2010–2019
Priftëria e Aaronit
Tetor 2010


Priftëria e Aaronit

Priftëria që ju mbani, është një dhuratë e veçantë, sepse dhuruesi është Vetë Zoti. Përdoreni atë, lartësojeni atë dhe jetoni të denjë për të.

Kur flisja në një konferencë të përgjithshme 25 vite përpara, unë paraqita një ndihmesë pamore që qëndronte pranë meje. Ishte nipi im më i madh. Ai pati marrë së fundi priftërinë Aarone dhe ishte shuguruar dhjak. Unë përfitova nga ai rast për t’i drejtuar vërejtjet e mia mbi rëndësinë e marrjes së priftërisë Aarone.

Unë i thashë nipit tim:

“Unë nuk jam tepër i kënaqur me kushtet materiale që ti dhe të rinjtë e tjerë po trashëgoni ndërsa merrni përsipër rolin tuaj për të ecur drejt burrërimit. Ndërsa ata prej nesh që janë më të moshuar kanë qenë në një moshë dhe pozitë për ta ndikuar botën, unë besoj se ne kemi dështuar rëndë përpara jush me lejimin që të krijohen këto kushte në botë. Kjo ju vendos juve në një pozitë ku shumë nga ata me të cilët ju duhet të shoqëroheni nuk janë edukuar me një kuptim apo respekt për vlerat tradicionale. Kështu, presioni nga shokët bëhet shumë më i vështirë dhe i skajshëm.

“Ne kemi sjellë në shtëpi radiot, videomagnetofonët dhe televizorët. Ndërsa secili ka mundësinë të sigurojë argëtim të shëndetshëm, shumë nga ajo që është prodhuar për të na kënaqur duke e dëgjuar dhe parë, nuk është e cilësisë për të frymëzuar dhe nxitur të rinjtë. Në fakt, shumë nga ajo që është prodhuar është degjeneruese. Rrotullimi i një çelësi në vetë shtëpinë tuaj ka forcën e shkatërrimit brenda jush të një ndjesie mbi atë që është e drejtë dhe atë që është e gabuar” (“I Confer the Priesthood of Aaron”, Ensign, nëntor 1985, f. 46).

Sa më shumë ndryshojnë gjërat, aq më shumë ato mbeten po ato – përveç teknologjisë. Unë jam i tunduar të pyes të rinjtë e Priftërisë Aarone nëse ata madje e dinë çfarë është një magnetofon. Për ata që nuk e dinë, është diçka që ne ishim mësuar të shkonim në dhomën e familjes dhe ta ndiznim që të mund të dëgjonim muzikë. Përfytyroni që – ne duhej të shkonim tek ai, në vend që ta merrnim me vete kudo.

Unë gjithashtu i mësova nipit tim Terri katër mësime sipas historisë së Danielit në Dhiatën e Vjetër. Unë i thashë atij 1) ta mbajë trupin e tij të shëndetshëm dhe të pastër; 2) të zhvillojë mendjen e tij dhe të bëhet i urtë; 3) të jetë i fortë dhe t’i rezistojë tundimit në një botë të mbushur me të; dhe, 4) të mirëbesojë në Zot, veçanërisht kur ti ke nevojë për mbrojtjen e Tij.

Unë e mbylla këshillën për Terrin me këto fjalë: “Këto histori në shkrimet e shenjta nuk do të vjetërohen kurrë. Ato do të jenë po aq emocionuese për ty kur t’i lexosh ato si dhjak, mësues, prift, misionar, mësues shtëpie, president i kuorumit të pleqve, apo çfarëdo tjetër që Zoti të thërret që ti të bësh. Ato do të të mësojnë ty të kesh besim, kurajë, dashuri për bashkëqytetarët e tu, siguri dhe besim në Zot” (Ensign, nëntor 1985, f. 48).

Unë jam i lumtur t’ju tregoj se Terri ka qenë besnik ndaj detyrës që i dhashë atij 25 vite më parë. Ai më vonë mori Priftërinë Melkizedeke, shërbeu një mision besnikërisht dhe aktualisht shërben si president kuorumi pleqsh dhe sigurisht është baba i një vajze të mrekullueshme.

Shumë ka ndryshuar në çerekun e fundit të shekullit. Një gjë tjetër që ka ndodhur është se shumë nga nipërit dhe mbesat e mia janë rritur dhe kanë fëmijët e tyre. Këtë verë unë pata rastin të qëndroja në një rreth mbajtësish të priftërisë dhe të vendosja duart e mia mbi kokën e stërnipit tim më të madh, ndërsa babai i tij i dha atij Priftërinë Aarone. Edhe pse stërnipi im nuk është i pranishëm në këmbë krahas meje, unë do të doja t’i drejtoja vërejtjet e mia atij dhe të gjithëve juve të rinj të mrekullueshëm që mbani Priftërinë Aarone.

Është një bekim shumë i veçantë të marrësh Priftërinë Aarone. Historia ka regjistruar ditën e lavdishme kur priftëria u rivendos në tokë, duke u dhënë burrave të drejtën që përsëri të vepronin si përfaqësues të Perëndisë kur kryenin ordinancat e shenjta të priftërisë. Ishte më 5 prill 1829, kur Oliver Kaudri arriti në shtëpinë e Jozef Smithit në Harmoni të Pensilvanisë. Oliveri e pyeti Profetin Jozef Smith rreth punës së tij në përkthimin e kronikave të lashta, Librin e Mormonit. I bindur për natyrën hyjnore të punës, Oliveri pranoi të vepronte si shkrues për përfundimin e përkthimit. Puna e përkthimit përparoi shpejt sapo Oliveri mori përsipër të shërbente si shkrues.

Më 15 maj 1829, Jozefi dhe Oliveri patën arritur te 3 Nefi. Historia e Shpëtimtarit të ringjallur që vizitonte Hemisferën Perëndimore, dhe mësimet e Tij mbi pagëzimin i drithëruan ata. Ndërsa po lexonin te 3 Nefi ata filluan të pyesnin veten mbi pagëzimin. Cila mënyrë pagëzimi ishte e saktë dhe kush kishte autoritetin ta kryente këtë ordinancë të shenjtë shpëtuese? Ata kërkuan një përgjigje për këto pyetje themelore doktrinore. Ata vendosën të kërkojnë një përgjigje me anë të lutjes dhe shkuan në një vend pranë brigjeve të lumit Suskuehana. Ata hapën zemrën e tyre dhe qiejt u hapën për ta. Një engjëll u shfaq duke u prezantuar si Gjon Pagëzori dhe i tha Jozefit dhe Oliverit se ai po vepronte nën drejtimin e Pjetrit, Jakobit dhe të Gjonit që mbanin priftërinë më të lartë (shih Jozef Smith – Historia 1:72).

Duke vendosur duart e tij mbi kokat e tyre, ai tha: “Mbi ju, bashkëshërbëtorët e mi, në emër të Mesias, unë jap Priftërinë e Aaronit, e cila mban çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit të pendimit e të pagëzimit me zhytje për heqjen e mëkateve; dhe kjo nuk do të merret më kurrë nga toka, derisa bijtë e Levit vërtet t’i ofrojnë përsëri një ofertë Zotit në drejtësi (DeB 13:1).

Më vonë, Oliveri e tregoi hollësisht këtë ngjarje me këto fjalë: “Por … mendo, mendo më shumë për një çast çfarë gëzimi i mbushi zemrat tona dhe me çfarë habie duhej të përkuleshim ne, … kur morëm nën dorën e tij Priftërinë e Shenjtë”. (Jozef Smith – Historia 1:71, shënim fundfaqeje).

Pasi njerëzimi pati pritur për shekuj që autoriteti i Perëndisë të rivendosej, fuqia dhe lavdia e Priftërisë së shenjtë Aarone u rikthyen në tokë. Në seksionin 107 të Doktrinës e Besëlidhjeve, ne mësojmë pse priftëria më e vogël është quajtur Priftëria Aarone:

“Priftëria e dytë quhet Priftëria e Aaronit, sepse iu dha Aaronit dhe farës së tij, përgjatë gjithë brezave të tyre.

Përse quhet priftëria më e vogël është ngaqë ajo është një shtesë e më të madhes ose Priftërisë Melkizedeke dhe ka fuqi në administrimin e ordinancave të jashtme. …

Fuqia dhe autoriteti i priftërisë më të vogël ose Aarone është të mbajë çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të administrojë në ordinancat e jashtme, letrën e ungjillit, pagëzimit e pendimit për heqjen e mëkateve, në përputhje me besëlidhjet dhe urdhërimet” (DeB 107:13–14; 20).

Jo vetëm të rinjtë e Priftërisë Aarone marrin fuqinë dhe autoritetin që të jenë përfaqësues të Zotit në kryerjen e përgjegjësive të tyre të priftërisë, por ata gjithashtu marrin çelësat e shërbesës së engjëjve.

Të rinj të Priftërisë Aarone, unë ju dëshmoj se Zoti është lidhur me besëlidhje solemne që të bekojë jetën tuaj sipas besnikërisë suaj. Nëse do të dëgjoni me vëmendje zërin e paralajmërimit nga Fryma e Shenjtë dhe do të ndiqni udhëzimin e Tij, ju do të bekoheni me shërbesën e engjëjve. Ky bekim do ta rrisë urtësinë, diturinë, forcën dhe lavdinë në jetën tuaj. Ky është një bekim i sigurt që ju është premtuar juve nga Zoti.

Disa muaj përpara unë pata rastin të merrja pjesë në një mbledhje agjërimi dhe dëshmishë në një lagje. Njëri që u ngrit për të dhënë dëshminë e tij, ishte një këshilltar i Priftërisë Aarone. Dëshmia e tij më bëri të kem një vlerësim të ri për atë se çfarë do të thotë për një mbajtës të Priftërisë Aarone të mbajë çelësat e shërbesës së engjëjve.

Ky këshilltar përshkroi disa nga përvojat e tij me Priftërinë Aarone të lagjes atij mëngjesi. Kur po ecte drejt kishës, ai vuri re dy dhjakë të rinj me zarfa oferte të agjërimit duke shkuar në shtëpitë e anëtarëve. Atij i bëri përshtypje mënyra si ishin veshur ata me veshjet më të mira të së dielës dhe si e shihnin detyrën e tyre me një dinjitet të qetë. Pastaj ai i shoqëroi dy priftërinjtë për të administruar sakramentin në një shtëpi banimi për burra të paaftë fizikisht dhe mendërisht. Ky ishte rasti i parë për këta dy të rinj për ta vizituar këtë shtëpi dhe këshilltari i tyre vuri re mënyrën respektuese dhe dashamirëse me të cilën ata e shihnin detyrën e tyre të priftërisë.

Pastaj këshilltari tregoi një përjetim të shkurtër që preku thellë zemrën e tij, sepse një nga priftërinjtë i kujtoi atij se çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh një shërbyes i vërtetë i Jezu Krishtit – saktësisht, një engjëll shërbyes. Prifti i ri që po shpërndante ujin në kongregacion, shkoi te një burrë që dukej se kishte një sindromë Daun (Down). Gjendja e burrit e pengoi atë të merrte kupën nga tabakaja për ta pirë. Ky prift i ri menjëherë e vlerësoi situatën. Ai vendosi dorën e tij të majtë prapa kokës së burrit që ai të mund të ishte në një pozicion për të pirë dhe me dorën e tij të djathtë mori një kupë nga tabakaja dhe me mirësi dhe butësisht e ngriti atë te buzët e burrit. Një shprehje vlerësimi u duk në fytyrën e burrit – shprehja e dikujt të cilit dikush tjetër i ka shërbyer. Ky prift i mrekullueshëm i ri pastaj vazhdoi detyrën e tij duke shpërndarë ujin e bekuar tek anëtarët e tjerë të kongregacionit.

Këshilltari shprehu në dëshminë e tij ndjenjat që pati në atë moment të dhimbsur. Ai tha se qau heshturazi me gëzim dhe se e dinte që Kisha ishte në duar të mira me këta të rinj të dashur e të bindur, mbajtës të Priftërisë Aarone.

Presidenti Ezra Taft Benson njëherë tha: “Më jepni një të ri që e ka mbajtur veten të pastër moralisht dhe ka marrë pjesë besnikërisht në mbledhjet e Kishës. Më jepni mua një të ri që ka lartësuar priftërinë e tij dhe ka fituar Çmimin Detyrë ndaj Perëndisë (Duty to God), dhe është një Skautist Shqiponjë (Eagle Scout). Më jepni mua një të ri që ka përfunduar seminarin dhe ka një dëshmi të zjarrtë për Librin e Mormonit. Më jepni mua një të ri të tillë dhe unë do t’ju jap juve një të ri që mund të kryejë mrekullira për Zotin në fushën e misionit dhe gjatë gjithë jetës së tij” (“To the ‘Youth of the Noble Birthright’”, Ensign, maj 1986, f. 45).

Prindër të këtyre të rinjve dhe të rejave të mrekullueshme, ne ju ngarkojmë juve me përgjegjësinë e shenjtë që t’u mësoni fëmijëve tuaj doktrinat e priftërisë së shenjtë. Fëmijët tuaj duhet të mësojnë në moshë të hershme për bekimet e pasjes së priftërisë së përjetshme të Zotit dhe atë që duhet të bëjnë individualisht që të kualifikohen për këto bekime.

Peshkopë, ju keni çelësat e priftërisë për të kryesuar të rinjtë e Priftërisë Aarone, që të uleni në këshill me ta dhe t’u mësoni atyre detyrat e tyre të priftërisë. Ju lutem sigurohuni që çdo i ri që është i denjë të marrë Priftërinë Aarone, të kuptojë detyrimet dhe bekimet që i vijnë atij si mbajtës i priftërisë. Ndihmojeni atë të mësojë ta lartësojë priftërinë tani duke i dhënë atij detyra të rëndësishme dhe duke e ndihmuar atë t’u shërbejë dhe të kryejë shërbesa të tjerëve.

Të rinj, unë ju ftoj juve ta ngrini jetën tuaj mbi një themel të vërtetë dhe drejtësie. Ky është i vetmi themel që do t’u qëndrojë presioneve të kësaj jete dhe do të durojë përjetësisht. Priftëria që ju mbani, është një dhuratë e veçantë, sepse dhuruesi është Vetë Zoti. Përdoreni atë, lartësojeni atë dhe jetoni të denjë për të. Unë dua që ju të dini se unë kam një dëshmi të veçantë dhe personale për fuqinë e saj. Ajo e ka bekuar jetën time në aq shumë mënyra.

Unë gjithashtu ju ftoj juve të vendosni sot se ju do ta nderoni këtë bekim të madh dhe do të përgatiteni të përparoni në çdo detyrë të Priftërisë Aarone – dhjak, mësues dhe prift. Përgatiteni veten për bekimin e madh të marrjes së Priftërisë Melkizedeke, që ju do të keni nevojë të jeni të denjë ta merrni përpara se të shërbeni si misionar me kohë të plotë. Zoti ka nevojë për ju që ta përgatisni veten për shërbimin për Të, veçanërisht për përgjegjësinë e madhe që do të keni duke shpallur ungjillin e Tij botës. Unë ju premtoj se nëse ju do të përgatiteni të merrni priftërinë e Tij të shenjtë, Ai do të derdhë vërtet bekime mbi kokën tuaj. Këtë dëshmi unë e lë me ju në emër të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, madje Jezusit Krishtit, amen.