2013
Pyetje e Përgjigje
Tetor 2013


Pyetje & Përgjigje

“Çfarë u them unë joanëtarëve që pyesin përse disa anëtarë të Kishës nuk po i jetojnë standardet tona?”

Do të ishte e mrekullueshme nëse secili anëtar i Kishës do ta jetonte ungjillin plotësisht. Ata jo vetëm që do të gëzonin më shumë bekime në jetën e tyre, por gjithashtu do të ishin shembuj të mrekullueshëm për njerëzit përreth tyre. Por ne jemi të vdekshëm, kështu që ne të gjithë nuk ia dalim në njëfarë shkalle. Arsyeja kryesore pse disa e jetojnë ungjillin më plotësisht sesa të tjerët është se secili është në nivel të ndryshëm të kthimit vetjak në besim dhe të forcës së dëshmive vetjake. Çdonjëri ka sprova të ndryshme dhe burime e njerëz të ndryshëm që i ndihmojnë.

Joanëtarët mund të mos i kuptojnë termat si “kthim në besim” dhe “dëshmi”, por ata do ta kuptojnë se secili person mund të zgjedhë se si të jetojë. Ju mund të shpjegoni se Ati Qiellor synoi që të ishte në këtë mënyrë. Ai na dha lirinë tonë të zgjedhjes në mënyrë që të mund të rriteshim shpirtërisht duke zgjedhur të drejtën. Por Ati Qiellor gjithashtu e dinte se çdonjëri – përveç Jezu Krishtit – do të bënte gabime, ndaj Ai dha një Shpëtimtar për ne. Për shkak të Shlyerjes, ne mund të pendohemi, të falemi, të mësojmë nga gabimet tona dhe të shkojmë përpara në jetë.

Ju mund të shpjegoni edhe se ne nuk i gjykojmë ata të cilët nuk po i ndjekin standardet e Kishës. Përkundrazi, ne përpiqemi t’i ndihmojmë ata, t’i kuptojmë ata dhe të jemi të duruar me ta. Ndonëse ne nuk e tolerojmë mëkatin, ne nuk e dënojmë mëkatarin (shih Gjoni 8:11). Pendimi është ende i mundur, për të gjithë ne.

Kërkoni Shkrimet e Shenjta

Përgjigjja për pyetjen mund të gjendet në shkrimet e shenjta. Kur njerëzit nuk i mbajnë urdhërimet, ne duhet të shmangim gjykimin (shih Mateu 7:1). Libri i Romakëve 3:23 thotë: “Sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë”. Megjithatë, është e vërtetë që anëtarët e Kishës duhet të përpiqen të jenë të bindur.

Medison M., 13 vjeçe, Teksas, SHBA

Jepni Mësim për Shlyerjen

Kur njerëzit thonë gjëra të tilla, në vend që të gjej faj tek anëtari që nuk po ndjek rregullat, unë e përdor atë si një mundësi për të dhënë mësim për Shlyerjen. Unë u them atyre se thjesht për shkak se jemi mormonë nuk do të thotë se jemi të përkryer dhe se kemi Shlyerjen që të mund të pendohemi për mëkatet tona e t’i ndreqim ato gabime. Kjo zakonisht hap rrugën për akoma më shumë pyetje.

Xhejdi H., 16 vjeçe, Oregon, SHBA

Kisha na Mëson të Bëjmë Mirë

Si çdokush tjetër, anëtarët e Kishës përjetojnë sfida dhe tundime. Të gjithë ne kemi dobësi, por kjo nuk do të thotë se kjo Kishë nuk është e vërtetë. Kjo është Kisha e Jezu Krishtit, që po i ndihmon njerëzit të njohin ungjillin e vërtetë dhe të marrin ekzaltim. Është njeriu i natyrshëm që nuk u bindet urdhërimeve (shih Mosia 3:19) dhe nuk është faji i Kishës. Kisha na mëson të bëjmë vepra të mira. Por të gjithë ne kemi një zgjedhje.

Lavinia S., 19 vjeçe, Bulakan, Filipine

Standardet Janë për Lumturinë Tonë

Kjo pyetje është e njohur për mua sepse njoh disa persona të cilët kanë bërë zgjedhje që i kanë larguar nga ungjilli. Zoti na jep urdhërime për lumturinë tonë dhe që të “bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Zoti dëshiron që ne të kthehemi tek Ai; megjithatë, Ai dëshiron që ne të bëjmë vetë zgjedhjet tona. Kjo është arsyeja përse disa persona nuk i jetojnë standardet tona. Standardet më ndihmojnë mua personalisht sepse e di se Ati Qiellor m’i ka dhënë ato që të mund të kthehem dhe të jetoj me Të dhe të jem e lumtur. Ato janë provë e dashurisë së Tij për mua.

Morgan D., 18 vjeçe, Langëdok-Rusijo, Francë

Bëhuni Shembull

Kjo Kishë është jetike për të na ndihmuar të përmbushim urdhërimet e Atit tonë Qiellor dhe për të jetuar me Të sërish. Por thjesht sepse dikush i përket Kishës nuk do të thotë se ai apo ajo do të jetë gjithmonë një njeri i mirë. Shikojeni botën tonë sot, plot ligësi dhe neveri, edhe pse bota është e mbushur me njerëz që vendosën ta ndiqnin Jezu Krishtin në jetën para lindjes. Mendoj se gjëja më e mirë që mund të bëjmë, është të vendosim një shembull për miqtë tanë.

Kaden S., 15 vjeç, Juta, SHBA

Lutuni për Ta dhe Vizitojini Ata

Anëtarët të cilët nuk i jetojnë standardet tona, mund të mos kenë një dëshmi të përqendruar te Jezu Krishti. Ne duhet të lutemi për ta, që ata të kërkojnë drejtimin e Shpirtit dhe që të jenë në gjendje të fitojnë dëshminë e tyre vetjake. Ne duhet t’i vizitojmë këta njerëz dhe t’i ndihmojmë të vijnë te Krishti.

Andrea C.,13 vjeçe, Lima, Peru

Jetojini Standardet Tona

Sikurse çdo organizatë ose fe tjetër, ka disa njerëz të cilët janë më shumë të përkushtuar ose më pak të përkushtuar. Ne thjesht duhet t’i jetojmë standardet tona sa më mirë të mundemi dhe të shpresojmë e të lutemi që edhe të tjerët do t’i jetojnë ato.

Maren S., 16 vjeçe, Arizona, SHBA