Seminari
Filipianëve 3


Filipianëve 3

“I Humba Të Gjitha … Që Unë Të Fitoj Krishtin”

Pamja
Ilustrimi i 1‑rë: Një figurë e ngrohtë dhe e dashur e Krishtit, me sytë që vështrojnë nga lexuesi. Ilustrimi i 2‑të: yjet dhe galaktika

Çfarë je i gatshëm të sakrifikosh për ta ndjekur Jezu Krishtin dhe për t’u bërë dishepulli i Tij? Apostulli Pal hoqi dorë nga shumë gjëra kur zgjodhi të ndiqte Shpëtimtarin, duke përfshirë pozitën e tij me ndikim në shoqërinë judease si farise (shih Filipianëve 3:5). Ky mësim mund të të ndihmojë të kuptosh rëndësinë e bërjes së sakrificave për ta njohur Jezu Krishtin.

Çfarë do të jepje?

Lexoje ose shikoje ndodhinë vijuese nga Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, rreth një të riu që i tregoi Presidentit Gordon B. Hinkli (1910–2008) sakrificat që qe i gatshëm të bënte për t’u bërë anëtar i Kishës.

Pamja
Portreti Zyrtar i Presidentit Dallin H. Ouks, i bërë në mars 2018.

“Shumë vite më parë, njerëzit në këtë konferencë dëgjuan për një të ri i cili e gjeti ungjillin e rivendosur ndërkohë që po studionte në Shtetet e Bashkuara. Kur ky i ri qe gati të kthehej në vendlindje, Presidenti Gordon B. Hinkli e pyeti se çfarë do t’i ndodhte kur të kthehej në shtëpi si i krishterë. ‘Familja ime do të zhgënjehet’, – iu përgjigj i riu. ‘Ata mund të më dëbojnë dhe të më quajnë të vdekur. Sa për të ardhmen dhe karrierën time, mund të më mbyllen të gjitha dyert.’ ‘A je i gatshëm të paguash një çmim kaq të lartë për ungjillin?’ – pyeti Presidenti Hinkli.”

(Dallin H. Ouks, “Sakrifica”, Liahona, maj 2012, f. 21)

  • Si mendon se u përgjigj i riu? Pse?

  • Çfarë mund ta nxitë një person që të heqë dorë nga kaq shumë [gjëra] për ta ndjekur Jezu Krishtin?

Teksa studion kapitullin te Filipianëve 3, merre parasysh atë që ke sakrifikuar për ungjillin e Jezu Krishtit dhe mënyrën se si je bekuar që e bëre këtë gjë. Nga ana tjetër, sakrifikimi për të qenë më pranë Shpëtimtarit mund të jetë një koncept i panjohur për ty. Pavarësisht nga rrethanat e tua, Shpëtimtari pret me padurim të të ndihmojë të përparosh. Gjatë gjithë mësimit, kushtoju vëmendje mendimeve dhe ndjenjave nga Fryma e Shenjtë që mund të të ndihmojnë ta kuptosh rolin që sakrifica duhet të luajë në jetën tënde.

Për ungjillin e Jezu Krishtit ia vlen çdo sakrificë

Kujto që përpara kthimit të Palit në besimin te Jezu Krishti rrugës për në Damask (shih Veprat e Apostujve 9), ai ishte farise, një person me pozitë të lartë fetare dhe shoqërore mes judenjve (shih te Filipianëve 3:5). Për shkak se zgjodhi ta ndiqte Jezu Krishtin dhe ta kalonte jetën duke predikuar ungjillin, Pali përjetoi përndjekje të madhe, vuajtje, dhembje fizike dhe stres emocional (shih te 2 Korintasve 11:23–28). Ne lexojmë te Filipianëve 3:7–17 se si Pali u ndje për heqjen dorë nga jeta e tij e mëparshme për të ndjekur Jezu Krishtin dhe bekimet që erdhën si rrjedhojë.

Lexo te Filipianëve 3:7–14, duke kërkuar se nga çfarë ishte i gatshëm të hiqte dorë Pali për ta njohur dhe ndjekur Jezu Krishtin. Vër re që fjala i ngjashëm te vargu 10 do të thotë i pëlqyeshëm, fraza “vazhdoj të rend” te vargu 12 do të thotë të shkosh përpara dhe fjala zënë te vargu 12 do të thotë të marrësh.

1. Plotësoje sa vijon në ditarin tënd të studimit:

Zgjidh dy fragmente ose fraza nga vargjet te Filipianëve 3:7–14 dhe rishkruaje mesazhin e Palit me fjalët e tua. Për shembull, një mënyrë për ta rithënë mesazhin për vargun te Filipianëve 3:7 është “Gjërat që më parë ishin të rëndësishme për mua, tani nuk kanë asnjë rëndësi për mua për shkak të Jezu Krishtit”. Kur të mbarosh, përgjigju për pyetjet vijuese.

  • Cilat ishin disa nga bekimet që mori Pali për shkak se sakrifikoi për Zotin?

  • Cilat ishin disa nga bekimet që ai përpiqej ende të merrte nëpërmjet sakrificave të tij?

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga shembulli i sakrificës së Palit?

Një parim që mund të mësojmë nga shembulli i Palit është se nëse heqim dorë nga gjithçka që mund të na kërkohet për të ndjekur Jezu Krishtin dhe për vazhduar të rendim me besim, ne mund të arrijmë ta njohim Atë dhe të marrim jetë të përjetshme. Merre parasysh ta shkruash këtë parim në shkrimet e tua të shenjta ose në ditarin tënd të studimit.

Gjej një çast për të përsiatur se si ky parim mund të ketë lidhje me ty.

  • Çfarë mendimesh, pyetjesh apo shqetësimesh ke?

Sakrifica vetjake

Kujto pyetjen e ngritur nga Presidenti Hinkli në fillim të mësimit në lidhje me gatishmërinë e të riut për të sakrifikuar shumë gjëra për ungjillin. Lexo pjesën tjetër të ndodhisë të treguar nga Presidenti Dallin H. Ouks.

Pamja
Portreti Zyrtar i Presidentit Dallin H. Ouks, i bërë në mars 2018.

“I riu u përgjigj i përlotur: ‘Është i vërtetë, apo jo?’ Kur profeti e pohoi atë, ai u përgjigj: ‘Atëherë, çfarë tjetër ka rëndësi?’ Ky është shpirti i sakrificës midis shumë prej anëtarëve tanë të rinj.”

(Dallin H. Ouks, “Sakrifica”, Liahona, maj 2012, f. 21)

  • Çfarë të bën përshtypje rreth këtij të riu?

  • Në ç’mënyrë jeta, shërbesa dhe Shlyerja e Shpëtimtarit janë shembulli më i lartë i sakrificës?

  • Çfarë mendimesh apo ndjenjash ke kur përsiat për atë që Jezu Krishti ishte i gatshëm të sakrifikonte për ty?

2. Plotësoje sa vijon në ditarin tënd të studimit:

Mendo për pesë vitet e ardhshme të jetës tënde dhe shkruaj një letër drejtuar vetes tënde në të ardhmen. Përfshi në letrën tënde hollësitë e mëposhtme:

  1. Gjërat që mund të duhet t’i sakrifikosh në pesë vitet e ardhshme që të arrish ta njohësh Zotin më mirë dhe të përgatitesh për jetën e përjetshme.

  2. Pengesat që mund t’i hasësh teksa bën sakrifica dhe “rend drejt synimit” (Filipianëve 3:14).

  3. Atë që ke mësuar rreth rëndësisë së sakrificës dhe bekimeve që mund të vijnë si rrjedhojë.

  4. Mënyrën se si sakrifica mund të të ndihmojë të bëhesh më i ngjashëm me Shpëtimtarin.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Filipianëve 3:14. Çfarë nënkuptoi Pali kur tha: “Po rend drejt synimit”?

Plaku Eduard Dube, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim sa vijon:

Pamja
Portreti Zyrtar i Plakut Eduard Dube. Fotografuar në mars 2017.

“Të rendim drejt synimit do të thotë të vazhdojmë me besnikëri në ‘shteg[un e] ngushtë dhe të ngushtuar që të çon në jetën e përjetshme’ [2 Nefi 31:18] me Shpëtimtarin tonë dhe Atin tonë në Qiell. Pali i pa vuajtjet e tij si gjëra që ‘nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne’ [Romakëve 8:18; shih edhe te 2 Korintasve 1:3–7]. Letra e Palit drejtuar filipianëve, të cilën ai e shkroi kur ishte në burg, është një letër gëzimi dhe ngazëllimi gjithëpërfshirës dhe inkurajimi për të gjithë ne, veçanërisht në këtë kohë të vështirë pasigurie. …

Në mënyrë interesante, Pali po na këshillon të shkojmë përpara, ndërsa na bën thirrje të harrojmë atë që është prapa – frikën tonë të kaluar, përqendrimin tonë të kaluar, dështimet tona të kaluara dhe trishtimin tonë të kaluar.”

(Eduard Dube, “Rendja drejt Synimit”, Liahona, maj 2021, f. 90, 91)

Si mund ta di se çfarë sakrificash duhet të bëj për të ardhur më pranë Jezu Krishtit?

Plaku Leri R. Lorens, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim se koha ideale për të marrë parasysh me nderim se çfarë sakrificash mund të bëjmë për Zotin, është gjatë ordinancës së sakramentit.

Pamja
Portreti Zyrtar i Plakut Leri R. Lorens. Fotografuar në mars 2017.

“Në këtë atmosferë nderimi, ndërsa mendimet tona kthehen drejt qiellit, Zoti me butësi mund të na thotë se me çfarë duhet të punojmë më pas. Sikurse ju, kam marrë shumë mesazhe nga Shpirti përgjatë viteve që më tregojnë se si mund të përmirësohem. …

Ndoshta Shpirti do t’ju tregojë se ju duhet ta falni dikë. Ose mund të merrni një mesazh që të jeni më përzgjedhës për filmat që shihni ose muzikën që dëgjoni. Mund të ndiheni i nxitur për të qenë më të ndershëm në marrëdhëniet tuaja të punës ose më bujar në ofertat tuaja të agjërimit. Mundësitë janë të pafundme.”

(Leri R. Lorens, “Çfarë më Mungon Tjetër?Liahona, nëntor 2015, f. 34, 35)

Cilat janë disa sakrifica që bëjnë anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për ta ndjekur Shpëtimtarin?

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, përmendi shumë sakrifica që bëjnë anëtarët e Kishës së rivendosur të Zotit. Mund të lexoni bisedën e tij “Sakrifica”, Liahona, maj 2012, f. 19–22 ose të shikoni materialin filmik “Sacrifice” [“Sakrifica”] (16:30), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.