Seminari
Efesianëve 2–5


Efesianëve 2–5

Gjetja e të Vërtetave të Përjetshme

Pamja
E re e ulur në shtëpi duke lexuar shkrime të shenjta të hapura që janë nënvizuar. (horizontalisht)

Sa i sigurt je në aftësinë tënde për të gjetur të vërtetën në shkrimet e shenjta? Profetët japin mësim të vërteta që vijnë nga Ati Qiellor për dobinë tonë. Për shembull, Pali u mësoi shenjtorëve në Efes të vërtetat për mposhtjen e botës dhe të bërit më të ngjashëm me Jezu Krishtin. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të mësosh se si të gjesh të vërteta nga shkrimet e shenjta që do të të ndihmojnë në jetën tënde dhe do të të afrojnë më pranë Shpëtimtarit.

Gjetja e vlerës

Materiali filmik “Flecks of Gold” [“Grimcat e Arit”] (3:15) është për dy burra që kërkonin ar. Lexoje historinë ose shikoje materialin filmik, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 0:00 deri në 2:26. Mendo për çdo mësim shpirtëror që ke mësuar prej saj.

Pamja
Portreti zyrtar i Presidentit M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2004.

“Shpesh herë ne jemi si tregtari i ri nga Bostoni, i cili në 1849-tën, siç tregohet, u përfshi nga entuziazmi i etheve të arit në Kaliforni. Ai shiti të gjitha pronat e tij që të kërkonte pasurinë në lumenjtë e Kalifornisë, të cilët, thuhej se ishin të mbushur me copa aq të mëdha ari saqë ishte e vështirë t’i mbartje.

Ditë pas dite pa pushim, djaloshi i ri zhyti pjatën e tij metalike në lumë dhe u kthye duarbosh. Shpërblimi i tij i vetëm ishte një pirg gurësh në rritje. I dëshpëruar dhe trokë, ai qe gati të hiqte dorë gjersa një ditë, një arkërkues i moshuar e me përvojë i tha atij: ‘Ke një pirg goxha të madh gurësh atje, djaloshi im’.

Djali i ri iu përgjigj: ‘Nuk ka ar këtu. Do të kthehem në shtëpi.’

Duke ecur mbi pirgun e gurëve, arkërkuesi i tha: ‘Oh, këtu ka ar që ç’ke me të. Ti thjesht duhet të dish se ku ta gjesh atë.’ Ai mori dy prej gurëve në duart e tij dhe i përplasi me njëri-tjetrin. Një prej gurëve u ça duke zbuluar disa grimca ari që shkëlqenin në dritën e diellit.

Pasi dalloi një qeskë të fryrë lëkure të lidhur në belin e arkërkuesit, djaloshi tha: ‘Unë po kërkoj copa të mëdha si ato në qeskën tënde, jo thjesht grimca të vogla’.

Arkërkuesi i vjetër e zgjati qeskën e tij drejt djaloshit i cili hodhi një sy brenda duke pritur të shihte copa të mëdha ari. Ai u shtang kur pa se qeska ishte e mbushur me mijëra grimca të vogla ari.

Arkërkuesi i vjetër tha: ‘Bir, mua më duket se ti je kaq i zënë duke kërkuar për copa të mëdha, saqë po humbet së mbushuri qeskën tënde me këto grimca të çmuara ari. Grumbullimi i duruar i këtyre grimcave të vogla mua më ka sjellë pasuri të madhe.’”

(M. Rasëll Ballard, “Duke Gjetur Gëzim përmes Shërbimit të Përzemërt”, Liahona, maj 2011, f. 46)

  • Si mund të lidhet kjo histori me gjetjen e të vërtetave në shkrimet e shenjta?

Lexoji pohimet vijuese dhe renditi nga njëshi deri te pesa se sa të vërteta janë ato për ty (një = asnjëherë e vërtetë për mua; pesë = gjithnjë e vërtetë për mua)

  • Jam i/e sigurt në aftësinë time për të gjetur të vërteta shpirtërore në shkrimet e shenjta me ndihmën e Frymës së Shenjtë.

  • Gjetja e të vërtetave në shkrimet e shenjta është një bekim në jetën time dhe më ndihmon të ndihem më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Gjetja e të vërtetave në shkrimet e shenjta

Disa të vërteta në shkrimet e shenjta janë më të vështira për t’u gjetur sesa të tjerat. Kërko ndihmën e Atit Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë për të të ndihmuar t’i përcaktosh të vërtetat në mesazhin e Palit për shenjtorët në Efes. Fryma e Shenjtë do të të ndihmojë duke të të dëshmuar për këto të vërteta (shih te Moroni 10:5; Gjoni 16:13).

Ndërkohë që Pali ishte i burgosur me arrest shtëpie në Romë, ai u shkroi efesianëve për t’i nxitur dhe këshilluar ata rreth mënyrës se si të vazhdonin t’i afroheshin më pranë Jezu Krishtit dhe se si t’i mposhtnin sulmet shpirtërore të djallit. Ushtroje përcaktimin e të vërtetave nga ajo që Pali u tregoi këtyre shenjtorëve.

Në vijim është një mënyrë se si mund t’i kërkosh të vërtetat shpirtërore teksa studion shkrimet e shenjta. Lexo tek Efesianëve 2:4–10 dhe kryej hapat në vijim:

  1. Kërko fjalë, fraza ose vargje që duken veçanërisht të rëndësishme. Merre parasysh që t’i shenjosh ato në shkrimet e tua të shenjta.

  2. Përmblidh idenë kryesore të këtyre fjalëve, frazave apo vargjeve. (Për shembull, a mund ta përmbledhësh atë që Pali tha rreth hirit te vargu 8?)

  3. Formuloje atë që mësove si një pohim të së vërtetës që mund të zbatohet në jetën tënde.

1. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Cila është një e vërtetë që gjete? Si e përcaktove atë të vërtetë?

  • Si mund të të ndihmojë kjo e vërtetë që të ndiesh dashurinë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit për ty ose të të ndihmojë të bëhesh më i ngjashëm me Ta?

  • Si e ke zbatuar apo si mund ta zbatosh këtë të vërtetë në jetën tënde?

Ushtro përcaktimin e të vërtetave

Përdor hapat e renditur më përpara. Përzgjidh një ose dy nga grupet vijuese të vargjeve dhe kërko në to të vërtetat e përjetshme.

Përzgjidh një nga të vërtetat që gjete dhe përsiat rreth mënyrës se si ajo mund të të ndihmojë të ndiesh dashurinë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit për ty ose të të ndihmojë të jesh më i ngjashëm me Ta.

2. Plotësoje sa vijon në ditarin tënd të studimit:

Duke përdorur burimet në dispozicion për ty (letër, lapsa me ngjyra, mjetet digjitale e të tjera), krijo një afishe që mund të përfshihet në revistën Për Forcën e Rinisë. Përfshije sa vijon në afishen tënde:

  • Parimin që përcaktove dhe vargun apo vargjet e shkrimeve të shenjta ku e gjete atë

  • Një figurë apo vizatim të thjeshtë që i ndihmon lexuesit të kuptojnë të vërtetën ose ilustron mënyrën se si dikush mund ta përdorë këtë të vërtetë në jetën e tij

Tregoja afishen familjes tënde ose një shoku/shoqeje. Pyeti ata se çfarë mësojnë nga afishja dhe shprehi mendimet dhe ndjenjat e tua për të vërtetën që ajo përcjell.

Reflektimi mbi gjetjen e të vërtetave

3. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

Mendo për përvojën tënde duke kërkuar të vërteta të përjetshme në shkrimet e shenjta.

  • Në ç’mënyra e ndjeve se ishe i suksesshëm?

  • Çfarë ishte e vështirë?

  • Si të ndihmoi kërkimi i të vërtetave të kuptosh dashurinë e Atit Qiellor për ty?

  • Si mund ta përdorësh atë që ke mësuar sot në studimin tënd vetjak ose familjar të shkrimeve të shenjta?

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Efesianëve 2:4–9. Çfarë është hiri dhe çfarë bën ai për mua?

Ndërkohë që shërbente si anëtar i Presidencës së Parë, Presidenti Diter F. Uhtdorf e përkufizoi hirin e Perëndisë si “ndihma hyjnore dhe dhurimi i forcës, me anë të të cilave ne rritemi nga qeniet me të meta dhe kufizime që jemi tani, në qenie të ekzaltuara të ‘[së] vërtetë[s] e dritë[s], derisa të përlëvdohe[mi] në të vërtetë dhe [t’i] di[më] të gjitha gjërat’ [Doktrina e Besëlidhje 93:28]” (“Dhurata e Hirit”, Liahona, maj 2015, f. 107). Për më shumë informacion në lidhje me hirin, merreni parasysh të lexoni bisedën e plotë në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

Për pikëpamje të tjera rreth hirit të Shpëtimtarit, lexoni te Mosia 2:20–24 dhe Filipianëve 2:12–13.

Efesianëve 4:22. Çfarë do të thotë “zhvish[ni] … njeriu[n e] vjetër”?

Pali dha mësimin se kur ne zgjedhim ta pranojmë ordinancën e pagëzimit, ne besëlidhim që t’u japim fund rrugëve tona të vjetra (ose “të zhv[eshim] … njeriu[n e] vjetër” [Efesianëve 4:22]) dhe të fillojmë një jetë të re si ndjekës të Jezu Krishtit (shih te Romakëve 6:1–6; Doktrina e Besëlidhje 20:37). Kjo përfshin lënien pas të mëkateve tona dhe të gjithçkaje që do të na pengonte t’i afroheshim më pranë Atit Qiellor. Ne nuk mund ta realizojmë këtë proces të vetëm. Ai ndodh vetëm për shkak të Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij dhe ndikimit shenjtërues të Frymës së Shenjtë.