Mësime të Presidentëve
Kapitulli 19: Angazhimi Ynë në Perëndi


Kapitulli 19

Angazhimi Ynë në Perëndi

“Një jetë e suksesshme … kërko[n] angazhim – angazhim me gjithë shpirt, të mbajtur thellë dhe të ushqyer përjetësisht ndaj parimeve që e dimë se janë të vërteta në urdhërimet që ka dhënë Perëndia.”

Nga Jeta e Hauard W. Hanterit

Kur Hauard W. Hanteri u thirr si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, ai deklaroi: “Unë e pranoj, pa rezerva, thirrjen që më keni bërë dhe jam i gatshëm t’ia kushtoj jetën time dhe gjithçka kam këtij shërbimi”.1

Plaku Hanter iu përmbajt angazhimit të tij. Pasi u shugurua Apostull, ai u kthye në Kaliforni për të përmbushur detyrime të Kishës dhe të biznesit dhe për të filluar përgatitjen për t’u transferuar në Solt-Lejk-Siti. Ishte e vështirë për Plakun dhe Motrën Hanter që të linin familjen dhe miqtë e tyre në Kaliforni – dhe për Plakun Hanter të linte punën e tij si avokat. Kur e mbaroi karrierën e tij si avokat, ai shkroi:

“Sot përfundova shumicën e punës sime në zyrë. Thuajse të gjitha çështjet e hapura janë përfunduar. Isha vetëm sot në zyrë me perceptimin që puna ime me drejtësinë tani ishte drejt fundit. Bëra shënime në një numër dosjesh dhe i lashë mbi tavolinë. … Isha aq i mërzitur saqë ndihesha i sëmurë ndërsa lashë zyrën. Unë e kam pëlqyer punën e drejtësisë dhe ka qenë jeta ime për të paktën disa vite, por megjithëkëtë jam i kënaqur dhe i lumtur t’i përgjigjem thirrjes së mrekullueshme që më ka ardhur në Kishë.”2

Plaku Hanter e dinte nga përvoja vetjake se “t’i nënshtrohesh vullnetit të Atit tonë nuk është gjithmonë e lehtë”3. Sidoqoftë, ai e dinte rëndësinë e të qenit tërësisht i angazhuar në Perëndi. Lidhur me angazhimin, ai shkroi: “Shumë njerëz nuk e kuptojnë përse njerëz të besimit tonë fetar u përgjigjen thirrjeve të bëra për të shërbyer ose zotimit që bëjmë për të dhënë gjithçka kemi. Unë e kam pëlqyer tërësisht punën me drejtësinë, por kjo thirrje që më ka ardhur do të jetë tejet më e rëndësishme sesa profesioni apo përfitimi monetar”.4

Pamja
gra me trastë me ushqime

Një mënyrë që ne mund të tregojmë “angazhim tërësor” dhe “përkushtim [të] plotë” nga ana jonë është t’u shërbejmë atyre në nevojë.

Mësime të Hauard W. Hanterit

1

Ati ynë në Qiell kërkon angazhimin tonë tërësor, jo thjesht një ndihmesë.

Kur mendoj për bekimet që Perëndia na ka dhënë dhe bukuritë e shumta të ungjillit të Jezu Krishtit, unë jam i vetëdijshëm se gjatë gjithë jetës sonë neve na kërkohet të japim disa ndihmesa në këmbim, ndihmesa në kohë apo në para ose nga burime të tjera. Këto janë të gjitha të vlerësuara dhe të gjitha të nevojshme, por ato nuk përbëjnë ofrimin tonë të plotë ndaj Perëndisë. Përfundimisht, ajo që Ati ynë në Qiell do të kërkojë nga ne është më shumë se një ndihmesë; ajo është një angazhim tërësor, një përkushtim i plotë, gjithçka që ne jemi dhe që ne mund të jemi.

Lutem të kuptoni se unë nuk flas vetëm për angazhim në Kishë dhe në veprimtaritë e saj, edhe pse këto gjithmonë duhet të forcohen. Jo, unë flas më konkretisht për një angazhim që shfaqet në sjelljen tonë vetjake, në ndershmërinë tonë vetjake, në besnikërinë tonë ndaj shtëpisë e familjes dhe komunitetit, si dhe në Kishë. …

Më lejoni të kujtoj shkurtimisht vetëm një nga ato shembuj të mrekullueshëm nga shkrimet e shenjta ku tre persona relativisht të rinj u qëndruan parimeve të tyre dhe mbajtën ndershmërinë e tyre edhe pse dukej qartë se të vepruarit në këtë mënyrë do t’u kushtonte jetën.

Afërsisht 586 vite para Krishtit, Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, marshoi kundër qytetit të Jerusalemit dhe e pushtoi. Atij i bënë aq shumë përshtypje cilësitë dhe arsimimi i fëmijëve të Izraelit, saqë pati marrë disa prej tyre në oborrin e mbretit [në Babiloni].

E keqja u erdhi izraelitëve ditën kur Nebukadnetsari bëri një idhull prej ari dhe i urdhëroi të gjithë në provincën e Babilonisë që ta adhuronin, një urdhër që tre izraelitët e rinj – Shadraku, Meshaku dhe Abed-negoja – e kundërshtuan me qetësi. Mbreti ishte plot “zemër[im] dhe …tërb[im]” dhe kërkoi që ata të silleshin përpara tij. (Daniel 3:13.) Ai u tha atyre se nëse nuk do ta adhuronin figurën prej ari në çastin e caktuar, “do [të hidheshin] menjëherë në mes të një furre të ndezur”. Pastaj me një vetëkënaqësi ai pyeti: “Dhe cila është ajo perëndi që do të mund t’ju çlirojë nga duart e mia?” [Daniel 3:15.]

Tre të rinjtë iu përgjigjën me mirësjellje, por pa ngurrim:

“Ja”, thanë ata, “[që ju na kërcënoni me vdekje,] Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra e ndezur, dhe do të na çlirojë nga dora jote, o mbret.

Por edhe sikur të mos e bënte [sikur për çfarëdo arsye zgjedh të mos na shpëtojë nga zjarri], dije, o mbret, që ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do të adhurojmë figurën e artë që ti ke ngritur”. [Daniel 3:17–18.]

Sigurisht Nebukadnetsari ishte më i tërbuar se kurrë dhe urdhëroi që një nga furrat të nxehej shtatë herë më shumë se temperatura e saj e zakonshme. Atëherë ai urdhëroi që këta tre të rinj të guximshëm t’i hidhnin plotësisht të veshur në mes të zjarrit. Vërtet, mbreti ishte aq këmbëngulës dhe flaka aq e nxehtë saqë ushtarët që morën Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon ranë të vdekur nga nxehtësia e furrës kur i hodhën përpara robërit e tyre.

Atëherë u pa një nga ato mrekulli të mëdha të cilat u përkasin besnikëve sipas vullnetit të Perëndisë. Këta tre të rinj qëndruan dhe ecën përreth qetësisht në mes të furrës dhe nuk u dogjën. Në fakt, kur ata u thirrën më pas të dilnin nga furra prej vetë mbretit të habitur, veshjet e tyre ishin të panxira, lëkura e tyre ishte pa asnjë djegie, as një qime floku në kokën e tyre nuk ishte prekur. Madje as era e tymit nuk u ishte ngjitur këtyre të rinjve kurajozë dhe të angazhuar.

“Qoftë i bekuar Perëndia i Shadrakut, i Meshakut dhe i Abed-negos”, tha mbreti, “që ka … çliruar shërbëtorët e tij, që kanë pasur besim tek ai; … [që] ia kanë ekspozuar trupin e tyre vdekjes, në vend që të shërbenin dhe të adhuronin tjetër perëndi përveç së tyres.

… Atëherë mbreti bëri që Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego të kenë mbarësi në krahinën e Babilonisë.” (Daniel 3:28, 30.)

Aftësia për të qenë besnik ndaj parimeve të veta, për të jetuar me nder dhe besim sipas besimit të vet – kjo është ajo që ka rëndësi, ky është ndryshimi midis një ndihmese dhe një angazhimi. Ai përkushtim ndaj parimit të vërtetë – në jetën tonë vetjake, në shtëpitë e familjet tona dhe në të gjitha vendet ku takojmë e ndikojmë te njerëz të tjerë – ai përkushtim është çfarë Perëndia kërkon në fund të fundit prej nesh. …

Një jetë e suksesshme, jeta e mirë, jeta e drejtë e krishterë kërkon diçka më shumë sesa një ndihmesë, edhe pse çdo ndihmesë është e vlefshme. Përfundimisht kërkohet angazhim – angazhim me gjithë shpirt, të mbajtur thellë dhe të ushqyer përjetësisht ndaj parimeve që e dimë se janë të vërteta në urdhërimet që ka dhënë Perëndia. …

Nëse do të jemi të vërtetë dhe besnikë ndaj parimeve tona, të angazhuar në një jetë të ndershme dhe me integritet moral, atëherë asnjë mbret ose kundërshtim apo furrë përvëluese nuk do të jetë në gjendje të na komprometojë. Për suksesin e mbretërisë së Perëndisë në tokë, qëndrofshim si dëshmitarë për Të “në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që [ne] të gjende[mi], madje deri në vdekje”. (Mosia 18:9.)5

2

Jini të angazhuar për t’iu bindur Zotit pavarësisht se çfarë vendosin të bëjnë të tjerët.

Kur Jozueu u udhëzua për të shkatërruar qytetin e Jerikos që shtrihej përpara [fiseve të Izraelit], muret e mëdha të qytetit qëndronin si një pengesë madhështore dhe fizikisht të pakapërcyeshme për suksesin e Izraelit – ose të paktën kështu dukej. Pa e ditur mënyrën, por i siguruar për përfundimin, Jozueu i përmbushi udhëzimet që i qenë dhënë nga një lajmëtar i Zotit. Angazhimi i tij ishte deri në bindje të plotë. Shqetësimi i tij ishte të bënte saktësisht siç ishte udhëzuar, që premtimi i Zotit të përmbushej. Udhëzimet pa dyshim dukeshin të çuditshme, por besimi i tij te përfundimi e nxiti atë të vazhdonte. Përfundimi, sigurisht, ishte një tjetër mrekulli në radhën e gjatë të mrekullive të përjetuara nga izraelitët ndërsa ata udhëhiqeshin gjatë shumë viteve nga Moisiu, Jozueu dhe nga shumë profetë të tjerë të cilët qenë të angazhuar të ndiqnin urdhërimet dhe udhëzimet e Zotit.

Ndërsa Jozueu dhe njerëzit e tij i afroheshin Jerikos, udhëzimet e Zotit ndiqeshin saktësisht dhe sipas tregimit në shkrimin e shenjtë, “muret u rrëzuan duke u shembur. Populli u ngjit në qytet, secili drejt, përpara, dhe e shtiu në dorë atë”. (Jozueut 6:20.)

Anali tregon se pasi Izraeli pati rezistuar nga luftërat me armiqtë e vet, Jozueu, që ishte tani shumë i vjetër, e thirri të gjithë Izraelin së bashku. Në fjalën e tij të lamtumirës ai u kujtoi atyre se ata kishin qenë fitimtarë ngaqë Perëndia pati luftuar për ta, por nëse ata do të pushonin tani së shërbyeri Zotit dhe së mbajturi ligjin e Tij, ata do të shkatërroheshin. …

Ky udhëheqës i madh ushtarak dhe shpirtëror nxiti atëherë një angazhim dhe e bëri për veten dhe për familjen e tij: “Zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni, … sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit”. (Jozueut 24:15.)

Kjo ishte një deklaratë e madhe për angazhim të plotë nga një njeri i Perëndisë; nga një profet ndaj dëshirave të Zotit, nga Jozueu njeriu ndaj Perëndisë së tij, që e pati bekuar shumë herë më parë për bindjen e tij. Ai po u tregonte izraelitëve se pavarësisht se si do të vendosnin, ai do të bënte atë që e dinte se ishte e drejtë. Ai po thoshte se vendimi i tij për t’i shërbyer Zotit ishte i pavarur nga çfarëdo që do të vendosnin ata; që veprimet e tyre nuk do të ndikonin tek ai; që angazhimi i tij për të bërë vullnetin e Zotit nuk do të ndryshohej nga çfarëdo që ata apo kushdo tjetër do të bënte. Jozueu ishte vendosmërisht në kontroll të veprimeve të tij dhe ishte i përqendruar tek urdhërimet e Zotit. Ai ishte angazhuar ndaj bindjes.6

Pamja
Abrahami dhe Isaku

“Sa i kënaqur duhet të ketë qenë Zoti kur Abrahami … bëri siç ishte udhëzuar, pa dyshuar dhe pa u lëkundur.”

3

Vendos tani të zgjedhësh udhën e bindjes saktësisht.

Pasi të keni arritur një kuptim të ligjit të ungjillit dhe të vullnetit të Zotit duke lexuar dhe studiuar shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve, atëherë vjen një kuptim i mëtejshëm mbi arsyen përse bindja përmendet shpesh si ligji i parë i qiellit dhe përse bindja është e nevojshme të ruhet. Kjo na sjell në një provë eprore. A jemi të gatshëm t’i bindemi tërësisht ligjit të Perëndisë? Vjen një kohë në jetën tonë kur një vendim përfundimtar duhet të merret.7

Sigurisht Zoti do, më shumë se çdo gjë tjetër, një vendosmëri të patundur për t’iu bindur këshillës së Tij. Sigurisht përvojat e profetëve të mëdhenj të Dhiatës së Vjetër janë shënuar për të na ndihmuar të kuptojmë rëndësinë e zgjedhjes së udhës së bindjes saktësisht. Sa i kënaqur duhet të ketë qenë Zoti kur Abrahami, pasi mori udhëzimin për të sakrifikuar birin e tij të vetëm, Isakun, bëri siç ishte udhëzuar, pa dyshuar dhe pa u lëkundur. Anali bën të ditur se Perëndia i tha Abrahamit:

“Merr tani birin tënd, birin tënd të vetëm, atë që ti do, Isakun, shko në vendin e Moriahve dhe sakrifikoje në një nga malet që do të të tregoj”. (Zanafilla 22:2.)

Vargu tjetër thjesht bën të ditur:

“Kështu Abrahami u ngrit herët në mëngjes, … mori me vete… të birin Isak … pastaj u nis drejt vendit ku i kishte thënë Perëndia të shkonte”. (Zanafilla 22:3.)

Vite më vonë, kur Rebeka u pyet nëse do të shkonte me shërbëtorin e Abrahamit për t’u bërë gruaja e Isakut, dhe pa dyshim duke ditur se detyra e shërbëtorit kishte bekimin e Zotit, ajo thjesht tha: “Po, do të shkoj”. (Zanafilla 24:58.)

Një brez më pas, kur Jakobi u udhëzua të kthehej në tokën e Kanaanëve, që do të thoshte të linte gjithçka për të cilën pati punuar shumë vite, ai kujtoi Rakelën dhe Lean te fusha ku gjendej tufa e tij dhe shpjegoi atë që Zoti pati thënë. Përgjigjja e Rakelës [dhe e Leas] ishte e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë dhe tregues i angazhimit [të tyre]: “Bëj të gjitha ato që Perëndia të ka thënë”. (Zanafilla 31:16.)

Ne kemi, pastaj, shembuj nga shkrimet e shenjta se si ne duhet të mbajmë parasysh dhe të vlerësojmë urdhërimet e Zotit. Nëse zgjedhim të veprojmë si Jozueu, dhe Abrahami, dhe Rebeka, dhe Rakela [dhe Lea], përgjigjja jonë do të jetë, thjesht, të shkojmë dhe të bëjmë atë që Zoti ka urdhëruar.

Ka një arsye të mirë që ta marrim vendimin tonë tani për t’i shërbyer Zotit. Në këtë mëngjes të diele [të konferencës së përgjithshme], kur ndërlikimet dhe tundimet e jetës largohen disi, dhe kur kemi kohën dhe më shumë se prirje për të pasur një këndvështrim përjetësie, ne mund të vlerësojmë më qartë se çfarë do të na sillte lumturi më të madhe në jetë. Ne duhet të vendosim tani, në dritën e mëngjesit, si do të veprojmë kur errësira e natës dhe kur stuhitë e tundimit të arrijnë.

Unë lutem që ne do të kemi forcën të vendosim tani për të bërë atë që duhet të bëjmë. Unë lutem që ne do të vendosim tani për t’i shërbyer Zotit.8

4

Vetëm besimi nuk është i mjaftueshëm; ne duhet gjithashtu të bëjmë vullnetin e Atit Qiellor.

Duke u folur turmave, Mësuesi tha: “Jo çdo njeri që më thotë: ‘Zot, Zot’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej”. (Mateu 7:21.)

Kur dëgjoj këto fjalë, më duket se Zoti po thotë: “Vetëm ngaqë një person mund ta njohë autoritetin tim ose të ketë besim te natyra ime hyjnore, ose thjesht shpreh besim në mësimet që jap apo në sakrificën shlyese që bëra, nuk do të thotë se ai do të hyjë në mbretërinë e qiellit ose të arrijë shkallën më të lartë të ekzaltimit”. Me fjalë të tjera Ai po thotë: “Vetëm besimi nuk është i mjaftueshëm”. Atëherë ai shton shprehimisht: “… por … ai që kryen vullnetin e Atit tim”, që do të thotë, ai që punon dhe krasit vreshtin që të mund të japë frut të mirë. …

E gjithë natyra, që është pronë e Perëndisë, duket se paraqet të njëjtin parim. Bleta që nuk “kryen” shpejt do të dëbohet nga kosherja. Ndërsa vështroj milingonat punëtore në gjurmën dhe rreth turrës së milingonave, më bën përshtypje fakti se ato janë bërëse jo thjesht besimtare. Kakarisja nuk prodhon ndonjë farë për pulën; ajo duhet të gërvishtë. Një pellg i ndenjur, i gjelbër me alga dhe llumi që s’lëviz, është vend ushqimi për sëmundje moçalore, por rryma e pastër malore që përplaset mbi shkëmbinj ndërsa dredhon shtegun poshtë grykës së thellë të fton për të pirë.

Fjalët e Mësuesit lidhur me shtëpinë pa themel më thonë se një njeri nuk mund të ketë një nocion të cekët dhe të nxituar se është i vetëmjaftueshëm dhe mund ta ndërtojë jetën e vet mbi çfarëdo baze që ndodh të jetë e lehtë dhe e gatshme [shih Mateu 7:26–27]. Për sa kohë moti është i këndshëm, marrëzia e tij mund të mos jetë e dukshme; por një ditë do të vijnë vërshime, ujërat e përbaltura nga një pasion i beftë, rryma e vrullshme e tundimit të paparashikuar. Nëse karakteri i tij nuk ka themel të sigurt dhe jo thjesht në fjalë, e gjithë struktura e tij morale mund të rrënohet.9

Jakobi tha: “Feja e pastër dhe pa njollë përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre dhe ta ruash veten të pastër nga bota” (Jakob [Bibël] 1:27).

Me fjalë të tjera, feja është më shumë sesa njohuri për Perëndinë ose një pranim i besimit, dhe është më shumë sesa teologji. Feja është të bërit e fjalës së Perëndisë. Ajo është të jesh rojtar i vëllait tonë, midis gjërave të tjera. …

Ne mund të jemi fetarë në adhurim në ditën e Shabatit, ne mund të jemi fetarë në detyrat tona në gjashtë ditët e tjera të javës. … [Sa] shumë e rëndësishme duhet të jetë që të gjitha mendimet tona, fjalët që themi, veprimet, sjelljet tona, ndërveprimet me fqinjët, transaksionet e biznesit dhe të gjitha punët tona të përditshme të jenë në përputhje me bindjet tona fetare. Me fjalët e Palit: “Nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë”. (1 Korintasve 10:31). Prandaj, a mundemi ta shmangim fenë nga punët tona ditëve të javës dhe ta vendosim atë vetëm te dita e Shabatit? Sigurisht që jo, nëse ndjekim këshillën e Palit.10

5

“Anëtarët e gjallë” përpiqen të kenë një angazhim tërësor.

Zoti zbuloi te parathënia e Doktrina e Besëlidhjeve se kjo është “[e] vetm[ja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë mbi faqen e tërë dheut”. Pastaj Ai shtoi: “[M]e të cilën unë, Zoti, jam shumë i kënaqur, duke i folur kishës në mënyrë kolektive dhe jo individuale” (DeB 1:30). Kjo duhet të ngrejë pyetjen në mendjen tonë për rëndësinë e përjetshme: Ne e dimë se kjo është kisha e vërtetë dhe e gjallë si institucion, por a jam unë një anëtar i vërtetë dhe i gjallë individualisht?

… Kur unë pyet: “A jam unë një anëtar i vërtetë dhe i gjallë?” pyetja ime është a jam i përkushtuar thellësisht dhe plotësisht për të mbajtur besëlidhjet që kam bërë me Zotin? A jam tërësisht i angazhuar që ta jetoj ungjillin dhe të jem bërës i fjalës dhe jo vetëm dëgjues? A e jetoj besimin tim? A do të qëndroj i vërtetë? A qëndroj i vendosur kundër tundimeve të Satanit? …

T’i përgjigjesh pozitivisht pyetjes: “A jam unë një anëtar i gjallë?” do të thotë të pohojmë angazhimin tonë. Ajo do të thotë se ne tani dhe gjithmonë do ta duam Perëndinë dhe fqinjët tanë sikurse veten tonë. Ajo do të thotë që veprimet tona do të pasqyrojnë se cilët jemi dhe çfarë besojmë. Ajo do të thotë se ne jemi çdo ditë të krishterë, që ecim siç Krishti do të donte që ne të ecnim.

Anëtarët e gjallë janë ata që përpiqen të kenë një angazhim tërësor. …

Anëtarët e gjallë e dinë detyrën e tyre për të shkuar përpara. Ata pagëzohen si hapi i parë i udhëtimit të tyre të gjallë. Kjo është një shenjë për Perëndinë, engjëjt dhe qiellin që ata do të ndjekin vullnetin e Perëndisë. …

Anëtarët e gjallë e dëgjojnë me vëmendje Shpirtin, që gjallëron jetën e tyre të brendshme. Ata kërkojnë vazhdimisht drejtimin e tij. Ata luten për forcë dhe kapërcejnë vështirësitë. Zemrat e tyre nuk vendosen mbi gjërat e kësaj bote, por mbi të pafundmen. Ripërtëritja shpirtërore nuk sakrifikohet për kënaqësi fizike.

Anëtarët e gjallë e vendosin Krishtin të parin në jetën e tyre, duke e ditur se nga cili burim vijnë jeta dhe përparimi i tyre. Ka një prirje për njeriun që ta vendosë veten në qendër të universit dhe të presë që të tjerët të pajtohen me kërkesat, nevojat dhe dëshirat e tij. Përsëri natyra nuk e respekton atë hamendje të gabuar. Roli qendror në jetë i përket Perëndisë. Në vend që t’i kërkojmë Atij të bëjë kërkesën tonë, ne duhet të kërkojmë ta sjellim veten në përputhje me vullnetin e Tij, dhe kështu të vijojmë përparimin tonë si anëtar i gjallë. …

Anëtarët e gjallë, sapo kthehen në besim, plotësojnë urdhërimin për të forcuar vëllezërit dhe motrat e tyre [shih Lluka 22:32]. Ata janë të etur që ta ndajnë gëzimin e tyre me të tjerët dhe ata nuk e humbasin kurrë këtë dëshirë. …

Anëtarët e gjallë njohin nevojën për të vepruar në bazë të besimeve të tyre. Këta shenjtorë janë angazhuar me zell që të bëjnë shumë vepra të mira dhe fisnike me vullnetin e pëlqimin e tyre të lirë [shih DeB 58:27]. …

Anëtarët e gjallë e duan njëri-tjetrin. Ata i vizitojnë jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre. Ata e mbajnë veten të panjollosur nga bota [shih Jakob [Bibla] 1:27]. …

Ne kemi një besim të patundur te thënia se kjo është kisha e vërtetë dhe e gjallë e Perëndisë së vërtetë dhe të gjallë. Pyetja që ne duhet ende t’i përgjigjemi është: “A jam unë i përkushtuar dhe i angazhuar, një anëtar i vërtetë dhe i gjallë?”

Qëndrofshim të patundur dhe qofshim anëtarë të vërtetë dhe të gjallë të Kishës dhe marrshim shpërblimin e premtuar për të qenë midis atyre për të cilët flitet te Doktrina e Besëlidhjet, “që kanë ardhur në malin Sion dhe në qytetin e Perëndisë së gjallë, vendin qiellor, më të shenjtin e të gjithëve” (DeB 76:66).11

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Rishikoni mësimet e Presidentit Hanter rreth ndryshimit midis një “ndihmes[e]” dhe “angazhimi[t] tërësor” (pjesa 1). Çfarë ndryshimi ndodh në jetën tonë kur jemi tërësisht të angazhuar ndaj Perëndisë? Çfarë zbatimesh mund të ketë për ne historia e Shadrakut, Meshakut dhe Abed-negos?

  • Rishikoni tregimin e Presidentit Hanter rreth Jozueut te pjesa 2. Çfarë mund të mësoni nga ky tregim rreth të qenit tërësisht të angazhuar ndaj Perëndisë? Si mund të zhvillojmë një angazhim për t’iu bindur Perëndisë pavarësisht se çfarë bëjnë të tjerët? Si mund t’i ndihmojmë fëmijët dhe të rinjtë që ta zhvillojnë këtë angazhim?

  • Cilat janë përshtypjet tuaja ndërsa rishikoni historitë nga shkrimet e shenjta te pjesa 3? Cilët janë disa shembuj të tjerë nga shkrimet e shenjta për bindjen që kanë ndikuar te ju? Përse mendoni se “Zoti do … një vendosmëri të patundur për t’iu bindur këshillës së Tij”?

  • Përsiatni mësimet e Presidentit Hanter te pjesa 4. Përse vetëm besimi “nuk është i mjaftueshëm”? Si na ndihmon bërja e vullnetit të Atit Qiellor që të përgatitemi për kohë trazire? Si mund t’i zbatojmë mësimet e Presidentit Hanter rreth të jetuarit të fesë sonë?

  • Rishikoni secilin nga përshkrimet e Presidentit Hanter të një “anëtar[i të] gjallë” te pjesa 5. Si mund t’i zhvillojmë këto cilësi të “anëtar[ëve të] gjallë”? Shqyrtoni si mund të jeni një “anëtar i vërtetë dhe i gjallë” më i mirë në Kishë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

1 Samuelit 15:22–23; Psalmeve 1:1–3; Jakob [Bibla] 2:14–26; 2 Nefi 32:9; Omni 1:26; Mosia 2:41; Alma 37:35–37; 3 Nefi 18:15, 18–20; DeB 58:26–29; 97:8; Abraham 3:24–26

Ndihmë për Mësimdhënien

Lexoni së bashku disa citime nga kapitulli. Pas leximit të secilit citim, kërkojini anëtarëve të klasës të tregojnë shembuj nga shkrimet e shenjta dhe nga vetë përvojat e tyre që lidhen mësimet te citimi.

Shënime

  1. Në Conference Report, tetor 1959, f. 121.

  2. Në Eleanor Knowles, Howard W. Hunter (1994), f. 153.

  3. “The Opening and Closing of Doors”, Ensign, nëntor 1987, f. 54.

  4. Në Knowles, Howard W. Hunter, f. 151.

  5. “Standing As Witnesses of God”, Ensign, maj 1990, f. 60–62.

  6. “Commitment to God”, Ensign, nëntor 1982, f. 57–58.

  7. “Obedience” (bisedë dhënë në Konferencën e Zonës së Havait, 18 qershor 1978), f. 5, Church History Library, Salt Lake City.

  8. “Commitment to God”, f. 58.

  9. Në Conference Report, tetor 1967, f. 11, 12–13.

  10. The Teachings of Howard W. Hunter, red. Clyde J. Williams (1997), f. 111–112.

  11. “Am I a ‘Living’ Member?” Ensign, maj 1987, f. 16–18.