2013
Të Bërit një Njeri i Paqes
Tetor 2013


Të Bërit një Njeri i Paqes

Tempulli, misionet dhe shërbimi e ndihmuan Roxherin dhe familjen e tij që të ecnin drejt të bërit një familje e përjetshme.

Roxher Rendrienerison e dinte se mungonte diçka në jetën e familjes së tij.

“Iu luta Perëndisë që të më ndihmonte të gjeja diçka për ta udhëhequr familjen time”, tha ai. “Kisha dëshirë ta udhëhiqja familjen time drejt diçkaje të mirë, diçkaje që do ta çonte në shtegun e drejtë.”

Ai ishte i shqetësuar rreth mënyrës se si t’i rriste tre fëmijët e tij – bijtë Rendrienendri dhe Sedinirina dhe të bijën, Nirina. Ai ishte i mërzitur sepse gjaknxehtësia e tij kishte sjellë sfida në familje. Ai dëshironte të ishte një prind më i butë.

“Vendosa se isha unë ai që duhej të ndryshoja sepse e pashë se cili isha bërë”, tha ai.

Roxheri e kishte humbur biznesin e tij të ndërtimit disa vite më parë dhe po punonte si shofer taksie në Antananarivo të Madagaskarit. Një ditë ai mori me makinë dy motra misionare.

“Pasi u futën në makinë, më pyetën për emrin dhe nëse kisha familje”, tha ai. “Më pyetën nëse e dija cili ishte Perëndia dhe nëse i lutesha Atij.”

Misionaret kënduan këngë me Roxherin gjatë rrugës dhe e ftuan atë në Kishë. Ai u përpoq të shkonte disa herë, por nuk mundi të gjente asnjëherë kohë në axhendën e tij dhe i humbi lidhjet me misionaret.

Rreth pesë muaj më vonë, Roxheri po punonte në shtëpi një ditë kur dëgjoi dy misionarë duke i folur dikujt jashtë gardhit të tij. Roxheri e dinte se ata kishin ardhur për të folur me të. Ai ndjeu se duhej t’i përgjigjej me po, cilësdo pyetje që ata do t’i bënin.

Pasi u prezantuan, misionarët e pyetën nëse dinte gjë për Perëndinë. Po. A dëshironte ai t’i lutej Perëndisë? Po. A dëshironte të fliste me misionarët? Po. Kur? Tani. Misionarët thanë se do të ktheheshin për 20 minuta. Kur u kthyen, kishin një anëtar me vete që jetonte aty pranë.

Misionarët i dhanë mësime Roxherit shumë herë për një muaj në shtëpinë e tij. Për shkak të gjërave që kishin dëgjuar rreth Kishës, pjesa tjetër e familjes së tij nuk dëshironte të studionte me misionarët. Pas një muaji duke mësuar rreth ungjillit, Roxheri shkoi në kishë me misionarët. Pritja e dashur që përjetoi, i la mbresa. “Anëtarët më pritën si të më kishin njohur tashmë prej një kohe shumë të gjatë”, tha ai.

Roxheri u kthye në shtëpi nga kisha dhe i tregoi familjes se do të pagëzohej për një muaj dhe se ata ishin të lirë të zgjidhnin të bashkoheshin me Kishën ose jo. Ata i kërkuan atij të priste që të mund të bashkoheshin me të. Filluan të merrnin pjesë në mbledhje dhe patën gjithashtu një surprizë të këndshme.

Hera e parë kur mori pjesë në mbledhjet e Kishës, i la një mbresë të qëndrueshme birit më të madh të Roxherit, Rendrienendrit. “Herën e parë që shkova në kishë, u habita shumë sepse njerëzit ishin aq të përulur”, tha ai. “Së pari, ata ishin veshur siç duhet për kishë. Pas asaj e kuptova se ata ishin atje vërtet për një qëllim, jo vetëm për t’u dukur para të tjerëve.”

Rendrienerisonët u pagëzuan si familje më 20 shkurt 2003. Në atë kohë, Nirina ishte 8 vjeçe, Sedinirina ishte 17 vjeç dhe Rendrienendri ishte 19 vjeç. Familja ndaloi së punuari të dielave dhe e bëri të jetuarin e ungjillit një përparësi.

Ndryshimet

“Pasi u pagëzova, pashë shumë ndryshime në shtëpinë tonë”, tha Arelina, gruaja e Roxherit. “U bë një shtëpi shpirtërore dhe kaq shumë bekime, si materiale ashtu edhe shpirtërore, erdhën nga të jetuarit e ungjillit.”

Nga një këndvështrim material, Roxheri i njeh merita Atit Qiellor për ndihmën që i dha për ta rindërtuar biznesin e tij. Pas dy vitesh si shofer taksie dhe bërjes së çfarëdolloj pune që mundej për të siguruar të ardhura për familjen, ai filloi të merrte kontrata ndërtimi. “Besoj se Perëndia më bekon gjithnjë kur vendos ta ndjek Atë”, tha ai.

Por bijtë e tij thonë se ndryshimi më i madh që kanë parë, është në temperamentin e të atit. Ata e përshkruajnë atë tani si një shembull përulësie dhe mirësjelljeje. Roxheri tha se ungjilli e bindi se duhej të ndryshonte. Që kur filloi ta studionte atë, Roxheri është përpjekur ta mbushë jetën me gjëra të mira.

“Për shkak të mësimeve të ungjillit, nuk e humbas kurrë durimin”, tha ai. “Ka provokime ndonjëherë, por ungjilli është në zemrën time, në kokën time dhe në shpirtin tim. Ai më ndihmon të rri i qetë.”

Kur krijohen situata acaruese, Roxheri është personi që i qetëson pjesëtarët e familjes dhe i kujton ata të veprojnë siç do të vepronte Shpëtimtari.

“Im atë u bë i përulur dhe tani kujdeset për familjen tonë me dashuri”, tha Sedinirina. “Kur shoh ndryshimin tek ai, jam shumë mirënjohës për Atin Qiellor, për ungjillin dhe për të qenit anëtarë të Kishës.”

Një Familje e Përjetshme

Në 2006-ën, me ndihmën e Fondit të Përgjithshëm të Ndihmës për Përkrahjen për Tempuj, Roxheri dhe Arelina shkuan në Johanesburg të Afrikës së Jugut, për t’u vulosur në tempull.

Nga viti 2009 deri në 2011, Sedinirina dhe Rendrienendri shërbyen në misione në Afrikën e Jugut – Sedinirina në Kejptaun dhe Rendrienendri në Johanesburg. Pjesë e shtysës së tyre për të shërbyer ishte që t’i ndihmonin familjet e tjera të ndryshonin, siç kishte bërë familja e tyre.

“Një mrekulli si kjo mund të ndodhë dhe ndodhi, sepse misionarët erdhën në shtëpinë tonë”, tha Rendrienendri. “Ndaj kisha dëshirën që të bëja po të njëjtën gjë për një familje diku.”

Ai vendim i solli një bekim tjetër familjes Rendrienerison. Qe një periudhë nëntëditëshe kur të dy Sedinirina dhe Rendrienendri do të ishin në Qendrën e Trajnimit të Misionarëve në Johanesburg. Roxheri e rregulloi që të fluturonte për në Afrikën e Jugut me Arelinën dhe të bijën, Nirinën, që e tërë familja të mund të vulosej në tempull. Nirina, që ishte 14 vjeçe në atë kohë, tha se është e vështirë të përshkruhet përvoja dhe ajo që ndjeu.

“Ma forcoi besimin dhe më ndihmoi të ndihem më pranë Perëndisë”, tha ajo.

Sot, pjesëtarët e familjes punojnë që t’i ndërtojnë e t’i forcojnë njerëzit përreth tyre. Roxheri shërben si peshkop i lagjes së tij. Arelina punon në Fillore me programin “Besim në Perëndi”. Sedinirina është ndihmësnëpunës kunji. Rendrienendri është ndihmësnëpunës lagjeje. Nirina është drejtuesja e muzikës për lagjen.

Ungjilli ka qenë një përgjigje për lutjet e familjes Rendrienerison. I ka shëruar plagët e vjetra, i afroi më tepër dhe u dha atyre mundësi për të qenë së bashku përgjithmonë. Ai e ka mësuar Roxherin të dojë. “Jeta familjare”, tha ai, “është një jetë plot me dashuri.”

Roxher Rendrienerison e nisi shtegun drejt dishepullimit duke marrë misionaret në taksi.

Fotografi të familjes Rendrienerison nga Matthew D. Flitton

Studimi i ungjillit si familje e ka ndihmuar familjen Rendrienerison të afrohet më tepër së bashku.

Udhëtimi për në Afrikën e Jugut për t’u vulosur në Tempullin e Johanesburgut e forcoi familjen Rendrienerison.

Sipër: fotografi nga David William Newman © IRI; poshtë: fotografi © Laura Parker