2010–2019
Bëhu Shembull për Besimtarët
Tetor 2010


Bëhu Shembull për Besimtarët

Qoftë nëse jemi misionarë kohëplotë apo anëtarë, ne të gjithë duhet të bëhemi shembuj të mirë të besimtarëve tek Jezu Krishti.

Vëllezërit e mi të dashur, këtë mbrëmje jemi mbledhur në shumë vende në mbarë botën. Misionarë të mrekullueshëm kohëplotë janë mes nesh. Do të dëshiroja t’i ftoja të gjithë misionarët kohëplotë që të ngriheshin në këmbë. Kudo që të jeni, pleq dhe presidenca misioni, ju lutem ngrihuni në këmbë. Ne jemi mirënjohës për secilin prej jush! Ne ju falënderojmë! Ne ju duam! Mund të uleni.

Herë pas here, na duhet t’i kujtojmë vetes se përse kemi misionarë. Kjo është për shkak të një urdhërimi nga Zoti, që tha:

“Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë,

dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës.”1

Ky urdhërim është një prej të shumtëve, që janë ripërtëritur për shkak se ungjilli i Jezu Krishtit është rivendosur në plotësinë e tij. Misionarët shërbejnë tani njëlloj siç bënë në kohën e Dhiatës së Re. Libri i Veprave të Apostujve përshkruan punët e hershme misionare të Apostujve dhe dishepujve të tjerë në vijim të shërbesës së Zotit në vdekshmëri. Atje lexojmë për kthimin e shquar në besim dhe pagëzimin e Saulit nga Tarsi2, që më parë kishte qenë “duke shfryrë akoma kërcënime dhe kërdi kundër dishepujve të Zotit”3 dhe duke përndjekur anëtarë të një kishe të sapokrijuar. Nga fillime të tilla, Sauli u bë Pali i kthyer në besim, një nga misionarët më të mëdhenj të Zotit. 15 kapitujt e fundit të librit të Veprave të Apostujve raportojnë veprat misionare të Palit dhe shokëve të tij.

Në një letër drejtuar njërit prej shokëve të tij më të besuar, Pali i shkroi Timoteut të ri: “Askush të mos e shpërfillë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe dëlirësi”4. Kjo këshillë është po aq e vlefshme për ne tani sa qe atëherë. Ajo zbatohet për misionarët tanë kohëplotë; ajo zbatohet njëlloj për secilin anëtar të Kishës. Qoftë nëse jemi misionarë kohëplotë apo anëtarë, ne të gjithë duhet të bëhemi shembuj të mirë të besimtarëve tek Jezu Krishti.

Misionarët Kohëplotë

Misionarë kohëplotë, rreth 52.000 e më tepër, shërbejnë në 340 misione në mbarë botën. Ata janë besimtarë dhe shërbëtorë të përkushtuar të Zotit. Qëllimi i tyre është të “ftojnë të tjerët të vijnë tek Krishti duke i ndihmuar të marrin ungjillin e rivendosur me anë të besimit tek Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij, pendimit, pagëzimit, marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimit deri në fund”5.

Ashtu si Timoteu, shumica e misionarëve kohëplotë janë të rinj. Disa janë motra, disa janë misionarë në moshë. Ne e duam secilin prej tyre! Misionarët shërbejnë për ta bërë më të mirë jetën për fëmijët e Perëndisë. Ati Qiellor e do secilin prej fëmijëve të Tij. Sepse sigurisht, Ai është Ati i tyre. Ai dëshiron t’i bekojë ata me dhuratën e Tij më të madhe, atë të jetës së përjetshme6. Misionarët japin mësim kështu kudo që shërbejnë. Ata i ndihmojnë njerëzit të krijojnë besim në Zotin, të pendohen, të pagëzohen, të marrin Frymën e Shenjtë, të marrin ordinancat e tempullit dhe të durojnë besnikërisht deri në fund. Puna dhe lavdia e Perëndisë – “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”7 – është gjithashtu puna dhe lavdia e shenjtë e çdo misionari.

Ne na duhen më shumë misionarë – më shumë misionarë të denjë. Gjatë shërbesës së Tij tokësore, Zoti u tha dishepujve të Tij: “E korra është e madhe, kurse punëtorë janë pak; lutni Zotin e të korrës që të çojë punëtorë në të korrën e vet”8.

Në sesionin e këtij mëngjesi të konferencës së përgjithshme, Presidenti ynë i dashur, Tomas S. Monson, bëri një kërkesë të flaktë për çdo të ri të kësaj Kishe, që të përgatitet për shërbim misionar. Shpresoj që të gjithë këtij mesazhi, t’ia vënë veshin në çdo shtëpi të Kishës.

Këshillës së urtë të Presidentit Monson unë i shtoj dëshminë time. Në familjen time, kam vërejtur bekimet që i vijnë çdo misionari. Deri tani, numri i fëmijëve, nipërve e mbesave tona dhe bashkëshortëve e bashkëshorteve të tyre, të thirrur për të shërbyer si misionarë kohëplotë është 49 dhe ai numër do të vazhdojë të rritet. Në çdo rast, kam parë rritjen në urtësi, maturimin në gjykim dhe lulëzimin e besimit, që u zhvilluan tek secili misionar. Ata, ashtu si shumë breza përpara tyre, u nisën në shërbim të Perëndisë që “t’i shërbe[jnë] atij me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën [e tyre]”9. Shërbimi misionar ka ndihmuar për t’i dhënë formë fatit të tyre hyjnor.

Misionarët Anëtarë

Këshilla e Palit: “Bëhu shembull për besimtarët”, zbatohet njëlloj për anëtarët. Shumica nuk kanë qenë dhe ndoshta nuk do të jenë kurrë misionarë kohëplotë. Por të gjithë mund të jenë anëtarë misionarë. Ajo deklaratë më kujton tregimin për një ngjarje humoristike. Në një fushë të madhe loje në një qendër trajnimi misionar, u vendos një tabelë. Aty shkruhej: “Vetëm për misionarët!” Njerëzit, që gjithashtu dëshironin të luanin në atë fushë, vendosën një tabelë të re të tyren. Tabela e tyre shkruante: “Çdo Anëtar një Misionar!”

Çdo anëtar mund të jetë një shembull për besimtarët. Vëllezër, si pasues të Jezu Krishtit, secili prej jush mund të jetojë në përputhje me mësimet e Tij. Ju mund të keni “një zemër të kulluar dhe … duar të pastra”; ju mund të keni “shëmbëlltyrën e Perëndisë të gdhendur mbi pamjen tuaj”10. Veprat tuaja të mira do të jenë të dukshme për të tjerët11. Drita e Zotit mund të ndriçojë në sytë tuaj12. Me atë rrezatim, bëni mirë të përgatiteni se do t’ju bëjnë pyetje. Apostulli Pjetër këshilloi kështu: “Jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju”13.

Përgjigjja juaj le të jetë e ngrohtë dhe e gëzueshme. Dhe përgjigjja juaj le të jetë e përshtatshme për atë individ. Kujtoni, ai ose ajo është gjithashtu një fëmijë e Perëndisë, e po atij Perëndie që dëshiron fort që ai person të kualifikohet për jetën e përjetshme dhe të kthehet tek Ai një ditë. Ju mund të jeni pikërisht ai, i cili do t’i hapë derën shpëtimit dhe kuptueshmërisë së doktrinës së Krishtit14 prej tij ose asaj.

Pas përgjigjes tuaj fillestare, bëhuni gati të ndërmerrni hapin tjetër. Ju mund ta ftoni mikun tuaj të vijë në kishë me ju. Shumë nga miqtë tanë nuk e dinë se janë të mirëpritur në ndërtesat tona kishtare. “Eja dhe shiko” qe ftesa e Shpëtimtarit drejtuar atyre që dëshironin të mësonin më shumë për Të15. Një ftesë për të marrë pjesë në një mbledhje të diele me ju, ose për të marrë pjesë në një aktivitet shoqëror ose shërbimi të Kishës, do të ndihmojë të davaritë mitet e gabuara dhe t’i bëjë vizitorët të ndihen më rehat mes nesh.

Si anëtar i Kishës, drejtojuni atyre që nuk i njihni, dhe përshëndetini ngrohtësisht. Çdo të diel zgjatini një dorë shoqërimi të paktën një personi që nuk e njihnit më parë. Çdo ditë të jetës suaj, përpiquni fort ta zgjeroni vetë rrethin tuaj të miqësisë.

Ju mund ta ftoni një mik që të lexojë Librin e Mormonit. Shpjegoni se nuk është një roman apo libër historie. Ai është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit. Vetë qëllimi i tij është “për bindjen e Judenjve dhe Johebrenjve se Jezusi është Krishti, Perëndia i Amshuar, që ua shfaqi veten të gjitha kombeve”16 . Ka një fuqi në këtë libër, e cila mund të prekë zemrën dhe të lartësojë jetën e kërkuesve të ndershëm të së vërtetës. Ftojeni mikun tuaj ta lexojë librin plot lutje.

Profeti Jozef Smith tha “se Libri i Mormonit ishte më i sakti nga ndonjë libër mbi tokë dhe gurthemeli i besimit tonë, dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër”17. Libri i Mormonit na mëson për Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe është mjeti me anë të së cilit Perëndia do të përmbushë premtimin e Tij të lashtë për të mbledhur Izraelin e shpërndarë në këto ditë të mëvonshme18.

Shumë vite më parë, dy kolegë të mitë – një infermiere dhe bashkëshorti i saj mjek – më pyetën se përse jetoja ashtu si jetoja. U përgjigja: “Sepse e di që Libri i Mormonit është i vërtetë”. U dhashë hua kopjen time të librit, duke i ftuar që ta lexonin. Një javë më vonë, ata ma kthyen librin me një “shumë faleminderit” të sjellshme.

U përgjigja: “Çfarë do të thotë shumë faleminderit? Kjo është një përgjigje plotësisht e pavend për dikë që e ka lexuar këtë libër. Ju nuk e keni lexuar atë, apo jo! Ju lutem, merreni dhe lexojeni; atëherë ma ktheni përsëri.”

Duke pranuar se thjesht e kishin shfletuar, ata e pranuan ftesën time. Kur u kthyen, thanë plot lot: “Ne e kemi lexuar Librin e Mormonit. E dimë se është i vërtetë! Duam të dimë më shumë.” Ata mësuan më shumë dhe qe privilegji im t’i pagëzoja që të dy ata.

Një tjetër mënyrë se si ju mund të ndani ungjillin, është të ftoni miqtë të takohen me misionarë kohëplotë në shtëpinë tuaj. Ata misionarë janë thirrur dhe përgatitur që të japin mësim ungjillin. Miqtë tuaj, në rehatinë e shtëpisë suaj dhe me sigurimin tuaj të vazhdueshëm, mund të fillojnë udhëtimin e tyre drejt shpëtimit dhe ekzaltimit. Zoti tha: “Ju jeni thirrur që të bëni të ndodhë mbledhja e të zgjedhurve të mi; sepse të zgjedhurit e mi e dëgjojnë zërin tim dhe nuk i ngurtësojnë zemrat e tyre”19.

Shkrimi i shenjtë na thotë se “ka shumë vetë akoma mbi tokë … të cilët mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë”20. A nuk është kjo mundësia juaj? Ju mund të bëheni vetë dishepulli i tyre i zbulimit!

Tani në këtë kohë të internetit, ka mënyra të reja dhe emocionuese se si ju mund të bëni punë misionare. Ju mund të ftoni miq dhe fqinj që të vizitojnë faqen e re të internetit mormon.org. Nëse keni blogs [ditare në rrjet] dhe rrjete shoqërore në internet, ju mund t’i lidhni faqet tuaja me mormon.org. Dhe atje mund të krijoni vetë profilin tuaj personal. Çdo profil përfshin një shprehje të besimit, një përvojë dhe një dëshmi. Meqë është një mjet i ri, shumica e profileve janë të disponueshëm në anglisht. Profile në gjuhë të tjera do të vijojnë.

Këto profile mund të kenë një ndikim të thellë për mirë. Dy muaj më parë, një i ri që quhej Zak – student i vitit të parë në fakultet – pa një reklamë për mormon.org në televizor në Baton-Ruzh të Luizianës. Ai u lidh me këndin në internet dhe u bë kureshtar nga profilet e anëtarëve të Kishës. Në faqen tonë gjeti hallkën lidhëse, që e informoi se ku mund të shkonte në kishë. Të dielën e ardhshme, i veshur me këmishë të bardhë dhe kollare, ai mori pjesë në kishë, iu paraqit anëtarëve të lagjes dhe i shijoi të tri orët e mbledhjeve. Atë e ftuan në shtëpinë e një anëtari për drekë, pasuar nga mësimi i tij i parë prej misionarëve. Në më pak se dy javë, ai u pagëzua dhe u konfirmua si anëtar i Kishës21. Mirëseerdhe Zak! (Ai po dëgjon.)

Çdo ndjekës shembullor i Jezu Krishtit mund të bëhet një anëtar misionar efikas. Anëtarët dhe misionarët kohëplotë mund të punojnë krah për krah për t’ua sjellë bekimet e ungjillit miqve dhe fqinjëve të dashur. Shumë prej tyre janë të Izraelit, që tani po mblidhet siç është premtuar. E gjitha kjo është pjesë e përgatitjes për Ardhjen e Dytë të Zotit22. Ai dëshiron që secili prej nesh të jetë vërtet një shembull për besimtarët.

Unë e di që Perëndia jeton. Jezusi është Krishti. Kjo është Kisha e Tij. Libri i Mormonit është i vërtetë. Jozef Smithi është përkthyesi i tij dhe profeti i kësaj periudhe ungjillore të fundit. Presidenti Tomas S. Monson është profeti i Perëndisë sot. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

  1. Mateu 28:19–20.

  2. Shih Veprat e Apostujve 9:3–18.

  3. Veprat e Apostujve 9:1.

  4. 1 Timoteut 4:12; theksimi i shtuar.

  5. Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2004), f. 1.

  6. Shih Doktrina e Besëlidhje 14:7.

  7. Moisiu 1:39.

  8. Lluka 10:2.

  9. Doktrina e Besëlidhje 4:2.

  10. Alma 5:19.

  11. Shih Mateu 5:16; Alma 7:24.

  12. Shih Doktrina e Besëlidhje 88:11.

  13. 1 Pjetrit 3:15.

  14. (Shih 2 Nefi 31:2, 21.

  15. Gjoni 1:39. Për këtë model, shih edhe Zbulesa 6:1, 3, 5, 7.

  16. Faqja e titullit e Librit të Mormonit.

  17. Parathënia për Librin e Mormonit.

  18. Shih 3 Nefi 21:1–7.Vini re se këto shtatë vargje përbëjnë një fjali.

  19. Doktrina e Besëlidhje 29:7.

  20. Doktrina e Besëlidhje 123:12.

  21. Komunikim personal nga William G. Woods, President i Louisiana Baton Rouge Mission.

  22. Shih Malakia 4:5; 3 Nefi 25:5; Doktrina e Besëlidhje 2:1; 110:14–16; 128:17; 138:46; Joseph Smith – Historia 1:38.