Seminari
Romakëve 8:18–39 


Romakëve 8:18–39

“Dashuria e Perëndisë që Është në Krishtin” 

Pamja
grua e ulur vetëm

A je tunduar ndonjëherë ta pyetësh veten gjatë situatave shqetësuese, të padrejta ose të vështira nëse Perëndia kujdeset për ty? Letra e Palit drejtuar shenjtorëve në Romë, disa prej të cilëve duruan sprova të tmerrshme, përfshin një mesazh ngushëllues për këdo që vuan. Ky mësim mund të të ndihmojë të ndiesh shpresë dhe ngushëllim nëpërmjet dashurisë së Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit teksa përballesh me sprova dhe pasiguri. 

Çfarë do të rekomandoje?

Mendo për atë që mund të sugjeronte një mjek për të ndihmuar në kushtet vijuese:

  • Gastroenterititi viral [Bark e të vjella]

  • Thyerje e gishtit të madh të këmbës

  • Dhimbje koke nga migrena

  • Ftohje

Përgjigju për pyetjet vijuese:

  • Çfarë këshille e veçantë mund të jepet për secilën nga ato gjendje?

  • Cila këshillë e përgjithshme mund të ndihmojë në trajtimin e të gjitha atyre gjendjeve?

Sigurisht, jo të gjitha sprovat kanë natyrë fizike. Shumë njerëz durojnë sfida mendore, emocionale dhe shpirtërore. Shpëtimtari ynë e di se si ta ndihmojë dhe forcojë secilin prej nesh, pavarësisht se çfarë na mundon. Ndërkohë që sprovat e çdo personi janë unike, Perëndia na ka mësuar të vërteta të përjetshme që mund të na ndihmojnë dhe ngushëllojnë në çdo situatë të vështirë. Në ditarin tënd të studimit bëj një listë të shkurtër të sprovave për të cilat ti ose njerëzit e dashur do të donin ndihmë.

  • Çfarë di ti tashmë për Atin Qiellor, Jezu Krishtin dhe planin e shpëtimit që të ndihmon lidhur me këto sprova? Si të ka ndihmuar ajo njohuri?

Ndërkohë që dëshmia jote nuk e minimizon realitetin, dhimbjen ose vështirësinë e sprovave që ti ose njerëzit e tu të dashur përjetoni, ajo mund të ofrojë shpresë, ngushëllim dhe një këndvështrim të përjetshëm gjatë atyre sprovave.

Vetëm pak vite pasi Pali ua dërgoi letrën e tij romakëve, shenjtorët në Romë vuajtën përndjekje të llahtarshme. Lexo te Romakëve 8:18, 24–25, 28, 31–39 dhe shenjo çdo frazë që ti beson se mund ta ndihmojë apo ngushëllojë dikë, pavarësisht nga mundimet e tij/saj të veçanta.

1. Plotësoje sa vijon në ditarin tënd të studimit:

  • Shenjo një frazë nga këto vargje që të la mbresa. Përse e zgjodhe atë frazë?

  • Mbaj shënim se si njohja e të vërtetave që jepen mësim në atë frazë, mund të të ndihmojë ty dhe njerëzit e tu të dashur lidhur me disa nga mundimet e tua të veçanta.

  • Merre parasysh ta mësosh përmendsh frazën që zgjodhe. Ti mund të krijosh edhe një kujtues të përditshëm të kësaj fraze në një pajisje elektronike ose ta shkruash atë dhe ta vendosësh aty ku do ta shohësh çdo ditë për disa ditë radhazi.

Dashuria e Atit Qiellor dhe e Jezu Krishtit

Një nga frazat që ti mund të kesh shenjuar në këto vargje, na mëson të vërtetën që “[asgjë nuk mund] të na ndajë nga dashuria e Perëndisë” (Romakëve 8:39).

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti duan që ti ta dish se Ata të duan. Ata e tregojnë atë dashuri nëpërmjet veprimeve dhe fjalëve.

  • Sipas Romakëve 8:32, çfarë bëri Ati Qiellor për të të treguar se të do?

Lexo fragmentin e zotërimit doktrinor që gjendet te Gjoni 3:16, dhe vër re se çfarë mësimi dha Shpëtimtari rreth arsyes përse Ati Qiellor e dërgoi Birin e Tij në tokë. Mund të duash ta shenjosh si referencë-kryq ose ta lidhësh këtë fragment me vargun te Romakëve 8:32.

Gatishmëria e Shpëtimtarit për të shlyer për mëkatet tona është gjithashtu provë e dashurisë së Tij për ne (shih te Romakëve 8:34–35; Doktrina e Besëlidhje 34:1–3).

  • Kur e ke ndier dashurinë e Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit në jetën tënde? Si të ka ndihmuar dashuria e Tyre përmes mundimeve?

Në ditarin tënd të studimit, mbaj shënim atë që ke mësuar sot rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit, që dëshiron ta mbash mend. Ti mund të marrësh parasysh gjithashtu të shkruash një shënim dhe t’ia japësh atë një pjesëtari të familjes ose një shoku apo shoqeje që mund të ketë dobi nga diçka që ti mësove ose ndjeve sot.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Çfarë do të thotë që vuajtjet që ne përjetojmë në tokë, “nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne”? (Romakëve 8:18)

Motra Linda S. Rivs, ish‑Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, dha mësim:

Pamja
Portreti zyrtar i Linda S. Rivsit, e cila u mbështet në konferencën e përgjithshme të prillit 2012 si këshilltare e dytë në presidencën e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës në prill të vitit 2012. U lirua në konferencën e përgjithshme të prillit 2017.

“Unë nuk e di pse i kemi sprovat e shumta që kemi, por ndjesia ime vetjake është, motra, që shpërblimi është kaq i madh, kaq i përhershëm dhe i përjetshëm, kaq i gëzueshëm dhe përtej kuptueshmërisë tonë saqë në ditën e shpërblimit, ne mund të ndiejmë t’i themi Atit tonë të dashur e të mëshirshëm: ‘A ishte kjo gjithçka që kërkohej?’ Unë besoj se, nëse do të mund ta kujtonim dhe dallonim çdo ditë thellësinë e dashurisë që Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari kanë për ne, ne do të ishim të gatsh[ëm] të bënim gjithçka që Ata do të kërkonin që të ishim sërish në praninë e Tyre, të rrethuar përjetësisht nga dashuria e Tyre. Çfarë rëndësie do të kenë … ato që kemi vuajtur këtu, nëse, në fund, ato sprova janë pikërisht gjërat që na kualifikojnë për jetën e përjetshme dhe ekzaltimin në mbretërinë e Perëndisë me Atin dhe Shpëtimtarin tonë?”

(Linda S. Rivs, “Të Denja për Bekimet Tona të Premtuara”, Liahona, nëntor 2015, f. 11)

Si mund të “bashkëveprojnë për të mirë[n tonë]” sprovat tona? (Romakëve 8:28)

Plaku Xhejms B. Martino, i Të Shtatëdhjetëve, tha:

Pamja
Portreti Zyrtar i Plakut Xhejms B. Martino. Fotografuar në mars 2017.

“Ati ynë Qiellor, që na do ne plotësisht dhe përsosmërisht, na lejon të kemi përvoja që do të na lejojnë të zhvillojmë tiparet dhe cilësitë që na duhen për t’u bërë gjithnjë e më shumë si Krishti. Sprovat tona vijnë në shumë forma, por secila do të na lejojë të bëhemi më shumë si Shpëtimtari kur mësojmë të njohim të mirën që vjen nga secila përvojë. Kur e kuptojmë këtë doktrinë, ne marrim siguri më të madhe për dashurinë e Atit tonë. Ne mund të mos ta dimë kurrë në këtë jetë përse i përjetojmë këto gjëra, por mund të ndiejmë besim në vetvete se mund të rritemi nga përvoja.”

(Xhejms B. Martino, “Të Gjitha Gjërat Bashkëveprojnë për të Mirë”, Liahona, maj 2010, f. 101)

Çfarë do të thotë se asgjë nuk mund “të na ndajë nga dashuria e Perëndisë”? (Romakëve 8:39)

Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) tha:

Pamja
Portreti zyrtar i Presidentit Tomas S. Monson, i vitit 2008.

“Ati juaj Qiellor ju do – secil[i]n prej jush. Ajo dashuri nuk ndryshon kurrë. Ajo nuk ndikohet nga pamja juaj, nga zotërimet tuaja apo nga sasia e parave që keni në llogarinë tuaj bankare. Nuk ndryshohet nga talentet dhe aftësitë tuaja. Është thjesht atje. Është atje për ju kur jeni të trishtuar ose të lumtur, pa kurajë ose plot shpresë. Dashuria e Perëndisë është atje për ju, pavarësisht nëse ju ndieni se e meritoni apo jo dashurinë. Është thjesht gjithmonë atje.”

(Tomas S. Monson, “Nuk Ecim Kurrë Vetëm”, Liahona, nëntor 2013, f. 123–124)

Meqë Perëndia është kaq i dashur, a do t’i shpëtojë Ai të gjithë pavarësisht nga zgjedhjet e tyre?

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim sa vijon për dashurinë e Perëndisë:

Pamja
Portreti i Plakut D. Tod Kristoferson. Fotografuar në mars 2020.

“Dashuria [e Perëndisë] përshkruhet në shkrimin e shenjtë si ‘dashuri[a] e madhe dhe e mrekullueshme’, ‘dashuria e përsosur’, ‘dashuri[a] shëlbuese’ dhe ‘dashuria e përjetshme’. Këto janë terma më të mira ngaqë fjala e pakushtëzuar mund të përcjellë përshtypje të gabuara rreth dashurisë hyjnore, të tilla si: Perëndia toleron dhe shfajëson gjithçka që bëjmë pasi dashuria e Tij është e pakushtëzuar, [ose Perëndia nuk ka asnjë kërkesë ndaj nesh pasi dashuria e Tij është e pakushtëzuar,] ose të gjithë shpëtohen në mbretërinë e Perëndisë pasi dashuria e [Tij] është e pakushtëzuar. Dashuria e Perëndisë është e pafundme dhe ajo do të zgjatë përgjithmonë, por çfarë kjo nënkupton për secilin prej nesh varet nga mënyra se si i përgjigjemi dashurisë së Tij.”

(D. Tod Kristoferson, “Qëndroni në Dashurinë Time”, Liahona, nëntor 2016, f. 48)