2013
A do të Kthehej Mateu?
Tetor 2013


A do të Kthehej Mateu?

Emri rezervohet

Ne kishim një grup të fortë të rinjsh në lagjen tonë, por biri ynë Mateu, u afrua me një joanëtar me të cilin kishte të përbashkët dashurinë për makinat dhe çdo gjë mekanike. Fatkeqësisht, ky i ri rridhte nga një familje që nuk e vlerësonte fenë. Prindërit e tij e lejonin pirjen e alkoolit dhe të duhanit në shtëpinë e tyre dhe nuk besonin se të qenit moralisht i pastër ishte e rëndësishme.

Mateu kishte fituar vendin e parë në skautizëm, por nuk mori pjesë në mbledhjet e ndarjes së çmimeve sepse kishte pushuar së jetuari standardet e skautizmit. I mblodha të gjitha çmimet e tij të skautizmit dhe bëra një kuti ekspozimi. Më pas e vura mënjanë, duke shpresuar se një ditë do të ishte me vlerë për të. Kur ishte 16 vjeç, Mateu pinte duhan, alkool dhe merrte drogë. E la shkollën dhe shkoi të jetonte me të dashurën. Për dy vjet, e pamë shumë rrallë.

U shkatërruam. Nuk e dinim nëse ai do t’i kthehej ndonjëherë familjes dhe besimit të tij, por vendosëm të ndiqnim këshillën e Almës që kishte të bënte me birin e tij të pabindur. Alma vazhdoi ta donte të birin dhe u lut me besim se ai “do të sille[j] në njohurinë e së vërtetës” (Mosia 27:14).

Ne luteshim vazhdimisht që Zoti të ndërhynte në jetën e Mateut dhe kapëm çdo mundësi për të shprehur me fjalë dhe vepra sa shumë e donim. Kur ai vinte në shtëpi, ne nuk thonim asgjë që ai mund ta interpretonte si kritikë apo gjykim. Ne thjesht shprehnim gëzimin tonë që e shihnim.

Një ditë, Mateu erdhi në shtëpi dhe tha që dëshironte të fliste. Ai tha se kishte takuar një vajzë në një festë që kishte pyetje rreth Kishës. Përpara se të mund t’i thoshte asaj që nuk i dinte më përgjigjet, fjalët filluan t’i dilnin nga goja. Ai e gjeti veten duke iu përgjigjur pyetjeve të saj sapo ajo i bënte. Mateu tha se nuk mbante mend t’i kishte mësuar gjërat që tha, por e dinte se fjalët e tij ishin të vërteta. Ai vriste mendjen pse po jetonte ashtu kur ende besonte tek ungjilli.

Pas tri ditësh analizimi të brendshëm, ai vendosi ta linte prapa jetën që kishte bërë. Erdhi në shtëpi për të na kërkuar ndihmë që t’ia niste nga e para.

Mateu i telefonoi një kushëriri në një shtet tjetër që kishte mposhtur vështirësi të ngjashme, dhe e pyeti nëse mund të rrinte me të. Kushëriri i tij pranoi dhe Mateu filloi t’i ndiqte mbledhjet e Kishës me të dhe u takua me peshkopin që të merrte ndihmë me procesin e pendimit. Ai ndjeu dashuri dhe mbështetje dhe u bë aktiv në Kishë.

Me kohë, ai takoi një të re të këndshme e të drejtë. Ata ranë në dashuri dhe u martuan në tempull.

Kur lindi fëmija i tyre i parë, unë shkova për një vizitë dhe i çova kutinë e ekspozimit që kisha bërë me çmimet e tij të skautizimit. Ai u ngazëllye dhe e vari atë me krenari në një vend të dukshëm në shtëpinë e tij.

Birit tonë nuk iu shfaq një engjëll, siç i kishte ndodhur Alma të Riut. Por kthimi i Mateut tek e vërteta ishte po aq i mrekullueshëm.