2017
E Shpëtuar në Korridor
Prill 2017


Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

E Shpëtuar në Korridor

Pamja
mother with children in the foyer

Ilustrimi nga Allen Garns

Bashkëshorti im shpesh duhet të punojë të dielave, duke ma lënë mua përgjegjësinë për t’i çuar e vetme katër djemtë tanë në Kishë. Veçanërisht një të diel gjatë mbledhjes së sakramentit, dy vogëlushët e mi po grindeshin me njëri-tjetrin. Nëse e vija njërin nga djemtë e mi të shfaqte interes për një libër, e donte edhe i vëllai. U përpoqa me ushqime të shpejta, lodra dhe [fletë për] ngjyrosje, por asgjë nuk pati sukses. Isha shumë e lodhur me djemtë e mi, të cilëve as që u shkonte ndërmend të uleshin të qetë për një orë.

Nxora një lodër të vogël nga çanta dhe ia dhashë djalit tim njëvjeçar. Papritmas një britmë u lëshua nga djali im trevjeçar, Tajsoni, teksa e goditi vëllanë e tij më të vogël, në përpjekje për t’ia marrë lodrën. U turpërova ndërsa po i nxirja jashtë në korridor dy kalamajtë që ulërinin dhe grindeshin.

Fytyra m’u njom menjëherë nga lotët e nxehtë. Përse duhej të ishte kaq e vështirë? Unë po bëja atë që Ati Qiellor donte që unë të bëja, duke e sjellë familjen time në Kishë, apo jo? Por nuk mund të vazhdoja më. Ishte rraskapitëse dhe e sikletshme që të përpiqesha t’i mbaja e vetme djemtë e mi gjatë mbledhjes së sakramentit çdo javë. Unë nuk kisha më dëshirë të vija.

Rashë në këto mendime për vetëm 15 sekonda dhe më pas një motër që nuk e njihja mirë, erdhi pas meje jashtë në korridor. Emri i saj ishte motra Bjus. Zakonisht ajo ulej e vetme, pasi bashkëshorti i saj shërbente në peshkopatë dhe fëmijët i kishte të rritur. Ajo tha: “Ti këtu je gjithnjë e vetme! E shoh që po përpiqesh shumë fort. A mund të ulet Tajsoni me mua?” Nuk po mendoja dot as edhe një përgjigje! Unë thjesht tunda kokën teksa ajo e mori për dore dhe e shoqëroi atë, tanimë të qetë dhe të gëzuar, sërish në sallën kishtare.

I fshiva lotët, mora të voglin tim dhe me përulësi u ktheva sërish në sallën kishtare për ta shijuar në paqe pjesën e mbetur të mbledhjes.

Të dielën tjetër teksa hymë në mbledhjen e sakramentit, Tajsoni po kërkonte mikeshën e tij të re. Natën ai lutej [duke thënë]: “Faleminderit Atë Qiellor për motrën Bjus. E dua atë kaq shumë!”

Kanë kaluar mbi tri vite dhe Tajsoni ende shpesh e kërkon motrën Bjus në sallën kishtare. Vitin e kaluar ajo u thirr për të qenë mësuesja e Fillores së Tajsonit. Ai ishte djaloshi më i lumtur në gjithë botën.

Jam kaq mirënjohëse për motrën Bjus dhe gatishmërinë e saj për t’i dashur dhe për t’u shërbyer të tjerëve. Unë e di se ne mund ta bekojmë jetën e të tjerëve kur shërbejmë ashtu siç shërbeu Shpëtimtari.