duke e pranuar: ʻUnë nuk di çdo gjë, por di mjaftueshëm që të vazhdoj në udhën e dishepullimitʼ.

Zhytja e vetes në dyshime të vazhdueshme, e ushqyer me përgjigje nga ata që janë pa besim dhe jo besnikë, e dobëson besimin e një njeriu te Jezu Krishti dhe Rivendosja. ‘Njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi’ [1 Korintasve 2:14]. …

Megjithëse zjarri juaj fillestar i besimit mund të jetë i vogël, zgjedhjet e drejta sjellin mirëbesim më të madh te Perëndia dhe besimi juaj rritet.”

(Nil L. Andersen, “Besimi Nuk Vjen nga Rastësia, por nga Zgjedhja”, Liahona, nëntor 2015, f. 65, 66 dhe 67)

  • Përse mendon se është e rëndësishme të veprojmë me besim kur kemi pyetje dhe shqetësime?

  • Çfarë mësove nga këto lexime mbi faktin se çfarë do të thotë të veprosh me besim?

Silli në kujtesë pyetjet dhe sfidat e vështira me të cilat po përballesh ose shqyrtoji skenarët në fillim të mësimit. Me njërën nga këto në mendje, ushtrohu për ta vënë në zbatim atë që ke mësuar rreth të vepruarit me besim duke iu përgjigjur sa më hollësisht që të mundesh pyetjeve vijuese.

2. Përgjigju për pyetjet vijuese:

  • Cila është sfida ose pyetja që ke zgjedhur ta ushtrosh duke vepruar me besim?

  • Cilat janë dy ose tri mënyra se si dikush mund të veprojë me besim në këtë situatë?

  • Po sikur kjo situatë ta bënte të vështirë që të veprosh me besim te Jezu Krishti? Si mund t’i kapërcenit këto sfida?

  • Çfarë do të doje të mbaje mend veçanërisht rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit ndërsa gjendesh në këtë situatë? Si mund të të ndihmonte të kujtuarit e atyre gjërave?

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

A është e gabuar të kemi pyetje rreth ungjillit?

Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, dha mësim për vlerën e pyetjeve të sinqerta:

Pamja
Plaku Diter F. Uhtdorf

“Është e natyrshme të kemi pyetje – fara e kërkimit të çiltër shpesh është çelur dhe është rritur në një dushk të madh të të kuptuarit. Ka pak anëtarë të Kishës të cilët, në një kohë apo në një tjetër, nuk janë munduar me pyetje serioze ose të ndjeshme. Një nga qëllimet e Kishës është të ushqejë dhe kultivojë farën e besimit – ndonjëherë edhe në tokën plot rërë të dyshimit dhe pasigurisë. Besimi është të shpresosh për gjëra që nuk shihen, por të cilat janë të vërteta.

Prandaj, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura – miqtë e mi të dashur – ju lutem, së pari kini dyshim te dyshimet tuaja përpara se të keni dyshim te besimi juaj. Ne kurrë nuk duhet ta lejojmë dyshimin që të na mbajë të burgosur dhe të na largojë nga dashuria hyjnore, paqja dhe dhuratat që vijnë nëpërmjet besimit te Zoti Jezu Krisht.”

(Diter F. Uhtdorf, “Ejani, Bashkohuni me Ne”, Liahona, nëntor 2013, f. 23)

Si mund ta rrit aftësinë time për të vepruar me besim?

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim rreth një procesi që mund të ndërmarrim për ta rritur besimin tonë:

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Besimi ynë rritet çdo herë që ushtrojmë besimin tonë në Të. Kjo është domethënia e të mësuarit me anë të besimit.

Për shembull, kurdo që kemi besimin të jemi të bindur ndaj ligjeve të Perëndisë – edhe kur opinionet e përhapura na nënçmojnë – ose sa herë i rezistojmë argëtimit ose ideologjive që përlëvdojnë shkeljen e besëlidhjeve, ne po ushtrojmë besimin tonë, i cili nga ana tjetër e rrit besimin tonë.”

(Rasëll M. Nelson, “Përqafojeni të Ardhmen me Besim”, Liahona, nëntor 2020, f. 75)

Skenarë nga jeta reale e individëve që veprojnë me besim

Merr parasysh të shohësh njërin ose të dyja materialet filmike vijuese, duke kërkuar atë që mund të mësosh nga këta individë, që mund të të ndihmojnë të veprosh me besim kur ke pyetje ose sfida të vështira.

Përse nuk duhet të kem frikë nga pyetjet që nuk kanë përgjigje?