Seminari
Veprat e Apostujve 6–7


Veprat e Apostujve 6–7

Stefani Shërbeu si Krishti

Pamja
I ri dhe e re duke ndihmuar një grua të moshuar për të mbajtur ushqimet.

Kujdesi për të varfrit dhe për personat e tjerë që kanë nevojë për ndihmë, ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e të qenit i krishterë. Kur vejushat po liheshin pas dore, Apostujt zgjodhën Stefanin dhe gjashtë të tjerë për të dhënë shërbesë për nevojat e tyre. Në mënyrë tragjike, edhe pse Stefani kreu mrekulli të mëdha me fuqinë e Perëndisë, judenjtë e goditën me gurë atë për dëshminë e tij për Jezu Krishtin. Ndërsa studion, përsiat për mënyrat se si mund t’i bekosh të tjerët duke u përpjekur të ndjekësh Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, të bëhesh i ngjashëm me Ta dhe të dëshmosh për Ta.

Këshilli i lagjes është një grup anëtarësh me thirrje të caktuara (peshkop, president i kuorumit të pleqve, presidente e Shoqatës së Ndihmës, presidente e Të Rejave, presidente e Fillores e me radhë) që takohen së bashku rregullisht për të trajtuar situata dhe sfida të ndryshme në lagjen e tyre. Përfytyroni sikur keni situatën vijuese në lagjen apo degën tuaj: Një nënë beqare me emrin Ermira ka një djalë 16 vjeç, një vajzë 7 vjeçe dhe një foshnjë 6 muajshe. Ermira do të kryejë ndërhyrje kirurgjikale këtë javë dhe do të qëndrojë në spital për pesë ditë. Si mund ta ndihmojnë anëtarët e ndryshëm të këshillit të lagjes këtë familje?

  • Si mendon, përse këshillat e lagjes ose organizata të tjera të ngjashme janë të rëndësishme?

  • Si mund të ndihen ata që janë duke marrë ndihmë nga këshilli i lagjes apo një grup i ngjashëm?

Lexo te Veprat e Apostujve 6:1, duke kërkuar një problem me të cilin u përball Kisha e hershme.

Për shkak të numrit të vejushave të Kishës që ishin të varfra ose në nevojë për ndihmë, Të Dymbëdhjetët po kalonin një pjesë aq të madhe të kohës së tyre duke u përpjekur t’i ndihmonin ato, saqë nuk mund t’ia kushtonin kohën e tyre predikimit të ungjillit në mënyrën që Shpëtimtari ua kishte kërkuar.

Lexo te Veprat e Apostujve 6:2–8 dhe përcakto zgjidhjen që arritën Të Dymbëdhjetët.

1. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Ku ngjasojnë thirrjet e sotme në Kishë dhe në këshillat e lagjes me zgjidhjen që propozuan Apostujt e hershëm?

  • Ndërsa lexon për shtatë burrat që u zgjodhën për të ndihmuar Apostujt, çfarë cilësish si të Krishtit vure re që ata i kishin?

  • Si mendon, si mund ta ndihmojë dikë secila prej këtyre cilësive që t’u shërbejë dhe t’i bekojë të tjerët që janë në nevojë?

Një e vërtetë që mund të përcaktojmë nga këto vargje, është kjo: Ndërsa zhvillojmë cilësi si të Krishtit, ne mund t’iu japim shërbesë dhe t’i bekojmë më mirë ata që janë në nevojë.

  • Cilat janë disa karakteristika të tjera që ka Jezu Krishti, të cilat e ndihmojnë Atë t’u japë shërbesë atyre që janë në nevojë?

Gjej një çast për të përsiatur se sa mirë i ke zhvilluar ti këto cilësi si të Krishtit. A ka lidhje ndonjë nga këto cilësi me ndonjë nga qëllimet e tua vetjake për programin “Fëmijët dhe Rinia”? Nëse po, gjej një çast për ta shkruar në ditarin tënd të studimit ecurinë tënde në zhvillimin e asaj cilësie. Nëse jo, merre parasysh që të bësh një plan në ditarin tënd të studimit për mënyrën se si ti do të punosh për zhvillimin e asaj veçorie si të Krishtit në mënyrë që t’i japësh shërbesë dhe t’i bekosh më mirë ata që janë në nevojë.

Dëshmia dhe martirizimi i Stefanit

Plaku Brus R. Mek-Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkroi:

Pamja
Portret i bustit të Plakut Brus R. Mek‑Konki.

“Gjërat e mëdha nuk vijnë lehtë; ngjarjet që tronditin tokën, ndeshen me male kundërshtimi”.

(Bruce R. McConkie, “Once or Twice in a Thousand Years”, Ensign, nëntor 1975, f. 18)

Thënia e Plakut Mek-Konki është e vlefshme për Stefanin. Edhe pse ai “bënte mrekulli dhe shenja të mëdha nëpër popull[,] … disa nga sinagoga … u ngritën që të grindeshin me [të]” (Veprat e Apostujve 6:8–9). Stefani u nxor përpara këshillit judeas dhe dëshmitarë të rremë u sollën për të dëshmuar kundër tij.

Ndërsa Stefani qëndronte përpara udhëheqësve të judenjve, ai tregoi se si me breza judenjtë e kishin kundërshtuar Frymën e Shenjtë dhe i kishin refuzuar dhe vrarë profetët që Perëndia kishte dërguar mes tyre. Më pas, Stefani dëshmoi se këto qëndrime rebele vazhdonin deri në atë ditë, aq sa njerëzit kishin vrarë edhe Jezu Krishtin, Birin e Perëndisë (shih te Veprat e Apostujve 7:51–52).

Lexo te Veprat e Apostujve 7:54–60, duke kërkuar mënyrën se si u soll Stefani pavarësisht nga zemërimi dhe kundërshtimi i tillë.

Pamja
Kjo pikturë përshkruan vrasjen e Stefanit me gurë sikurse përshkruhet te Veprat e Apostujve 7:54–60. Nga një pozicion thuajse i shtrirë Stefani e tregon nëpërmjet gjesteve praninë e Atit dhe të Birit, të cilët qëndrojnë veshur me të bardha në krye të pikturës në qiejt e hapur. Ata që po i gjuajnë me gurë Stefanit, po e bëjnë këtë me urrejtje dhe dhunë të vrazhdë. Sauli mban veshjet e dy prej tyre. Dy priftërinj me vështrim indiferent qëndrojnë në të djathtë. Piktura ka nënshkrimin “Walter Rane”.
  • Çfarë të bëri përshtypje në rrëfimin e martirizimit të Stefanit?

Siç tregon rrëfimi i martirizimit të Stefanit, njerëzit dhe kauzat e mira shpesh përballen me “male kundërshtimi”.

  • Si e ke parë këtë në vetë jetën tënde?

Ashtu si Stefani, teksa zgjedh të flasësh për bindjet dhe dëshminë tënde për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij, ti mund të përjetosh kundërshtim ose edhe përndjekje. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Pamja
Portreti Zyrtar i Plakut Xhefri R. Holland. Fotografuar në janar 2018.

“Unë u them të gjithëve dhe veçanërisht rinisë së Kishës se, në qoftë se nuk e keni përjetuar tashmë, ju një ditë do ta gjeni veten të thirrur për ta mbrojtur besimin tuaj apo ndoshta për të duruar njëfarë abuzimi vetjak, thjesht ngaqë jeni anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Çaste të tilla do të kërkojnë si kurajë edhe mirësjellje nga ana juaj.”

(Xhefri R. Holland, “Çmimi – dhe Bekimet – e të Qenit Dishepull”, Liahona, maj 2014, f. 6)

2. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Si mendon, pse ia vlen të dëshmosh dhe mbrosh Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?

  • Si mendon, si mund të të ndihmojnë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kur përballesh me përndjekje ngaqë dëshmove apo i mbrojte Ata?

Gjej një çast për të përsiatur për mënyrën se si ti mund të zgjedhësh të dëshmosh për Atin tënd Qiellor dhe Birin e Tij të Dashur dhe t’i mbrosh Ata gjatë kësaj jave që vjen.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Veprat e Apostujve 6:1–6. Kush është thirrur t’i ndihmojë Apostujt sot për çështjet materiale?

Ashtu si Zoti thirri shtatë burra të denjë për t’i ndihmuar Të Dymbëdhjetët në sigurimin për nevojat materiale të Kishës, siç shënohet në librin Veprat e Apostujve, po ashtu Zoti ka thirrur Peshkopatën Kryesuese që t’i ndihmojë Të Dymbëdhjetët në sigurimin e nevojave materiale të Kishës sot. Peshkopi Kryesues dhe dy këshilltarët e tij shërbejnë nën drejtimin e Presidencës së Parë dhe administrojnë çështjet materiale të Kishës. Ofertat e agjërimit janë një pjesë thelbësore e këtij programi dhe sigurojnë ndihmë materiale, jetëmbështetëse për të varfrit anembanë botës. (Për më shumë informacion, shih temën “Presiding Bishopric” [“Peshkopata Kryesuese”] në newsroom.ChurchofJesusChrist.org.)

A do të përballem me përndjekje apo do të duhet ta mbroj besimin tim?

Shih materialin filmik “Çmimi – dhe Bekimet – e të Qenit Dishepull” (në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org) nga kodi kohor 1:01 deri në 2:31, ose lexo thënien më poshtë.

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha shembullin e një personi që u përndoq ndërkohë që përpiqej të dëshmonte për Krishtin:

Pamja
Portreti Zyrtar i Plakut Xhefri R. Holland. Fotografuar në janar 2018.

“Një motër misionare më shkroi kohët e fundit: ‘Unë dhe shoqja ime pamë një burrë të ulur në një stol në qendër të qytetit duke ngrënë drekën e tij. Teksa i shkuam më afër, ai ngriti sytë dhe pa etiketat tona misionare. Me një shikim të tmerrshëm në sy, ai u ngrit me rrëmbim dhe ngriti dorën që të më qëllonte. Iu shmanga tamam në kohë, vetëm që ai të arrinte ta pështynte ushqimin e tij kudo mbi mua dhe të fillonte të na shante me fjalët më të tmerrshme. U larguam pa thënë asnjë fjalë. U përpoqa ta fshija ushqimin nga fytyra ime, vetëm që të ndieja një masë pureje patatesh që më goditi në kokë nga pas. Nganjëherë është e vështirë të jesh një misionare, sepse pikërisht në atë çast doja të kthehesha, ta mbërtheja atë burracak dhe t’i thoja: “Ç’TË ZURI!” Por nuk e bëra.’

Kësaj misionareje të përkushtuar unë i them, fëmijë e dashur, ti, në vetë mënyrën tënde të përulur, ke hedhur hapin brenda një rrethi burrash dhe grash tepër të spikatur, të cilët, sikurse tha profeti Jakob i Librit të Mormonit, e kanë ‘konsider[uar] vdekjen e [Krishtit] dhe [kanë] dur[uar] kryqin e tij, dhe [kanë] mbaj[tur] turpin e botës’ [Jakobi (LiM) 1:8].”

(Xhefri R. Holland, “Çmimi – dhe Bekimet – e të Qenit Dishepull”, Liahona, maj 2014, f. 6)