Seminari
Gjoni 14:15–31; 15:10–14


Gjoni 14:15–31; 15:10–14

“Nëse Më Doni, Zbatoni Urdhërimet e Mia”

Pamja
Jezusi duke i dhënë mësim Pjetrit

Teksa Shpëtimtari dhe Apostujt e Tij kremtuan Pashkën judease në dhomën e sipërme, Shpëtimtari u dha mësim të vërteta të rëndësishme Apostujve të Tij. Ndërsa vuajtjet e Tij në Gjetseman dhe në Kalvar nuk kishin ndodhur ende, Jezusi i udhëzoi këta burra që Ai i donte shumë: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15). Ky mësim mund të të ndihmojë të tregosh dashurinë tënde ndaj Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit duke iu bindur urdhërimeve të Tyre.

Si e tregon dashurinë?

  • Si mund ta kuptosh nëse dikush të do? Cilat fjalë, veprime apo qëndrime e tregojnë dashurinë e tyre?

  • Si e tregon dashurinë tënde për të tjerët?

  • Po nëse do dikë, por qëndrimi yt ose veprimet e tua nuk e kanë treguar gjithmonë atë dashuri? Çfarë do të mund të bëje?

Ndërsa Shpëtimtari vazhdoi t’i udhëzonte Apostujt e Tij gjatë Darkës së Fundit, Ai dha mësim për dashurinë e Tij për ne dhe dha mësim se si ne mund ta tregojmë dashurinë tonë për Të.

Studio vargjet Gjoni 14:15, 21, 23–24 dhe Gjoni 15:10–14, duke kërkuar atë që Shpëtimtari tha se ne mund të bëjmë për ta treguar dashurinë tonë për Të dhe për Atin Qiellor.

  • Çfarë theksoi Shpëtimtari në këto vargje për mënyrën se si ne mund të tregojmë dashuri për Të?

  • Çfarë japin mësim këto vargje për dashurinë e Shpëtimtarit për ty?

  • Cilat janë disa situata në të cilat të vërtetat që Shpëtimtari dha mësim në këto vargje do të ishin të dobishme?

Motra Karol M. Stivens, asokohe në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, dha mësim për shtysën që kishte Perëndia për të na dhënë urdhërime dhe për shtysën tonë për të qenë të bindur ndaj tyre.

Shih materialin filmik “Going to Grandma’s” [“Duke Shkuar te Gjyshja”] (04:02), që gjendet në ChurchofJesusChrist.org.

Pamja
Karol M. Stivens

“Me raste, ne mund të ndiejmë se ligjet e Perëndisë i vënë cak lirisë sonë vetjake, na heqin lirinë tonë për të zgjedhur dhe e kufizojnë rritjen tonë. Por, kur ne kërkojmë kuptueshmëri më të madhe, kur ne e lejojmë Atin tonë të na mësojë, ne do të fillojmë të shohim se ligjet e Tij janë një shfaqje e dashurisë së Tij për ne dhe se bindja ndaj ligjeve të Tij është një shprehje e dashurisë sonë për Të.”

(Karol M. Stivens, “Nëse Më Doni, Zbatoni Urdhërimet e Mia”, Liahona, nëntor 2015, f. 119)

Rendit disa ligje dhe urdhërime që ti e ndien se tregojnë dashurinë e Atit Qiellor për ty. Për të të ndihmuar të mendosh për disa urdhërime, ti mund të përsëritësh Dhjetë Urdhërimet (shih tek Eksodi 20:3–17) ose Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011].

  • Si janë urdhërimet që ti rendite një “shfaqje e dashurisë [së Perëndisë] për ne”?

  • Si mund të jetë bindja jote ndaj këtyre urdhërimeve një “shprehje e dashurisë [tënde] për Të”?

Zgjidh një nga urdhërimet nga lista jote. Mund të jetë një urdhërim që ti po mundohesh ta zbatosh ose një që ti je tunduar ta shkelësh por ke zgjedhur të bindesh.

Pyetjet vijuese do të të ndihmojnë të vlerësosh shtysat e tua për zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë. Ndërsa mendon për përgjigjet e tua, është e rëndësishme të dish që ti mund të kesh arsye të ndryshme për mbajtjen e urdhërimeve. Pavarësisht nga shtysat e tua aktuale, vazhdo të jesh i/e bindur dhe me kohën dëshira jote për t’u bindur prej dashurisë mund të rritet.

1. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Çfarë të jep shtysë që ta zbatosh këtë urdhërim?

  • Si ndihesh për arsyet e tua për zbatimin e urdhërimeve krahasuar me shembullin e Zotit të bindjes prej dashurisë?

  • Përse mund të jenë të rëndësishme arsyet e tua (shtysat e tua) për bindjen tënde?

  • Çfarë këshille do t’i jepje dikujt që dëshiron t’u bindet urdhërimeve të Perëndisë prej dashurisë?

Shembulli i dashurisë i Shpëtimtarit tonë

Jezu Krishti na dha shembullin e përsosur të mënyrës se si t’u bindemi ligjeve dhe urdhërimeve të Perëndisë prej dashurisë së dëlirë. Pas Darkës së Fundit Ai tha: “Por kjo ndodh që bota ta njohë se unë e dua Atin dhe se bëj ashtu siç Ati më ka urdhëruar” (Gjoni 14:31). Më pas Jezusi shkoi të vuante për mëkatet tona dhe “dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji” tonat (Alma 7:11) në Kopshtin e Gjetsemanit dhe sërish në kryq.

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na ftoi të marrim parasysh me kujdes atë që mund të na motivojë të bëjmë dashuria për Jezu Krishtin. Nëse dëshiron, mund të shohësh materialin filmik “Qëndroni në Dashurinë Time”, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 14:27 deri në 14:50 ose të lexosh pohimin vijues:

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“A nuk do ta doni Atë që ju deshi i pari? [shih te 1 Gjon 4:19]. Atëherë zbatojini urdhërimet e Tij [shih te Gjoni 14:15]. A nuk do të jeni një mik i Atij që dha jetën e Tij për miqtë e Tij? [Shih te Gjoni 15:13.] Atëherë, zbatojini urdhërimet e Tij [shih te Gjoni 15:14]. A nuk do të qëndroni në dashurinë e Tij dhe ta pranoni gjithçka që Ai ua ofron plot hir? Atëherë zbatojini urdhërimet e Tij [shih te Gjoni 15:10].”

(D. Tod Kristoferson, “Qëndroni në Dashurinë Time”, Liahona, nëntor 2016, f. 51)

2. Përgjigju për pyetjen vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Si mundet zotimi yt për bindje më të madhe, i bazuar në dashuri, të ndikojë te marrëdhënia jote me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? (Shih te Mosia 5:13.)

Teksa mundohesh të zbatosh urdhërimet prej dashurisë për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, ti do të ndiesh një rritje të dashurisë së Tyre në jetën tënde (shih te Gjoni 14:21). Nëse e ke të vështirë të jesh i bindur ose madje të dëshirosh të jesh i bindur, Ati Qiellor mund të të ndihmojë nëse ti i kërkon përulësisht për një ndryshim të zemrës. Gjithashtu, mbaj mend që një nga urdhërimet është të pendohesh dhe ne mund ta zbatojmë këtë urdhërim teksa përpiqemi të kapërcejmë dobësitë tona.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Përse Perëndia kërkon bindjen tonë ndaj urdhërimeve të Tij?

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim:

Pamja
Presidenti Dallin H. Ouks

“Perëndia na kërkon që t’u bindemi urdhërimeve të Tij, sepse vetëm nëpërmjet asaj bindjeje, përfshirë pendimin, ne mund të kthehemi për të jetuar në praninë e Tij dhe mund të bëhemi të përsosur siç është Ai”.

(Dallin H. Ouks, “Dy Urdhërimet e Mëdha”, Liahona, nëntor 2019, f. 74)

“A ka rëndësi fakti se përse u bindem urdhërimeve?

Secili nga ne duhet ta pyesë veten pse u bindemi urdhërimeve të Perëndisë. E bëjmë këtë sepse kemi frikë nga ndëshkimi? Apo sepse dëshirojmë shpërblimet e të jetuarit të një jete të mirë? Apo sepse i duam Perëndinë dhe Jezu Krishtin dhe duam t’u shërbejmë Atyre?

Është më mirë t’u bindemi urdhërimeve për shkak se i druhemi ndëshkimit sesa të mos u bindemi fare. Por do të jemi shumë më të lumtur nëse i bindemi Perëndisë sepse e duam Atë dhe duam t’i bindemi. Kur i bindemi Atij [lirisht], Ai mund të na bekojë [lirisht]. Ai tha: ‘Unë, Zoti, … gëzohem t’i nderoj ata që më shërbejnë në drejtësi dhe në të vërtetë deri në fund’ [Doktrina e Besëlidhje 76:5]. Bindja gjithashtu na ndihmon të përparojmë dhe të bëhemi më tepër si Ati ynë Qiellor. Por ata që nuk bëjnë asgjë deri sa të urdhërohen dhe më pas i mbajnë urdhërimet pa dëshirë do ta humbasin shpërblimin e tyre [shih te Doktrina e Besëlidhje 58:26–29].”

(Parimet e Ungjillit [2009], f. 209–210)