Seminari
Hebrenjve 1–10


Hebrenjve 1–10

“Sa më [i] Madhërueshëm … Është Emri”

Pamja
Portreti ballor i kokës së Jezu Krishtit

Të gjithë ndjekësit e Jezu Krishtit do të përjetojnë sprova të besimit të tyre. I tillë ishte rasti për shumë të krishterë judeas. Nën trysninë e përndjekjeve të ndryshme, shumë vetë po largoheshin nga Kisha dhe po ktheheshin te siguria relative e adhurimit judeas në sinagogë. Pali donte t’u tregonte këtyre të krishterëve judeas që Jezusi është më i madh se Moisiu dhe se shërbesa e Tij solli një besëlidhje të re që ka epërsi ndaj besëlidhjes së vjetër sipas ligjit të Moisiut. Ky mësim mund të të ndihmojë ta forcosh besimin tënd te Shpëtimtari ndërsa mëson për fuqinë e Tij mbi të gjitha gjërat, duke përcaktuar dhe studiuar disa nga titujt dhe rolet e Tij.

Titujt e Jezu Krishtit

Gjej një minutë dhe rendit në ditarin tënd të studimit sa më shumë fjalë ose fraza që të përshkruajnë, që të vijnë në mendje.

  • Përse i përdore ato fjalë dhe fraza?

Ashtu siç ti ke fjalë ose fraza që të përshkruajnë, edhe Jezu Krishti ka shumë emra ose tituj që e përshkruajnë Atë. Teksa arrijmë t’i njohim këta tituj më plotësisht, ne arrijmë ta kuptojmë më mirë se kush është Ai dhe se sa shumë na do Ai.

Në ditarin tënd të studimit, rendit disa tituj që i di tashmë për Shpëtimtarin.

  • Si ndikon njohja dhe të kuptuarit e këtyre titujve të Jezu Krishtit në mënyrën se si ti e sheh Atë?

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim mënyra se si ne mund të bekohemi teksa mësojmë më shumë rreth Shpëtimtarit:

Pamja
Portreti zyrtar i Presidentit Rasëll M. Nelson, i bërë në janar 2018

“Sa më shumë që mësoni rreth Shpëtimtarit, aq më e lehtë do të jetë që të mirëbesoni në mëshirën e Tij, në dashurinë e Tij të pafundme dhe fuqinë e Tij forcuese, shëruese dhe shëlbuese”.

(Rasëll M. Nelson, “Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet”, Liahona, maj 2021, f. 103)

  • Në ç’mënyra të duhet ndihma nga Shpëtimtari që përshkroi Presidenti Nelson?

Ashtu siç ne kemi nevojë për Shpëtimtarin, ashtu patën nevojë të krishterët judeas që nuk po merrnin pjesë në mbledhjet e Kishës për shkak të përndjekjes dhe llojeve të tjera të presionit. Ata po ktheheshin tek ajo me të cilën ishin mësuar dhe siguria relative e adhurimit tradicional judeas, i cili nuk përfshinte besimin te Jezu Krishti (shih te Hebrenjve 10:25, 38–39). Ti mund të mësosh më shumë rreth kësaj letre duke studiuar “Hebrenj(ve), Letër Drejtuar” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

Gjetja e titujve dhe roleve të Jezu Krishtit

Pali tregoi shumë tituj dhe role të Shpëtimtarit që mund t’i kenë ndihmuar shenjtorët ta dallonin nevojën e tyre për Të. Për shembull, vargu te Hebrenjve 1:2 thekson titullin “Bir” të Shpëtimtarit, që lidhet me atë që Ai është “trashëgimtar [i] të gjitha gjërave”. Hebrenjve 1:2, 10 shpjegon rolin e Jezusit si Krijues i qiejve dhe tokës.

Tani që ke parë disa shembuj të titujve të Shpëtimtarit, lexo vargjet vijuese dhe kërko tituj dhe role të tjera të Jezu Krishtit. Merre parasysh ta shenjosh atë që gjen.

  • Cila është një e vërtetë që përcaktove rreth Shpëtimtarit nga një ose disa prej titujve dhe roleve të Tij?

1. Plotësoje sa vijon në ditarin tënd të studimit. Sigurohu që t’i përfshish përgjigjet e tua për dy pyetjet në fund të mësimit.

Zgjidh një titull apo rol që përshkruan një veprim për të cilin ke nevojë që Jezu Krishti ta kryejë në jetën tënde dhe shkruaje atë në mes të një cope letre. Duke përdorur shkrimet e shenjta, programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose faqen ChurchofJesusChrist.org, kërko më shumë pikëpamje mbi titullin e Jezu Krishtit që zgjodhe. Një mënyrë për ta nisur studimin tënd është të gjesh pjesën “Jezu Krisht” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Më pas mund të kërkosh shkrime të shenjta të ndryshme që përqendrohen te Shpëtimtari.

Shkruaji rreth titullit mendimet e tua për Jezu Krishtin dhe arsyen përse ai titull është kuptimplotë për ty. Këto mendime mund të përfshijnë

  • fraza nga vargjet apo citimet që lexon,

  • ide rreth mënyrës se si përmbushja e atij roli prej Shpëtimtarit mund të të ndihmojë në jetën tënde,

  • pikëpamjet e tua se si kuptueshmëria e atij titulli mund ta forcojë besimin tënd te Jezu Krishti dhe

  • çdo pyetje që ke rreth atij titulli.

Tani që e ke ushtruar përcaktimin e emrave dhe titujve të Jezu Krishtit, gjej një çast për të reflektuar se sa mirë ti po e përdor këtë aftësi në studimin tënd të shkrimeve të shenjta.

  • Si të ndihmoi kërkimi i titujve të Jezu Krishtit ta njohësh Atë më mirë?

  • Si mund ta përfshish studimin e titujve të Jezu Krishtit në studimin tënd të rregullt të shkrimeve të shenjta?

Kërko tituj të Jezu Krishtit në studimin tënd vetjak dhe me familjen tënde ndërsa vazhdon të studiosh Dhiatën e Re dhe shkrime të tjera të shenjta.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Përse duhet të mësoj rreth Jezu Krishtit?

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:

Pamja
Portreti zyrtar i Presidentit Rasëll M. Nelson, i bërë në janar 2018

“Nëse vazhdoni të mësoni gjithçka mundeni rreth Jezu Krishtit, ju premtoj se dashuria juaj për Të dhe për ligjet e Perëndisë, do të rritet përtej asaj që mund të përfytyroni tani. Ju premtoj se do të shtohet edhe aftësia juaj për t’u larguar nga mëkati. Dëshira juaj për t’i mbajtur urdhërimet do të ngrihet në qiell. Do ta gjeni veten më në gjendje për t’iu ikur argëtimeve dhe ngatërresave të atyre që i përqeshin ndjekësit e Jezu Krishtit. …

Studiojeni gjithçka është Jezu Krishti duke kërkuar me lutje dhe vrull që ta kuptoni çfarë do të thotë për ju vetë secili prej titujve dhe emrave të Tij të ndryshëm.”

(Rasëll M. Nelson, “Profetët, Udhëheqja dhe Ligji Hyjnor” [takimi shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 8 janar 2017], ChurchofJesusChrist.org; theksimi i shtuar)

Hebrenjve 1:2, 10. Si mund të ndikojë roli i Jezusit si Krijues në jetën time?

Çad H. Uebi, administrator i Seminareve dhe Instituteve të Fesë, shpjegoi:

Pamja
Portreti i Çad Uebit

“Juve mund t’ju kujtohet se Presidenti Bojd K. Paker ishte një artist i zoti, i cili gjente gëzim në gdhendjen e zogjve prej druri. Një ditë, ai qe pasagjer në një makinë, të cilën po e ngiste Plaku A. Teodor Tatëll, dhe një prej punimeve të gdhendura të tij ishte vendosur në ndenjësen e pasme të makinës. Në një kryqëzim, Plaku Tatëll shtypi me forcë frenat dhe punimi i gdhendur ra me kokë poshtë në dysheme dhe u bë copash. Plaku Tatëll u ndje keq, por Presidenti Paker jo. Ai thjesht tha: ‘Mos e mbaj mendjen aty. Unë e krijova atë. Unë mund ta ndreq.’ Dhe ashtu veproi. Ai e bëri më të fortë nga sa ishte dhe madje e përmirësoi disi atë. Presidenti Paker shpjegoi: ‘Kush të krijoi ty? Cili është Krijuesi yt? Nuk ka as edhe një gjë në jetën [tënde] që shtrembërohet apo thyhet të cilën Ai nuk mund ta ndreqë, dhe Ai [vërtet] do ta ndreqë.’”

(Çad H. Ueb, “Ne Flasim për Krishtin, Ne Gëzohemi në Krishtin”, Transmetim i Trajnimit Vjetor për Seminaret dhe Institutet e Fesë, 12 qershor 2018, ChurchofJesusChrist.org)

Si mund të më sjellë shpresë njohja e Jezu Krishtit?

Përvoja vijuese e treguar nga Plaku Ronald A. Rasband mund të na ndihmojë të kuptojmë se si njohja e titujve dhe roleve të Jezu Krishtit mund të japë shpresë.

Hebrenjve 2:10. Në çfarë mënyrash është Jezusi “realizuesi [i] shpëtimit [tonë]”?

Episodi i emisionit zanor vijues jep ide mbi mënyrën se si Jezu Krishti është realizuesi i shpëtimit tonë: