2013
Thjesht Buzëqeshni dhe Thoni ‘Jo’
Tetor 2013


Thjesht Buzëqeshni dhe Thoni “Jo”

Autorja jeton në Metro Manila, Filipine.

I kam refuzuar ofertat për të pirë, por tani presidenti i kompanisë po më ofronte një gotë me verë.

Pamja
A woman being offered alcoholic drinks.

Ilustrim nga Sudi McCollan

Një verë, mora pjesë në një trajnim pune në një ishull në Bikol, Filipine. Pamja e oqeanit ishte e mahnitshme dhe mezi e prisja çdo mëngjes.

Megjithatë, u druhesha mbrëmjeve. Kjo ndodhte kur njerëzit në kamp do të fillonin të pinin dhe do të organizonin festa. Ftesat ndaj të tilla festave qenë të shpeshta, dhe bashkëpraktikantët e mi dhe unë duhej të ishim të pranishëm, duke qenë se mospjesëmarrja do të ishte mungesë respekti.

Festa e parë ishte një festë mirëseardhjeje për praktikantët e rinj. Kisha frikë që të merrja pjesë, sepse isha shumë e sigurt se do të na ofronin pije dhe nuk isha e sigurt se si t’i refuzoja. I telefonova një miku në lagjen time dhe ai më dha disa këshilla të mrekullueshme që rritën besimin tim tek vetja.

Kur filloi festa, ata na ofruan pije por, fatmirësisht, nuk na detyruan që t’i pijmë. Duke qenë se bashkëpraktikantët e mi e pranuan qëndrimin tim për të mos pirë, refuzimi i ofertave të tjera për të pirë tani ishte i lehtë për mua – deri në një natë. Gjatë njërës prej festave tona, erdhi presidenti i kompanisë. Ai po mbante një shishe me lambanog (një verë e zonës e përgatitur nga arrë kokosi). Pak pas mbërritjes së tij, e pashë atë duke zbrazur pak nga vera. Ai më pas tha: “Ju duhet të mësoni se si të pini” dhe ia dha gotën njërës prej praktikanteve. Ajo e piu ngutas.

Zemra ime filloi të rrihte fort. Shpejt do të vinte radha ime. Po i pëshpërisja vetes në heshtje: “Nuk do ta pij. Nuk do ta pij.” Më pas pashë presidentin të më zgjaste gotën me verë. Nuk dija se çfarë të bëja. Bashkëpraktikantët e mi po më vështronin, duke pritur që të shihnin se çfarë do të bëja. I buzëqesha presidentit dhe plot nderim i thashë: “Më falni, zotëri, por unë nuk pi”.

E dija se u zhgënjye. Më pyeti përse nuk pija. I thashë: “Unë jam mormone”.

Ai tha: “S’kam dëgjuar për këtë fe. Tingëllon si një lloj ushqimi.” Të gjithë qeshën.

Edhe unë buzëqesha, jo për shkak të shakasë së tij por sepse e dija se bëra gjënë e duhur.

Askush asnjëherë nuk më ofroi më një pije. Por ende talljet nuk mbaruan, edhe nga vetë miqtë e mi. Madje njëra tha se po gënjeja dhe se është e paimagjinueshme që anëtarët e Kishës të mos pijnë. Gjatë kësaj kohe ndieva presionet që u vijnë anëtarëve të Kishës.

Qëndrimi në atë ishull më dha shumë mësime, jo thjesht akademike por shpirtërore. Mësova se përqeshja mund të mos mbarojë kurrë, por Shpirti i Zotit do t’ju drejtojë gjithnjë që të bëni atë që është e drejtë.