2010–2019
Çfarë Keni Bërë Ju Me Emrin Tim?
Tetor 2010


Çfarë Keni Bërë Ju Me Emrin Tim?

Një ditë secilit nga neve do t’i duhet të japë llogari te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, për atë që ne kemi bërë me emrin e Tij.

Kur Presidenti Xhorxh Albert Smith ishte i ri, gjyshi i tij i vdekur, Xhorxh A. Smith, iu shfaq atij në një ëndërr dhe e pyeti: “Unë do të doja të di çfarë ke bërë ti me emrin tim.” Presidenti Smith u përgjigj: “Unë nuk kam bërë kurrë ndonjë gjë me emrin tend, që të ndihesh i turpëruar”1.

Çdo javë kur ne marrim pjesë në sakrament, ne bëjmë besëlidhje dhe premtojmë se ne duam të marrim përsipër emrin e Krishtit, gjithmonë ta kujtojmë Atë dhe të mbajmë urdhërimet e Tij. Nëse duam të veprojmë kështu, neve na premtohet bekimi më i mrekullueshëm – që Shpirti i Tij do të jetë gjithmonë me ne.2

Pikërisht ashtu si Presidenti Xhorxh Albert Smith duhej të jepte llogari ndaj gjyshit për çka kishte bërë me emrin e tij, një ditë secilit nga neve do t’i duhet të japë llogari te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, për atë që ne kemi bërë me emrin e Tij.

Rëndësia e të paturit të një emri të mirë përmendet te Fjalët e Urta, ku lexojmë: “Një emër i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha, dhe hiri është më i pëlqyeshëm se argjendi dhe ari”3 dhe “Emri i të drejtit bekohet!”4

Ndërsa mendoja mbi këto shkrime të shenjta dhe rëndësinë e të paturit të një emri të mirë, një mori kujtimesh më erdhën në mendje mbi emrin e mirë dhe trashëgiminë që prindërit e mi u lanë katër vëllezërve, dy motrave të mia dhe mua. Prindërit e mi nuk patën pasuritë e botës, as nuk patën argjend apo flori. Të nëntë ne u rritëm në një shtëpi me dy dhoma gjumi dhe një banjë me një verandë të mbyllur prapa ku flinin motrat e mia. Kur prindërit e mi vdiqën, vëllezërit, motrat e mia dhe unë u mblodhëm për të ndarë pasuritë e tyre tokësore, që ishin të pakta në numër. Nëna ime la disa veshje, disa mobilje të përdorura dhe pak gjëra të tjera personale. Babai im la disa vegla marangozi, disa pushkë të vjetra gjahu dhe pak të tjera. Të vetmet gjëra me ndonjë vlerë monetare ishin një shtëpi modeste dhe një llogari e vogël kursimesh.

Së bashku ne qamë pa ndruajtje, duke falënderuar, duke ditur se ata na kishin lënë neve diçka shumë më të çmueshme sesa argjendi dhe floriri. Ata na kishin dhënë neve dashurinë e tyre dhe kohën e tyre. Ata shpesh kishin dhënë dëshmi të së vërtetës së ungjillit, që ne mund ta lexojmë në ditarët e tyre të çmuar. Jo aq me fjalë por më shumë me shembull, ata na patën mësuar ne të punojmë fort, të jemi të ndershëm dhe të paguajmë të dhjetë të plotë. Ata gjithashtu mbollën tek ne një dëshirë për të çuar më tej arsimimin tonë, të shërbenim në një mision dhe, më e rëndësishmja, të gjenim një shok apo shoqe të përjetshme, të martoheshim në tempull dhe të duronim deri në fund. Me të vërtetë, ata na lanë neve trashëgiminë e një emri të mirë, për të cilin ne do të jemi përgjithmonë mirënjohës.

Kur profeti i dashur Haleman dhe bashkëshortja e tij u bekuan me dy bij, ata i quajtën ata Lehi dhe Nefi. Helamani u tregoi bijve të tij përse ata kishin marrë emrat e dy paraardhësve të tyre, që kishin jetuar në tokë, thuajse 600 vite pëpara lindjes së tyre. Ai tha:

Ai tha: “Vini re, bijtë e mi …, unë ju dhashë emrat e prindërve tanë të parë [Lehi dhe Nefi] … ; dhe këtë gjë e bëra, që kur ju të kujtoni emrat tuaj … ju mund të kujtoni veprat e tyre; dhe kur t’i kujtoni veprat e tyre, ju mund të dini siç është thënë dhe gjithashtu shkruar, që ato qenë të mira.

Prandaj, bijtë e mi, unë do të doja që ju të bëni atë që është e mirë, që të mund të thuhet dhe gjithashtu të shkruhet për ju, madje ashtu siç u tha dhe u shkrua për ta.

që ju të mund të keni atë dhuratë të çmueshme të jetës së përjetshme.”5

Vëllezër dhe motra, pas 600 vitesh, si do të kujtohen emrat tanë?

Duke folur rrethi mënyrën se si ne mund të marrim mbi vete emrin e Krishtit dhe kështu të mbrojmë emrin tonë të mirë, Moroni na mësoi:

“Dhe përsëri, unë do t’ju këshilloja që ju të vini te Krishti dhe të merrni çdo dhuratë të mirë dhe të mos prekni dhuratën e ligë, as gjënë e papastër.

Po, ejani te Krishti dhe përsosuni në të dhe i mohoni vetes çdo ligësi”.6

Në broshurën e frymëzuar Për Forcën e Rinisë, ne lexojmë: “Liria e zgjedhjes është një parim i dhënë nga Perëndia, i përjetshëm që mban në vetvete përgjegjësitë morale për zgjedhjet e bëra. Ndërsa [ne] jemi të lirë të zgjedhim [vetë], [ne] nuk jemi të lirë të zgjedhim pasojat e veprimeve [tona]. Kur [ne] bëjmë një zgjedhje, [ne] do të marrim pasojat e asaj zgjedhjeje”.7

Pak pasi e dashura ime, Devona, dhe unë u martuam, ajo më tregoi një histori sesi e kishte mësuar në rininë e saj këtë doktrinë të rëndësishme që ne jemi të lirë të zgjedhim, por ne nuk jemi të lirë të zgjedhim pasojat e veprimeve tona. Me ndihmën e motrës sime Shelli, unë do të doja ta tregoja përvojën e Motrës Arnold:

“Kur isha 15 vjeç, unë shpesh ndieja se kishte tepër shumë rregulla dhe urdhërime. Unë nuk isha e sigurt nëse një adoleshent normal që i pëlqen të argëtohet, do të mund ta gëzonte jetën me kaq shumë kufizime. Për më tepër, orët e shumta të shpenzuara duke punuar në fermën e babait tim po preknin rëndshëm kohën time me miqtë.

Këtë verë të veçantë, një nga punët e mia ishte të siguroja që lopët që kullotnin në kullotën malore nuk do të shpërthenin gardhin dhe të futeshin në fushën me grurë. Një lopë duke kullotur në grurin që rritej, mund të fryhej, duke shkaktuar bllokim frymëmarrjeje dhe ngordhje. Një lopë veçanërisht po përpiqej vazhdimisht ta fuste kokën nëpër gardh. Një mëngjes, ndërsa po shkoja me kalë përgjatë vijës së gardhit duke kontrolluar bagëtitë, unë pashë se lopa kishte shpërthyer gardhin dhe ishte futur në fushën me grurë. Për tmerrin tim, unë pashë se ajo po hante në fushën e grurit për një kohë jo të vogël sepse tashmë ajo ishte fryrë dhe i ngjante shumë një tollumbaceje. Mendova: ‘Ti lopë budallaqe! Ai gardh ishte që të të mbronte ty dhe ti prapë çave nëpër të dhe ke ngrënë aq shumë grurë sa jeta jote është në rrezik. ’

Unë nxitova për në ndërtesën e fermës për të marrë babanë tim. Gjithsesi, kur u kthyem, unë e gjeta atë të ngordhur shtrirë në tokë. U dëshpërova nga humbja e asaj lope. Ne i kishim siguruar asaj një kullotë malore të mrekullueshme për të kullotur dhe një gardh për ta mbajtur larg grurit të rrezikshëm, por përsëri ajo me budallallëk shpërtheu nëpër gardh dhe i shkaktoi vetes ngordhjen.

“Ndërsa mendoja mbi rolin e gardhit, unë kuptova se ai ishte një mbrojtje, njësoj si urdhërimet dhe rregullat e prindërve të mi ishin një mbrojtje. Urdhërimet dhe rregullat ishin për të mirën time. Unë kuptova se bindja ndaj urdhërimeve mund të më shpëtojë nga vdekja fizike dhe shpirtërore. Ai ndriçim ishte një pikë kthese në jetën time”.

Motra Arnold mësoi se Ati ynë Qiellor bujar, i urtë dhe i dashur na ka dhënë neve urdhërime jo për të na kufizuar, siç do të donin kundërshtarët të besonim, por për të bekuar jetën tonë dhe për të mbrojtur emrin dhe trashëgiminë tonë të mirë për brezat e ardhshëm – pikërisht siç ato kishin bërë për Lehin dhe Nefin. Pikërisht si lopa që mori pasojat e zgjedhjes së saj, secili nga ne duhet të mësojë se bari nuk është kurrë më i gjelbër në anën tjetër të gardhit – as do të jetë kurrë, sepse “ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi” 8. Secili nga ne do të marrë pasojat e zgjedhjeve të veta kur kjo jetë të mbarojë. Urdhërimet janë të qarta, ato janë mbrojtëse – ato nuk janë kufizuese – dhe bekimet e mrekullueshme të bindjes janë të panumërta!

Ati ynë Qiellor e dinte se ne të gjithë do të bënim gabime. Unë jam kaq mirënjohës për Shlyerjen, që e lejon secilin prej nesh të pendohet, të bëjë rregullimet e nevojshme që edhe një herë të mund të jetë një me Shpëtimtarin tonë dhe të ndiejë paqen e ëmbël të faljes.

Shpëtimtari ynë na fton çdo ditë të pastrojmë emrin tonë dhe të kthehemi në praninë e Tij. Nxitja e Tij është plot me dashuri dhe dhembshuri. Përfytyroni me mua përqafimin e Shpëtimtarit ndërsa po lexoj fjalët e Tij: “A nuk do të ktheheni tani tek unë dhe të pendoheni për mëkatet tuaja dhe të ktheheni në besim, që të mund t’ju shëroj?”9

Sot unë do të doja t’i drejtoj të njëjtën nxitje secilit prej jush që prindërit e mi, që do të kujtohen përgjithmonë për shkak të emrit të tyre të mirë, më drejtuan mua. Përpara se të veproni, përfytyroni Shpëtimtarin ulur në anën tuaj dhe pyesni veten: “A do ta mendoja, a do ta thoshja, apo a do ta bëja unë atë duke ditur se Ai është atje?” Sepse me siguri Ai është atje. Presidenti ynë i dashur Tomas S. Monson, që unë dëshmoj se është një profet, shpesh citon vargun e mëposhtëm të shkrimit të shenjtë kur flet për Zotin dhe Shpëtimtarin tonë: “Unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja”10.

Në atë ditë të lavdishme kur ne të qëndrojmë përpara Shpëtimtarit tonë të dashur për të treguar se çfarë kemi bërë me emrin e Tij, qofshim në gjendje të deklarojmë: “Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin.”11 “Unë e kam nderuar emrin Tënd”. Unë dëshmoj se Jezusi është Krishti. Ai vdiq që ne të mund të jetojmë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Presidents of the Church Student Manual (Church Educational System manual, 2003), f. 134.

  2. Shih Doktrina e Besëlidhje 20:77.

  3. Fjalët e Urta 22:1.

  4. Fjalët e Urta 10:7.

  5. Helamani 5:6–8; korsivet shtuar.

  6. Moroni 10:30,32; korsivet shtuar.

  7. For the Strength of Youth (broshurë, 2001), f. 4.

  8. Alma 41:10.

  9. 3 Nefi 9:13.

  10. Doktrina e Besëlidhje 84:88.

  11. 2 Timoteu 4:7.