2010–2019
Prindërim Trimëror
Tetor 2010


Prindërim Trimëror

Ajo çfarë i nevojitet vërtet botës është prindërimi trimëror nga nëna dhe etër që nuk kanë frikë të shprehin dhe mbrojnë standardet e tyre.

Do të doja t’u flisja sot prindërve të adoleshentëve. Të rinjtë tuaj të shkëlqyer dhe energjikë janë e ardhmja e Kishës dhe, për atë arsye, janë një objektiv kryesor i kundërshtarit. Shumë prej jush, nëna dhe etër besnikë, po e dëgjoni sot konferencën, duke u lutur për përgjigje që t’ju ndihmojnë të udhëhiqni fëmijët tuaj përmes këtyre viteve të rëndësishme. Nipërit e mbesat e mia më të mëdha kohët e fundit janë bërë adoleshentë, kështu që kjo temë është e rëndësishme për mua. Nuk ka prindër të përsosur dhe përgjigje të lehta, por ka parime të së vërtetës, ku ne mund të mbështetemi.

Tema e Aktiviteteve të Përbashkëta të Të Rinjve dhe Të Rejave për vitin 2010 është marrë nga Libri i Jozueut. Ajo fillon: “Ji[ni të] fortë dhe trim[a]; mos ki[ni] frikë” (Jozueu 1:9). Kjo frazë nga shkrimet e shenjta do të ishte një temë e mirë për prindërit gjithashtu. Në këto ditë të fundit, ajo çfarë i nevojitet vërtet botës është prindërimi trimëror nga nëna dhe etër, që nuk kanë frikë të shprehin dhe mbrojnë standardet e tyre.

Përfytyroni për një çast sikur bija juaj të qëndronte mbi shinat e hekurudhës dhe ju të dëgjonit fishkëllimën e trenit. A do ta paralajmëronit që të largohej nga shinat? Apo do të ngurronit, duke u shqetësuar se mos ajo mund të mendonte se jeni mbrojtës me të tepërt? Nëse ajo do ta shpërfillte paralajmërimin tuaj, a do ta lëviznit shpejt për në një vend të sigurt? Sigurisht që do ta bënit! Dashuria për bijën tuaj do të mbizotëronte mbi të gjitha gjykimet e tjera. Ju do ta vlerësonit jetën e saj më tepër se miratimin e saj të përkohshëm.

Sfidat dhe tundimet po u vijnë adoleshentëve tanë me shpejtësinë dhe forcën e një treni transporti. Siç na kujtohet në proklamatën për familjen, prindërit janë përgjegjës për mbrojtjen e fëmijëve të tyre.1 Kjo do të thotë shpirtërisht si dhe fizikisht.

Në Librin e Mormonit, lexojmë për Almën e Ri që këshillonte birin e tij të prapë. Koriantoni kishte bërë disa gabime serioze kur shërbente një mision mes zoramitëve. Alma e donte atë aq shumë sa të fliste drejtpërsëdrejti për problemin. Ai shprehu zhgënjimin e tij të thellë që i biri kishte qenë i pamoralshëm dhe i shpjegoi atij pasojat serioze të mëkatit.

Unë frymëzohem çdo herë që lexoj këto fjalë trimërore nga Alma: “Dhe tani Shpirti i Zotit më thotë mua: Urdhëroji fëmijët e tu të bëjnë mirë, … ; prandaj, të urdhëroj biri im, në frikën e Perëndisë, që të përmbahesh nga paudhësitë e tua” (Alma 39:12). Kjo ndërhyrje e hershme nga babai i tij u bë një pikë kthese për Koriantonin. Ai u pendua dhe shërbeu besnikërisht pas kësaj (shih Alma 42:31; 43:1–2).

Krahasojeni shembullin e Almës me atë të një babai tjetër nga shkrimet e shenjta, Eliut në Dhiatën e Vjetër. Eliu shërbeu si prift i lartë në Izrael gjatë fëmijërisë së Samuel profetit. Shkrimet e shenjta shpjegojnë se Zoti e qortoi rreptë atë, “sepse bijtë e tij janë bërë të neveritshëm dhe ai nuk i ka frenuar” (1 Samuelit 3:13). Bijtë e Eliut nuk u penduan kurrë dhe i gjithë Izraeli vuajti për shkak të marrëzisë së tyre. Ndodhia e Eliut na mëson se prindërit që i duan fëmijët e tyre, nuk mund ta lejojnë që të frikësohen prej tyre.

Disa vite më parë në një konferencë të përgjithshme, Plaku Xho J. Kristensen na kujtoi që “prindërimi nuk është një konkurim popullariteti”2. Në të njëjtin shpirt, Plaku Robert D. Hejls vërejti: “Nganjëherë ne druhemi nga fëmijët tanë – druhemi t’i këshillojmë ata nga frika se mos i fyejmë”3.

Vite më parë, biri ynë 17-vjeçar donte të shkonte në një udhëtim fundjave me miqtë e tij, që ishin që të gjithë djem të mirë. Ai kërkoi leje të shkonte. Dëshiroja të thoshja po, por për ndonjë arsye, nuk u ndjeva mirë lidhur me udhëtimin. Ia tregova ndjenjat e mia gruas sime, që qe mjaft mbështetëse. “Ne duhet ta dëgjojmë atë zë paralajmërues”, tha ajo.

Sigurisht, biri ynë qe i zhgënjyer dhe pyeti se përse nuk dëshironim që të shkonte. Iu përgjigja ndershmërisht se nuk e dija përse. “Thjesht nuk ndihem mirë për atë”, i shpjegova, “dhe të dua aq shumë sa nuk mund t’i shpërfill këto ndjenja të brendshme.” U befasova mjaft kur ai tha: “Në rregull, Babi. E kuptoj”.

Të rinjtë kuptojnë më shumë nga sa e mendojmë ne, sepse dhe ata e kanë dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ata po përpiqen ta njohin Shpirtin kur Ai flet dhe ata po vëzhgojnë shembullin tonë. Prej nesh, ata mësojnë t’u kushtojnë vëmendje nxitjeve të tyre – që nëse “nuk ndihen mirë në lidhje me diçka”, është më e mira të mos e vazhdojnë atë.

Është shumë e rëndësishme që bashkëshortët e bashkëshortet të jenë të bashkuar kur marrin vendime prindërore. Nëse cilido prej prindërve nuk ndihet mirë për diçka, atëherë leja nuk duhet të jepet. Nëse cilido nuk ndihet rehat për një film, një shfaqje televizive, një lojë kompjuterike, një mbrëmje, një veshje, një kostum banjoje, apo një aktivitet në internet, kini trimërinë ta mbështesni njëri-tjetrin dhe të thoni “jo”.

Do të doja të ndaja me ju një letër nga një nënë zemërthyer. Biri i saj adoleshent gradualisht e humbi Shpirtin dhe u largua nga aktiviteti në Kishë. Ajo shpjegoi se si ndodhi kjo: “Gjatë gjithë viteve të adoleshencës të birit tim, u shqetësova dhe u përpoqa ta ndaloja të luante lojëra kompjuterike të dhunshme. Fola me bashkëshortin tim dhe i tregova artikuj në Ensign dhe në gazeta që paralajmëronin për këto lojëra. Por bashkëshorti im ndiente se ishte në rregull. Ai tha se biri ynë nuk ishte përjashta duke përdorur drogë dhe duhet të mos shqetësohesha më. Ka pasur raste që do t’i fshihja pajisjet komanduese dhe bashkëshorti im do t’ia jepte. Filloi të ishte më e lehtë për mua të lëshoja pe, … sesa të luftoja. Unë vërtet ndiej se lojërat kompjuterike janë po aq varësikrijuese sa drogat. Do të bëja gjithçka që t’i ndaloja prindërit e tjerë nga kalimi përmes kësaj përvoje.”

Vëllezër e Motra, nëse bashkëshort-ja/i juaj nuk ndihet mirë lidhur me diçka, tregoni respekt për ato ndjenja. Nëse merrni rrugën e lehtë duke mos thënë ose bërë ndonjë gjë, ju mund të jeni duke mundësuar sjellje shkatërruese.

Prindërit mund të parandalojnë mjaft dëshpërim duke u mësuar fëmijëve të tyre t’i shtyjnë marrëdhëniet romantike derisa të vijë koha kur ata të jenë gati për martesë. Çiftimi i parakohshëm me një të dashur është i rrezikshëm. Bërja “çift” krijon intimitet emocional, i cili tepër shpesh çon në intimitet fizik. Satani e di këtë vijueshmëri dhe e përdor në përfitim të tij. Ai do të bëjë gjithçka mundet që t’i pengojë të rinjtë të shërbejnë misione dhe të pengojë martesa në tempull.

Është jetike që prindërit të kenë trimëri t’i shprehin standardet dhe të ndërhyjnë përpara se t’ia dalë Satani. Presidenti Bojd K. Paker na ka mësuar se “kur përfshihet moraliteti, ne i kemi të dyja, të drejtën dhe detyrimin për të ngritur një zë paralajmërues”4.

Kam besuar gjithmonë se natën vonë nuk ndodh asgjë vërtet e mirë dhe se të rinjtë duhet ta dinë se në çfarë ore pritet të kthehen në shtëpi natën.

Tregohet një masë e madhe urtësie kur prindërit rrinë zgjuar dhe presin që fëmijët e tyre të kthehen në shtëpi. Të rinjtë dhe të rejat bëjnë zgjedhje shumë më të mira kur e dinë se prindërit e tyre po i presin që të dëgjojnë për mbrëmjen dhe për t’i puthur për t’u uruar natën e mirë.

Më lejoni të shpreh paralajmërimin tim personal për një praktikë, që është e zakonshme në shumë kultura. Po u referohem fjetjeve jashtë shtëpisë ose kalimit të natës në shtëpinë e një miku. Si Peshkop, kam zbuluar se një numër tepër i madh të rinjsh e shkelën për herë të parë Fjalën e Urtësisë ose ligjin e dëlirësisë si pjesë e një fjetjeje jashtë shtëpisë. Tepër shpesh, ekspozimi i tyre i parë ndaj pornografisë dhe madje përballja e tyre e parë me policinë ndodhi kur ata po e kalonin natën larg shtëpisë.

Trysnia e shokëve bëhet më e fuqishme kur fëmijët janë larg ndikimit tonë dhe kur mekanizmat e tyre mbrojtëse dobësohen natën vonë. Nëse ndiheni ndonjëherë në merak për një aktivitet natën, mos kini frikë t’i përgjigjeni atij zëri paralajmërues të brendshëm. Gjithmonë të jeni plot lutje kur është fjala për të mbrojtur fëmijët tuaj të çmuar.

Prindërimi trimëror nuk përfshin gjithmonë që të themi “jo”. Prindërve gjithashtu u duhet trimëri për të thënë “po” për këshillën e profetëve të ditëve moderne. Udhëheqësit tanë të Kishës na kanë këshilluar të krijojmë modele të drejta në shtëpitë tona. Merrni parasysh pesë praktika themelore, që kanë fuqi për ta forcuar rininë tonë: lutja familjare, studimi familjar i shkrimit të shenjtë, mbrëmja familjare, darka familjare së bashku dhe intervistat e rregullta kokë më kokë me secilin fëmijë.

Kërkon trimëri t’i mbledhësh fëmijët nga çfarëdo gjëje që po bëjnë, dhe të gjunjëzohesh së bashku si familje. Kërkon trimëri ta fikësh televizorin e kompjuterin dhe ta udhëheqësh familjen tënde përmes fragmenteve të shkrimeve të shenjta çdo ditë. Kërkon trimëri të refuzosh ftesa të tjera mbrëmjen e së hënës, që të mund ta rezervosh atë mbrëmje për familjen tënde. Kërkon trimëri dhe forcë vullneti të shmangësh programimin e ngjeshur, që familja jote të mund të jetë në shtëpi për vaktin ushqimor.

Një nga mënyrat më efikase si mund të ndikojmë bijtë dhe bijat tona është të këshillohemi me ta në intervista private. Duke i dëgjuar me vëmendje, mund të zbulojmë dëshirat e zemrave të tyre, t’i ndihmojmë të vendosin synime të drejta dhe gjithashtu të ndajmë me ta përshtypjet shpirtërore, që kemi marrë për ta. Këshillimi kërkon trimëri.

Përpiquni të përfytyroni se si mund të bëhet brezi i ri nëse këto pesë modele të drejta praktikohen vazhdimisht në çdo shtëpi. Të rinjtë tanë mund të bëhen si ushtria e Helamanit: të pamposhtshëm (shih Alma 57:25–26).

Prindërimi për adoleshentët në ditët e mëvonshme është një detyrë shumë përulëse. Satani dhe pasuesit e tij po përpiqen fort ta rrëzojnë këtë brez; Zoti po mbështetet tek prindër të guximshëm për t’i lartësuar ata. Prindër “Ji[ni të] fortë dhe trim[a]; mos ki[ni] frikë” (Jozueu 1:9). Unë e di se Perëndia i dëgjon dhe do t’u përgjigjet lutjeve tuaja. Unë dëshmoj se Zoti i mbështet dhe i bekon prindërit trima. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Shih “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Liahona, tetor 2004, f. 49.

  2. Joe J. Christensen, “Rearing Children in a Polluted Environment”, Ensign, nëntor 1993, f. 11.

  3. Robert D. Hales, “With All the Feeling of a Tender Parent: A Message of Hope to Families”, Liahona, maj 2004, f. 90.

  4. Boyd K. Packer, “Our Moral Environment”, Ensign, maj 1992, f. 67.