Seminari
Veprat e Apostujve 16


Veprat e Apostujve 16

“Zoti na Kishte Thirrur që ta Shpallim … Ungjillin”

Pamja
Në një vegim, Pjetri pagëzon një johebre.

Në fjalët e Tij të fundit me Apostujt e Tij, Shpëtimtari i urdhëroi ata të “bëni[n] dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë” (Mateu 28:19). Pali dhe shokët e tij misionarë arritën përparim të jashtëzakonshëm në përmbushjen e këtij urdhërimi. Qëllimi i këtij mësimi është të të ndihmojë ta dallosh ndihmën që Shpëtimtari dëshiron të të japë ndërsa përpiqesh t’ua shpërndash ungjillin e Tij të tjerëve.

Shpërndarja e ungjillit tek të tjerët

Ti mund të kujtosh që pas Ringjalljes së Tij, Shpëtimtari i mblodhi Apostujt e Tij së bashku dhe u dha atyre urdhërimin vijues: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë” (Mateu 28:19).

Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mendimet vijuese rreth urdhrit të Shpëtimtarit për të predikuar ungjillin. Nëse dëshiron, mund të shohësh materialin filmik “Puna Misionare: Shprehja e Asaj që Keni në Zemër” nga kodi kohor 2:46 deri në 3:30 ose lexo thënien vijuese.

Pamja
Portreti zyrtar i Plakut Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2006. U thirr si Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë më 3 shkurt 2008. Bëri portretin zyrtar në vitin 2008 duke e zëvendësuar portretin e bërë në vitin 2004.

“Shpesh [k]am përsiatur dhe jam lutur për porosinë e mrekullueshme të Shpëtimtarit ndaj dishepujve të Tij … të ‘shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë’ [Mateu 28:19].

Jam munduar të gjej përgjigjen e pyetjes: ‘Si mundemi ne, si anëtarë dhe dishepuj të Krishtit, ta përmbushim më mirë atë porosi të mrekullueshme në jetën tonë të përditshme?’

Sot ju ftoj ta përsiatni po këtë pyetje në zemrën dhe mendjen tuaj.”

(Diter F. Uhtdorf, “Puna Misionare: Shprehja e Asaj që Keni në Zemër”, Liahona, maj 2019, f. 15)

Krahas pyetjes që Plaku Uhtdorf të ftoi ta përsiatësh, mendo rreth përgjigjeve të tua për pyetjet vijuese. Merre parasysh t’i mbash shënim përgjigjet e tua në ditarin tënd të studimit.

  • Në një shkallë nga 1 deri në 5, sa shumë dëshirë ke për t’ua shpërndarë ungjillin të tjerëve? Përse u përgjigje në këtë mënyrë?

  • Me cilat pengesa përballesh në shpërndarjen e ungjillit tek të tjerët?

Apostulli Pal ishte një misionar i fuqishëm, i cili solli shumë shpirtra te Jezu Krishti përmes predikimit të tij. Gjatë kësaj jave ti do të mësosh rreth disa prej ngjarjeve që ndodhën gjatë udhëtimit të dytë dhe të tretë misionar të Palit (shih te Veprat e Apostujve 15:36–41; 16; 17; 18:1–22 dhe Veprat e Apostujve 18:23–28; 19; 20; 21:1–15). Harta vijuese ilustron zhvendosjet e Palit gjatë këtyre udhëtimeve:

Pamja
Harta e Biblës. Udhëtimet Misionare të Apostullit Pal.

Ndërsa studion disa nga përvojat e Palit nga misioni i tij i dytë në këtë mësim, ti do të shohësh shembuj të së vërtetës vijuese: Zoti mund të na drejtojë tek ata që Ai i ka përgatitur ta pranojnë ungjillin e Tij. Kushtoju vëmendje nxitjeve të Shpirtit që mund të të ndihmojnë në përpjekjet e tua për ta shpërndarë ungjillin tek të tjerët.

Pali dhe shokët e tij misionarë predikojnë në Maqedoni

Pamja
Portretizim i Lidias një “tregtare të purpurtash” në Dhiatën e Re.

Lexo te Veprat e Apostujve 16:6–15, duke kërkuar atë që Pali dhe shokët e tij misionarë përjetuan në fillim të udhëtimit të dytë misionar të Palit.

  • Çfarë mund të mësosh rreth Atit Qiellor nga kjo ndodhi, që mund të të ndihmojë në përpjekjet e tua për t’i gjetur ata që Zoti ka përgatitur për ta pranuar ungjillin e Tij?

  • Si e ke parë Zotin t’i përgatitë të tjerët për ta pranuar ungjillin e Tij? Si të ka përgatitur ose si mund të të përgatitë Ai ty për të gjetur individë që po e kërkojnë Atë?

Për të parë një ilustrim të mënyrës se si Zoti i përgatit njerëzit për ta marrë dhe shpërndarë ungjillin e Tij, shiko materialin filmik “Prayer” [“Lutje”] (4:12), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

Pali dhe Sila burgosen dhe vazhdojnë të predikojnë

Pamja
Palin dhe Silën i rrahin me kamxhik dhe i futin në burg. – k.61–4

Pasi Pali dhe shokët e tij misionarë i dhanë mësim Lidias dhe e pagëzuan atë, Pali dëboi një frymë të keqe nga një shërbëtore e re (shih te Veprat e Apostujve 16:16–18). Ai dhe shoku i tij i misionit, Sila u rrahën dhe më pas u burgosën (shih te Veprat e Apostujve 16:19–24). Flakja në burg për shkak të predikimit të ungjillit mund të duket si një arsye e kuptueshme për të hequr dorë. Por për Palin dhe Silën ajo u kthye në një mundësi për t’i ndihmuar të tjerët të vinin te Krishti.

Lexo te Veprat e Apostujve 16:25–36 për të zbuluar mënyrën se si Zoti e ktheu burgosjen e Palit dhe të Silës në një mundësi që ata të predikonin ungjillin.

  • Cilat cilësi si të Krishtit demonstruan Pali dhe Sila në këtë ndodhi?

  • Si i mundësuan këto cilësi që ta shpërndanin ungjillin në mënyrë më të efektshme?

  • Çfarë mësove nga kjo ndodhi që mund të të ndihmojë në përpjekjet e tua për të gjetur ata që Zoti i ka përgatitur ta pranojnë ungjillin e Tij?

Zbatimi i asaj që mësove

Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, kërko frymëzim nga Ati Qiellor për të vendosur për diçka që mund të bësh për t’ua shpërndarë ungjillin e Jezu Krishtit të tjerëve. Përzgjidh një nga ftesat vijuese që ti e ndien se do të ishte më e dobishme për ty:

  • Lutu çdo ditë që Zoti të të drejtojë te dikush që Ai e ka përgatitur për ta pranuar ungjillin.

  • Merre parasysh të renditësh dy emra të miqve ose shokëve të klasës që mund të jenë të interesuar të dëgjojnë për ungjillin e Jezu Krishtit. Më pas kërkoji Atit Qiellor të të ndihmojë të dish se si ti mund të jesh një mjet në duart e Tij për t’i sjellë ata te Shpëtimtari.

  • Me miratimin e duhur nga prindërit dhe udhëheqësit e tu, puno me një dyshe misionarësh për nja dy orë. Tregoja përvojën tënde klasës në një kohë të mëvonshme.

  • Mendo për një ide tënden për diçka që mund të bësh për t’ua shpërndarë ungjillin të tjerëve.

1. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Cilën ftesë zgjodhe? Nëse krijove idenë tënde, çfarë vendose të bëje?

  • Çfarë mendon se mund të ta bëjë të vështirë që ti ta ndjekësh zotimin tënd?

  • Çfarë mësove sot që mund të të ndihmojë të kesh besim se mund ta kapërcesh çdo pengesë që has?

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Si mund të më ndihmojnë mediat shoqërore ta shpërndaj ungjillin?

Në materialin filmik “To Sweep the Earth as with a Flood” [“Të Derdhet mbi Tokë si një Përmbytje”] (2:56), Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, flet rreth përdorimit të mediave shoqërore për të shpërndarë ungjillin. Ky material filmik është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

Po sikur njerëzit ta refuzojnë ftesën time për të mësuar më shumë në këtë kohë?

Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Pamja
Portreti zyrtar i Plakut Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2006. U thirr si Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë më 3 shkurt 2008. Bëri portretin zyrtar në vitin 2008 duke e zëvendësuar portretin e bërë në vitin 2004.

“Perëndia nuk ka nevojë që ju ta ‘shitni’ ungjillin e rivendosur apo Kishën e Jezu Krishtit. Ai thjesht pret nga ju që të mos ta fshihni atë nën babune. Dhe nëse njerëzit vendosin që Kisha nuk është për ta, ai është vendimi i tyre. Nuk do të thotë që ju keni dështuar. Vazhdoni t’i trajtoni ata me mirësi. Kjo nuk e përjashton faktin që ju t’i ftoni ata sërish. Ndryshimi mes kontakteve rastësore shoqërore dhe dishepullimit guximtar, me dhembshuri është – ftesa!”

(Diter F. Uhtdorf, “Aventura Juaj e Madhërishme”, Liahona, nëntor 2019, f. 88)

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:

Pamja
Portreti zyrtar i Plakut Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i gushtit të vitit 2010.

“Edhe me një dëshirë të fortë për ta shpërndarë ungjillin, ju mund të mos jeni aq të gëzuar nga suksesi i përpjekjeve tuaja të mëparshme. Ju mund të ndiheni sikurse më tha një mik: ‘Kam folur me familjen tonë dhe miqtë tanë rreth Kishës, por pak veta kanë shprehur ndonjë interes dhe, me secilin mospranim, jam bërë më ngurrues. E di se duhet të bëj më shumë, por kam ngelur në vend dhe gjithçka që ndiej, është një faj i pamasë.’ …

Sugjeroj që ju të hiqni dorë prej të ndierit fajtorë rreth ndonjë pamjaftueshmërie që mendoni se e keni në shpërndarjen e ungjillit. Në vend të kësaj, lutuni sikurse dha mësim Alma, që ‘të qëndroni si [një] dëshmitar [i] Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet … që [të tjerët] të mund të shëlb[ohen] nga Perëndia dhe të numërohen me ata të ringjalljes së parë, [dhe] të ken[ë] jetën e përjetshme’ [Mosia 18:9]. Kjo është një nxitje shumë më e fortë sesa faji.”

(Nil L. Andersen, “Një Dëshmitar i Perëndisë”, Liahona, nëntor 2016, f. 36)

Si të gjej njerëz që t’u jap mësim?

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim:

Pamja
Portreti Zyrtar i Presidentit Dallin H. Ouks, i bërë në mars 2018.

“Ne duhet të lutemi për ndihmën dhe udhëzimet e Zotit që të mund të jemi mjete në duart e Tij për dikë që tani është gati – personin që Ai do që ne ta ndihmojmë sot. Më pas, ne duhet të jemi vigjilentë për të dëgjuar dhe për t’ua vënë veshin nxitjeve të Shpirtit të Tij lidhur me mënyrën se si të veprojmë.

Ato nxitje do të vijnë. Ne e dimë nga dëshmi të panumërta vetjake se në vetë mënyrën e Tij dhe në vetë kohën e Tij Zoti po i përgatit njerëzit që ta pranojnë ungjillin e Tij. Njerëz të tillë po kërkojnë dhe, kur ne përpiqemi t’i identifikojmë ata, Zoti do t’iu përgjigjet lutjeve të tyre duke iu përgjigjur lutjeve tona. Ai do t’i nxitë dhe udhërrëfejë ata që dëshirojnë dhe ata që me çiltërsi kërkojnë udhërrëfim lidhur me mënyrën, vendin, kohën dhe personin që ta shpërndajnë ungjillin e Tij.”

(Dallin H. Oaks, “Sharing the Gospel”, Ensign, nëntor 2001, f. 8)