2017
Portofoli i Humbur
Prill 2017


Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Portofoli i Humbur

Pamja
lost wallet

Ilustrimi nga Wilson J. Ong

Kohët e fundit u shpërngula në një shtëpi të re dhe u kërkova disa anëtarëve të Kishës që të më ndihmonin me një projekt në shtëpinë time. Në mes të projektit, unë u largova për të blerë disa materiale që na nevojiteshin për të mbaruar. Pasi e mbaruam projektin, unë kuptova se nuk e kisha portofolin tim. Më zuri paniku sepse brenda portofolit tim gjendeshin të gjitha dokumentet e mia vetjake bashkë me paratë që sapo kisha marrë nga një klient atë mëngjes. I ripërshkrova hapat për te vendi ku kisha bërë blerjet por nuk pata fat. Shkova në shtëpi dhe kërkova për të parë nëse më kishte rënë diku por përsëri nuk e gjeta. Fillova të merrja në konsideratë mundësinë që do të më duhej të siguroja kopje të reja të të gjitha dokumenteve. Më pas para se të largohej nga shtëpia ime, një mik më pyeti: “A je lutur tanimë?”

Menjëherë mendova: “Sigurisht që jam lutur tashmë!”

Por në të vërtetë, nuk isha lutur me qëllim të vërtetë. Në vend të kësaj, unë desha të imponoja vullnetin tim mbi Atin Qiellor dhe në njëfarë mënyre ta bëja detyrë të Tij që të më ndihmonte për ta gjetur portofolin tim. Por më pas m’u kujtua shkrimi i shenjtë tek Isaia 55:8: “Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia, thotë Zoti”.

Të dielën shkova në Kishë dhe një anëtar, i cili kishte qenë me mua një ditë më parë, më tha se i ishte lutur me zell Atit Qiellor që unë të mund ta gjeja portofolin tim. Ai tha se e kishte ndier që unë do ta gjeja atë. Më vonë, teksa u ula për studimin tim vetjak, fillova të lexoja Receiving Answers to Our Prayers [Të Marrim Përgjigje për Lutjet Tona] nga Plaku Xhin R. Kuk, anëtar nderi i Të Shtatëdhjetëve. Faqja e parë tregonte një histori me një problem njësoj si i imi: I biri i Plakut Kuk kishte humbur portofolin e tij, kështu që familja u mblodh dhe iu lut së bashku Zotit që ata të mund ta gjenin atë.

Pasi e lexova atë përvojë, e vura në praktikë atë që mësova, dhe i mblodha së bashku gruan dhe fëmijët. Ne formuam një rreth dhe çdo person bëri një lutje, duke iu përgjëruar Zotit që të na ndihmonte ta gjenim portofolin nëse ishte vullneti i Tij.

Unë e kisha dëshmuar më parë fuqinë e lutjes por, më pas, teksa po lutesha privatisht, i kërkova Atit Qiellor që t’i përgjigjej lutjes sonë për ta forcuar besimin e bashkëshortes dhe të fëmijëve të mi.

Të nesërmen një burrë më mori në telefon. Ai tha se e kishte gjetur portofolin tim, përfshirë paratë. Unë qava si fëmijë sepse lutja ime kishte marrë përgjigje dhe besimi i familjes sime u forcua.

Unë e di se Ati Qiellor, edhe pse ka kaq shumë fëmijë për t’u kujdesur, i përgjigjet secilit prej nesh sipas kohës së Tij dhe në mënyrën e Tij.