2013
Përgjegjësia Jonë për t’i Shpëtuar
Tetor 2013


Mesazhi i Presidencës së Parë

Përgjegjësia Jonë për t’i Shpëtuar

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, nevoja për t’i shpëtuar vëllezërit dhe motrat tona që, për njëfarë arsye, janë larguar nga shtegu i aktivitetit të Kishës, është me rëndësi të përjetshme. A njohim njerëz të tillë që dikur e përqafuan ungjillin? Nëse po, cila është përgjegjësia jonë për t’i shpëtuar ata?

Merrni parasysh të humburit mes njerëzve të moshuar, të ve dhe të sëmurë. Shumë shpesh ata gjenden në shkretëtirën fërgëlluese dhe të braktisur të izolimit të quajtur vetmi. Kur rinia largohet, kur shëndeti pakësohet, kur gjallëria venitet, kur drita e shpresës ndriçon gjithmonë e më zbehtë, ata mund të ndihmohen dhe të mbështeten nga dora që ndihmon dhe zemra që njeh dhembshuri.

Ka, sigurisht, të tjerë që kanë nevojë të shpëtohen. Disa ndeshen me mëkatin, ndërsa të tjerë enden në frikë apo plogështi ose padituri. Për çfarëdo arsye, ata e kanë izoluar vetveten nga aktiviteti në Kishë. Dhe pothuajse në mënyrë të sigurt ata do të mbeten të humbur, në qoftë se nuk zgjohet brenda nesh – anëtarëve aktivë të Kishës – një dëshirë për t’i ndihmuar dhe shpëtuar.

Dikush që të Tregojë Udhën

Ca kohë më parë mora një letër të shkruar nga një burrë i cili ishte larguar nga Kisha. Ajo është tipike për shumë prej anëtarëve tanë. Pasi përshkroi se si ishte bërë joaktiv, ai shkroi:

“Pata kaq shumë dhe tani kam kaq pak. Nuk jam i lumtur dhe ndihem sikur po dështoj në gjithçka. Ungjilli nuk është larguar kurrë nga zemra ime, edhe pse ai e ka lënë jetën time. Kërkoj lutjet tuaja.

Ju lutem, mos i harroni ata prej nesh që janë këtu jashtë – shenjtorët e humbur të ditëve të mëvonshme. E di se ku është Kisha, por nganjëherë mendoj se kam nevojë që dikush tjetër të ma tregojë udhën, të më nxisë, të ma largojë frikën dhe të më japë dëshmi.”

Teksa po e lexoja këtë letër, mendimet e mia u kthyen te një vizitë që bëra në një nga galeritë madhështore të artit të botës – në Muzeun e famshëm Viktoria dhe Alberti në Londër në Angli. Atje, e vënë në kornizë në mënyrë shumë të këndshme, është një kryevepër e pikturuar nga Xhozef Mallord Uilliam Tërnër. Piktura paraqet re të zeza të ngarkuara rëndë dhe furinë e një deti të turbulluar, duke paralajmëruar rrezik dhe vdekje. Një dritë nga një anije e përplasur pas shkëmbinjve shkëlqen në largësi. Në planin e parë, e shtyrë lart nga valët që janë duke u afruar me ujë të shkumbuar, është një varkë e madhe shpëtimi. Burrat tërheqin fuqishëm lopatat, ndërkohë që varka e shpëtimit zhytet në stuhinë. Në bregdet qëndron një grua dhe dy fëmijë, të lagur nga shiu dhe të fshikulluar nga era. Ata shohin me shqetësim drejt detit. Në mendjen time e shkurtova titullin e asaj pikture. Për mua ai u bë Drejt Shpëtimit.1

Përmes stuhive të jetës, rreziku rri i fshehur. Burra dhe gra, djem e vajza e gjejnë vetveten të përplasur pas vështirësive dhe duke hasur shkatërrim. Kush do t’ua rrëfejë udhën varkave të shpëtimit, duke lënë pas rehatitë e shtëpisë dhe familjen, dhe do të shkojë drejt shpëtimit?

Detyra jonë nuk është e pakapërcyeshme. Ne jemi duke bërë detyrën e Zotit; ne na takon ndihma e Tij.

Gjatë shërbesës së Mësuesit, Ai thirri peshkatarë në Galile për t’i lënë rrjetat e tyre dhe për ta ndjekur Atë, duke shpallur: “Unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”2. U bashkofshim me radhët e peshkatarëve të burrave dhe të grave, që ne të mund të japim çfarëdo ndihme që mundemi.

E jona është detyra për t’i ndihmuar që të shpëtohen ata që janë larguar nga siguria e aktivitetit, që ata të mund të sillen tek tryeza e Zotit për t’u ushqyer me bollëk me fjalën e Tij, për të gëzuar shoqërimin e Shpirtin e Tij dhe për të “[mos qenë] më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjestarë të familjes së Perëndisë”3.

Parimi i Dashurisë

Kam gjetur se dy arsye thelbësore konsiderohen gjerësisht për një kthim në aktivitet dhe për ndryshime të sjelljeve, zakoneve dhe veprimeve. Së pari, individët kthehen ngaqë dikush u ka treguar atyre mundësitë e tyre të përjetshme dhe i ka ndihmuar ata të vendosin t’i arrijnë ato. Anëtarët më pak aktivë nuk mund të mbeten për shumë kohë të kënaqur me mediokritetin pasi e kuptojnë se përsosmëria është e mundshme për t’u arritur.

Së dyti, të tjerët kthehen ngaqë njerëz të dashur ose “bashkëqytetarë të shenjtorëve” e kanë ndjekur këshillimin e Shpëtimtarit, i kanë dashur fqinjët e tyre porsi vetveten4 dhe i kanë ndihmuar të tjerët t’i çojnë ëndrrat e tyre drejt përmbushjes dhe ambiciet e tyre drejt realizimit.

Katalizatori në këtë proces ka qenë – dhe do të vazhdojë të jetë – parimi i dashurisë.

Në një kuptim shumë real, ata njerëz të përplasur në detin e pështjelluar nga stuhia në pikturën e Tërnerit, janë si shumë prej anëtarëve tanë më pak aktivë që presin të shpëtohen nga ata që drejtojnë barkat e shpëtimit. Zemrat e tyre mezi e presin ndihmën. Nënat dhe baballarët luten për bijtë dhe bijat e tyre. Bashkëshortet i përgjërohen qiellit që bashkëshortët e tyre të mund të ndihmohen. Nganjëherë fëmijët luten për prindërit e tyre.

Është lutja ime që ne të mund të kemi dëshirë për t’i shpëtuar anëtarët më pak aktivë dhe për t’i kthyer ata te gëzimi i ungjillit të Jezu Krishtit, që ata të mund të marrin pjesë me ne në gjithçka që shoqërimi i plotë ka për të ofruar.

Ndihmofshim për t’i shpëtuar të humburit që na rrethojnë: njerëzit e moshuar, të ve, të sëmurë, ata me paaftësi, më pak aktivët dhe ata që nuk po i zbatojnë urdhërimet. U shtrifshim atyre dorën që ndihmon dhe zemrën që njeh dhembshuri. Duke e bërë këtë, ne vërtet do t’u sjellim gëzim zemrave të tyre dhe ne vërtet do të përjetojmë kënaqësinë e thellë që na vjen kur ndihmojmë së bashku përgjatë shtegut të jetës së përjetshme.

Shënime

  1. Titulli i plotë i pikturës është Varka e Shpëtimit dhe Grupi Njerëzor Duke Shkuar Drejt një Anijeje të Përplasur te Shkëmbinjtë që Jep Sinjalin e Rrezikut (Dritat Blu).

  2. Mateu 4:19.

  3. Efesianëve 2:19.

  4. Shih Mateu 22:39.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Merrni parasysh t’i pyesni njerëzit që vizitoni nëse njohin dikë që po has vështirësi për të ardhur në kishë. Ju mund të zgjidhni një njeri dhe të diskutoni rreth mënyrave se si të tregoni dashuri, të tillë si ta ftoni atë që të marrë pjesë në një mbrëmje familjare ose që të vijë për të ngrënë me ju.

Life-Boat and Manby Apparatus Going Off to a Stranded Vessel Making Signal (Blue Lights) of Distress [Varka e Shpëtimit dhe Grupi Njerëzor Duke Shkuar Drejt një Anijeje të Përplasur te Shkëmbinjtë që Jep Sinjalin e Rrezikut (Dritat Blu)], nga Joseph Mallord William Turner © Victoria and Albert Museum, London, www.vandaimages.com