2017
Si Mund të Studioj në Mendjen Time dhe me Zemrën Time?
Prill 2017


Si Mund të Studioj në Mendjen Time dhe me Zemrën Time?

Zbuloni se çfarë mund të bëni kur keni pyetje.

Pamja
girl with heart

Çfarë duhet të bëni kur keni një pyetje rreth diçkaje doktrinore, historike ose vetjake? Si ta gjeni një përgjigje? Zoti premton: “Unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë” (DeB 8:2). Si e përdorni mendjen dhe zemrën tuaj për ta dalluar frymëzimin? Ja tek janë disa ide.

Mendja

Studioni, Lutuni, Dëgjoni

Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha se, kur jemi duke marrë “vendime madhore për jetën … , Ati Qiellor pret që ne ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes, ta studiojmë situatën në mendjen tonë sipas parimeve të ungjillit dhe t’i paraqitim Atij një vendim në lutje” (“Fryma e Shenjtë”, Liahona, maj 2016, 105).

Është e njëjta gjë për çdo pyetje. Teksa studioni, lutuni sinqerisht rreth përgjigjeve që gjeni përgjatë udhës. Fryma e Shenjtë do t’ju japë nxitje – qoftë me anë të ideve, fjalëve në mendjen tuaj, ose kujtuesve të tjerë vetjakë – për t’ju udhërrëfyer drejt përgjigjeve të mëtejshme që ju nevojiten.

Përdorini Burimet

Hetojini shkrimet e shenjta, përfshi Udhëzuesin e Shkrimeve të Shenjta dhe ndihmat e tjera për studimin. Mund të hetoni edhe burime të tjera shdm, të tilla si biseda të konferencave të përgjithshme, Gospel Topics [Temat e Ungjillit] në LDS.org, revistat e Kishës, Joseph Smith Papers Project [Projektin e Shkresave të Jozef Smithit] dhe më tepër. (Shih në faqen 54 për listën e burimeve të dobishme të Kishës.)

Bisedoni rreth Saj

Mos kini frikë që të kërkoni ndihmë. Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha nxitjen: “Do t’ju jap një sfidë . … Ju duhet të mendoni për dikë [i cili mund t’ju ndihmojë të gjeni përgjigje] – një mik/e të besuar, një prind ose prindërit, një gjysh/e, mësues/e, anëtar të peshkopatës [ose] këshillues … – dhe duhet të merrni përgjigje për këto pyetje” (Face to Face broadcast, 20 janar 2016). Provojeni një herë! Bisedoni me dikë të cilit i mirëbesoni, rreth pyetjeve tuaja dhe gjejini përgjigjet së bashku.

Zemra

Studioni, Lutuni, Dëgjoni

Këta janë hapa të rëndësishëm për të përsiatur me mendjen dhe me zemrën tuaj njëkohësisht. Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, tha: “Nëse dëshironi ta rrokni të vërtetën shpirtërore, ju duhet të përdorni mjetet e duhura. Nuk mund të fitoni një kuptueshmëri të së vërtetës shpirtërore me mjete që nuk janë në gjendje ta nxjerrin atë në pah” (“Marrja e një Dëshmie për Dritën dhe të Vërtetën”, Liahona, nëntor 2014, f. 22). Fryma e Shenjtë është mjeti nëpërmjet të cilit ne i mësojmë gjërat shpirtërore. Ndaj, kur të luteni e ta dëgjoni Shpirtin, me kohë, ju do të jeni në gjendje të gjeni përgjigje.

Jini të Duruar

Presidenti Uhtdorf shpjegoi gjithashtu: “Sa më shumë që i drejtojmë zemrën e mendjen tonë për te Perëndia, aq më shumë dritë qiellore pikon në shpirtrat tanë. … Dalëngadalë, gjërat që më parë dukeshin të turbullta, të zymta apo të largëta, bëhen të qarta, të shkëlqyera dhe të afërta për ne” (“Marrja e një Dëshmie për Dritën dhe të Vërtetën”, f. 22). Kërkimi i përgjigjeve mund të jetë një proces i gjatë. Por, nëse jeni të gatshëm t’i dëgjoni përgjigjet, edhe nëse duhet kohë, ju do t’i gjeni ato.

Ushtrojeni Dallimin e Nxitjeve

Sa më shumë t’i dalloni nxitjet dhe të jeni të gatshëm të veproni kur Shpirti i pëshpërit zemrës suaj, aq më e lehtë bëhet që t’i njihni nxitjet e tjera në të ardhmen. Mund të “ndie[ni] që është e drejtë” ose të përjetoni “mpirje të mendimit” nëse është e gabuar (shih DeB 9:8–9). Mund të ndieni edhe një ndjenjë kujtuese të butë, një ndjenjë paqeje ose një ndjenjë tjetër që është e posaçme për ju. Zoti ju njeh dhe Ai e di se si ju do ta kuptoni Shpirtin. Ai do t’ju japë udhërrëfim të dashur që është vetëm për ju. Ndaj vazhdoni të dëgjoni dhe vazhdoni të ushtroheni.