Seminari
Përsëritja 23 e Zotërimit Doktrinor


Përsëritja 23 e Zotërimit Doktrinor

Kupto dhe Shpjego

Pamja
A young woman studying the scriptures.

Një nga qëllimet e zotërimit doktrinor është të të ndihmojë të kuptosh doktrinën që përmbajnë fragmentet e zotërimit doktrinor dhe të jesh në gjendje ta shpjegosh atë me fjalët e tua. Ky mësim do të të japë mundësinë ta thellosh të kuptuarit tënd për të vërtetat që gjenden në 13 fragmentet e zotërimit doktrinor për gjysmën e dytë të Dhiatës së Re dhe tʼi shpjegosh ato.

Bërja e pyetjeve

  • Kur je ndier mirënjohës që i bëre dikujt një pyetje? (Për shembull, mbase ti mësove diçka duke bërë një pyetje apo mbase more një këshillë me vlerë pasi ia kërkove atë një miku ose prindi.)

  • Cilat janë disa arsye përse është e rëndësishme të bësh pyetje kur mëson ungjillin e Jezu Krishtit?

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, tha: “Bërja e pyetjeve dhe dhënia e përgjigjeve për to është në thelb të të gjithë të mësuarit dhe të gjithë mësimdhënies” (“The Lord Will Multiply the Harvest” [mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm, 6 shkurt 1998], f. 5–6, te Teaching Seminary: Preservice Readings [2004], f. 98).

Bërja e pyetjeve për fragmentet e zotërimit doktrinor mund të na ndihmojë t’i kuptojmë ato më mirë dhe ta ftojmë në mënyrë më të plotë ndihmën e Shpëtimtarit në jetën tonë.

Zotërimi Doktrinor i Dhiatës së Re: 1 Korintasve – Zbulesa

1 Korintasve 6:19–20

“Trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë.”

1 Korintasve 11:11

“Në Zotin as burri s’është pa gruan, as gruaja pa burrin.”

1 Korintasve 15:20–22

“Ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin.”

1 Korintasve 15:40–42

Në Ringjallje, ka tri shkallë lavdie.

Efesianëve 1:10

“Kur të plotësoheshin kohërat, t’i sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat.”

Efesianëve 2:19–20

Kisha është “ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qenë Jezu Krishti vetë guri i qoshes”.

2 Thesalonikasve 2:1–3

“Dita e Krishtit … nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia.”

2 Timoteut 3:15–17

“Shkrimet e shenjta … mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin.”

Hebrenjve 12:9

Ati Qiellor është “Ati [i] shpirtrave”.

Jakob [Bibël] 1:5–6

“Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia.”

Jakob [Bibël] 2:17–18

“Besimi, në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur.”

1 Pjetër 4:6

“Ungjilli [iu] predikua edhe të vdekurve.”

Zbulesa 20:12

“Dhe të vdekurit u gjykuan … sipas veprave të tyre.”

Zgjidh një nga 13 fragmentet e zotërimit doktrinor që dëshiron ta kuptosh më mirë. Lexoje me kujdes. Analizoji fjalët dhe frazat e fragmentit të zotërimit doktrinor, duke vënë re atë që ti kupton rreth fragmentit dhe ato pyetje që ti ose dikush tjetër mund t’i bëjë rreth fragmentit. Për shembull, diçka për të cilën mund të pyesësh rreth vargjeve tek Efesianëve 2:19–20 është: “Çfarë është guri i qoshes dhe përse Jezu Krishti krahasohet me një të tillë?” Ose mund të pyesësh veten se çfarë do të thotë fjala “rënia” te 2 Thesalonikasve 2:1–3 .

Shkruaj sa më shumë pyetje të mundesh.

Pasi të kesh shkruar sa më shumë pyetje të mundesh, përzgjidh disa pyetje që mendon se janë më të rëndësishmet për t’u kuptuar, dhe përgjigju për to duke përdorur mjetet e studimit të shkrimeve të shenjta në dispozicion. Këto mjete përfshijnë Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, poshtëshënimet te shkrimet e shenjta, programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose biseda të konferencave të përgjithshme. Ti mund zgjedhësh edhe të përdorësh disa strategji të studimit të shkrimit të shenjtë që i ke mësuar këtë vit, siç janë leximi i vargjeve pranë ose përpjekja për të kuptuar kontekstin e shkrimit të shenjtë. Shënoji përgjigjet e tua në ditarin tënd të studimit.

Kujtohu që jo të gjitha pyetjet mund të marrin përgjigje lehtësisht dhe se disa mund të kërkojnë më tepër kohë, studim me lutje dhe përsiatje.

Merre parasysh të ftosh një mik ose pjesëtar të familjes për të të ndihmuar t’u përgjigjesh pyetjeve të tua. Ti mund të marrësh parasysh edhe ta përsëritësh këtë veprimtari duke përdorur fragmente të tjera të zotërimit doktrinor që do të doje t’i kuptoje më mirë.

1. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Cilin fragment të shkrimit të shenjtë zgjodhe?

  • Si do ta shpjegoje këtë fragment me fjalët e tua?

  • Çfarë mësove rreth këtij fragmenti të shkrimit të shenjtë nga kjo veprimtari?

  • Çfarë të ndihmon ky fragment i shkrimit të shenjtë që të kuptosh rreth Shpëtimtarit ose ungjillit të Tij?