Seminari
Veprat e Apostujve 9:10–31


Veprat e Apostujve 9:10–31

“Ai Është Vegla që Unë Kam Zgjedhur për ta Sjellë Emrin Tim”

Pamja
Krishti e urdhëron Ananian që të gjejë Saulin dhe t’ia kthejë atij shikimin që të mund të predikojë për Krishtin.

Kur Zoti në një vegim i kërkoi Ananias të kërkonte Saulin dhe ta bekonte atë, Anania ishte ngurrues në fillim për shkak se kishte dëgjuar “se sa të këqija [Sauli u kishte] bërë” (Veprat e Apostujve 9:13). Jezu Krishti e ndihmoi Ananian ta shihte Saulin ashtu si Ai e shihte atë. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të shohësh potencialin që Zoti sheh tek të tjerët pavarësisht nga dobësitë dhe gabimet e tyre të shkuara.

Të burgosur dhe ujq

Një drejtori amerikan burgu, i cili përpiqej shumë që t’i riaftësonte personat në burgun e tij, i thanë një herë: “A nuk e dini se ujku qimen e ndërron por zakonin s’e harron?” (Shih te Tomas S. Monson “Shihini të Tjerët ashtu siç Mund të Bëhen”, Liahona, nëntor 2012, f. 69).

  • Si mendon, çfarë po përpiqej të thoshte ky person me anë të kësaj vërejtjeje?

  • A ke dëshmuar apo përjetuar ndonjëherë një qëndrim të ngjashëm?

Drejtori i burgut u përgjigj: “Ti duhet ta dish se unë nuk punoj me ujqër. Unë punoj me njerëz dhe njerëzit ndryshojnë çdo ditë” (“Shihini të Tjerët ashtu siç Mund të Bëhen”, f. 69).

  • Përse është e rëndësishme të besosh se njerëzit mund të ndryshojnë? Çfarë mund ta bëjë të vështirë besimin e kësaj gjëje?

Në mësimin e sotëm, ne do të krahasojmë mënyrën se si e shihnin Saulin njerëzit me mënyrën se si e shihte atë Shpëtimtari. Sauli kishte përndjekur në mënyrë agresive burrat dhe gratë që ishin ndjekës të Jezu Krishtit. Shih se çfarë mund të mësosh nga Shpëtimtari për mënyrën se si e sheh veten dhe të tjerët.

Jezu Krishti iu përgjigj lutjeve të Saulit

Shpëtimtari iu shfaq Saulit kur ai ishte në rrugën për në Damask për të arrestuar anëtarët e Kishës së Krishtit. Kjo përvojë e la Saulin të verbër. Ai nuk hëngri as piu për tri ditë dhe iu lut Perëndisë për ndihmë (shih te Veprat e Apostujve 9:1–9, 11).

Lexo te Veprat e Apostujve 9:10–12, duke kërkuar mënyrën se si Perëndia zgjodhi t’i përgjigjej lutjes së Saulit.

  • Çfarë vure re në këto vargje që t’u dukën të rëndësishme?

  • Përse mendon se Perëndia e dërgoi dikë që ta ndihmonte Saulin në vend që thjesht t’ia hiqte Vetë verbërinë Atij?

Lexo te Veprat e Apostujve 9:13–15 për të zbuluar mënyrën se si Anania dhe Zoti e shihnin Saulin ndryshe. (Është e rëndësishme të kuptohet se ajo që Anania kishte dëgjuar rreth Saulit, ishte e saktë [shih te Veprat e Apostujve 8:3; 9:1–2].)

Në ditarin tënd të studimit vizato një figurë të thjeshtë për të përfaqësuar Saulin. Nga një anë e vizatimit tënd shkruaj një frazë që përmbledh mënyrën se si Anania dhe të tjerët në kohën e Saulit mund ta kenë parë atë. Në anën tjetër shkruaj një frazë që përmbledh mënyrën se si Zoti e shihte atë.

Anania besoi pikëpamjen e Zotit për Saulin. Lexo te Veprat e Apostujve 9:17–20 për të parë çfarë ndodhi më pas.

Nëse dëshiron, mund të shohësh edhe materialin filmik “The Road to Damascus” [“Rruga për në Damask”], në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 1:55 deri në 5:21.

  • Çfarë mendon se është e rëndësishme rreth mënyrës se si Jezusi e shihte Saulin? Përse?

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë rreth Jezu Krishtit nga ky rrëfim?

Jezu Krishti mund të na ndihmojë t’i shohim të tjerët ashtu siç i sheh Ai

Gjej një çast për të menduar për mënyrën se si ti i sheh njerëzit me të cilët ndërvepron rregullisht. Shih përgjatë listës së njerëzve më poshtë dhe përdor dy fjalë për të përshkuar mënyrën se si e sheh secilin.

  • Një prind

  • Një motër ose vëlla

  • Një mësues

  • Një shok

  • Veten

Shkrime të shenjta dhe fjalë të tjera të profetëve mund të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë mënyrën se si Ati Qiellor dhe Shpëtimtari e shohin çdo individ. Lexo te 1 Samuelit 16:7; Doktrina e Besëlidhje 18:10–13 dhe thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Pamja
Portreti Zyrtar i Plakut Xhefri R. Holland. Fotografuar në janar 2018.

“ʻEjani siç jeniʼ, i thotë një Atë i dashur secilit prej nesh, por Ai shton: ʻMos planifikoni të mbeteni siç jeniʼ. Ne buzëqeshim dhe sjellim ndërmend që Perëndia është i vendosur për të na bërë më shumë nga ç’menduam se mund të ishim.”

(Xhefri R. Holland, “Këngë të Kënduara e të Pakënduara”, Liahona, maj 2017, f. 51)

Nisur nga ajo që ke mësuar, riktheju listës së njerëzve dhe tani përdor dy fjalë për të përshkruar secilin ashtu si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund t’i shohin ata.

1. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Çfarë mund të bësh ti për t’i parë njerëzit më shumë ashtu siç i shohin Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?

  • Përse mund të jetë e vështirë t’i shohësh vazhdimisht të tjerët në mënyrën se si Shpëtimtari i sheh ata?

  • Përse ia vlen të përpiqesh t’i shohësh të tjerët në këtë mënyrë?

Edhe kur një person ka ndryshuar duke zgjedhur që ta ndjekë Jezu Krishtin, ndonjëherë është e vështirë të besosh se ai ka ndryshuar vërtet. Disa njerëz e patën të vështirë ta besonin kur Sauli kaloi nga një përndjekës i të krishterëve në një dishepull të Jezu Krishtit.

Lexo te Veprat e Apostujve 9:20–22, 26–27, duke kërkuar reagimin e njerëzve ndaj Saulit tani që ai po predikonte ungjillin e Jezu Krishtit.

  • Çfarë ke vënë re rreth reagimit të njerëzve?

  • Çfarë mund të mësosh nga Barnaba në këtë shembull?

2. Bëj sa vijon në ditarin tënd të studimit:

Mbaje shënim atë që dëshiron të bësh ose të kujtosh për shkak të studimit tënd sot. Kjo mund të përfshijë gjëra që ti do të bësh për t’i parë të tjerët më mirë, ashtu siç i sheh Zoti.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Veprat e Apostujve 9:15–17. Si mund të na e shtojë përulësinë të parit e vetes dhe të të tjerëve ashtu si na sheh Ati Qiellor?

Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi historinë vijuese për të ndihmuar në përgjigjen e kësaj pyetjeje:

Pamja
Portreti zyrtar i Plakut Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i janarit 2016.

“Disa vite më parë, një i ri i mrekullueshëm i quajtur Kërtis u thirr për të shërbyer në një mision. Ai ishte lloji i misionarit për të cilin lutet çdo president misioni. Ai ishte i përqendruar dhe punonte fort. Njëherë, atij iu caktua një shok misionar i cili ishte i papjekur, jo i shoqërueshëm dhe jo fort entuziast për kryerjen e punëve.

Një ditë, ndërsa po ngitnin biçikletat, Kërtisi ktheu kokën dhe pa që shoku i tij në mënyrë të pashpjegueshme kishte zbritur nga biçikleta dhe po ecte në këmbë. Në heshtje, Kërtisi i shprehu zemërimin e tij Perëndisë; çfarë vështirësie ishte të caktoheshe me një shok që duhej ta tërhiqje fort në mënyrë që të bënte çdo gjë. Disa çaste më pas, Kërtisi pati një përshtypje të fortë, sikur Perëndia po i thoshte: ‘A e di, Kërtis, kur ju krahasoj, ju të dy nuk jeni dhe aq të ndryshëm’.”

(Dejll G. Renland, “Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme Vazhdojnë të Përpiqen”, Liahona, maj 2015, f. 58)

Veprat e Apostujve 9:26–27. Si mund ta ndihmoj dikë që dëshiron të ndryshojë?

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

Pamja
Portreti Zyrtar i Plakut Xhefri R. Holland. Fotografuar në janar 2018.

“Lërini njerëzit të pendohen. Lërini njerëzit të rriten [shpirtërisht]. Besoni që njerëzit mund të ndryshojnë dhe të përmirësohen. A është ky besim? Po! A është kjo shpresë? Po! A është kjo dashuri hyjnore? Po! Mbi të gjitha është dashuri hyjnore, dashuria e pastër e Krishtit. Nëse diçka është e varrosur në të kaluarën, lëreni të varrosur. Mos u ktheni vazhdimisht me kovën e vogël të rërës dhe lopatën e plazhit për ta gërmuar atë, për ta tundur atë dhe për t’ia hedhur më pas dikujt duke thënë ‘Hej! A e mban mend këtë?’ Pllaq!

Epo gjejeni se çfarë ndodh? Kjo do të rezultojë me siguri në një llokmë të shëmtuar të nxjerrë nga pirgu juaj i mbeturinave me përgjigjen: ‘Po, e mbaj mend atë. Po ti a e mban mend këtë?’ Pllaq!

Dhe shumë shpejt, të gjithë dalin nga ai shkëmbim të pistë dhe me baltë, të pakënaqur dhe të lënduar, ndërkohë që ajo për të cilën përgjërohet Ati në Qiell, është pastërtia, mirësia, lumturia dhe shërimi.

Të jetuarit e tillë në të shkuarën, përfshirë gabimet e së shkuarës, thjesht nuk është i drejtë! Ungjilli i Jezu Krishtit nuk është i tillë.”

(Jeffrey R. Holland, “The Best Is Yet to Be”, Ensign, janar 2010, f. 26–27)