2010–2019
Shërbeni me Shpirtin
Tetor 2010


Shërbeni me Shpirtin

Le të bëjmë çfarëdo gjë që kërkohet, që të cilësohemi për Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tonë.

Jam mirënjohës për këtë mundësi që të jem bashkë me ju, që jeni nderuar nga Perëndia të mbani priftërinë. Ne jemi thirrur të përdorim fuqi hyjnore për t’u shërbyer fëmijëve të Atit tonë Qiellor. Mënyra se sa mirë do ta plotësojmë atë detyrim, do të ketë pasoja të përjetshme për ata që jemi thirrur t’u shërbejmë, për ne dhe për brezat, që nuk kanë lindur ende.

I kujtoj me nderim të madh dy mbajtës priftërie, të cilët ishin kualifikuar që Shpirti i Perëndisë të shkonte me ta, në misionin ku Zoti i kishte thirrur. Ata vetë e kishin gjetur ungjillin e rivendosur në Amerikë. Ata qenë shërbëtorët e Zotit që u folën së pari për atë ungjill, dy prej paraardhësve të mi europianë.

Një prej atyre paraardhësve qe një vajzë e re, që jetonte në një fermë të vogël në Zvicër. Një tjetër qe një i ri, jetim dhe emigrant në Shtetet e Bashkuara nga Gjermania, që jetonte në Sent-Luis të Misurit.

Që të dy ata dëgjuan nga një mbajtës priftërie të dëshmonte për ungjillin e rivendosur – për vajzën pranë vatrës së shtëpisë së saj të vogël në Zvicër dhe për djalin duke ndenjur në ballkonin e një salle të marrë me qira në Amerikë. Që të dy ata e dinin me anë të Shpirtit se mesazhi që ata misionarë u sollën atyre, qe i vërtetë.

Djali dhe vajza zgjodhën të pagëzoheshin. Të dy ata u takuan për herë të parë në shtegun plot pluhur vite më vonë, duke përshkuar qindra kilometra për tek malet e Amerikës Perëndimore. Ata biseduan ndërsa ecnin së bashku. Ajo për çfarë biseduan ata ishte bekimi i mrekullueshëm që, mes të gjithë botës, shërbëtorët e Perëndisë i kishin gjetur ata dhe, ende më e mrekullueshme, që ata e dinin se mesazhi i tyre ishte i vërtetë.

Ata ranë në dashuri dhe u martuan. Dhe për shkak të dëshmisë së Shpirtit, që filloi kur dëgjuan fjalët e mbajtësve të priftërisë nën ndikimin e Frymës së Shenjtë, ata u vulosën për përjetësinë nga fuqia e priftërisë. Unë jam një prej dhjetëra mijëra pasardhësve të atij djali dhe asaj vajze, të cilët bekojnë emrat e dy mbajtësve të priftërisë, që i sollën me vete shërbesat e Shpirtit të Perëndisë, kur ngjitën kodrën në Zvicër e u ngritën të flisnin në atë mbledhje në Sent-Luis.

Ajo ndodhí e lumtur, dhe miliona të tjera si ajo, janë përsëritur dhe do të përsëriten në mbarë botën nëpër breza. Për disa do të jetë ndodhia e një mësuesi shtëpie të ri, që tha fjalë të cilat ngjallën një dëshirë tek gjyshi juaj që të kthehej në Kishë. Për disa do të jenë fjalët e ngushëllimit dhe bekimit nga një patriark, që i dhanë kurajë nënës tuaj kur tragjedia thuajse e tronditi atë.

Do të ketë një temë të përbashkët në të gjitha ato ndodhí. Ajo do të jetë e fuqisë së priftërisë në një mbajtës, fuqia e të cilit për të shërbyer u lartësua nga Fryma e Shenjtë.

Dhe kështu, mesazhi im për ne sonte është: le të bëjmë çfarëdo gjë që kërkohet që të cilësohemi për Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tonë dhe le të shkojmë përpara pa frikë, kështu që të na jepen fuqitë për të bërë çfarëdo gjë që Zoti na thërret të bëjmë. Ajo rritje në fuqinë për të shërbyer mund të vijë ngadalë, mund të vijë me hapa të vegjël, që është e vështirë t’i shihni, por do të vijë.

Sonte, do të bëj disa sugjerime mbi kualifikimin për të marrë Frymën e Shenjtë si shoqërues në shërbimin tuaj të priftërisë. Pastaj, do të jap disa shembuj të shërbimit të priftërisë, në të cilat ju mund të prisni që të shihni fuqitë tuaja për të shërbyer të forcuara nga ndikimi i Shpirtit.

Tani, ne të gjithë e dimë se konfirmimi në Kishë na dha dhuratën e Frymës së Shenjtë. Por shoqërimi i Frymës së Shenjtë, shfaqjet e saj në jetën dhe shërbimin tonë, kërkojnë që të jetojmë denjësisht që të kualifikohemi.

Ne kultivojmë dhunti frymore duke mbajtur urdhërimet dhe duke u përpjekur të jetojmë një jetë të pamëkatë. Kjo kërkon besim tek Jezu Krishti për t’u penduar dhe për t’u pastruar nëpërmjet Shlyerjes së Tij. Kështu, si mbajtës të priftërisë, ne asnjëherë nuk duhet të humbasim një mundësi për të marrë pjesë me gjithë zemrën tonë, në premtimin e ofruar në çdo mbledhje sakramenti për anëtarët e Kishës së rivendosur që “të marrin mbi vete emrin e Birit [të Perëndisë] dhe gjithmonë ta kujtojnë atë e të zbatojnë urdhërimet që ai u ka dhënë atyre, që të mund të kenë gjithmonë Shpirtin e tij me ta”1.

Pikërisht siç duhet të pastrohemi nga mëkati që ta kemi Shpirtin me ne, duhet të përulemi aq shumë përpara Perëndisë sa të kuptojmë nevojën tonë për të. Dishepujt e Shpëtimtarit të ringjallur e shfaqën atë përulësi, siç shënohet në Librin e Mormonit.

Shpëtimtari po i përgatiste për shërbesën e tyre. Ata u gjunjëzuan në tokë që të luteshin. Këtu është rrëfimi: “Dhe ata u lutën për atë gjë që dëshironin më shumë; dhe ata dëshironin që t’u jepej Fryma e Shenjtë”2. Ata u pagëzuan ashtu si dhe ju. Dhe rrëfimi thotë se, në përgjigje të përgjërimit të tyre, ata u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr.

Shpëtimtari u lut me zë të lartë për të falënderuar Atin e Tij, që ua dha Frymën e Shenjtë atyre, të cilët Ai i kishte zgjedhur për shkak të besimit të tyre tek Ai. Dhe pastaj Shpëtimtari u lut për një bekim shpirtëror mbi njerëzit, të cilëve ata po u shërbenin. Zoti iu përgjërua Atit të Tij: “Të lutem që t’u japësh Frymën e Shenjtë të gjithë atyre që besojnë në fjalët e tyre”3.

Si shërbëtorët e përulur të Shpëtimtarit, ne duhet të lutemi që shfaqjet e Frymës së Shenjtë të na vijnë neve në shërbimin tonë dhe atyre që u shërbejmë. Lutja e përulur për Atin tonë Qiellor, me besim të thellë tek Jezu Krishti, është thelbësore për të na kualifikuar për shoqërimin e Frymës së Shenjtë.

Përulësia jonë dhe besimi ynë, që ftojnë dhuratat shpirtërore, rriten me anë të leximit, studimit dhe përsiatjes të shkrimeve të shenjta. Ne të gjithë i kemi dëgjuar këto fjalë. Prapëseprapë, ne mund të lexojmë pak rreshta ose faqe të shkrimit të shenjtë çdo ditë dhe shpresojmë se kjo do të mjaftojë.

Por leximi, studimi dhe përsiatja nuk janë e njëjta gjë. Ne lexojmë fjalë dhe mund të marrim ide. Ne studiojmë dhe mund të zbulojmë modele ose lidhje në shkrimin e shenjtë. Por kur përsiatemi, ne ftojmë zbulesë nga Shpirti. Përsiatja, për mua, është mendimi dhe lutja që bëj, pasi i lexoj e i studioj me kujdes shkrimet e shenjta.

Për mua, Presidenti Jozef F. Smith dha një shembull se si përsiatja mund të ftojë dritën nga Perëndia. Ai tregohet në seksionin e 138-të të Doktrinës e Besëlidhjeve. Ai kishte qenë duke lexuar e studiuar shumë shkrime të shenjta, duke u përpjekur të kuptonte se si pasojat e Shlyerjes së Shpëtimtarit do të ndihmonin ata që kishin vdekur pa e dëgjuar kurrë mesazhin e Tij. Këtu është tregimi se si erdhi zbulesa: “Ndërsa përsiatja për këto gjëra që janë shkruar, sytë e të kuptuarit tim u hapën dhe Shpirti i Zotit pushoi në mua e unë pashë ushtritë e të vdekurve, si të mëdhenj, edhe të vegjël”4.

Pendimi, lutja dhe përsiatja mbi shkrimet e shenjta janë pjesë thelbësore e kualifikimit tonë për dhuratat e Shpirtit në shërbimin tonë të priftërisë. Lartësimi i mëtejshëm i fuqisë sonë për të shërbyer, do të vijë kur ne përgjigjemi me besim për të shkuar përpara në thirrjet tona, me Frymën e Shenjtë që të na ndihmojë.

Presidenti Tomas S. Monson e shprehu kështu për ne: “Çfarë do të thotë të lartësosh thirrjen [tënde]? Do të thotë t’ia ngresh dinjitetin … ta zgjerosh e ta forcosh atë, që të lejosh dritën e qiellit të shkëlqejë përmes saj, që ta shohin njerëzit e tjerë. Dhe si e lartëson dikush një thirrje? Thjesht duke kryer shërbimin që i përket asaj.”5

Do të sugjeroj dy shërbime në të cilat jemi thirrur të gjithë. Duke i kryer nën ndikimin e Shpirtit, ju dhe të tjerët do ta shihni fuqinë tuaj për të shërbyer të forcohet dhe të lartësohet.

I pari është që, si veprues të Tij, t’u japim mësim dhe t’u dëshmojmë të tjerëve për Të. Zoti përfshiu më të rinjtë dhe më pak të sprovuarit nga mbajtësit e priftërisë Aarone për të shërbyer në atë thirrje. Pasi përshkroi detyrat e mbajtësve të priftërisë Aarone, Ai tha:

“Por as mësuesit, as dhjakët nuk kanë autoritet të pagëzojnë, të administrojnë sakramentin apo të vënë duart;

Ata, megjithatë, duhet të paralajmërojnë, të sqarojnë, të këshillojnë e të japin mësim dhe t’i ftojnë të gjithë të vijnë te Krishti.”6

Diku në botë këtë javë, do të ketë një dhjak, të cilit presidenti i kuorumit të tij do t’i kërkojë të ftojë një anëtar të kuorumit të tyre në një mbledhje, ku atë nuk e kanë parë kurrë të marrë pjesë. Presidenti 13-vjeçar nuk ka gjasa t’i përdorë fjalët “[paralajmëro, këshillo e jep] mësim” por kjo është çfarë pret Zoti nga dhjaku i caktuar që të shkojë për shpëtim.

Dhjakut që merr thirrjen për të shkuar tek anëtari i kuorumit të tij, unë do t’i bëj tre premtime. Së pari, kur luteni për ndihmë, Shpirti do ta qetësojë frikën tuaj. Së dyti, ju do të habiteni që do të dini se çfarë të thoni kur të shkoni në shtëpinë e tij dhe gjatë rrugës bashkë me të për t’u kthyer në kishë. Ajo çfarë thoni mund t’ju duket absurde. Por do ta ndieni se fjalët ju janë dhënë juve në çastin kur ju duheshin. Dhe, së treti, ju do të ndieni miratimin e Zotit që ju thirri, nëpërmjet presidentit tuaj, pavarësisht nga rezultati.

Nuk mund të premtoj se çfarë suksesi do të vijë, përderisa çdo person është i lirë të zgjedhë se si ai ose ajo do t’i përgjigjet një shërbëtori të Perëndisë. Por dhjaku, të cilit i flisni në emër të Zotit, do ta kujtojë se erdhët tek ai. Njoh një djalosh, tashmë një burrë, ende tepër larg të qenit aktiv në Kishë, tek i cili u dërgua një dhjak që ta gjente dhe i cili i tregoi gjyshit të tij për atë vizitë njëzet vite më parë. Dukej se nuk pati efekt dhe përsëri, ai madje përmendi emrin e dhjakut që erdhi. Gjyshi më kërkoi ta gjeja dhe falënderoja dhjakun që u thirr të paralajmërojë, të këshillojë dhe të japë mësim. Ishte vetëm një ditë në jetën e një djaloshi, por një gjysh dhe Zoti i kujtojnë fjalët që djali u frymëzua të thoshte dhe emrin e djalit.

Unë i nxis të gjithë ne, të rinj e të moshuar, që jemi thirrur të flasim në një mbledhje në emrin e Zotit, t’i largojmë ndjenjat tona të dyshimit tek vetja dhe të pamjaftueshmërisë. Nuk na duhet të përdorim fjalor të ngritur apo të përçojmë kuptime të thella. Fjalë të thjeshta dëshmie do të mjaftojnë. Shpirti do t’ju japë fjalët që të thoni, dhe do t’i çojë ato në zemrat e njerëzve të përulur, që kërkojnë të vërtetën nga Perëndia. Nëse do të vazhdojmë të përpiqemi të flasim për Zotin, do të çuditemi një ditë kur të mësojmë se ne kemi paralajmëruar, këshilluar, dhënë mësim dhe ftuar me ndihmën e Shpirtit për të bekuar jetë, me shumë më tepër rezultat se nga çfarëdo fuqi vetëm e jona.

Përveç thirrjes për të dhënë mësim, të gjithë ne do të dërgohemi nga Zoti për të ndihmuar ata në nevojë. Ai është një tjetër shërbim priftërie në të cilin ne do të ndiejmë ndikimin e Shpirtit të rrisë fuqinë tonë për të shërbyer. Ju do ta gjeni veten më të aftë për të dalluar dhimbjen dhe shqetësimin në fytyrën e njerëzve. Emra ose fytyra të njerëzve në kuorumin tuaj, do t’ju vijnë në mendje me përshtypjen se ata janë në nevojë.

Peshkopëve u vjen ajo ndjenjë gjatë natës dhe çdo herë që ulen në panel, duke vështruar anëtarët e lagjes së tyre ose duke menduar për ata që nuk janë aty. Mund t’ju ndodhë kur e gjejnë veten pranë një spitali ose qendre përkujdesjeje. Më tepër se një herë i kam dëgjuar fjalët kur kam hyrë në derën e një spitali: “Oh, e dija se do të vije”.

Nuk duhet të shqetësohemi që të dimë gjënë e saktë për të thënë ose bërë, kur të jemi atje. Dashuria e Perëndisë dhe Shpirti i Shenjtë mund të jenë të mjaftueshme. Kur isha i ri kisha frikë se nuk do të dija çfarë të bëja ose t’u thosha njerëzve në nevojë të madhe.

Dikur qeshë pranë shtratit të spitalit të babait tim, kur ai dukej pranë vdekjes. Dëgjova një trazirë mes infermiereve në korridor. Befas, Presidenti Spenser W. Kimball hyri në dhomë dhe u ul në një karrige nga ana e kundërt e shtratit që isha unë. Mendova me vete: “Tani, ja ku është rasti im të vështroj e dëgjoj një mjeshtër, që shkon tek ata që janë në dhembje dhe vuajtje”.

Presidenti Kimball tha disa fjalë përshëndetjeje, e pyeti babanë tim nëse kishte marrë një bekim priftërie, dhe pastaj, kur Babi u përgjigj se e kishte marrë, profeti u rehatua në karrigen e tij.

Prita një shfaqje të aftësive ngushëlluese, që ndieja se më mungonin dhe që më duheshin kaq shumë. Pas ndoshta pesë minutash, që i vështroja të dy ata thjesht duke i buzëqeshur në heshtje njëri-tjetrit, e pashë Presidentin Kimball të ngrihej e të thoshte: “Henri, mendoj të shkoj përpara se të të lodhim”.

Mendova se e kisha humbur mësimin, por ai erdhi më vonë. Në një çast të qetë me Babin, pasi u shërua mjaftueshëm sa të shkonte në shtëpi, biseda jonë shkoi tek vizita e Presidentit Kimball. Babi tha qetë: “Nga të gjitha vizitat që kam pasur, vizita që pata prej tij më ngriti më shumë shpirtërisht”.

Presidenti Kimball nuk tha shumë fjalë qetësimi, të paktën që unë të mund t’i dëgjoja, por ai shkoi me Shpirtin e Zotit si shoqëruesi për të dhënë qetësimin. E kuptoj tani se ai po shfaqte mësimin që na dha Presidenti Monson: “Si e lartëson dikush një thirrje? Thjesht duke kryer shërbimin që i përket asaj.”

Kjo është e vërtetë, qoftë nëse jemi thirrur të japim mësim ungjillin me anë të Shpirtit, ose të shkojmë me Frymën e Shenjtë tek ata me gjunjë të këputur dhe duar që varen poshtë7. Shërbimi ynë i priftërisë do të forcohet, njerëzit do të bekohen dhe drita e qiellit do të jetë atje. Drita e qiellit do të jetë atje për ne si dhe për ata të cilëve u shërbejmë. Ne mund të jemi të lodhur. Telashet tona dhe të familjes sonë mund të na shqetësojnë. Por ka një bekim nxitjeje për ata që shërbejnë nën ndikimin e Shpirtit.

Presidenti Xhorxh Q. Kenon pati shumë hidhërim, kundërshtim dhe sprova në vitet e tij të shërbimit të priftërisë. Ai pati gjithashtu përvojë me Frymën e Shenjtë si shoqëruesin e tij në kohë të vështira dhe shërbim të zorshëm. Ky është sigurimi për ne në shërbimin tonë të priftërisë, në Kishë dhe në familjet tona. Për mua premtimi ka qenë i vërtetë kur kam ndier Shpirtin në shërbimin tim të priftërisë. “Kurdoherë që errësira mbush mendjen tonë, mund ta dimë se nuk jemi të pushtuar nga Shpirti i Perëndisë. … Kur jemi të mbushur me shpirtin e Perëndisë, ne jemi të mbushur me gëzim, me paqe dhe me lumturi, pavarësisht se cilat mund të jenë rrethanat tona; sepse është një shpirt gazi dhe lumturie. Zoti na ka dhënë dhuratën e Frymës së Shenjtë. Është privilegji ynë ta kemi atë Frymë të Shenjtë të mbretërojë brenda nesh, kështu që nga mëngjesi deri në darkë dhe nga darka deri në mëngjes, ne do të kemi gëzimin, dritën dhe zbulesën e tij.”8

Ne mund ta presim të vijë atë bekim të lumturisë dhe gëzimit kur të na duhet, gjatë kohëve të vështira në shërbimin tonë besnik të priftërisë.

Unë dëshmoj se ne jemi thirrur nga Perëndia me anë të profecisë. Kjo është Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit, e rivendosur nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Perëndia jeton dhe e dëgjon secilën nga lutjet tona. Jezusi është Krishti i ringjallur dhe Shpëtimtari ynë. Ju mund ta dini se këto gjëra janë të vërteta nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, që do të vijë tek ju në shërbimin tuaj. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Doktrina e Besëlidhje 20:77.

  2. 3 Nefi 19:9.

  3. 3 Nefi 19:21.

  4. Doktrina e Besëlidhje 138:11.

  5. Thomas S. Monson, “Priesthood Power”, Liahona, janar 2000, f. 60.

  6. Doktrina e Besëlidhje 20:58–59.

  7. Shih Doktrina e Besëlidhje 81:5.

  8. George Q. Cannon, në Brian H. Stuy, përmb., Collected Discourses Delivered by President Wilford Woodruff, His Two Counselors, the Twelve Apostles, and Others, 5 vëll. (1987–1992), 4:137.