2010–2019
Ai Na Mëson ta Zhveshim Njeriun e Natyrshëm
Tetor 2010


Ai Na Mëson ta Zhveshim Njeriun e Natyrshëm

Unë jap dëshmi të realitetit dhe fuqisë së Shlyerjes së Shpëtimtarit për të na pastruar, kthjelluar dhe për të na bërë të shenjtë ne dhe shtëpitë tona.

Një mëngjes, një familje u mblodh të studionte shkrimet e shenjta si zakonisht. Kur u mblodhën, babai ndjeu një atmosferë negative: disa anëtarë të familjes nuk dukeshin shumë të emocionuar për të marrë pjesë. Ata bënë lutjen familjare dhe, kur filluan të lexonin shkrimet e shenjta, babai vuri re se një nga fëmijët nuk e kishte kompletin e saj personal të shkrimeve të shenjta me vete. Ai e ftoi atë të shkonte në dhomën e saj dhe të sillte shkrimet e shenjta. Ajo e bëri këtë pa dëshirë dhe pas një copë here që u duk si përjetësi, ajo u kthye, u ul dhe tha: “A na duhet vërtet ta bëjmë këtë tani?”

Babai mendoi me vete se armiku i të gjithë drejtësisë dëshironte të krijonte probleme kështu që ata të mos studionin shkrimet e shenjta. Babai, duke u përpjekur të qëndronte i qetë, tha: “Po, ne duhet ta bëjmë këtë tani; sepse kjo është ajo që do Zoti që të bëjmë”.

Ajo u përgjigj: “Unë vërtet nuk dëshiroj ta bëj këtë tani!”

Atëherë babai e humbi durimin, ngriti zërin dhe tha: “Kjo është shtëpia ime dhe ne gjithmonë do t’i lexojmë shkrimet e shenjta në shtëpinë time!”

Toni dhe lartësia e zërit të tij e lënduan të bijën dhe, me shkrimet e saj në dorë, ajo u largua nga rrethi familjar, vrapoi për në dhomën e saj të gjumit dhe përplasi derën. Kjo i dha fund studimit familjar të shkrimit të shenjtë – nuk kishte harmoni dhe pak dashuri po ndihej në shtëpi.

Babai e dinte se kishte vepruar gabim, kështu që ai shkoi në dhomën e vet të gjumit dhe u gjunjëzua për t’u lutur. Ai iu përgjërua Zotit për ndihmë, duke e ditur se kishte fyer një nga fëmijët e Tij, një bijë që ai e donte vërtet. Ai iu lut fort Zotit që të përtërinte shpirtin e dashurisë dhe harmonisë në shtëpi dhe t’u jepte mundësi që të ishin të aftë të vazhdonin studimin e shkrimeve të shenjta si familje. Ndërsa po lutej, një ide i erdhi në mendje: “Shko dhe thuaj: ‘Më vjen keq’.” Ai vazhdoi të lutej me zell, duke kërkuar që Shpirti i Zotit të kthehej në shtëpinë e tij. Edhe një herë i erdhi ideja: “Shko dhe thuaj: ‘Më vjen keq’.”

Ai vërtet dëshironte të ishte një baba i mirë dhe të bënte gjënë e duhur, kështu që u ngrit dhe shkoi në dhomën e gjumit të së bijës. Butësisht, trokiti disa herë në derë dhe nuk pati përgjigje. Kështu, e hapi ngadalë derën dhe e gjeti vajzën duke dënesur e duke qarë në shtrat. Ai u gjunjëzua pranë saj dhe tha me një zë të butë e të ëmbël: “Më vjen keq. Kërkoj falje për atë që bëra.” Ai përsëriti: “Më vjen keq, unë të dua dhe nuk dua të të lëndoj”. Dhe atëherë, nga goja e një fëmije doli mësimi që Zoti donte t’i mësonte atij.

Ajo pushoi së qari dhe, pas një heshtjeje të shkurtër, mori në duar shkrimet e saj të shenjta dhe filloi të kërkonte disa vargje. Babai vështroi ndërsa ato duar të dëlira dhe delikate kthyen faqet e shkrimeve të shenjta, faqe pas faqeje. Ajo arriti tek vargjet që po kërkonte, dhe filloi të lexonte shumë ngadalë, me një zë të butë: “Pasi njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë dhe ka qenë që nga rënia e Adamit dhe do të jetë gjithmonë e përgjithmonë, nëse ai nuk dëgjon thirrjet e Frymës së Shenjtë dhe nuk zhvesh njeriun e natyrshëm dhe nuk bëhet një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot, dhe nuk bëhet si një fëmijë, i nënshtruar, i bindur, i përulur, i duruar, plot me dashuri, i gatshëm t’u nënshtrohet të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi të, madje sikurse një fëmijë i nënshtrohet atit të tij”1.

Ndërsa qe ende i gjunjëzuar pranë shtratit të saj, ai u ndie plot përulësi ndërsa mendoi me vete: “Ai shkrim i shenjtë ishte shkruar për mua. Ajo më dha një mësim të shkëlqyer”.

Atëherë ajo i ktheu sytë nga ai dhe tha: “Më vjen keq. Më vjen keq, Babi”.

Pikërisht në atë çast babai e kuptoi se ajo nuk e lexoi atë varg për ta zbatuar shkrimin e shenjtë për të, por e lexoi duke e zbatuar për veten. Ai hapi krahët dhe e përqafoi. Dashuria dhe harmonia u rivendosën në atë çast të ëmbël pajtimi, që erdhi nga fjala e Perëndisë dhe Fryma e Shenjtë. Ai shkrim i shenjtë, që bija e tij e mbante mend nga studimi i vet personal i shkrimit të shenjtë, e kishte prekur zemrën e tij me zjarrin e Frymës së Shenjtë.

Vëllezërit e mi të dashur, shtëpitë tona duhet të jetë vende ku Shpirti i Shenjtë të mund të banojë. “Vetëm shtëpia mund të krahasohet me tempullin në shenjtëri.”2 Nuk ka vend për njeriun e natyrshëm në shtëpitë tona. Njeriu i natyrshëm është i prirur që “t’i mbuloj[ë] mëkatet [e tij] ose të kënaq[ë] krenarinë [e tij], ambicien [e tij] të kotë ose të ushtroj[ë] kontroll apo sundim, apo detyrim mbi shpirtrat e fëmijëve të njerëzve [dhe kur ai vepron] në çfarëdo shkallë padrejtësie, vini re, qiejt tërhiqen; Shpirti i Zotit hidhërohet; dhe kur ai tërhiqet, Amen priftërisë ose autoritetit të atij njeriu”3.

Ne, që mbajmë priftërinë Aarone ose Melkizedeke duhet ta kujtojmë gjithmonë se “asnjë fuqi apo ndikim nuk mund ose nuk duhet të mbahet me anë të priftërisë, veçse nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur; nëpërmjet mirësisë dhe diturisë së pastër, të cilat do ta zgjerojnë shumë shpirtin, pa hipokrizi dhe pa mashtrim”4.

Grindja largohet nga shtëpitë dhe jeta jonë kur përpiqemi fort t’i jetojmë këto tipare si të Krishtit. “Dhe ju duhet t’ia falni shkeljet njëri-tjetrit; pasi në të vërtetë unë ju them juve, ai që nuk i fal shkeljet e fqinjit të tij, kur ai thotë se pendohet, po ai vetë ka çuar veten e tij në dënim.”5 “Më vjen keq. Më vjen keq, Babi.”

Zoti Jezu Krisht, që është Princi i Paqes, na mëson se si të vendosim paqe në shtëpitë tona.

Ai na mëson të jemi të nënshtruar, ose me fjalë të tjera, t’i jepemi vullnetit ose fuqisë së Zotit. “Shko dhe thuaj: ‘Më vjen keq’.”

Ai na mëson të jemi të bindur, ose me fjalë të tjera, të jemi “të butë nga karakteri; pa acarim; të ëmbël; që nuk provokohemi ose nxehemi lehtë; të epueshëm; të dhënë pas vetëpërmbajtjes para padrejtësive”6.

Ai na mëson të jemi të përulur, ose me fjalë të tjera “të përulur, të thjeshtë; të bindur; të nënshtruar; e kundërta e krenarisë, kryelartësisë, arrogancës, ose krekosjes7.

“Më vjen keq. Kërkoj falje për atë që bëra.”

Ai na mëson të jemi të duruar, ose me fjalë të tjera, “të kemi cilësinë e durimit të të ligave pa murmuritur ose pa grindje” ose “të qetë kur durojmë padrejtësi apo fyerje”8.

Ai na mëson të jemi plot me dashuri. “Unë të dua dhe nuk dua të të lëndoj.”

Po, Vëllezërit e mi të dashur, Ai na mëson ta zhveshim njeriun e natyrshëm, ashtu si babai në këtë ndodhí, që iu përgjërua Zotit për ndihmë. Po, tamam ashtu si babai e përqafoi të bijën në krahët e dashurisë së tij, po ashtu Shpëtimtari i shtrin krahët që të na përqafojë ne gjatë kohës së pendimit tonë të vërtetë.

Ai na mëson të bëhemi “shenjtorë nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot”. Dhe atëherë ne do të pajtohemi me Perëndinë dhe do të bëhemi miq të Perëndisë. Unë jap dëshmi të realitetit dhe fuqisë së Shlyerjes së Shpëtimtarit për të na pastruar, kthjelluar dhe për të na bërë të shenjtë ne dhe shtëpitë tona, kur përpiqemi fort ta zhveshim njeriun e natyrshëm dhe ta ndjekim Atë.

Ai është “Qengji i Perëndisë”9, Ai është i “Shenjti, [i] Drejti”10 “dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes”11. Në emrin e Zotit Jezu Krisht, amen.

  1. Mosia 3:19.

  2. Bible Dictionary, “Temple”.

  3. Doktrina e Besëlidhje 121:37.

  4. Doktrina e Besëlidhje 121:41–42.

  5. Mosia 26:31.

  6. Noah Webster’s First Edition of an American Dictionary of the English Language, bot. 9-të (1996), “meek”.

  7. Noah Webster’s First Edition, “humble”.

  8. Noah Webster’s First Edition, “patient”.

  9. Gjoni 1:29.

  10. Veprat e Apostujve 3:14, Version i Ri Ndërkombëtar.

  11. Isaia 9:6.