Seminari
Gjoni 17


Gjoni 17

Lutja e Madhërishme Ndërmjetësuese e Shpëtimtarit

Pamja
Jezu Krishti duke u lutur me dishepujt

Njohja e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit personalisht

Mendo për një figurë të rëndësishme në historinë e kombit tënd.

  • Cilat janë disa gjëra që ti di rreth atij personi?

  • Si do t’i përshkruaje dallimet ndërmjet njohurisë tënde rreth figurës historike dhe mënyrës se sa mirë e njeh një pjesëtar të afërt të familjes?

Tani gjej pak kohë për të mbajtur shënim në ditarin tënd të studimit mënyrën se si ti ndihesh rreth njohurisë tënde për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. A bazohet ajo vetëm te faktet që ti di rreth Tyre apo a po bëhet më personale se kaq? Si mendon se do të bekohej jeta jote po t’i njihje Ata në një nivel edhe më personal?

Jezusi u lut për dishepujt e Tij

Një natë para vuajtjes së Tij në Gjetseman, tradhtisë dhe Kryqëzimit, Shpëtimtari ofroi me zë një lutje të shenjtë të njohur si Lutja e madhërishme Ndërmjetësuese. Ai iu lut Atit Qiellor me përgjërime për dishepujt e Tij, duke përfshirë ndjekësit e Tij që jetojnë në kohën tonë (shih te Gjoni 17:20). Përpiqu të përfytyrosh se si do të jenë ndier Apostujt që e dëgjonin Jezusin të lutej për ta në atë natë të shenjtë.

  • Çfarë mund të mësojmë rreth Shpëtimtarit nga shembulli i Tij i lutjes për dishepujt e Tij dhe të gjithë ata që e ndjekin Atë para vuajtjes së Tij në Gjetseman dhe arrestimit?

Gjoni 17:3 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merr parasysh t’i shenjosh fragmentet e zotërimit doktrinor në mënyrë të dallueshme që të mund t’i gjesh me lehtësi. Do të mësosh më shumë për këtë fragment të zotërimit doktrinor në mësimin e ardhshëm.

Lexo te Gjoni 17:1–3, duke kërkuar bekimet që Jezu Krishti u lut që të merrnin dishepujt e Tij.

  • Çfarë dëshiron Jezu Krishti për dishepujt e Tij?

Fraza “jetë e përjetshme” (vargjet 2–3) shpesh keqkuptohet sikur nënkupton thjesht të jetosh përgjithmonë. Shpëtimtari po lutej që ne të marrim shumë më tepër sesa aq. “Jeta e përjetshme” është “cilësia e jetës që jeton Ati ynë i Përjetshëm. … Jeta e përjetshme, ose ekzaltimi, është të jetosh në praninë e Perëndisë dhe të vazhdosh si familje (shih te Doktrina e Besëlidhje 131:1–4)” (Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Eternal Life” [“Jetë e Përjetshme”], topics.ChurchofJesusChrist.org). Merre parasysh ta mbash shënim këtë përkufizim në shkrimet e tua të shenjta pranë vargut 3.

  • Sipas vargut 3, cila është një nga gjërat që na kërkohet për të marrë jetën e përjetshme?

Një e vërtetë që mësojmë nga lutja e Shpëtimtarit është që për të marrë jetën e përjetshme, ne duhet ta njohim Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

  • Si mendon, përse duhet ta njohim me të vërtetë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin për të marrë jetën e përjetshme?

Plaku Majkëll Xhon U. Teh, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi rëndësinë e njohjes së Shpëtimtarit:

Pamja
Plaku Majkëll Xhon U. Teh

“Ne kemi nevojë të pranojmë se të njohim Shpëtimtarin është veprimtaria më e rëndësishme e jetës sonë. Ajo duhet të ketë përparësi mbi gjithçka tjetër.”

(Majkëll Xhon U. Teh, “Shpëtimtari Ynë Vetjak”, Liahona, maj 2021, f. 99)

  • Si mendon, përse njohja e Shpëtimtarit është veprimtaria më e rëndësishme e jetës sonë?

  • Çfarë mund ta bëjë të vështirë për t’i dhënë përparësi njohjes së Shpëtimtarit ndaj interesave të tjera në jetën tonë?

Mendo për një çast rreth mënyrës se si është zhvilluar një marrëdhënie e ngushtë që ke me një anëtar të familjes apo një mik. Çfarë bëre për t’i njohur ata më mirë? A ka pasur përvoja kyç që të ndihmuan t’i njohësh me të vërtetë ata? Sa kohë i është dashur marrëdhënies për t’u zhvilluar?

1. Përgjigju për të paktën njërën prej pyetjeve vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Si mund t’i zbatosh veprimet që të ndihmuan të zhvillosh një marrëdhënie të ngushtë me një pjesëtar të familjes ose një mik për të arritur në njohjen e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?

  • Çfarë përvojash ke pasur që të kanë ndihmuar të arrish t’i njohësh Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? Çfarë ke mësuar nëpërmjet këtyre përvojave?

Arritja për ta njohur Shpëtimtarin nëpërmjet lutjes së Tij

Një mënyrë që të arrish ta njohësh Shpëtimtarin, është nëpërmjet lutjeve të Tij. Gjej disa minuta për të mësuar më mirë se kush është Shpëtimtari duke studiuar atë për të cilën Ai u lut te Gjoni 17. Disa nga vargjet që mund të zgjedhësh që të përqendrohesh, janë te Gjoni 17:4–11, 20–26.

2. Përgjigju për të paktën tri prej pyetjeve vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Çfarë mëson rreth marrëdhënies së Jezu Krishtit me Atin e Tij nga kjo lutje?

  • Çfarë bekimesh dëshiron Jezu Krishti për ne?

  • Si mendon, përse Ai do të lutej që ti t’i marrësh këto bekime specifike?

  • Çfarë mësove rreth Jezu Krishtit dhe Atit Qiellor që të ndihmon të duash t’i njohësh Ata edhe më mirë?

Përfytyro se si do të ishte po të ishe aq pranë Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit saqë marrëdhënia jote të mund të përshkruhej si të jesh një me Ta. Si do të ndiheshe për këtë? Si do të përmirësohej jeta jote? Ati Qiellor dhe Jezu Krishti të duan kaq shumë dhe dëshirojnë të jenë një me ty. Jezu Krishti iu lut Atit Qiellor që të të ndihmojë të kesh një marrëdhënie të ngushtë me Ta. Ki parasysh se një marrëdhënie e tillë do të kërkojë kohë dhe përpjekje për t’u zhvilluar gjatë kësaj jete dhe në jetën tjetër.

Mbaj shënim në ditarin tënd të studimit atë që je i gatshëm të bësh që të arrish t’i njohësh më mirë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Përfshi se si mendon se do ta dish që marrëdhënia jote me Ta po bëhet më e fortë dhe se si beson që ajo marrëdhënie do ta bekojë jetën tënde.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Çfarë mund të bëjmë që të arrijmë t’i njohim më mirë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dha mësim:

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

“Nëse doni të qëndroni afër me dikë që ka qenë i dashur për ju, por nga i cili jeni larguar, ju e dini se si ta bëni atë. Ju do të gjenit një mënyrë për t’i folur atij, do ta dëgjonit atë dhe do të zbulonit mënyra për të bërë gjëra për njëri-tjetrin. Sa më shpesh që të ndodhte ajo, sa më shumë që të zgjaste, aq më e thellë do të ishte lidhja e dashurisë. Nëse do të kalonte shumë kohë pa folur, pa dëgjuar dhe pa bërë gjë, lidhja do të dobësohej.

Perëndia është i përkryer e i plotfuqishëm dhe unë e ju jemi të vdekshëm. Por Ai është Ati ynë, Ai na do dhe na ofron të njëjtën mundësi për t’u afruar më pranë Tij, ashtu siç do të bënte një mik i dashur. Dhe ju do ta bëni atë pothuaj në të njëjtën mënyrë: duke folur, duke dëgjuar dhe duke bërë.”

(Henry B. Eyring, “To Draw Closer to God”, Ensign, maj 1991, f. 66)

Plaku C. Skot Grou, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi:

Pamja
Plaku C. Skot Grou

“Miq të mi të rinj, ne mund të fillojmë ta njohim Perëndinë nëpërmjet lutjes. …

… Ndërsa i studioni shkrimet e shenjta çdo ditë, vetëm dhe me familjen tuaj, ju do të mësoni ta dalloni zërin e Shpirtit dhe do të arrini të njihni Perëndinë. …

Kur ne përpiqemi të bëjmë vullnetin e Perëndisë duke i shërbyer besnikërisht Atij dhe bashkëqenieve tona, ne e ndiejmë miratimin e Tij dhe arrijmë vërtet ta njohim Atë.

Shpëtimtari na thotë se mënyra më e mirë e mundshme për ta njohur Perëndinë është të bëhemi si Ai. Ai na dha mësim: ‘Prandaj, çfarë lloj njerëzish duhet të jeni? Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë’ [3 Nefi 27:27].

Denjësia është thelbësore për t’u bërë si Ai. …

Perëndia ju njeh dhe ju fton ta njihni Atë. Lutiuni Atit, studioni shkrimet e shenjta, kërkoni të bëni vullnetin e Perëndisë, përpiquni të bëheni si Shpëtimtari dhe ndiqni këshilltarët e drejtë. Teksa e bëni këtë, ju do të arrini ta njihni Perëndinë dhe Jezu Krishtin dhe ju do të trashëgoni jetë të përjetshme.”

(C. Skot Grou, “Dhe Kjo Është Jeta e Përjetshme”, Liahona, maj 2017, f. 121–124)