Seminari
Zotërimi Doktrinor: 1 Pjetër 4:6


Zotërimi Doktrinor: 1 Pjetër 4:6

“Ungjilli u Është Predikuar edhe të Vdekurve”

Pamja
Jezu Krishti i ringjallur duke u predikuar shpirtrave në Botën e Shpirtrave.

Në studimin tënd të kapitullit te 1 Pjetër 4, mësove se Shpëtimtari e themeloi punën misionare në botën e shpirtrave që të gjithë fëmijët e Atit Qiellor të mund të kenë mundësinë për të marrë shpëtimin. Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te 1 Pjetër 4:6. Gjithashtu, mund të të ndihmojë të shpjegosh doktrinën e dhënë mësim në atë fragment. Më pas ti do të kesh mundësi ta zbatosh atë doktrinë dhe parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në një skenar nga jeta reale.

Mëso përmendsh dhe shpjego

Gjej një çast për të vizatuar një diagram të planit të shpëtimit.

1. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Të gjithë fëmijëve të Perëndisë iu dha mësim ungjilli në jetën paratokësore. Çfarë u ndodhi atyre që e pranuan ungjillin duke zgjedhur planin e Perëndisë? Çfarë u ndodhi atyre që e refuzuan atë?

  • Si jepet mësim ungjilli këtu në tokë?

  • Çfarë u ndodh atyre që nuk kanë asnjëherë mundësi të mësojnë për Jezu Krishtin ose të marrin ordinancat e autorizuara të priftërisë në këtë jetë?

  • Ku mund të lexojmë rreth kësaj në Dhiatën e Re?

Shkruaje referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë “1 Pjetër 4:6: ‘Ungjilli u është predikuar edhe të vdekurve’” në një copë letër. Fshi ose mbulo tri deri në katër fjalë ose numra dhe përpiqu ta thuash përmendsh referencën dhe frazën me pjesët që mungojnë. Vazhdoje këtë proces derisa të mund ta thuash plotësisht përmendsh referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë.

Ushtroje vënien në zbatim

Në mësimin e mëparshëm mësove të vërtetën vijuese nga 1 Pjetër 4:6: Ungjilli u është predikuar të vdekurve në mënyrë që ata të mund të kenë të njëjtat mundësi si ata që e dëgjojnë ungjillin në vdekshmëri.

Përdore skenarin vijues për të ushtruar vënien në zbatim të kësaj të vërtete dhe parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore.

Skenari: Pjesa 1

Përfytyro sikur ke një mik që quhet Andi, i cili po takohet me misionarët. Andi të kërkon që të vijë në seminar me ty për të mësuar më shumë rreth ungjillit. Në ditën e tij të parë në seminar, mësuesi yt u kërkon nxënësve që të shqyrtojnë me një partner parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Andi kthehet nga ti dhe të pyet: “Cilat janë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore?”

  • Si do t’ia paraqitje Andit parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore? (Merre parasysh të shqyrtosh paragrafët 5–12 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022) nëse të duhet ndihmë për këtë pyetje.)

Skenari: Pjesa 2

Më vonë atë javë, Andi dhe misionarët takohen në shtëpinë tënde. Ti i ndihmon misionarët të japin mësim për parimet dhe ordinancat e para të ungjillit, duke përfshirë besimin te Jezu Krishti dhe pagëzimin me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve. Misionarët përdorin vargun te Gjoni 3:5 për të dhënë mësimin se pagëzimi nga autoriteti i duhur i priftërisë është i domosdoshëm për tʼu shpëtuar në mbretërinë e qiejve. Andi mendon rreth kësaj për një çast, më pas duket pak i trishtuar. Një nga misionarët e pyet përse është i trishtuar dhe Andi i përgjigjet: “Gjyshi im nuk u pagëzua asnjëherë, por ai ishte një njeri shumë i mirë, i cili gjithmonë thoshte se donte të bënte një jetë të mirë në mënyrë që të mund të shkonte në qiell. A do të shkojë ai?” Ti bën një lutje në heshtje, duke e pyetur Atin Qiellor se si mund ta ndihmosh Andin. Në mendje të vjen ideja e përdorimit të parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore dhe doktrina e dhënë mësim te 1 Pjetër 4:6.

2. Plotësoje sa vijon në ditarin tënd të studimit:

Përvijo mënyrën se si mund t’i përdorësh të tri parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe doktrinën e dhënë mësim te 1 Pjetër 4:6 për ta ndihmuar Andin të gjejë përgjigje për pyetjen e tij dhe të ndihet në paqe për gjyshin e tij. Pas përvijimit, përgatit një përgjigje për Andin. Mendo për ato pyetje që do të bëje për ta ndihmuar atë të zbulojë dhe ndiejë të vërtetën e doktrinës. Sigurohu që t’i përfshish të tri parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe doktrinën e dhënë mësim te 1 Pjetër 4:6 në përgjigjen tënde.

Nëse nevojitet, mund të përdorësh disa ose të gjitha pyetjet vijuese për të të udhërrëfyer.

  • Si mund ta ndihmosh Andin të ketë një këndvështrim të përjetshëm? Çfarë do t’i thoshe Andit rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që të mund t’i japë atij paqe për gjyshin e tij?

  • Përveç vargut te 1 Pjetër 4:6, cilat janë disa burime të tjera të caktuara në mënyrë hyjnore që mund t’ia tregosh Andit për ta ndihmuar atë të ndiejë paqe nëpërmjet Jezu Krishtit? Si do t’i përdorje këto fragmente për ta ndihmuar Andin ta zbulojë të vërtetën?

  • Me çfarë ngjason të vepruarit me besim në situatën e Andit? Çfarë do ta ftoje atë të bënte?

  • Çfarë përvojash ke pasur duke bërë punë në tempull ose për historinë familjare për paraardhësit e tu, të cilat mund t’ia tregoje Andit?

  • Për çfarë do të dëshmoje për ta ndihmuar shokun tënd?