Mësime të Presidentëve
Kapitulli 24: Ndjekja e Shembullit të Jezu Krishtit


Kapitulli 24

Ndjekja e Shembullit të Jezu Krishtit

“Ne duhet në çdo rast të pyetim veten: ‘Çfarë do të bënte Jezusi?’ dhe pastaj të jemi më guximtarë për të vepruar sipas përgjigjes.”

Nga Jeta e Hauard W. Hanterit

Presidenti Tomas S. Monson, që shërbeu si këshilltar i dytë i Presidentit Hanter, tha se ai “jetoi siç jepte mësim, sipas modelit të Shpëtimtarit të cilit ai i shërbeu”.1

Një mik i afërt vërejti se “tiparet e mishëruara nga Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, shfaqeshin shumë bukur në jetën e shkëlqyer dhe vetëmohuese të Presidentit Hanter. Gjithë njerëzimi ishin miq të tij.”2

Një tjetër koleg që punoi ngushtësisht me Presidentin Hanter për më shumë se tri dekada tha: “[Ai] e dinte instinktivisht kursin që do të ndiqte. Ai kurs do të ishte për t’i ngjasuar karakterit të Shpëtimtarit të tij, Jezu Krishtit”3.

Gjatë gjithë shërbesës së tij, Presidenti Hanter i nxiti me dashuri anëtarët e Kishës që të ndiqnin shembullin e Shpëtimtarit. Në deklaratën e tij të parë si President i Kishës, ai tha:

“Do t’i ftoja të gjithë anëtarët e Kishës të jetojnë me vëmendje gjithmonë e më të madhe ndaj jetës e shembullit të Zotit Jezu Krisht, veçanërisht ndaj dashurisë, shpresës dhe dhembshurisë që shfaqi Ai.

Unë lutem që ne të mund ta trajtojmë njëri-tjetrin me më shumë mirësi, më shumë mirësjellje, më shumë përulësi, durim dhe falje. Ne kemi pritshmëri të lartë për njëri-tjetrin dhe të gjithë mund të përmirësohemi. Bota jonë ka nevojë për më shumë të disiplinuar që i jetojnë urdhërimet e Perëndisë. Por mënyra që ne duhet ta nxitim këtë, siç Zoti i tha Profetit Jozef në thellësitë e ftohta të Burgut Liberti, është ‘nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur; … pa hipokrizi dhe pa mashtrim’ (DeB 121:41–42).”4

Pamja
Krishti duke u lutur

“Nëse duhet të ndjekim shembullin e Krishtit dhe të ecim në gjurmët e Tij, ne duhet të përpiqemi të bëjmë të njëjtat gjëra sipas modelit që Ai vendosi.”

Mësime të Hauard W. Hanterit

1

Jezu Krishti dha shembullin e përsosur për ne.

Të jesh një dritë është të jesh një shembullor – një njeri që vendos një shembull dhe është një model që të tjerët ta ndjekin. … [Ne kemi bërë besëlidhje] për të ndjekur Krishtin, shembullin e madh. Ne kemi përgjegjësinë të mësojmë për Të, gjërat që Ai dha mësim dhe gjërat që Ai bëri gjatë shërbesës së Tij tokësore. Kur i kemi mësuar këto mësime, ne jemi nën urdhërimin që të ndjekim shembullin e Tij, dhe këto janë disa nga shembujt që Ai ka vendosur për ne:

1. Krishti ishte i bindur dhe i guximshëm në jetën para lindjes, duke fituar kështu privilegjin e ardhjes në vdekshmëri dhe duke marrë një trup prej mishi e kockash.

2. Ai u pagëzua me qëllim që dera e mbretërisë çelestiale të mund të hapej.

3. Ai mbante priftërinë dhe mori të gjitha ordinancat shpëtuese dhe ekzaltuese të ungjillit.

4. Jezusi shërbeu për rreth tre vjet në një shërbesë mësimdhënieje të ungjillit, duke dhënë dëshmi për të vërtetën dhe duke u mësuar njerëzve se çfarë të bëjnë për të gjetur gëzim dhe lumturi në këtë jetë dhe lavdi të përjetshme në botën që vjen.

5. Ai kreu ordinanca përfshirë bekimin e fëmijëve, pagëzime, administrim të të sëmurit dhe ordinanca të priftërisë.

6. Ai kreu mrekulli. Me urdhër të Tij të verbrit iu dha dritë, i shurdhri dëgjoi, i gjymtuari kërceu dhe i vdekuri u rikthye në jetë.

7. Në përputhje me mendimin dhe vullnetin e Atit, Jezusi jetoi një jetë të përsosur pa mëkat dhe mori të gjitha cilësitë e perëndishmërisë.

8. Ai e mundi botën; që do të thotë Ai i vuri fre çdo pasioni dhe u ngrit mbi qenien e mishit dhe të epshit, kështu që Ai jetoi dhe eci siç drejtohej nga Shpirti.

9. Ai bëri të ndodhë Shlyerja, duke shpëtuar kështu njerëzit nga vdekja [shpirtërore dhe fizike] të shkaktuar nga rënia e Adamit.

10. Tani, i ringjallur dhe i përlëvduar, Ai ka fituar gjithë fuqinë në qiell dhe në tokë, ka marrë plotësinë e Atit dhe është një me Të.

Nëse duhet të ndjekim shembullin e Krishtit dhe të ecim në gjurmët e Tij, ne duhet të përpiqemi të bëjmë të njëjtat gjëra sipas modelit që Ai vendosi.5

Është e rëndësishme të kujtojmë se Jezusi ishte në gjendje të mëkatonte, që ai mund të nënshtrohej, që plani i jetës dhe i shpëtimit mund të kishte dështuar, por që Ai qëndroi i vërtetë. Nëse nuk do të kishte mundësi dorëzimi nga Ai ndaj tundimit të Satanit, nuk do të kishte provë reale, fitore të vërtetë në përfundim. Në qoftë se Atij do t’i ishte hequr e drejta të mëkatonte, Atij do t’i ishte hequr vetë liria e zgjedhjes. Ishte Ai që pati ardhur të mbronte dhe të siguronte lirinë e zgjedhjes së njeriut. Ai duhej të ruante aftësinë dhe zotësinë të mëkatonte nëse do të donte të vepronte kështu.6

Deri në fund të jetës së Tij të vdekshme Jezusi po demonstronte madhështinë e shpirtit të Tij dhe përmasën e fuqisë së Tij. Ai, edhe në këtë orë të fundit, nuk u pushtua në mënyrë egoiste nga brengat e veta ose nga mendimi i dhimbjes kërcënuese. Ai me shqetësim ishte i pranishëm në nevojat e tashme dhe të ardhshme të pasuesve të Tij të dashur. Ai e dinte se vetë siguria e tyre, individualisht dhe si Kishë, varej vetëm nga dashuria e tyre e pakushtëzuar për njëri-tjetrin. Gjithë energjitë e Tij duket që ishin drejtuar te nevojat e tyre, duke dhënë kështu mësim nëpërmjet shembullit çka e kishte dhënë mësim me këshilla morale. Ai u dha atyre fjalë ngushëllimi dhe urdhërimi dhe paralajmërimi.7

Edhe gjatë shërbesës së Tij tokësore midis grigjës së vet në Tokën e Shenjtë edhe në shërbesën e Tij pas vdekjes midis deleve të shpërndara në Hemisferën Perëndimore, Zoti demonstroi dashurinë dhe kujdesin e Tij për individin.

I ngjeshur mes një turme, Ai ndjeu prekjen e vetme të një gruaje që kërkonte lehtësim nga një sëmundje nga e cila kishte vuajtur për rreth dymbëdhjetë vite. (Shih Lluka 8:43–48.) Në një rast tjetër, ai pa përtej paragjykimit të përqendruar fort të një turme ndëshkuese dhe mëkatit të asaj që rrinte e akuzuar. Ndoshta duke ndjerë gatishmërinë e saj për t’u penduar, Krishti zgjodhi të shihte vlerën e individit dhe i tha asaj të largohej e të mos mëkatonte më. (Shih Gjoni 8:1–11.) Në një rast tjetër, “ai i mori fëmijët e tyre të vegjël, një nga një, dhe i bekoi dhe iu lut Atit për ta”. (3 Nefi 17:21; theksimi i shtuar.)

Kur sprovat e Gjetsemanit dhe të Kalvarit po afroheshin me shpejtësi, me shumë rëndesë që binte fort në mendjen e Tij, Shpëtimtari pati kohë të vinte re të venë që hidhte qindarkat e veta. (Shih Marku 12:41–44.) Po ashtu, vështrimi i Tij kapi Zakeun shtatshkurtër, i cili në pamundësi që të shihte për shkak të masës së atyre që ishin mbledhur përreth Shpëtimtarit, ishte ngjitur në një fik për të parë Birin e Perëndisë. (Shih Lluka 19:1–5.) Ndërsa qe varur në agoni mbi kryq, Ai e anashkaloi vuajtjen e vet dhe ndihmoi me shqetësim të dhembshur gruan që qante, e cila i pati dhënë jetë Atij. (Shih Gjoni 19:25–27.)

Sa shembull i mrekullueshëm për ne që ta ndjekim! Edhe në mes të një brenge dhe dhembjeje të madhe vetjake, Shembulli ynë u drejtua të bekonte të tjerët. … Jeta e Tij nuk ishte e përqendruar te gjërat që Ai nuk i kishte. Ajo ishte një jetë e drejtuar në shërbim të të tjerëve.8

2

Le ta ndjekim Birin e Perëndisë në të gjitha udhët dhe fushat e jetës.

Një nga pyetjet më të rëndësishme që u është bërë njerëzve të vdekshëm ndonjëherë ishte nga vetë Biri i Perëndisë, Shpëtimtari i botës. Një grup dishepujsh në Botën e Re, një grup i dëshiruar të mësohej prej Tij madje më i dëshiruar ngaqë shpejt Ai do t’i linte, Ai e pyeti: “Çfarë lloj njerëzish duhet të jeni?” Pastaj në të njëjtën kohë Ai dha këtë përgjigje: “Madje siç jam unë” (3 Nefi 27:27).

Bota është plot me njerëz që janë të gatshëm të na thonë neve: “Bëni siç them unë”. Sigurisht ne nuk kemi mungesë këshilluesish rreth çfarëdo teme. Por kemi vetëm pak nga ata që janë gati të thonë: “Bëj siç bëj unë”. Dhe, sigurisht, vetëm Një në historinë njerëzore mund ta bënte drejt dhe siç duhet këtë deklaratë. Historia jep shumë shembuj burrash dhe grash të mira, por edhe të vdekshmit më të mirë në një mënyrë a një tjetër janë me të meta. Askush nuk mund të shërbejë si një model i përsosur as si një model i pagabueshëm për t’u ndjekur, sado me synime të mira që mund të jetë.

Vetëm Krishti mund të jetë ideali ynë, “ylli [ynë] i ndritshëm i mëngjesit” (Zbulesa 22:16). Vetëm Ai mund të thotë pa asnjë rezervë: “Ndiqmëni mua, mësoni nga unë, [dhe] bëni gjërat që më keni parë të bëj. Pini nga uji im dhe hani nga buka ime. Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Unë jam ligji dhe drita. Shikoni tek unë dhe do të jetoni. Ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve” (shih Mateu 11:29; 16:24; Gjoni 4:13–14; 6:35, 51; 7:37; 13:34; 14:6; 3 Nefi 15:9; 27:21).

Sa thirrje e qartë dhe kumbuese! Çfarë sigurie dhe shembulli në një ditë pasigurie dhe mungese shembulli! …

… Sa mirënjohës duhet të jemi që Perëndia dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur në tokë … për të vendosur një shembull të përsosur të të jetuarit drejt, të mirësisë, mëshirës dhe dhembshurisë, me qëllim që gjithë pjesa tjetër e njerëzimit të mund të dijë si të jetojë, të dijë si të përmirësohet dhe të dijë si të bëhet më shumë si Perëndia.

Le ta ndjekim Birin e Perëndisë në të gjitha udhët dhe fushat e jetës. Le ta bëjmë Atë shembullin tonë dhe udhërrëfyesin tonë. Ne duhet në çdo rast të pyetim veten: “Çfarë do të bënte Jezusi?” dhe pastaj të jemi më guximtarë për të vepruar sipas përgjigjes. Ne duhet të ndjekim Krishtin, në kuptimin më të mirë të kësaj fjale. Ne duhet të merremi me punën e Tij siç u mor Ai me punën e të Atit. Ne duhet të përpiqemi të jemi si Ai, madje siç thotë kënga e Fillores: “Përpiqu, përpiqu, përpiqu” (Children’s Songbook, f. 55). Deri në masën që e lejojnë fuqitë tona të vdekshme, ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për t’u bërë si Krishti – ai shembull i përsosur dhe pa mëkat që ka parë ndonjëherë kjo botë.9

Përsëri dhe përsëri gjatë shërbesës tokësore të Zotit tonë, Ai bëri një thirrje që ishte njëherësh ftesë dhe sfidë. Pjetrit dhe vëllait të tij Andreas, Krishti u tha: “Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”. (Mateu 4:19.) Të riut pasanik që pyeti se çfarë duhej të bënte që të kishte jetë të përjetshme, Jezusi iu përgjigj: “Shko, shit ç’të kesh, jepua të varfërve … pastaj eja dhe më ndiq mua”. (Mateu 19:21.) Dhe secilit prej nesh Jezusi i thotë: “Në qoftë se dikush më shërben, të më ndjekë”. (Gjoni 12:26.)10

Le ta studiojmë çdo mësim të Mësuesit dhe t’ia kushtojmë veten më plotësisht shembullit të Tij. Ai na ka dhënë neve “të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë”. Ai “na thirri me lavdinë dhe virtytin e vet” dhe “na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëhe[mi] pjesëtarë të natyrës hyjnore” (2 Pjetër 1:3–4).11

Ata të cilët e ndjekin Krishtin kërkojnë të ndjekin shembullin e Tij. Vuajtja e Tij në emër të mëkateve, mangësive, brengave dhe sëmundjeve tona, duhet të na nxitë ne që t’i ndihmojmë po ashtu me dashuri hyjnore dhe dhembshuri ata përreth nesh. …

… Kërkoni mundësi për shërbim. Mos u shqetësoni me tepri për pozitën. A e kujtoni këshillën e Shpëtimtarit lidhur me ata që kërkojnë “kryet e vendit” ose “vendet e para”? “Dhe më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj.” (Mateu 23:6, 11.) Është e rëndësishme të jesh i vlerësuar. Por përqendrimi ynë duhet të jetë te drejtësia, jo te fama; te shërbimi, jo te pozita. Mësuesja vizitore besnike, që shkon qetësisht në punën e saj muaj për muaj, është po aq e rëndësishme për punën e Zotit sa ata që zënë ato që disa i quajnë si pozita më të rëndësishme në Kishë. Dukshmëria nuk barazohet me vlerën.12

Pamja
Krishti me Apostujt

Një mënyrë me të cilën mund ta modelojmë jetën tonë sipas shembullit të Shpëtimtarit është të ndjekim urdhërimin e Tij drejtuar Pjetrit: “Kulloti qengjat e mi! … Kulloti delet e mia” (Gjoni 21:15–17).

3

Shpëtimi ynë varet nga përkushtimi ynë për ta ndjekur Shpëtimtarin.

Ftesa e Zotit për ta ndjekur Atë është individuale dhe vetjake, dhe është bindëse. Ne nuk mund të qëndrojmë përherë midis dy mendimeve. Secili prej nesh duhet ndonjëherë të përballet me pyetjen thelbësore: “Kush thoni se jam unë?” (Mateu 16:15.) Shpëtimi ynë vetjak varet nga përgjigjja jonë ndaj kësaj pyetjeje dhe përkushtimi ynë ndaj asaj përgjigjeje. Përgjigjja e zbuluar e Pjetrit ishte: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë” (Mateu 16:16). Shumë, shumë dëshmitarë mund të japin një përgjigje të njëjtë me të njëjtën forcë, dhe unë bashkohem me ta me mirënjohje të përulur. Por ne duhet secili t’i përgjigjemi vetë pyetjes – nëse jo tani, atëherë më vonë; sepse në ditën e fundit, çdo gju do të gjunjëzohet e çdo gjuhë do të pohojë se Jezusi është Krishti. Sfida jonë është të përgjigjemi në mënyrë korrekte dhe të jetojmë sipas saj përpara se të jetë përjetësisht tepër vonë. Gjersa Jezusi është vërtet Krishti, çfarë duhet të bëjmë ne?

Sakrifica supreme e Krishtit mund të bëhet plotësisht frytdhënëse në jetën tonë vetëm kur ne e pranojmë ftesën për ta ndjekur Atë [shih DeB 100:2]. Kjo thirrje nuk është e pavend, jo realiste apo e pamundur. Të ndjekësh një individ do të thotë ta vëresh atë ose ta dëgjosh nga afër; të pranosh autoritetin e tij, ta pranosh atë si udhëheqës dhe t’i bindesh atij; të përkrahësh dhe të mbrosh idetë e tij; dhe ta pranosh atë si model. Secili prej nesh mund ta pranojë këtë sfidë. Pjetri tha: “Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij” (1 Pjetër 2:21). Ashtu si mësimet që nuk përputhen me doktrinën e Krishtit janë të gënjeshtërta, edhe një jetë që nuk përputhet me shembullin e Krishtit është e drejtuar keq dhe nuk mund të arrijë pikën e saj të mundësive të mëdha. …

Drejtësia duhet të fillojë në vetë jetën tonë të veçantë. Ajo duhet të përfshihet në të jetuarit në familje. Prindërit kanë përgjegjësinë që të ndjekin parimet e ungjillit të Jezu Krishtit dhe t’ua japin mësim fëmijëve të tyre [shih DeB 68:25–28]. Feja duhet të jetë pjesë e të jetuarit tonë. Ungjilli i Jezu Krishtit duhet të bëhet ndikimi shtytës në gjithçka që bëjmë. Duhet të ketë më shumë përpjekje brenda me qëllim që të ndiqet shembulli i madh i vendosur nga Shpëtimtari, nëse duhet të bëhemi më shumë si Ai. Kjo bëhet sfida jonë e madhe.13

Në qoftë se mund ta modelojmë jetën tonë sipas Mësuesit dhe t’i përdorim mësimet dhe shembullin e Tij si modelin tonë më të lartë, nuk do ta kemi të vështirë të jemi të qëndrueshëm e besnikë në çdo aspekt të jetës, sepse do të jemi të përkushtuar ndaj një standardi të vetëm e të shenjtë sjelljeje dhe besimi. Qoftë në shtëpi apo në treg, qoftë në shkollë apo shumë kohë pasi shkollën ta kemi mbaruar, qoftë nëse veprojmë krejtësisht të vetëm apo së bashku me një mori njerëzish të tjerë, drejtimi ynë do të jetë i qartë dhe standardet tona do të jenë të dukshme. Ne do të kemi vendosur, siç profeti Alma tha: “Të qëndro[jmë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që [ne] të gjende[mi], madje deri në vdekje”. (Mosia 18:9.)14

4

Ne duhet të krijojmë vend për Krishtin.

Asaj nate në Bethlehem nuk kishte vend për Të në han dhe kjo nuk ishte hera e vetme gjatë tridhjetë e tre vjetëve të qëndrimit të Tij në vdekshmëri që nuk kishte vend për Të. Herodi dërgoi ushtarë në Bethlehem për të vrarë fëmijët. Nuk kishte vend për Jezusin në tokën e Herodit, kështu që prindërit e Tij e morën atë në Egjipt. Gjatë shërbesës së Tij, qenë të shumë ata që nuk bënë vend për mësimet e Tij – asnjë vend për ungjillin që Ai e jepte mësim. Nuk kishte vend për mrekullitë e Tij, për bekimet e Tij, asnjë vend për të vërtetat hyjnore që Ai thoshte, asnjë vend për dashurinë apo besimin e Tij. Ai u tha atyre: “Dhelprat i kanë strofkat, dhe zogjtë e qiellit i kanë çerdhet, por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën”. (Mateu 8:20).

Edhe në ditët tona, edhe pse kanë kaluar dy mijë vjet, ka shumë që thonë të njëjtën gjë që ishte thënë atë natë në Bethlehem. “Nuk ka vend, asnjë vend” (shih Lluka 2:7). Ne bëjmë vend për dhuratat, por ndonjëherë asnjë vend nuk bëhet për dhënësin. Kemi vend për reklamën e Krishtlindjes dhe madje për të kërkuar kënaqësi në ditën e Shabatit, por ka raste kur nuk ka vend për adhurim. Mendimet tona janë mbushur me të tjera gjëra – nuk ka vend.15

Ndërsa do të jetë një pamje e mrekullueshme të shohësh dritat e Krishtlindjes … , është më e rëndësishme të kesh jetë njerëzore të ndriçuar nga pranimi i Atij që është drita e botës [shih Alma 38:9; DeB 10:70]. Ne vërtet duhet ta mbajmë Atë lart si udhërrëfyesin dhe shembullin tonë.

Në prag të lindjes së Tij, engjëjt kënduan: “Dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij” (Lluka 2:14). Nëse njerëzit do të ndiqnin shembullin e Tij, do të ishte një botë e paqes dhe e dashurisë ndaj të gjithë njerëzve.16

Cila është përgjegjësia jonë sot si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme? Ajo është që të shohim se jeta jonë vetjake pasqyron me fjalë dhe me vepra ungjillin siç jepet mësim nga Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Gjithçka që bëjmë dhe themi duhet të jetë e modeluar sipas shembullit të Atij personi pa mëkat për të ecur në tokë, madje Zotit Jezu Krisht.17

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Rishikoni mënyrat e shumta që Shpëtimtari ka vendosur një shembull për ne, siç është përvijuar në pjesën 1. Si ka ndikuar shembulli i Shpëtimtarit te ju? Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Tij gjatë pjesës së fundit të jetës së Tij të vdekshme?

  • Presidenti Hanter na këshillon “të pyetim veten: ‘Çfarë do të bënte Jezusi?’ dhe pastaj të jemi më guximtarë për të vepruar sipas përgjigjes” (pjesa 2). Shqyrtoni si mund të jeni më guximtarë në ndjekjen e shembullit të Shpëtimtarit. Si mund ta japim mësim këtë parim në familjet tona?

  • Çfarë mund të na ndihmojë t’i kuptojmë mësimet në pjesën 3 rreth ndjekjes së Jezu Krishtit? Si mund të jetë ndryshe jeta juaj nëse nuk do të kishit ndikimin e mësimeve dhe shembullit të Shpëtimtarit? Si mund ta bëjmë më shumë fenë tonë pjesë të jetës sonë të përditshme?

  • Përsiatni se çfarë thotë Presidenti Hanter rreth “[mos pasjes] vend” për Shpëtimtarin (pjesa 4). Si mund të bëjmë më shumë vend për Shpëtimtarin në jetën tonë? Si jeni bekuar ju kur keni bërë më shumë vend për Të?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Mateu 16:24–27; Gjoni 10:27–28; 14:12–15; 1 Pjetër 2:21–25; 2 Nefi 31:12–13; 3 Nefi 12:48; 18:16; 27:20–22; DeB 19:23–24

Ndihmë për Mësimdhënien

Siguroni libra himnesh për secilin person. Ftojini pjesëmarrësit të gjejnë dhe të tregojnë një himn që lidhet me fragmente të veçanta që ata lexojnë te kapitulli.

Shënime

  1. Thomas S. Monson, “President Howard W. Hunter: A Man for All Seasons”, Ensign, prill 1995, f. 33.

  2. Jon M. Huntsman Sr., “A Remarkable and Selfless Life”, Ensign, prill 1995, f. 24.

  3. Francis M. Gibbons, Howard W. Hunter: Man of Thought and Independence, Prophet of God (2011), f. 152.

  4. Në Jay M. Todd, “President Howard W. Hunter: Fourteenth President of the Church”, Ensign, qershor 1994, f. 4–5.

  5. The Teachings of Howard W. Hunter, red. Clyde J. Williams (1997), f. 40–41.

  6. “The Temptations of Christ”, Ensign, nëntor 1976, f. 19.

  7. “His Final Hours”, Ensign, maj 1974, f. 19.

  8. “The Church Is for All People”, Ensign, qershor 1989, f. 76–77.

  9. “What Manner of Men Ought Ye to Be?” Ensign, maj 1994, f. 64; shih edhe “He Invites Us to Follow Him”, Ensign, shtator 1994, f. 2–5; “Follow the Son of God”, Ensign, nëntor 1994, f. 87.

  10. “An Apostle’s Witness of Christ”, Ensign, janar 1984, f. 69.

  11. “Exceeding Great and Precious Promises”, Ensign, nëntor 1994, f. 8.

  12. “To the Women of the Church”, Ensign, nëntor 1992, f. 96–97.

  13. “He Invites Us to Follow Him”, f. 2, 4; shih edhe “An Apostle’s Witness of Christ”, f. 69–71; Conference Report, tetor 1961, f. 109.

  14. “Standing As Witnesses of God”, Ensign, maj 1990, f. 60.

  15. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 41–42.

  16. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 44–45.

  17. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 45.