Mësime të Presidentëve
Kapitulli 11: Nderimi i Çelësave të Priftërisë të Rivendosur nëpërmjet Jozef Smithit


Kapitulli 11

Nderimi i Çelësave të Priftërisë të Rivendosur nëpërmjet Jozef Smithit

“Më lejoni të them tani – shumë qartë dhe shumë prerazi – se ne e kemi priftërinë e shenjtë dhe se çelësat e mbretërisë së Perëndisë janë këtu. Ata gjenden vetëm në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.”

Nga Jeta e Jozef Filding Smithit

Presidenti Jozef Filding Smith shpalli: “Unë kam dituri të përsosur për misionin hyjnor të Profetit Jozef Smith. Nuk ka dyshim në mendjen time se Zoti e ngriti atë dhe i dha atij zbulesë, urdhërim, ia hapi qiejt dhe e thirri të qëndronte në krye të kësaj periudhe të lavdishme ungjillore.”1 Presidenti Smith e bashkoi këtë “dituri të përsosur” me një nderim plot respekt për çelësat e priftërisë të rivendosur nëpërmjet Profetit Jozef. Ai gjithmonë i nderoi dhe i mbështeti ata që mbajtën çelësat dhe i këshilloi të gjithë anëtarët e Kishës të kishin po të njëjtin respekt. Ai tha: “Çdo burrë që është zgjedhur në mënyrën e duhur për të kryesuar në ndonjë detyrë në Kishë, duhet të respektohet në thirrjen e tij”2.

Në një rast gjatë shërbimit të Jozef Filding Smithit si apostull, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve u përfshinë në një diskutim të vazhdueshëm rreth një çështjeje të vështirë. Plaku Smith kishte shprehur një mendim të fortë lidhur me çështjen. Një ditë Presidenti Hiber J. Grant, i cili ishte atëherë Presidenti i Kishës, erdhi në zyrën e Plakut Smith. Presidenti Grant shpjegoi se pas marrjes në konsideratë plot lutje të çështjes, ai kishte ndier përshtypjen që të rekomandonte një veprim, i cili ndryshonte nga pikëpamjet e Plakut Smith. Menjëherë Plaku Smith shprehu mbështetjen e tij për vendimin e Presidentit Grant. Më vonë ai shpalli: “Përsa ka lidhje me mua, kur Presidenti i Kishës thotë se Zoti i ka treguar atij ose e ka frymëzuar atë të bëjë diçka, unë do ta mbështes atë tërësisht në atë veprim”3.

Jozef Filding Smith u dha një mbështetje të tillë të gjithë udhëheqësve të tij të priftërisë, jo vetëm Presidentit të Kishës. Për shembull, Nejthën Eldon Taneri u thirr të shërbente si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve në tetor 1962. Një vit më vonë, ai u thirr si Këshilltar i Presidencës së Parë, duke e vendosur atë në një detyrë kryesuese mbi Presidentin Smith, i cili ishte Presidenti i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Presidenti Taner më vonë shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Presidentit Smith: “Kur u thirra në Presidencën e Parë, edhe pse ai ishte anëtari më epror i Të Dymbëdhjetëve dhe kishte qenë në detyrë për më shumë se pesëdhjetë vjet, ai tregoi respekt të madh për mua në atë detyrë dhe më dha mbështetje dhe mirëbesim të plotë”4.

Presidenti Smith gjithashtu i respektoi udhëheqësit e priftërisë në lagjen e tij. Kur po shërbente si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ai tha: “Unë nuk kam të drejtë … të pagëzoj një nga vetë fëmijët e mi pa shkuar fillimisht te peshkopi në lagjen ku jetoj dhe pa marrë miratimin e tij, sepse ai mban çelësat për atë lagje të cilës i përkas si anëtar. Unë kurrë nuk kam pagëzuar ndonjë nga fëmijët e mi … pa shkuar te peshkopi dhe pa marrë lejimin e tij për ta kryer atë ordinancë dhe për t’i konfirmuar ata anëtarë të Kishës.”5

Mësime të Jozef Filding Smithit

1

Çelësat e priftërisë janë fuqia dhe autoriteti për të drejtuar punën e Zotit në tokë.

Ka ndryshim midis marrjes së një detyre në priftëri dhe marrjes së çelësave të priftërisë. Këtë duhet ta kuptojmë qartësisht. …

… Ndërkohë që gjithë burrat mbajnë priftërinë, të cilët shugurohen në ndonjë detyrë, prapë ka autoritete të veçanta ose drejtuese, të dhuruara atyre që thirren për të kryesuar. Këto autoritete quhen çelësa.6

Çelësat [e priftërisë] janë e drejta e presidencës; ata janë fuqia dhe autoriteti për të qeverisur dhe drejtuar të gjitha punët e Zotit në tokë. Ata që i mbajnë ato çelësa, kanë fuqi për të qeverisur dhe kontrolluar mënyrën në të cilën të gjithë të tjerët mund të shërbejnë në priftëri.7

Kur burrat autorizohen nga ai që i mban këto çelësa, atëherë veprat e tyre janë të vlefshme. Ajo që ata bëjnë, vuloset dhe miratohet në Kishë si në tokë ashtu dhe në qiej.8

2

Zoti ka dërguar lajmëtarë të shenjtë nga prania e Tij për të rivendosur çelësat e priftërisë.

Ne besojmë se pas një nate të gjatë errësire, mosbesimi dhe largimi nga të vërtetat e Krishterimit të pastër dhe të përkryer, Zoti me urtësinë e tij të pafundme ia ka rivendosur përsëri tokës plotësinë e ungjillit të përjetshëm.

Ne e dimë se Jozef Smithi është një profet; se Ati dhe Biri iu shfaqën atij në pranverën e 1820-ës për të filluar këtë periudhë përfundimtare ungjillore; se ai përktheu Librin e Mormonit me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë; se ai i mori çelësat dhe autoritetin nga engjëjt të dërguar pikërisht për këtë qëllim; dhe se Zoti ia zbuloi atij doktrinat e shpëtimit.9

Zoti nuk e njeh një ordinancë ose ceremoni, edhe pse bëhet ose kryhet në emrin e tij, në qoftë se nuk është në përputhje me vullnetin e tij dhe nuk bëhet nga dikush që njihet si një shërbëtor i tij i autorizuar. Ishte për atë arsye që ai u dërgoi nga prania e tij lajmëtarë të shenjtë Jozef Smithit dhe të tjerëve, për të rivendosur atë që ishte marrë nga toka, madje plotësinë e ungjillit dhe plotësinë dhe çelësat e priftërisë.10

Çelësat e priftërisë duhej të rivendoseshin. Nuk ishte e mjaftueshme që Gjon Pagëzori erdhi me çelësat e Priftërisë Aarone dhe Pjetri, Jakobi dhe Gjoni me çelësat e Priftërisë Melkizedeke, me anë të të cilave u organizua Kisha, por duhej të ishte një hapje e qiejve dhe një rivendosje e çelësave të mbajtur nga të gjithë profetët, të cilët kishin kryesuar periudha ungjillore nga ditët e Adamit deri në ditët e Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit. Këta profetë erdhën një nga një dhe secili i dhuroi Jozef Smithit autoritetin që mbante.11

Pamja
Study sketch with grid for Melchizedek Priesthood restoration. Peter, James and John are ordaining a kneeling sandy haired Joseph while Oliver, dressed in brown kneels at the side.

Kur Pjetri, Jakobi dhe Gjoni u dhanë Priftërinë Melkizedeke Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit, ata gjithashtu u dhuruan çelësat e priftërisë.

Të gjithë çelësat e gjithë periudhave ungjillore duhej të silleshin me qëllim që të përmbusheshin fjalët e profetëve dhe qëllimet e Zotit që të bëhej të ndodhte një rivendosje e plotë e të gjitha gjërave. Si rrjedhim ati i familjes njerëzore, burri i parë në tokë, Adami, duhej të vinte dhe ai erdhi me fuqinë e tij. Erdhi Moisiu dhe të tjerët. Erdhën të gjithë ata që kishin çelësa dhe i dhuruan autoritetet e tyre. … Ne nuk i kemi datat kur disa nga këto autoritete u shfaqën, por Profeti Jozef Smith, kur u shkroi shenjtorëve në Nauvu lidhur me shpëtimin e të vdekurve, shpalli, sikurse e kemi të shënuar në seksionin 128 të Doktrina e Besëlidhje [vargjet 17–21], se gjithë këta profetë erdhën me çelësat e tyre në periudhën ungjillore në të cilën jetojmë ne.12

Pas organizimit të Kishës, Zoti i urdhëroi shenjtorët e Tij që të ndërtonin një shtëpi për emrin e Tij. Shenjtorët vështirë se e kuptuan rëndësinë e tij dhe nuk shkuan të punonin menjëherë për ta ndërtuar atë shtëpi, kështu që Zoti i qortoi [shih DeB 95:1–4]. Pas qortimit ata e filluan punën me gjithë fuqinë e tyre dhe në varfërinë e tyre e ndërtuan tempullin e Kirtlandit. Përse u ndërtua ai? Si një faltore e shenjtë ku mund të vinte Jezu Krishti, ku Ai mund të dërgonte shërbëtorët e Tij, profetët, me çelësat e tyre të autoritetit. … Ne e dimë se tre nga profetët e mëdhenj të lashtë, të cilët mbanin çelësa të rëndësishëm, vërtet erdhën në ditën e tretë të prillit në vitin 1836.

Fillimisht erdhi Moisiu [shih DeB 110:11]. Ai u dha Jozef Smithit dhe Oliver Kaudri çelësat e mbledhjes të Izraelit. … Ai e mblodhi Izraelin dhe, edhe pse nuk pati privilegjin t’i bënte ata të zotëronin tokën, përsëri çelësat ishin në duart e tij për mbledhjen. Ai i erdhi Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit në malin e shpërfytyrimit dhe atje dhuroi mbi ta të njëjtat çelësa për mbledhjen e Izraelit në kohën në të cilën ata jetuan. Ai u dërgua te Profeti Jozef Smith dhe Oliver Kaudri për t’iu dhuruar çelësat e mbledhjes së Izraelit në periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve. …

Eliasi erdhi pasi Moisiu kishte dhënë çelësat e tij dhe solli ungjillin e periudhës ungjillore në të cilën jetoi Abrahami [shih DeB 110:12]. Gjithçka që lidhet me atë periudhë ungjillore, bekimet që iu dhanë Abrahamit, premtimet që iu dhanë pasardhësve të tij, të gjitha duhej të rivendoseshin dhe Eliasi, që mbante çelësat e asaj periudhe ungjillore, erdhi.

Atëherë Elija, i fundit i profetëve që mbanin çelësat e fuqisë vulosëse në Izraelin e lashtë, erdhi dhe e dhuroi atë fuqi, fuqinë e vulosjes [shih DeB 110:13–16]. Disa anëtarë të Kishës janë ngatërruar duke menduar se Elija erdhi me çelësat e pagëzimit për të vdekurit ose për shpëtimin për të vdekurit. Çelësat e Elijas ishin më të mëdha se ajo. Ata ishin çelësat e vulosjes dhe ata çelësa të vulosjes kanë lidhje me të gjallët dhe i përfshijnë edhe të vdekurit që janë të gatshëm për t’u penduar.13

Elija, profeti … dhuroi mbi ta [Jozef Smithin dhe Oliver Kaudrin] fuqinë vulosëse, fuqinë për ta përdorur priftërinë për të lidhur në tokë dhe për të vulosur në qiell.14

Fuqi[a] vulosëse vendos vulën e miratimit mbi çdo ordinancë që bëhet në këtë Kishë dhe më praktikisht ato që kryhen në tempujt e Zotit.15

Pamja
Elijah in the air above Joseph Smith and Oliver Cowdery

Në tempullin e Kirtlandit, Elija iu shfaq Jozef Smithit e Oliver Kaudrit dhe u dhuroi çelësat e vulosjes.

Vëllezër e motra, kjo është një periudhë e lavdishme ungjillore. Të gjitha periudhat e tjera ungjillore rrjedhin në të. Gjithë autoritetet, gjithë fuqitë, përqendrohen në këtë periudhë ungjillore në të cilën jetojmë. Ne kemi privilegjin të marrim pjesë në këto bekime nëpërmjet besnikërisë sonë.16

Më lejoni të them tani – shumë qartë dhe shumë prerazi – se ne e kemi priftërinë e shenjtë dhe se çelësat e mbretërisë së Perëndisë janë këtu. Ata gjenden vetëm në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.17

3

Presidenti i Kishës mban çelësat mbi mbarë Kishën.

Pak kohë përpara martirizimit të tij, Profeti [Jozef Smith] u dhuroi Dymbëdhjetë Apostujve – që përbëjnë kuorumin e dytë në Kishë – gjithë çelësat e gjithë ordinancat dhe priftërinë e nevojshme për ta për t’i mbajtur, me qëllim që ta vazhdonin këtë vepër të madhe dhe të lavdishme të shpëtimit të mbarë botës.18

Kjo priftëri dhe këta çelësa … i janë dhënë secilit burrë që është veçuar si anëtar i Këshillit të Të Dymbëdhjetëve. Por përderisa ata kanë të drejtën për të qenë presidentë, ata mund të ushtrohen plotësisht vetëm nga apostulli më epror i Perëndisë në tokë, i cili është presidenti i Kishës.19

Presidenti i Kishës mban çelësat mbi mbarë Kishën. … Në të përqendrohet fuqia e Priftërisë. Ai i mban të gjithë çelësat e çdo natyre, që lidhen me periudhën ungjillore të Plotësisë së Kohëve. Të gjithë çelësat e periudhave të mëparshme ungjillore, që janë zbuluar, i jepen atij.20

4

Ne duhet të tregojmë nderim për ata, të cilëve Presidenti i Kishës u ka ngarkuar çelësa autoriteti.

[Presidenti i Kishës] ka të drejtën ta japë autoritetin dhe ta marrë autoritetin, siç e sheh të përshtatshme dhe siç merr frymëzim për të vepruar.21

Kujtoni se ka vetëm një mbi faqen e tokës, i cili mban fuqinë vulosëse të priftërisë dhe ai mund t’ua ngarkojë atë fuqi të tjerëve, që ata të mund të veprojnë e të mund të vulosin në tokë dhe ajo është e vlefshme, është lidhëse, për aq kohë sa ai e lejon atë; nëse e tërheq atë, asnjë burrë nuk mund ta ushtrojë atë fuqi.22

Asnjë burrë nuk mund të kryesojë dhe të japë bekimet e tempullit pa autoritetin për ta bërë këtë, të ngarkuar atij nga Presidenti i Kishës. Asnjë burrë nuk mund të veprojë në ndonjë detyrë në këtë Kishë pa meritën që e shoqëron atë në atë veprim, e cila fitohet nëpërmjet fuqisë dhe çelësave të mbajtur nga Presidenti i Kishës. … Nëse nëpërmjet meritës së çelësave të tij, ai duhet të thotë se privilegje të caktuara do të merren prej njerëzve, atëherë asnjë burrë nuk do të ketë autoritet për të kryesuar në dhënien e atyre privilegjeve të veçanta. Nëse dikush përpiqet ta bëjë këtë, veprimi do të ishte i pavlefshëm dhe ai që përpiqet të veprojë kështu, do të duhet të përgjigjet përpara shufrës së Perëndisë, nëse jo përpara Kishës, dhe do të gjendet në shkelje. …

… Kur apostujt ose vëllezër të tjerë vizitojnë kunjat e Sionit dhe caktohen të rregullojnë ndonjë gjë që kërkon vëmendje atje, ata e bëjnë atë nëpërmjet porosisë ose autoritetit, që u jepet atyre nga Presidenti i Kishës. Po i njëjti parim zbatohet në një shkallë më të ulët në kunje dhe në lagje.23

Çdo burrë që zgjidhet në mënyrën e duhur për të kryesuar në ndonjë detyrë në Kishë, duhet të nderohet në thirrjen e tij. Kur një burrë shugurohet me detyrën e një peshkopi, atij i jepen çelësat e kryesimit mbi lagjen në të cilën jeton dhe duhet të respektohet në thirrjen e tij nga çdo anëtar i lagjes, pavarësisht nga detyra që ndonjëri mund të mbajë. E njëjta është e vërtetë për presidentin e kunjit, presidentin e një kuorumi ose çfarëdo mund të jetë. Për të ilustruar se çfarë do të thotë kjo, ne mësohemi se asnjë atë nuk e ka të drejtën, edhe pse mund të mbajë Priftërinë Melkizedeke, për të pagëzuar një nga vetë fëmijët e tij pa marrë fillimisht lejimin nga peshkopi i tij. Kur lejimi merret, ati autorizohet për ta kryer atë ordinancë për fëmijën e tij. Nëse ndonjë baba e merr mbi vete të kryejë një pagëzim, ose të shugurojë birin e tij, pa marrë fillimisht lejimin nga drejtuesi kryesues në lagje ose kunj, si të jetë rasti, i cili mban çelësat e autoritetit, ai do të jetë në shkelje. Kjo kërkohet nga një apostull, sikurse edhe nga plaku në një lagje. Madje edhe Presidenti i Kishës kurrë nuk do të mendonte të vepronte në ndonjë çështje të këtij lloji pa njoftuar fillimisht peshkopin e lagjes së tij ose presidentin e kunjit të tij dhe autoritetin që u ishte dhënë peshkopit ose presidentit të kunjit.24

5

Zëri i bashkuar i atyre që mbajnë çelësat e mbretërisë, gjithmonë do të na udhëheqë atje ku Zoti na dëshiron të jemi.

Mendoj se ka një gjë që duhet ta kemi jashtëzakonisht të qartë në mendjen tonë. As Presidenti i Kishës, as Presidenca e Parë, as zëri i bashkuar i Presidencës së Parë dhe i Të Dymbëdhjetëve nuk do t’i udhëheqin kurrë shenjtorët në rrugë të gabuar apo t’i dërgojnë botës këshillë që është në kundërshtim me mendjen dhe vullnetin e Zotit.

Një individ mund të jetë larguar nga e vërteta, ose të ketë pikëpamje apo të japë këshillë që nuk përputhet me atë që Zoti ka ndërmend. Por zëri i Presidencës së Parë dhe zëri i bashkuar i atyre të tjerëve që mbajnë me vete çelësat e mbretërisë, gjithmonë do t’i drejtojnë shenjtorët dhe botën në ato shtigje ku Zoti dëshiron që ata të jenë. …

Unë dëshmoj se, nëse ne do të shohim te Presidenca e Parë dhe do të ndjekim këshillën dhe drejtimin e tyre, asnjë fuqi në tokë nuk mund ta ndalojë ose ndryshojë udhën tonë si kishë dhe si individë ne do të fitojmë paqe në këtë jetë dhe do të jemi trashëgimtarë të lavdisë së përjetshme në botën që vjen [shih DeB 59:23].25

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Në çfarë mënyrash mund ta ndjekim shembullin e Presidentit Smith kur i mbështesim ata që mbajnë çelësat e priftërisë? (Shih “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit”.)

  • Si ju ndihmon pjesa 1 të kuptoni ndryshimin midis mbajtjes së një detyre në priftëri dhe mbajtjes së çelësave të priftërisë? Përse mendoni se ky është një dallim i rëndësishëm?

  • Në çfarë mënyrash jeni bekuar ngaqë çelësat e priftërisë janë rivendosur në tokë? (Shih pjesën 2.)

  • Si mendoni se forcohet Kisha nga organizimi i përshkruar në pjesët 3 dhe 4? Si forcohen anëtarët si individë të Kishës?

  • Cilat janë ndjenjat tuaja kur merrni parasysh fjalët e Presidentit Smith rreth unitetit midis Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve? Kur keni marrë udhërrëfim nga “zëri [i tyre] i bashkuar”? (Shih pjesën 5.)

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Mateu 16:13–19; Veprat e Apostujve 3:21; DeB 21:4–6; 27:5–13; 65:2; 128:8–21; 132:7

Ndihmë për Mësimdhënien

“Mund të ketë … raste kur nuk e dini përgjigjen e një pyetjeje. Nëse kjo ndodh, thjesht thoni se ju nuk e dini. Ju mund të dëshironi të thoni se do të përpiqeni ta gjeni përgjigjen. Ose ju mund të doni të ftoni nxënësit ta gjejnë përgjigjen, duke u dhënë atyre kohë në një mësim tjetër për të treguar mbi atë që kanë mësuar” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 64).

Shënime

  1. Në Conference Report, prill 1951, f. 58.

  2. Answers to Gospel Questions, përmb. Joseph Fielding Smith Jr., 5 vëll. (1957–1966), 2:40.

  3. Në Francis M. Gibbons, Joseph Fielding Smith: Gospel Scholar, Prophet of God (1992), f. 342.

  4. N. Eldon Tanner, “A Man without Guile”, Ensign, gusht 1972, f. 33.

  5. “Principles of the Gospel: The New and Everlasting Covenant”, Deseret News, 6 maj 1939, seksioni i Kishës, f. 5; shih edhe Doctrines of Salvation, redakt. Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–1956), 3:136–137.

  6. Në Conference Report, prill 1967, f. 98.

  7. “Eternal Keys and the Right to Preside”, Ensign, korrik 1972, f. 87.

  8. Në Conference Report, prill 1967, f. 99.

  9. “Out of the Darkness”, Ensign, qershor 1971, f. 4.

  10. “The Coming of Elijah”, Ensign, janar 1972, f. 5.

  11. “The Keys of the Priesthood Restored”, Revista Gjenealogjike dhe Historike e Jutas, korrik 1936, f. 98–99.

  12. “The Keys of the Priesthood Restored”, f. 101.

  13. “The Keys of the Priesthood Restored”, f. 99–100.

  14. Në Conference Report, prill 1970, f. 58.

  15. Në Conference Report, prill 1948, f. 135; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:129.

  16. “The Keys of the Priesthood Restored”, f. 101.

  17. “Eternal Keys and the Right to Preside”, f. 87–88.

  18. Doctrines of Salvation, 3:154.

  19. “Eternal Keys and the Right to Preside”, f. 87.

  20. “Priesthood—Restoration of Keys”, Deseret News, 16 shtator 1933; seksioni i Kishës, f. 4; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:135.

  21. “The Keys of the Priesthood Restored”, f. 101; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:135.

  22. Elijah the Prophet and His Mission dhe Salvation Universal (1957), f. 50; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:136.

  23. Në Conference Report, prill 1967, f. 98–99.

  24. Answers to Gospel Questions, 2:40–41.

  25. “Eternal Keys and the Right to Preside”, f. 88.