Seminari
Efesianëve 5:21–33; 6:1–4


Efesianëve 5:21–33; 6:1–4

Marrëdhënie si të Krishtit

Pamja
Një familje shpenzon kohë së bashkë në rrethinat e përparme të Tempullit të Oklandit.

Marrëdhëniet familjare janë disa nga marrëdhëniet më shpërblyese që mund të përjetojmë në vdekshmëri. Marrëdhëniet me prindërit, motrat e vëllezërit dhe bashkëshortin apo bashkëshorten mund të sjellin gëzim të madh, por mund të krijojnë edhe sfida. Pali dha mësimin se ne mund të shohim te Jezu Krishti si shembulli i marrëdhënieve të shëndetshme dhe të lumtura me pjesëtarët e familjes. Ky mësim mund të të ndihmojë ta ndjekësh shembullin e Shpëtimtarit për të përmirësuar marrëdhëniet e tua me të tjerët.

Familja jote

Shkruaji emrat e pjesëtarëve të afërt të familjes sate dhe një gjë që të pëlqen te secili prej tyre.

Merre parasysh këtë pohim për çdo pjesëtar të familjes: “Unë e trajtoj këtë pjesëtar të familjes ashtu si e ndiej që Shpëtimtari do të donte që ta trajtoja atë”. Më pas vlerësoje mënyrën se si ti e trajton çdo pjesëtar të familjes duke përdorur shkallën në vijim.

Pamja
Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – 2023

Ndërsa studion sot, mendo për marrëdhëniet që ke me pjesëtarët e familjes tënde dhe mënyrën se si mund ta ndjekësh shembullin e dashurisë dhe ndihmës së Shpëtimtarit ndaj tyre.

Pali dha këshillë për marrëdhëniet familjare

Është e rëndësishme të vësh re se fjalët e Palit tek Efesianëve 5:22–24 u shkruan në kontekstin e zakoneve shoqërore të kohës së tij. Profetët dhe apostujt sot japin mësimin se burrat nuk janë superiorë ndaj grave dhe se bashkëshortët duhet të jenë “partnerë të barabartë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). Ndonëse zakonet e kohës së Palit ishin të ndryshme, ti mund të gjesh gjithsesi këshilla domethënëse në mësimet e Palit. Një e vërtetë që Pali e theksoi është se ne mund ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit në mënyrën se si i trajtojmë pjesëtarët e familjes sonë.

Lexo tek Efesianëve 5:21–27; 6:1–4, duke kërkuar prova të kësaj të vërtete. Ndërsa e studion atë, mund të jetë e dobishme të dish se “nënshtrohuni njëri-tjetrit” (Efesianëve 5:21) i referohet gatishmërisë për të punuar së bashku dhe për ta dashur e për t’u kujdesur për njëri-tjetrin dhe “në druajtjen e Krishtit” (Efesianëve 5:21) nënkupton dashurinë dhe respektin për Perëndinë.

1. Përgjigju dy prej pyetjeve vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Cilat janë disa mënyra se si Shpëtimtari e tregoi dashurinë e Tij për Kishën dhe e dha Veten e Tij për të?

  • Si të bën të ndihesh rreth Krishtit njohuria që Ai e dha Veten e Tij për Kishën?

  • Si duhet të ndihet një bashkëshort kundrejt bashkëshortes së tij nëse ai e ndjek shembullin e mënyrës se si Shpëtimtari ndihet kundrejt Kishës së Tij?

  • Çfarë këshille dha Pali që mund të zbatohet në mënyrë të barabartë për bashkëshortët dhe bashkëshortet? pjesëtarët e tjerë të familjes?

  • Çfarë mund të bësh tani për t’u përgatitur që një ditë ta trajtosh bashkëshortin/en në mënyrën se si Shpëtimtari do ta trajtonte atë?

  • Si mund të të ndihmojë bindja dhe nderimi ndaj prindërve të tu që të bëhesh më i ngjashëm me Jezu Krishtin?

Shiko figurat vijuese dhe lidhi ato me këto ndodhi nga shkrimet e shenjta: Lluka 2:51–52, Gjoni 2:1–11 dhe Lluka 22:39–42. Mendo për mënyrën se si Shpëtimtari ishte një shembull i dashurisë, bindjes dhe nderimit të prindërve të Tij tokësorë dhe qiellorë.

Pamja
Jezusi i thotë nënës së Tij: “A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?”
Pamja
Jezusi duke i folur Maries në gostinë e dasmës.
Pamja
Krishti i gjunjëzuar në Gjetseman. Skenat përfshijnë shpinën e Shpëtimtarit që shfaqet i gjunjëzuar mes një bari të lartë, plan i parë i fytyrës së tij me një pamje të frikësuar, nga larg me gjak në fytyrën dhe duart e tij pranë një lumi, një engjëll duke e ngushëlluar, portret në profil dhe një engjëll që shkëlqen i cili po vjen drejt Krishtit i cili është mbledhur kruspull në tokë.
  • Në ç’mënyra Shpëtimtari i deshi, iu bind dhe i nderoi prindërit e Tij? Si mendon se ndikuan veprimet e Tij në marrëdhënien e Tij me prindërit e Vet?

  • Cilat janë disa mënyra se si ti i nderon dhe u bindesh prindërve të tu?

  • Si të ka bekuar dhe të ka ndihmuar ndjekja e shembullit të Shpëtimtarit që t’i forcosh marrëdhëniet familjare apo si mendon se mund t’i forcojë?

Ushtrimi i të qenit si Shpëtimtari

2. Plotësoje sa vijon në ditarin tënd të studimit.

Shkruaj një ndërveprim tipik ndërmjet një adoleshenti dhe një pjesëtari të familjes ku mund të jetë e vështirë t’i trajtosh pjesëtarët e tjerë të familjes ashtu si Shpëtimtari do t’i trajtonte ata. Pasi të kesh krijuar një ndërveprim, shkruaj se si ti mendon se Shpëtimtari mund të të përgjigjet dhe përse. Mos harro se si u ndje dhe veproi Shpëtimtari ndaj të tjerëve.

Shembujt mund të përfshijnë:

  • Një prind është kritik për mënyrën se si një fëmijë e kalon kohën e tij të lirë.

  • Një motër i merr motrës së madhe diçka të sajën pa ia kërkuar dhe e gënjen për këtë.

Ndiqe shembullin e Shpëtimtarit

Reflekto për marrëdhëniet e tua me pjesëtarët e familjes tënde. Mendo për rastet kur ti e ke ndjekur shembullin e Shpëtimtarit dhe i ke trajtuar të tjerët në mënyra të ngjashme me të Krishtit. Gjithashtu, lejoje Frymën e Shenjtë të të ndihmojë të dish se çfarë mund të bësh për ta ndjekur shembullin e Shpëtimtarit për dashurinë ndaj të tjerëve.

Shkruaj atë që ndien se mund të bësh për të imituar Shpëtimtarin në marrëdhëniet e tua familjare. Merre parasysh t’ia tregosh atë që shkrove mësuesit ose një prindi që të të ndihmojë ta realizosh atë që ndien nxitje të bësh.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Efesianëve 5:22–24. Çfarë duhet të kuptojmë rreth mësimeve të Palit në këto vargje?

Pali dha mësim se të gjithë anëtarët e Kishës duhet t’ia nënshtrojnë veten njëri-tjetrit ose, me fjalë të tjera, t’i vendosin të tjerët përpara vetes së tyre (shih tek Efesianëve 5:21). Më pas ai shpjegoi se si parimi i nënshtrimit të vetes zbatohej në marrëdhëniet në familje dhe në shtëpi. Në kohën tonë, vargjet 22–24 mund të keqkuptohen dhe keqzbatohen lehtësisht. Profetët e ditëve të mëvonshme kanë dhënë në mënyrë të qartë mësimin se bashkëshortët dhe bashkëshortet dhe nënat dhe baballarët duhet t’i përmbushin detyrat e tyre të shenjta si “partnerë të barabartë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). Nëse çiftet janë vërtet të bashkuar, atëherë çdo sakrificë e bërë në emër të bashkëshortit/es sjell pashmangshmërisht bekime për veten; prandaj “kush do gruan e vet do vetveten” (Efesianëve 5:28).

Si mund ta trajtojë një bashkëshort apo bashkëshorte partneren ose partnerin e tij ashtu siç do të bënte Shpëtimtari?

Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) shpalli:

Pamja
Portret i pjesës së përparme të bustit të Presidentit Gordon B. Hinkli. Duart e Presidentit Hinkli janë mbështetur në pjesën e pasme të një karrigeje. Figura është portreti zyrtar nga Kisha i Presidentit Hinkli që nga viti 1995. Ky ishte portreti i fundit zyrtar i Presidentit Hinkli. Presidenti Hinkli ndërroi jetë më 27 janar 2008.

“Lumturia në martesë nuk ka të bëjë dhe aq shumë me romancën sesa me interesimin serioz për rehatinë dhe mirëqenien e partnerit. Çdo burrë që do ta bëjë rehatinë e gruas së tij interesimin e tij të parë, do të mbetet i dashuruar me të gjatë gjithë jetës së tij, madje edhe në përjetësinë që nuk ka ndodhur ende.” (Ankorixh, Alaskë, konferenca rajonale, 18 qershor 1995)

(“Speaking Today: Excerpts from Recent Addresses of President Gordon B. Hinckley”, Ensign, prill 1996, f. 72)

Plaku L. Uitni Klejton, i Kuorumit të Të Shtatëdhjetëve, shpalli:

Pamja
Portreti Zyrtar i Plakut L. Uitni Klejton. Fotografuar në mars 2017.

“Kam vërejtur se në martesat më të lumtura, si bashkëshorti edhe bashkëshortja e konsiderojnë marrëdhënien e tyre të jetë një margaritar me vlerë të madhe, një thesar me vlerë të pafundme. Të dy ata i lënë etërit dhe nënat e tyre dhe, së bashku, fillojnë të ndërtojnë një martesë që do të përparojë përjetësisht. Ata e kuptojnë se ecin në një shteg të shuguruar hyjnisht. Ata e dinë se asnjë marrëdhënie tjetër e çfarëdo lloji nuk mund të sjellë kaq shumë gëzim, të ofrojë kaq shumë të mira ose të prodhojë kaq shumë përmirësim vetjak. Shikoni dhe mësoni: partnerët më të mirë në martesë i konsiderojnë martesat e tyre si të paçmueshme.”

(L. Uitni Klejton, “Martesa: Shikoni dhe Mësoni”, Liahona, maj 2013, f. 83)

Çfarë mund të bëj për t’i forcuar marrëdhëniet e mia familjare?

“Nderojini prindërit tuaj duke treguar dashuri dhe respekt për ta. Bindjuni atyre ndërsa ju drejtojnë në drejtësi. Ndihmoni me gatishmëri në punët e shtëpisë. Merrni pjesë në aktivitete dhe tradita të shëndetshme familjare. Bashkohuni me familjen tuaj në lutjen familjare, studimin familjar të shkrimeve të shenjta dhe mbrëmjet familjare. Mbajtja e këtyre urdhërimeve i forcon dhe i sjellë familjet së bashku” (Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 14).

Ju mund ta lexoni artikullin vijues, i cili sugjeron mënyra për të ndërtuar dhe forcuar marrëdhëniet: “Parime të Dhënies së Shërbesës: Ndërtimi i Marrëdhënieve Kuptimplota”, Mesazhi Mujor, gusht 2018 [https://www.churchofjesuschrist.org/study/liahona/2018/08/building-meaningful-relationships?lang=alb].

Merreni parasysh të shihni një ose më shumë nga materialet filmike në vijim, që të gjitha në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, që tregojnë shembuj të njerëzve që përpiqen fort të ndjekin shembullin e Shpëtimtarit në mënyrën se si i trajtojnë të tjerët.

Në materialin filmik “You Are My Hands” [“Ju Jeni Duart e Mia”] (nga kodi kohor 10:26 deri në 12:39), Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe në Presidencën e Parë, flet rreth për mënyrën se si mund të jemi duart e Shpëtimtarit.

Te materiali filmik “Enduring Love” [“Dashuri e Paepur”] (4:16), një çift e duan dhe i shërbejnë njëri-tjetrit ndonëse u duhet të durojnë fatkeqësi ligështuese fizike.

Në materialin filmik “Home and Family–Through Small Things” [“Shtëpia dhe Familja – Nëpërmjet Gjërave të Vogla”], një peshkop sfidon tre të rinj e të reja të mësojnë se çfarë iu duhet për ta bërë shtëpinë e tyre një vend të shenjtë.

Në materialin filmik “Mothers and Daughters” [“Nëna dhe Bija”] (5:06), të reja në Alberta të Kanadasë, flasin rreth arsyes pse nënat e tyre janë shembuj aq të mirë për to.

Në materialin filmik “Fathers and Sons” [“Etër e Bij”] (6:02), një i ri tregon se si punoi për ta përmirësuar marrëdhënien e tij me të atin.