2010–2019
Dhe Kini Dhemshuri Për Njërin Duke Përdorur Dallim
Tetor 2010


Dhe Kini Dhemshuri Për Njërin Duke Përdorur Dallim

Bukuria e vizitës mësimore është të shohësh jetët të ndryshojnë, lotët të fshihen, dëshmitë të rriten, njerëzit të duhen, familjet të forcohen.

Motrat e mia të dashura, ç’bekim është të jesh me ju, të ndiesh forcën dhe dashurinë tuaj për Zotin. Faleminderit për dashurinë dhe dhembshurinë që ndani me të tjerët për ditë.

E dimë se në ditët e hershme të Shoqatës së Ndihmës në Navu, motrat shkuan nga shtëpia në shtëpi, duke i shërbyer njëra-tjetrës, duke përcaktuar nevoja, duke sjellë ushqim, duke u kujdesur për të sëmurët dhe duke treguar dhembshuri për çdo grua dhe familjen e saj1. Kjo sjellë në mendje shkrimin tek Juda: “Dhe kini dhemshuri për njërin duke përdorur dallim”2. Ndërsa meditoj për këtë shkrim të shenjtë dhe kuptimin e tij, mendimet e mia shkojnë tek Shpëtimtari dhe herët e shumta që shkrimet e shenjta flasin për dashurinë e dhembshurinë që Krishti pati për këdo.

Në Dhiatën e Re, lexojmë shpesh se Krishti “kishte dhembshuri”3 për njerëzit, ndërsa u përgjigjej nevojave të tyre. Ai kishte dhembshuri kur pa se ata ishin të uritur dhe i ushqeu, ose kur ishin të sëmurë dhe i shëroi, ose kur qenë në nevojë për pasurim shpirtëror dhe Ai u dha mësim.

Dhembshuri do të thotë të ndiesh dashuri e mëshirë ndaj një personi tjetër. Do të thotë të kesh simpati dhe dëshirë të lehtësosh vuajtjet e të tjerëve. Do të thotë të tregosh mirësi e butësi ndaj një tjetri.

Shpëtimtari na ka kërkuar të bëjmë gjërat që bëri Ai4, të mbajmë barrat e njëri-tjetrit, të ngushëllojmë ata që kanë nevojë të ngushëllohen, të vajtojmë me ata që vajtojnë5, të ushqejmë të uriturit, të vizitojmë të sëmurët6, të ndihmojmë të dobëtit, të ngremë duart që varen poshtë7 dhe “t’ia mëso[jmë] njëri-tjetrit doktrinën e mbretërisë”8. Për mua, këto fjalë dhe veprime përshkruajnë mësueset vizitore – ato që u shërbejnë të tjerave.

Vizita mësimore u jep grave mundësinë ta mbrojnë, forcojnë dhe mësojnë njëra-tjetrën. Shumë ngjashëm si një mësues në Priftërinë Aarone ngarkohet me përgjegjësinë që të “vëzhgojë mbi kishën gjithmonë dhe të jetë me ta e t’i forcojë ata”9, një mësuese vizitore e tregon dashurinë e saj duke marrë parasysh plot lutje çdo grua për të cilën është thirrur t’i shërbejë.

Motra Xhuli B. Bek na ka kujtuar: “Meqenëse ne ndjekim shembullin dhe mësimet e Jezu Krishtit, ne e vlerësojmë këtë detyrë të shenjtë për të dashur, ditur, shërbyer, kuptuar, dhënë mësim dhe për të bërë shërbesë në emrin e Tij”10.

Sot, dëshiroj të flas për dy gjëra:

  • Bekimet që u sillni të tjerave, ndërsa shërbeni si mësuese vizitore.

  • Dhe bekimet që merrni, ndërsa u shërbeni të tjerave.

Bekimet që u Sillni të Tjerave Ndërsa Shërbeni si Mësuese Vizitore

Jo shumë kohë më parë, takova një grup grash në Ankorixh të Alaskës. Ishin rreth 12 gra në dhomë dhe 6 të tjera u bashkuan me telefon me altoparlant nga qytete e qyteza në mbarë Alaskën. Shumë prej këtyre grave jetonin qindra kilometra larg nga ndërtesa e Kishës. Këto gra më mësuan mbi vizitën mësimore.

Që t’u bëje një vizitë personalisht të gjitha atyre motrave do të duhej një fluturim me aeroplan, lundrim me anije, ose udhëtim në largësi shumë të mëdha me makinë. Qartazi, koha dhe shpenzimi i bënin të pamundura vizitat në shtëpi. Megjithatë, këto motra ndiheshin të lidhura ngushtë sepse po luteshin nxehtësisht për njëra-tjetrën dhe po kërkonin udhëheqjen e Shpirtit të Shenjtë për të ditur se çfarë u nevojitej motrave të tyre, edhe pse nuk ishin shumë shpesh atje personalisht. Ato ia dolën të qëndronin në kontakt me telefon, internet dhe postë. Ato shërbenin me dashuri sepse kishin bërë besëlidhje me Zotin dhe dëshironin të bekonin e forconin motrat e tyre.

Një tjetër palë e përkushtuar mësuesesh vizitore në Republikën Demokratike të Kongos ecën në largësi të mëdha për të vizituar një grua dhe foshnjën e saj. Këto motra përgatitën plot lutje një mesazh dhe dëshironin të dinin se si mund të sillnin një ndryshim në jetën e gruas së dashur që po vizitonin. Gruaja u emocionua nga vizita e tyre. Për atë, vizita e tyre qe një kumtim nga qielli i dhënë vetëm asaj. Kur mësueset vizitore u takuan në shtëpinë e saj të përulur, motra, familja e saj dhe mësueset vizitore, të gjithë u ngritën moralisht dhe u bekuan. Ecja e gjatë nuk dukej një sakrificë. Këto mësuese vizitore patën dhembshuri, duke sjellë një ndryshim për mirë dhe duke bekuar jetën e kësaj gruaje.

Largësitë e mëdha, shpenzimet dhe çështjet e sigurisë i bëjnë të pamundura kontaktet mujore personalisht në disa zona të Kishës, por me anë të fuqisë së zbulesës personale, motrat që vërtet kërkojnë ta duan njëra-tjetrën dhe po e ruajnë dhe e forcojnë njëra-tjetrën, gjejnë mënyra kuptimplote për ta përmbushur këtë thirrje nga Zoti.

Një presidente e frymëzuar e Shoqatës së Ndihmës këshillohet me peshkopin e saj dhe plot lutje i kryen detyrat e vizitave mësimore për ta ndihmuar atë në vëzhgimin dhe kujdesin për çdo grua në lagje. Kur e kuptojmë këtë proces këshillimi dhe zbulese, e kuptojmë më mirë përgjegjësinë tonë të rëndësishme për të shërbyer dhe mund të mbështetemi më me siguri tek Shpirti që të udhëheqë përpjekjet tona.

Unë jam njëra që ka vizituar disa gra çdo muaj dhe pastaj, kam deklaruar me krenari e me një psherëtimë lehtësimi: “Vizitat e mia mësimore janë kryer!” Epo, pjesa për të cilën raportoj mund të jetë kryer, por nëse ajo është e vetmja arsye pse e bëj, sa turp!

Bukuria e vizitës mësimore nuk është të shohësh 100 për qind në raportin mujor; bukuria e vizitës mësimore është të shohësh jetët të ndryshojnë, lotët të fshihen, dëshmitë të rriten, njerëzit të duhen, familjet të forcohen, njerëzit të gëzohen, të uriturit të ushqehen, të sëmurët të vizitohen dhe ata që po vajtojnë, të ngushëllohen. Në të vërtetë, vizita mësimore kurrë nuk është e kryer sepse ne vëzhgojmë dhe forcojmë gjithmonë.

Një tjetër bekim i vizitës mësimore është të rritemi në unitet dhe dashuri. Shkrimet e shenjta na këshillojnë se si ta arrijmë këtë: “Dhe ai i urdhëroi ata që … të shikonin përpara me një qëllim të vetëm, duke pasur një besim dhe një pagëzim, duke pasur zemrat e tyre të thurura në bashkim dhe në dashuri kundrejt njëri-tjetrit”11.

Shumë gra kanë raportuar se arsyeja e kthimit në aktivitet në Kishë ishte sepse një mësuese vizitore besnike erdhi muaj pas muaji dhe u shërbeu atyre, duke i shpëtuar ato, duke i dashur ato, duke i bekuar ato.

Nganjëherë, mesazhi do të jetë gjëja më e rëndësishme që ndani në një vizitë të caktuar. Disa gra kanë pak pasurim shpirtëror në jetën e tyre përveç mesazhit që sillni ju. Mesazhet e Vizitave Mësimore tek Liahona janë mesazhe të ungjillit që e ndihmojnë çdo grua të rritet në besimin e saj, forcojnë familjen e saj dhe theksojnë shërbimin me dashuri hyjnore.

Nganjëherë, bekimi më i rëndësishëm në vizitën tuaj do të jetë që thjesht të dëgjoni. Dëgjimi sjell ngushëllim, mirëkuptim dhe shërim. Herë të tjera akoma, mund t’ju duhet të përvishni mëngët dhe të shkoni të punoni në shtëpi ose të ndihmoni për të qetësuar një fëmijë që qan.

Bekimet që Merrni Ndërsa u Shërbeni të Tjerave

Bekimet që merrni ndërsa u shërbeni të tjerave, janë të shumta. Nganjëherë kam thënë: “Oh, më duhet ta kryej vizitën time mësimore!” (Ato kanë qenë kohë kur kam harruar se po vizitoja e po u jepja mësim grave. Ato qenë kohët kur e konsideroja atë si një barrë dhe jo si një bekim.) Mund të them ndershmërisht se kur shkoja në vizitë mësimore, gjithmonë ndihesha më mirë. Ndihesha e lartësuar, që më donin dhe e bekuar, zakonisht shumë më tepër se motra që po vizitoja. Dashuria ime u shtua. Dëshira ime për të shërbyer u shtua. Dhe munda të shoh se çfarë mënyre të mrekullueshme ka planifikuar për ne Ati Qiellor që të mbrojmë dhe kujdesemi për njëra-tjetrën.

Bekime të tjera të qenies mësuese vizitore janë se ne arrijmë të njohim dhe të bëhemi mike me ato që përndryshe mbase nuk do t’i kishim njohur mirë. Nganjëherë, ajo na lejon të jemi një përgjigje për lutjet e dikujt. Gjithashtu, zbulesa personale dhe përvojat shpirtërore janë të lidhura ngushtë me vizitën mësimore.

Kam përjetuar disa përvoja të jetës sime nga më të përulurat, të gëzueshmet dhe shpirtëroret kur kam ndenjur në shtëpitë e grave në vetë lagjen time dhe nëpër botë. Ne i kemi mësuar ungjillin njëra-tjetrës. Ne kemi qarë së bashku, kemi qeshur së bashku, kemi zgjidhur probleme së bashku dhe unë jam ngritur moralisht dhe jam bekuar.

Një mbrëmje, pranë fundit të muajit, po përgatitesha të largohesha nga qyteti dhe ende nuk e kisha vizituar njërën nga motrat e mia. Ishte vonë në mbrëmje. Nuk kisha lënë takim. Nuk mora në telefon. Nuk kisha shoqe. Por vendosa se qe e rëndësishme ta vizitoja shoqen time, Xhulin. E bija e Xhulit, Ashli, kishte lindur me një sëmundje kockash të brishta. Megjithëse Ashli qe gati gjashtë vjeçe, ajo qe shumë e vogël dhe nuk bënte dot shumë gjëra përveç që të lëvizte krahët dhe të fliste. Ajo rrinte mbi një shtrojë lëkure deleje gjithë ditën, çdo ditë. Ashli qe një fëmijë e lumtur dhe e gëzuar dhe më pëlqente shumë t’i rrija rrotull asaj.

Në atë natë të veçantë kur unë shkova në shtëpi, Xhuli më ftoi të hyja dhe Ashli thirri se donte të më tregonte diçka. Unë hyra dhe u gjunjëzova në dysheme në njërën anë të Ashlit dhe nëna e saj qe në anën tjetër. Ashli tha: “Shiko se çfarë mund të bëj!” Pastaj, me pak ndihmë nga nëna e saj, Ashli mundi të rrotullohej brinjazi dhe të kthehej përsëri. Asaj iu deshën gati gjashtë vite që të përmbushte këtë synim të mrekullueshëm. Ndërsa duartrokitëm dhe brohoritëm, dhe qeshëm, dhe qamë së bashku në atë rast të veçantë, unë falënderova Atin Qiellor që kisha shkuar për vizitën mësimore dhe nuk e kisha humbur këtë ngjarje të shkëlqyer. Edhe pse ajo vizitë ka ndodhur shumë vite më parë dhe e ëmbla Ashli ka ndërruar jetë qysh atëherë, do të jem mirënjohëse përgjithmonë që pata atë përvojë të veçantë me të.

Vetë nëna ime e shtrenjtë qe një mësuese vizitore e shkëlqyer dhe e përkushtuar për shumë vite. Ajo vazhdimisht mendonte për mënyra si mund të bekonte familjet që vizitonte. Ajo u kushtonte vëmendje të veçantë fëmijëve të grave që vizitonte, duke shpresuar të forconte familjet. Mund të kujtoj një pesëvjeçar që vraponte drejt nënës time në Kishë, duke deklaruar: “Ti je mësuesja ime vizitore. Unë të dua!” Qenia pjesë e jetëve të grave të mrekullueshme dhe familjeve të tyre, qe një bekim për nënën time.

Jo të gjitha përvojat e lidhura me vizitat mësimore janë të ngrohta e të mrekullueshme. Nganjëherë është e vështirë, si për shembull të vizitosh një shtëpi ku vërtet nuk je e mirëpritur, ose kur është e vështirë të takohesh me një motër me program shumë të ngjeshur. Mund të kërkojë më shumë kohë të ndërtosh një marrëdhënie të mirë me disa motra. Por kur vërtet përpiqemi ta duam, të kujdesemi dhe të lutemi për motrën, Fryma e Shenjtë do të na ndihmojë të gjejmë një mënyrë për ta mbrojtur dhe forcuar atë.

Presidenti Tomas S. Monson është mjeshtër për të shërbyer siç bëri Shpëtimtari. Atë e gjen vazhdimisht duke vizituar dhe ndihmuar të tjerët. Ai ka thënë: “Ne jemi të rrethuar nga ata që kanë nevojë për vëmendjen tonë, nxitjen tonë, mbështetjen tonë, ngushëllimin tonë, dashamirësinë tonë. … Ne jemi duart e Zotit këtu në tokë, me autorizimin për të shërbyer dhe për të ngritur moralisht fëmijët e Tij. Ai varet nga secili prej nesh.”12

“Dhe askush s’mund të ndihmojë në këtë punë, nëse nuk do të jetë [e] përulur dhe plot dashuri, duke patur besim, shpresë dhe dashuri hyjnore, duke qenë [e] matur në gjithë gjërat, çfarëdo që do t’i besohet kujdesit të [saj].”13

Gratë, të cilave u bëjmë vizita mësimore, i janë besuar përkujdesit tonë. Le të kemi dashuri e dhembshuri dhe kështu të sjellim një ndryshim në jetën e atyre që i janë besuar përkujdesit tonë.

Motra, unë ju dua. Unë lutem që ju të ndieni dashurinë e Atit tonë Qiellor dhe të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Unë ju dëshmoj se Shpëtimtari jeton, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Shih Jill Mulvay Derr, Janath Russell Cannon, and Maureen Ursenbach Beecher, Women of Covenant: The Story of Relief Society (1992), f. 32–33.

  2. Juda 1:22.

  3. Mateu 9:36; 14:14.

  4. Shih Gjoni 13:15.

  5. Shih Mosia 18:8–9.

  6. Shih Mosia 4:26.

  7. Shih Doktrina e Besëlidhje 81:5.

  8. Doktrina e Besëlidhje 88:77.

  9. Doktrina e Besëlidhje 20:53.

  10. Xhuli B. Bek, “Shoqata e Ndihmës: Një Punë e Shenjtë”, Liahona, nëntor 2009, f. 113.

  11. Mosia 18:21.

  12. Tomas S. Monson “Çfarë Kam Bërë për Dikë Sot?” Liahona, nëntor 2009, f. 86.

  13. Doktrina e Besëlidhje 12:8.