Mësime të Presidentëve
Kapitulli 4: Forcimi dhe Ruajtja e Familjes


Kapitulli 4

Forcimi dhe Ruajtja e Familjes

“Është vullneti i Zotit që të forcohet dhe të ruhet njësia familjare.”

Nga Jeta e Jozef Filding Smithit

Presidenti Jozef Filding Smith shpalli: “Familja është organizata më e rëndësishme në kohë apo në përjetësi”1. Ai e mësoi këtë shumë qartësisht në vetë shtëpinë e tij, duke dhënë një shembull si bashkëshort, baba dhe gjysh i dashur. Pavarësisht programit të tij të ngjeshur ditor si Apostull, ai gjithmonë gjente kohë për familjen e tij, “që të plotësonte për ditët që ishte larg, duke e dyfishuar dozën e dashurisë për ta kur ishte në shtëpi”2.

Gruaja e dytë e Presidentit Smith, Ethel, një herë u pyet: “A do të na tregoni diçka rreth njeriut që ju njihni?” E vetëdijshme se shumë anëtarë të Kishës e shihnin bashkëshortin e saj si tepër të ashpër, ajo u përgjigj:

“Ju më kërkoni t’ju tregoj për njeriun që unë njoh. Shpesh kam menduar se kur të jetë larguar, njerëzit do të thonë: ‘Ai është një njeri shumë i mirë, i sinqertë, i bindur ndaj doktrinës etj’. Ata do të flasin për të ashtu si publiku e njeh; por njeriu që ata kanë në mendje është shumë ndryshe nga njeriu që unë njoh. Njeriu që unë njoh është një bashkëshort dhe baba i mirë e i dashur, për të cilin qëllimi më i madh në jetë është ta bëjë familjen e tij të lumtur, duke e harruar plotësisht veten në përpjekjet e tij për ta bërë këtë. Ai është njeriu që vë në gjumë fëmijën që grindet, që u tregon histori të vegjëlve përpara se t’i zërë gjumi, që nuk është kurrë shumë i lodhur apo i zënë me punë për të qëndruar vonë natën apo për t’u ngritur herët në mëngjes për t’i ndihmuar fëmijët më të mëdhenj që të zgjidhin probleme të ndërlikuara shkollore. Kur një anëtar i familjes sëmuret, njeriu që unë njoh kujdeset me dhembshuri për të sëmurin dhe i shërben atij. Ata qajnë për të atin, duke e parë praninë e tij si një ilaç për sëmundjet e tyre. Janë duart e tij që lidhin plagët, krahët e tij që i japin kurajë të vuajturit, zëri i tij që i këshillon ata butësisht kur gabojnë, derisa bëhet lumturia e tyre që të bëjnë gjënë që do ta bëjë atë të lumtur. …

Njeriu që unë njoh është jo egoist, që nuk ankohet, i vëmendshëm, i kujdesshëm, zemërdhembshur, që bën çdo gjë brenda mundësive të tij për ta bërë jetën shumë të gëzueshme për të dashurit e tij. Ky është njeriu që unë njoh.”3

Fëmijët e Presidentit Smith ndanë shembuj të përpjekjeve të tij për ta forcuar dhe ruajtur familjen e tij dhe “për ta bërë jetën shumë të gëzueshme” për ta. Në një biografi të Jozef Filding Smithit, bashkautorët Jozef Filding Smith i Riu dhe Xhon J. Stjuart përfshinë kujtimin në vijim: “Ishte një ditë e lumtur për fëmijët e tij, kur panë babin e tyre që vuri një përparëse dhe filloi të piqte shumë ëmbëlsira. Ëmbëlsira e përzier me rrush të thatë, mollë, erëza etj, ishte një nga të parapëlqyerat e tij. Ai e bëri vetë mbushjen me këtë përzierje. Por ai provoi edhe lloje të tjera ëmbëlsirash: me mollë, qershi, pjeshkë dhe kungull. Përpjekjet e tij për të bërë ëmbëlsira u bënë një projekt familjar, kur fëmijët u dërguan andej-këndej [në shtëpi] që të ndihmonin për të mbledhur mjetet dhe përbërësit e nevojshëm. Aroma e mrekullueshme dhe tunduese e ëmbëlsirave që piqeshin në furrën e madhe e bënë familjen të lumtur ndërsa mezi prisnin t’i hanin ato. Ai i kontrollonte ato me kujdes ndërsa piqeshin, që të mos i nxirrte më herët apo më vonë. Ndërkohë, Etheli përziente porcionin e akullores së bërë në shtëpi dhe fëmijët e bënë me radhë që të rrotullonin dorezën e makinës së akullores.”4

Daglas A. Smith tha se ai dhe babai i tij kishin një “marrëdhënie të shkëlqyer”. Ai tregoi shembuj të veprimtarive që ata i pëlqenin së bashku: “Një herë në kaq kohë ne bënim boks ose të paktën shtireshim sikur bënim boks. Kisha shumë respekt për ta goditur dhe ai kishte shumë dashuri për të më goditur. … Pak a shumë ishte si të bëje boks me një kundërshtar imagjinar. Ne luanim shah dhe gëzohesha kur e mundja. Tani, kthej kokën pas dhe mendoj se ndoshta humbja ishte e parapërgatitur.”5

Amelia Smith Mek-Konki kujtoi: “Ishte pothuajse qejf të sëmureshe sepse ai na kushtonte vëmendje të veçantë. … Ai na argëtonte duke na vënë muzikë të mirë në fonogramin e vjetër të Edisonit. Për kënaqësinë tonë, ai kërcente ose marshonte nëpër dhomë dhe madje përpiqej të këndonte. … Ai na sillte portokaj të bukur, të mëdhenj e të ëmbël dhe ulej mbi shtrat për t’i qëruar, më pas na jepte thelë pas thele. Ai na tregonte histori për fëmijërinë e tij ose se si babai i tij kujdesej për të kur ishte i sëmurë. Nëse ishte e përshtatshme, ai na jepte një bekim.”6 Amelia gjithashtu, zbuloi metodën e babait të saj për disiplinimin e fëmijëve të tij: “Nëse ndonjëri prej nesh kishte nevojë të korrigjohej për ndonjë sjellje jo të mirë, ai thjesht vendoste duart e tij në shpatullat tona dhe duke na parë drejt e në sy me një shikim të lënduar, thoshte: ‘Do doja që fëmijët e mi të ishin të mirë’. Asnjë shuplakë apo ndëshkim tjetër nuk do të kishte qenë ndonjëherë më i efektshëm.”7

Dashuria dhe vëmendja e Presidentit Smith ndaj fëmijëve të tij shtrihej edhe te nipërit e mbesat e tij. Nipi i tij Hoit W. Bruster i Riu tregoi për një rast kur, si një misionar në Holandë, ai u lejua të merrte pjesë në përkushtimin e Tempullit të Londrës në Angli në 1958-ën. Kur ai dhe misionarë të tjerë hynë në sallën e mbledhjes, gjyshi i tij e pa atë. Hoit më vonë kujtoi: “Pa asnjë moment ngurrimi, ai u ngrit nga karrigia e tij dhe zgjati krahët, duke ma bërë me shenjë që të shkoja drejt tij. Në atë moment nuk pashë Jozef Filding Smithin, Presidentin e Këshillit të Dymbëdhjetë Apostujve … por një gjysh që pa një nga nipërit e tij, për të cilin ai kishte dashuri të madhe. Nuk ngurrova të shkëputesha nga grupi dhe të nxitoja te podiumi, ku ai më përqafoi dhe më puthi përpara gjithë asaj asambleje solemne. Për mua ai ishte një nga momentet më të shenjta dhe më të paharrueshme të jetës sime.”8

Mësime të Jozef Filding Smithit

1

Familja është organizata më e rëndësishme në kohë apo në përjetësi.

Më lejoni t’ju kujtoj pikërisht se sa e rëndësishme është njësia familjare në planin e përgjithshëm të Atit tonë në qiell. Në fakt, organizimi i Kishës me të vërtetë ekziston për të ndihmuar familjen dhe anëtarët e saj për të arritur ekzaltimin.

Bashkimi familjar dhe zotimi familjar ndaj ungjillit janë kaq të rëndësishme saqë kundështari e ka drejtuar shumicën e vëmendjes e së tij për shkatërrimin e familjeve në shoqërinë tonë. Në çdo anë ka sulm mbi integritetin moral themelor të familjes, si themeli i asaj që është e mirë dhe fisnike në jetë. … Liberalizimi i ligjeve të abortit kudo në botë sugjeron shpërfilljen ekzistuese për shenjtërinë e jetës. Familjet po copëtohen nga përdorimi në rritje i drogave të paligjshme dhe abuzimit të drogave të ligjshme. Mosrespektimi për njerëzit me autoritet nga shumë e më shumë të rinj zakonisht fillon me mosrespektimin dhe mosbindjen në shtëpi. …

Teksa forcat e së ligës e sulmojnë individin duke shkatërruar rrënjët e tij familjare, bëhet vendimtare për prindërit shenjtorë të ditëve të mëvonshme që të mbajnë dhe forcojnë familjen. Ndoshta mund të ketë pak individë shumë të fortë që mund të mbijetojnë pa mbështetjen e një familjeje, por shumë prej nesh kanë nevojë për dashurinë, mësimin dhe pranimin që vjen nga ata që na kanë shumë për zemër.9

Ka disa të vërteta të vjetra të cilat do të jenë të vërteta për aq kohë sa bota të qëndrojë, dhe që nuk mund t’i ndryshojë asnjë nivel përparimi. Njëra nga këto është që familja (organizata që përbëhet nga babai, nëna dhe fëmijët) është themeli i të gjitha gjërave në Kishë; një tjetër, që mëkatet kundër jetës familjare të pastër e të shëndetshme janë ato të cilat, nga të gjitha të tjerat, në fund me siguri kanë pasojat më të rënda mbi kombet në të cilat ato ndodhin. …

Shumë më e rëndësishme sesa pyetja për punën apo pasurinë e njerëzve, është pyetja se si drejtohet jeta e tyre familjare. Të gjitha gjërat e tjera janë me pasoja të vogla, për aq kohë sa ka shtëpi të vërteta dhe për aq kohë sa ata që i përbëjnë këto shtëpi bëjnë detyrën e tyre ndaj njëri-tjetrit.10

Pamja
Family reading a book.

“Ungjilli është i përqendruar te familja; ai duhet të jetohet në familje.”

Nuk ka zëvendësues për një shtëpi të drejtë. Kjo mund të mos merret shumë parasysh në botë, por është dhe duhet të jetë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Familja është njësia në mbretërinë e Perëndisë.11

Familja është organizata më e rëndësishme në kohë apo në përjetësi. … Është vullneti i Zotit që të forcohet dhe të ruhet njësia familjare. Ne u lutemi etërve që të marrin vendin që u takon si kreu i shtëpisë. Ne u kërkojmë nënave që t’i mbështesin dhe t’i përkrahin bashkëshortët e tyre dhe të jenë dritë për fëmijët e tyre.12

Ungjilli është i përqendruar te familja; ai duhet të jetohet në familje. Është këtu që ne marrim formimin tonë më të madh dhe më të rëndësishëm, teksa kërkojmë të krijojmë për veten tonë njësi familjare të përjetshme, të modeluara sipas familjes së Perëndisë Atit tonë.13

2

Zoti e krijoi familjen për të qëndruar përjetësisht.

Martesa, kemi mësuar, është një parim i përjetshëm i shuguruar përpara krijimit të botës dhe u themelua në këtë tokë përpara se vdekja të hynte në të. Prindërit tanë të parë u urdhëruan që të shumoheshin dhe të mbushnin tokën. Natyrshëm vijon që organizimi i familjes kishte për qëllim të ishte edhe i përjetshëm. Në planin e përgatitur për këtë tokë, ligjet që qeverisin në botën çelestiale u bënë themeli. Vepra e madhe dhe lavdia e Zotit është “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”. [Moisiu 1:39.] E vetmja mënyrë që kjo mund të bëhet është nëpërmjet martesës dhe familjes, në fakt ky është rregulli i përjetshëm midis të ekzaltuarve dhe ka qenë botë pa fund.14

Plani i dhënë në Ungjill për qeverisjen e njeriut në këtë tokë është tipike e ligjit që qeveris mbretërinë e Perëndisë. A është e mundur të përfytyrosh një burim më të madh dhembjeje sesa të lihesh në botën e përjetshme pa të drejtë për babanë ose nënën apo fëmijët? Mendimi për një komb pa njësinë familjare si themelin e saj bazë, ku të gjithë qytetarët janë relativisht të huaj për njëri-tjetrin dhe ku nuk gjendet dashuria e natyrshme; ku asnjë lidhje familjare nuk i lidh grupet së bashku, është një mendim i tmerrshëm. Një gjendje e tillë mund të çojë vetëm drejt një fundi – anarki dhe shpërbërje. A nuk është e arsyeshme të besosh të njëjtën gjë në lidhje me mbretërinë e Perëndisë? Nëse në atë mbretëri, nuk do të kishte lidhje familjare dhe të gjithë burrat dhe gratë të ishin “engjëj” pa lidhje familjare natyrale, siç besojnë shumë njerëz, a mund të ishte ai një vend lumturie – një qiell?15

Në tempullin e Zotit, një çift shkon për t’u vulosur ose martuar për kohën dhe për gjithë përjetësinë. Fëmijët e lindur në atë bashkim do të jenë fëmijët e atij babai dhe asaj nëne jo vetëm në jetën në vdekshmëri por në të gjithë përjetësinë, dhe ata bëhen anëtarë të familjes së Perëndisë në qiell e në tokë, siç thuhet nga Pali [shih Efesianëve 3:14–15] dhe ai rregull familjar nuk duhet të thyhet kurrë. …

… Ata fëmijë që u lindin atyre kanë të drejtën e shoqërimit të atit dhe nënës, dhe ati e nëna janë të detyruar përpara Atit të tyre të Përjetshëm për të qenë të vërtetë ndaj njëri-tjetrit dhe për t’i rritur ata fëmijë në dritë e të vërtetë, që në përjetësitë që do të vijnë, të jenë një – një familje brenda familjes së madhe të Perëndisë.16

Ne duhet të kujtojmë, si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, se jashtë mbretërisë çelestiale nuk ka organizim familjar [pas vdekjes]. Ai organizim është ruajtur për ata që janë të gatshëm të qëndrojnë në çdo besëlidhje dhe në çdo detyrim që jemi thirrur për të pranuar, ndërsa udhëtojmë këtu në këtë jetë të vdekshme.17

Mbretëria e Perëndisë do të jetë një familje e madhe. Ne e quajmë veten vëllezër e motra. Ne me të vërtetë bëhemi bashkëtrashëgimtarë me Jezu Krishtin nëpërmjet ungjillit të Jezu Krishtit [shih Romakëve 8:16–17], bij dhe bija të Perëndisë, dhe me të drejta për plotësinë e bekimeve të mbretërisë së tij, nëse do të pendohemi dhe mbajmë urdhërimet.18

Shpresa e jetës së përjetshme, duke përfshirë ribashkimin e anëtarëve të familjes kur të ndodhë ringjallja, i sjell zemrës dashuri dhe dhembshuri më të madhe për çdo anëtar të familjes. Me këtë shpresë, bashkëshortët janë të prirur t’i duan bashkëshortet e tyre me një dashuri më të fortë e më të shenjtë; dhe bashkëshortet në të njëjtën mënyrë t’i duan bashkëshortët e tyre. Ndjenja dhe përkujdesja e dhembshur nga ana e prindërve për fëmijët e tyre është rritur, sepse fëmijët bëhen të afërt me ta me lidhje dashurie dhe lumturie të cilat nuk mund të thyhen.19

3

Ne i forcojmë dhe i ruajmë familjet tona kur kalojmë kohë së bashku, kur e duam njëri-tjetrin dhe kur e jetojmë ungjillin së bashku.

Funksioni kryesor i një shtëpie të një shenjtori të ditëve të mëvonshme është që të sigurojë se çdo anëtar i familjes punon për të krijuar mjedisin dhe kushtet në të cilat të gjithë mund të rriten drejt përsosmërisë. Për prindërit, kjo kërkon përkushtim kohe dhe energjie, shumë më tepër sesa vetëm sigurimi i nevojave fizike të fëmijëve të tyre. Për fëmijët, kjo nënkupton kontrollimin e prirjeve të lindura drejt egoizmit.

A kaloni aq kohë sa duhet për ta bërë familjen dhe shtëpinë tuaj të suksesshme saç kaloni në ndjekjen e arritjeve shoqërore dhe profesionale? A jeni duke ia kushtuar energjinë tuaj më të mirë krijuese njësisë më të rëndësishme në shoqëri– familjes? Ose, a është marrëdhënia me familjen tuaj thjesht një pjesë monotone, joshpërblyese e jetës tuaj? Prindërit dhe fëmijët duhen të jenë të gatshëm që t’i vënë të parat përgjegjësitë familjare, me qëllim që të arrijnë ekzaltimin familjar.20

Pamja
Family walking around the Atlanta Georgia Temple

“Organizimi i Kishës me të vërtetë ekziston për të ndihmuar familjen dhe anëtarët e saj për të arritur ekzaltimin.”

Shtëpia … është vendi ku ndërtohen karakteret njerëzore dhe mënyra sipas së cilës formohen varet nga marrëdhëniet që ekzistojnë midis prindërve dhe fëmijëve. Shtëpia nuk mund të jetë ajo që duhet të jetë veç nëse këto marrëdhënie janë të natyrës së duhur. Nëse ato janë kështu ose jo varet, është e vërtetë, nga të dy prindërit dhe fëmijët, por shumë më tepër nga prindërit. Ata duhet të bëjnë më të mirën e tyre.21

“Oh, ik dhe më ler vetëm, mos më bezdis”, i tha një nënë e paduruar dhe me nxitim, vajzës së saj të vogël trivjeçare, e cila po përpiqej të ndihmonte për të bërë një punë të caktuar shtëpie. … Dëshira për të ndihmuar është e lindur te çdo fëmijë normal dhe prindërit nuk kanë asnjë të drejtë të ankohen. Nuk mund të ketë gjëra të tilla si punë angari kur të gjithë ndihmojnë me punët, dhe përmes të punuarit së bashku për të përfunduar këto detyra vjen shoqërimi më i këndshëm që mund të përjetohet.

Nëse do të më duhej të sugjeroja një gjë që unë mendoj se ne si prindër na mungon më shumë, do të ishte mirëkuptimi dashamirës i fëmijëve tanë. Jetoni me fëmijët; ndiqini shtigjet e tyre. … Merrni vesh gjithçka që tërheq interesin e fëmijëve, jini miqësor me ta.22

Ne jemi përpjekur t’i ndihmojmë prindërit të kuptojnë nevojën për t’u kushtuar më shumë vëmendje fëmijëve të tyre, duke pasur pak më shumë nga shpirti i ungjillit në shtëpitë e tyre, pak më shumë unitet dhe pak më shumë besim; pak më shumë përgjegjësi fetare, shpirtërore nga ana e etërve; gjithashtu nga nënat; më shumë nga mësimdhënia e ungjillit në shtëpi.23

Prindërve në Kishë ne u themi: “Duajeni njëri-tjetrin me gjithë zemrën tuaj. Mbajeni ligjin moral dhe jetojeni ungjillin. Rritini fëmijët tuaj në dritë e të vërtetë; mësojuni atyre të vërtetat shpëtuese të ungjillit; dhe bëjeni shtëpinë tuaj një qiell mbi tokë, një vend ku Shpirti i Zotit të mund të banojë dhe ku drejtësia të mund të mbretërojë në zemrën e çdo anëtari.”24

Lutem që Ati ynë Qiellor do të na japë të gjithëve ne forcën për të arritur potencialin tonë të vërtetë. Unë kërkoj Shpirtin e tij në shtëpitë e Kishës, që dashuria dhe harmonia të mund të gjenden atje. Ati ynë i ruajttë dhe i ekzaltoftë familjet tona.25

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Teksa lexoni historitë te pjesa “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit”, mendoni se si shembulli i Presidentit Smith mund të jetë një udhëzues në jetën tuaj. Mendoni rreth mënyrave se si ju personalisht mund të përmirësoheni për të forcuar marrëdhëniet familjare.

  • Meditoni mbi rëndësinë e familjes siç është përvijuar në pjesën 1. Çfarë jeni duke bërë për ta përforcuar familjen tuaj kundër ndikimeve negative të botës?

  • Presidenti Smith foli për “shpres[ën] e jetës së përjetshme, duke përfshirë ribashkimin e anëtarëve të familjes kur të ndodhë ringjallja” (pjesa 2). Si ndikon kjo shpresë në bashkëveprimin tuaj me anëtarët e familjes?

  • Në pjesën 3, Presidenti Smith bën tri pyetje që depërtojnë shpirtin. Përgjigjuni këtyre pyetjeve në mendjen tuaj. Ndërsa lexoni këtë pjesë, merrni parasysh ndryshimet që mund të bëni në jetën tuaj që mund të përmirësojnë ndjenjën në shtëpinë tuaj.

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Fjalët e Urta 22:6; 1 Nefi 8:37; DeB 88:119; 93:40–50; shih edhe “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”

Ndihmë për Mësimdhënien

“Kërkojuni pjesëmarrësve që të zgjedhin një pjesë [nga kapitulli] dhe ta lexojnë në heshtje. Ftojini ata të mblidhen në grupe me nga dy ose tre njerëz që zgjodhën të njëjtën pjesë, dhe të diskutojnë për atë që kanë mësuar” (nga faqja VII e këtij libri).

Shënime

  1. “Counsel to the Saints and to the World”, Ensign,korrik 1972, f. 27.

  2. Joseph Fielding Smith Jr. and John J. Stewart, The Life of Joseph Fielding Smith (1972), f. 14.

  3. Ethel Smith, në Bryant S. Hinkley,“Joseph Fielding Smith”, Improvement Era, qershor 1932, f. 459.

  4. Joseph Filding Smith Jr. and John J. Stewart, The Life of Joseph Fielding Smith f. 228.

  5. Douglas A. Smith, në D. Arthur Haycock, Exemplary Manhood Award, Fjalimet e Vitit në Universitetin “Brigam Jang” (prill 1972), f. 5.

  6. Amelia Smith McConkie, “Joseph Fielding Smith”, Church News, tetor 1993, f. 10.

  7. Amelia Smith McConkie, “Joseph Fielding Smith”, f. 10.

  8. Në Francis M. Gibbons, Joseph Fielding Smith: Gospel Scholar, Prophet of God (1992), f. 254.

  9. Në “Message from the First Presidency”, Ensign, janar 1971, brenda kopertinës dhe faqes 1.

  10. “Our Children—‘The Loveliest Flowers from God’s Own Garden’”, Relief Society Magazine, janar 1969, f. 4.

  11. Në Conference Report, tetor 1948, f. 152.

  12. “Counsel to the Saints and to the World”, f. 27.

  13. “Mothers in Israel”, Relief Society Magazine, dhjetor 1970, f. 886.

  14. The Way to Perfection (1931), f. 251.

  15. “A Peculiar People”, Deseret News, seksioni i Kishës, 2 prill 1932, f. 6; shih edhe Doctrines of Salvation, bot. Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–1956), 2:65–66.

  16. Në Conference Report, prill 1961, f. 49.

  17. Në Conference Report, tetor 1948, f. 153.

  18. Në Conference Report, prill 1959, f. 24.

  19. The Way to Perfection, f. 258.

  20. Në “Message from the First Presidency”, Ensign, janar 1971, f. 1.

  21. “Our Children—‘The Loveliest Flowers from God’s Own Garden’”, f. 6.

  22. “Our Children—‘The Loveliest Flowers from God’s Own Garden’”, f. 6–7.

  23. Take Heed to Yourselves! (1966), f. 354.

  24. “Counsel to the Saints and to the World”, f. 27.

  25. Në “Message from the First Presidency”, Ensign, janar 1971, f. 1.