2017
Si të Gjejmë Paqe të Vërtetë
Prill 2017


Përgjigje nga Udhëheqës të Kishës

Si të Gjejmë Paqe të Vërtetë

Nga një bisedë në konferencën e përgjithshme të prillit 2013.

Pamja
Jesus Christ in a crowd

Aspirata qiellore e njerëzve të mirë kudo, ka qenë dhe përherë do të jetë për paqen në botë. Nuk duhet të dorëzohemi asnjëherë në arritjen e këtij synimi. Por, Presidenti Jozef F. Smith (1838–1918) dha mësim: “Botës kurrë nuk mund t’i vijë ai shpirt paqeje dhe dashurie … derisa njerëzimi ta marrë të vërtetën e Perëndisë dhe mesazhin e Perëndisë … e ta njohë fuqinë dhe autoritetin e tij, i cili është hyjnor”.

Ne sinqerisht shpresojmë e lutemi për paqen e përbotshme, por ne e arrijmë pikërisht si individë dhe familje atë lloj paqeje që është shpërblimi i premtuar për drejtësinë. Kjo paqe është dhuratë e premtuar e misionit dhe e sakrificës shlyese të Shpëtimtarit.

Paqja nuk është thjesht siguri ose mungesë lufte, dhune, konflikti dhe grindjeje. Paqja vjen ngaqë dimë se Shpëtimtari e di cilët jemi dhe e di se kemi besim tek Ai, se e duam Atë dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij, madje e veçanërisht, edhe mes sprovave dhe tragjedive shkatërruese të jetës (shih DeB 121:7–8).

“Ku mund të gjej paqe? Ku kam ngushëllim, kur tjera burime nuk më shërojn’?” (“Ku Mund të Gjej Paqe?” Himne, nr. 67). Përgjigjja është Shpëtimtari, i cili është burimi dhe autori i paqes. Ai është “Princ i paqes” (Isaia 9:5).

Përulja e vetes para Perëndisë, bërja e lutjeve gjithmonë, pendimi për mëkatet, hyrja në ujin e pagëzimit me një zemër të thyer e shpirt të penduar dhe kthimi në dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit, janë shembuj shumë të mirë të drejtësisë që shpërblehet me paqe të qëndrueshme.

Kisha është një strehë ku pasuesit e Krishtit e arrijnë paqen. Disa të rinj në botë thonë se janë shpirtërorë, por jo fetarë. Të ndihesh shpirtëror është një hap i parë i mirë. Megjithatë, është Kisha vendi ku ne shoqërohemi, marrim mësim dhe ushqehemi me fjalën e mirë të Perëndisë. Më e rëndësishmja, është autoriteti i priftërisë në Kishë ai që siguron ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta që i lidhin familjet tok dhe e kualifikojnë secilin prej nesh që të kthehet te Perëndia, Ati, dhe te Jezu Krishti në mbretërinë çelestiale. Këto ordinanca sjellin paqe ngaqë ato janë besëlidhje me Zotin.

Tempujt janë vendi ku ndodhin shumë prej këtyre ordinancave të shenjta dhe janë gjithashtu burim i një strehimi paqësor nga bota. Ata që i vizitojnë rrethinat e tempujve ose marrin pjesë në shtëpinë e hapur të tempullit, gjithashtu e ndiejnë këtë paqe.

Shpëtimtari është burimi i paqes së vërtetë. Madje edhe me sprovat e jetës, në saje të Shlyerjes së Shpëtimtarit dhe të hirit të Tij, jetesa e drejtë do të shpërblehet me paqe vetjake (shih Gjoni 14:26–27; 16:33).