2010–2019
Shpërndarja e Dritës Suaj
tetor 2014


Shpërndarja e Dritës Suaj

Ne duhet të qëndrojmë të patundura në besimin tonë dhe t’i ngremë zërat tanë për ta shpallur doktrinën e vërtetë.

Sonte dua të marr parasysh dy përgjegjësi të rëndësishme që ne mbajmë: Së pari, shtimin vazhdimisht të dritës e të vërtetës së ungjillit në jetën tonë dhe së dyti, shpërndarjen e asaj drite dhe të vërtete me të tjerët.

A e dini se sa të rëndësishme jeni? Çdonjëra prej jush – pikërisht tani – është e çmuar dhe thelbësore në planin e Atit Qiellor për shpëtimin. Ne kemi një punë për të bërë. Ne e dimë të vërtetën e ungjillit të rivendosur. A jemi gati ta mbrojmë atë të vërtetë? Ne kemi nevojë ta jetojmë atë; ne kemi nevojë ta shpërndajmë atë. Ne duhet të qëndrojmë të patundura në besimin tonë dhe t’i ngremë zërat tanë për ta shpallur doktrinën e vërtetë.

Në revistën Liahona të shtatorit 2014, Plaku M. Rasëll Ballard shkruan: “Ne kemi nevojë për më tepër nga zërat e dalluar e ndikues të grave dhe për besimin e tyre. Ne kemi nevojë që ato ta mësojnë doktrinën dhe të kuptojnë atë që besojmë, që të mund të japin dëshmitë e tyre rreth së vërtetës së të gjitha gjërave.”1

Motra, ju ma forconi besimin tim te Jezu Krishti. I kam parë shembujt tuaj, i kam dëgjuar dëshmitë tuaja dhe e kam ndier besimin tuaj nga Brazili në Botsvanë! Ju mbartni një fushë ndikimi me vete kudo që shkoni. Ajo ndihet nga njerëzit përreth jush – nga familja juaj deri te kontaktet në telefonin tuaj celular dhe nga miqtë tuaj në mediat shoqërore deri tek ato që ulen pranë jush sonte. Jam dakord me Motrën Hariet Uhtdorf, e cila shkroi: “Ju … jeni fenerë të ndritshëm dhe emocionues në një botë që zymtohet gjithnjë e më shumë, ndërkohë që tregoni, nëpërmjet mënyrës se si e jetoni jetën tuaj, se ungjilli është një mesazh gëzimplotë”2.

Presidenti Tomas S. Monson vuri në dukje: “Nëse dëshironi t’iu jepni dritë të tjerëve, ju duhet të shkëlqeni vetë”3. Si mund ta mbajmë dritën e së vërtetës duke shkëlqyer brenda nesh? Nganjëherë unë ndihem si një llambë e zbehtë drite. Si të shkëlqejmë më shumë?

Shkrimet e shenjta na mësojnë: “Ajo që është prej Perëndisë, është dritë; dhe ai që merr dritë e vazhdon në Perëndinë, merr më shumë dritë”4. Ne duhet të vazhdojmë në Perëndinë, sikurse thotë shkrimi i shenjtë. Ne duhet të shkojmë te burimi i dritës – Ati Qiellor e Jezu Krishti dhe shkrimet e shenjta. Ne mund të shkojmë gjithashtu në tempull, duke e ditur se të gjitha gjërat brenda mureve të tij na drejtojnë te Krishti dhe flijimi i Tij shlyes dhe i madhërishëm.

Mendoni rreth ndikimit që tempujt kanë te rrethinat e tyre. Ata i zbukurojnë zonat e qyteteve; ata shkëlqejnë prej kodrave të spikatura. Përse zbukurojnë e shkëlqejnë ata? Sepse, sikurse thonë shkrimet e shenjta: “E vërteta shkëlqen”5 dhe tempujt përmbajnë të vërtetë e qëllim të përjetshëm; po kështu edhe ju.

Në vitin 1877, Presidenti Xhorxh Q. Kenën tha: “Çdo Tempull … e pakëson fuqinë e Satanit në tokë”6. Besoj se kudo ku ngrihet një tempull në tokë, ai e shtyn tej errësirën. Qëllimi i tempullit është t’i shërbejë njerëzimit dhe t’u japë gjithë fëmijëve të Atit Qiellor aftësinë për t’u kthyer e për të jetuar me Të. A nuk është qëllimi ynë i ngjashëm me këto ndërtesa të përkushtuara, këto shtëpi të Zotit? T’u shërbejmë të tjerëve dhe t’i ndihmojmë ata ta shtyjnë tej errësirën dhe të kthehen te drita e Atit Qiellor?

Puna në tempujt e shenjtë do ta rritë besimin tonë te Krishti dhe atëherë ne mund ta ndikojmë më mirë besimin e të tjerëve. Nëpërmjet shpirtit ushqyes të tempullit, ne mund të mësojmë realitetin, fuqinë dhe shpresën e Shlyerjes së Shpëtimtarit në jetën tonë vetjake.

Disa vite më parë familja jonë u ndesh me një sfidë të madhe. Unë shkova në tempull dhe atje u luta me zell për ndihmë. M’u dha një çast i së vërtetës. Mora një përshtypje të qartë të dobësive të mia dhe u befasova. Në atë çast shpirtërisht udhëzues, unë pashë një grua plot krenari duke i bërë gjërat sipas mënyrës së saj, jo domosdoshmërisht sipas mënyrës së Zotit, dhe fshehtazi duke marrë meritë për ndonjë të ashtuquajtur arritje. E dija se po shihja veten time. Iu luta në zemër Atit Qiellor dhe thashë: “Nuk dua të jem ajo grua, por si të ndryshoj?”

Nëpërmjet shpirtit të pastër të zbulesës në tempull, u mësova për nevojën time tërësore për një Shëlbues. U ktheva menjëherë te Shpëtimtari, Jezu Krishti, në mendimet e mia dhe e ndjeva ankthin tim të largohet dhe një shpresë të madhe të lindte në zemrën time. Ai ishte shpresa ime e vetme dhe dëshiroja shumë të kapesha vetëm tek Ai. Ishte e qartë për mua se një grua e natyrshme, e përqendruar te vetja, “është një armik[e] ndaj Perëndisë”7 dhe njerëzve në sferën e saj të ndikimit. Në tempull, atë ditë, mësova se ishte vetëm nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit që natyra ime krenare mund të ndryshonte dhe që unë do të isha në gjendje të veproja mirë. E ndjeva fort dashurinë e Tij dhe e dija se Ai do të më mësonte me anë të Shpirtit dhe do të më ndryshonte nëse ia jepja Atij zemrën time, tërësisht.

Unë ende ndeshem me dobësitë e mia, por mirëbesoj në ndihmën hyjnore të Shlyerjes. Ky udhëzim i pastër erdhi ngaqë hyra në tempullin e shenjtë, duke kërkuar ndihmë e përgjigje. Hyra në tempull e rënduar dhe u largova duke e ditur se kisha një Shpëtimtar të gjithëfuqishëm dhe të gjithëdashur. Isha më e lehtësuar dhe e gëzuar ngaqë kisha marrë dritën e Tij dhe e kisha pranuar planin e Tij për mua.

Të vendosur përreth botës, tempujt kanë pamjen dhe strukturën e tyre të veçantë nga jashtë, por brenda ata të gjithë përmbajnë të njëjtën dritë, qëllim dhe të vërtetë të përjetshme. Te 1 Korintasve 3:16 lexojmë: “A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?” Edhe ne, si bija të Perëndisë, jemi vendosur kudo nëpër botë, sikurse tempujt, dhe ne secila kemi pamjen tonë të veçantë dhe strukturën tonë të jashtme, sikurse tempujt. Ne gjithashtu kemi një dritë shpirtërore brenda vetes, sikurse tempujt. Kjo dritë shpirtërore është një pasqyrim i dritës së Shpëtimtarit. Të tjerët do të tërhiqen nga ky shkëlqim.

Ne kemi vetë rolet tona në tokë – nga bijë, nënë, udhëheqëse dhe mësuese deri në motër, rrogëtare, bashkëshorte dhe më shumë. Secili është ndikues. Secili rol do të ketë fuqi morale, ndërkohë që i pasqyrojmë të vërtetat e ungjillit dhe besëlidhjet e tempullit në jetën tonë.

Plaku D. Tod Kristoferson tha: “Në çdo rast, një nënë mund të shfaqë një ndikim të pakrahasueshëm me atë të çfarëdo personi tjetër në çfarëdo marrëdhënie tjetër”8.

Kur fëmijët tanë ishin të vegjël, u ndjeva si bashkëdrejtuesja e një anijeje, me burrin tim, Davidin, dhe i përfytyrova 11 fëmijët tanë si një flotë barkash të vogla duke pluskuar përreth nesh në liman, duke u përgatitur për t’u nisur drejt detit të botës. Davidi dhe unë ndiem nevojën që të këshilloheshim me busullën e Zotit çdo ditë për drejtimin më të mirë që të lundronim me flotën tonë të vogël.

Ditët e mia ishin të mbushura me gjëra të harrueshme si palosja e rrobave të lara, leximi i librave fëmijëve dhe bërja e gjellëve për darkën. Nganjëherë në limanin e shtëpive tona, ne nuk mund të shohim se, nëpërmjet veprimeve të thjeshta, të vazhdueshme – përfshirë lutjen familjare, studimin e shkrimeve të shenjta dhe mbrëmjen familjare – bëhen gjëra të mëdha. Por unë dëshmoj se pikërisht këto veprime mbartin rëndësi të përjetshme. Gëzim i madh vjen kur ato barka të vogla – fëmijët tanë – rriten duke u bërë anije të fuqishme detare, të mbushura me dritën e ungjillit dhe të gatshme që të “hy[jnë] në shërbim të Perëndisë”9. Veprimet tona të vogla të besimit e shërbimit janë mënyra se si shumica prej nesh mund të vazhdojnë në Perëndinë dhe si rrjedhim t’u sjellin dritë e lavdi të përjetshme familjes sonë, miqve tanë dhe bashkëpunëtorëve tanë. Ju me të vërtetë mbartni një fushë ndikimi me vete!

Mendoni për ndikimin që besimi i një vajze të moshës së Fillores mund të ketë te familja e saj. Besimi i bijës sonë e bekoi familjen tonë kur e humbëm djalin tonë të vogël në një park lojërash. Familja vrapoi përreth çmendurisht duke e kërkuar atë. Së fundi, vajza jonë 10-vjeçare më tërhoqi nga krahu dhe tha: “Mami, a s’duhet të lutemi?” Kishte të drejtë! Familja u mblodh së bashku në mes të një turme vëzhguesish dhe u lutëm që ta gjenim fëmijën tonë. E gjetëm. Të gjitha vajzave të Fillores iu them: “Ju lutem, vazhdoni t’i kujtoni prindërit tuaj të luten!”

Këtë verë pata privilegjin që të ndodhesha në një vend kampimi të 900 të rejave në Alaskë. Ndikimi i tyre tek unë ishte i thellë. Ato erdhën në kamp të përgatitura shpirtërisht, pasi e kishin lexuar Librin e Mormonit dhe e kishin mësuar përmendsh “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”. Në natën e tretë të kampit, të gjitha 900 të rejat qëndruan në këmbë së bashku dhe e recituan tërë dokumentin fjalë për fjalë.

Shpirti e mbushi sallën e madhe dhe doja shumë të bashkohesha me to. Por nuk mundesha. Nuk e kisha paguar çmimin e të mësuarit përmendsh.

Tani kam filluar t’i mësoj fjalët e dokumentit “Krishti i Gjallë”, sikurse bënë këto motra, dhe për shkak të ndikimit të tyre, unë po e përjetoj më plotësisht besëlidhjen e sakramentit për ta kujtuar gjithmonë Shpëtimtarin, ndërkohë që e përsërit herë pas here dëshminë e Apostujve për Krishtin. Sakramenti po merr një kuptim më të thellë për mua.

Shpresa ime është t’i ofroj Shpëtimtarit si dhuratë Krishtlindjeje këtë vit, që ta kem dokumentin “Krishti i Gjallë” të mësuar përmendsh dhe të mbajtur në mënyrë të sigurt në zemrën time deri më 25 dhjetor. Shpresoj që mund të jem një ndikim për mirë – sikurse ishin për mua motrat në Alaskë.

A mund ta gjeni vetveten në fjalët vijuese të këtij dokumenti, “Krishti i Gjallë”? “Ai i luti të gjithë të ndiqnin shembullin e Tij. Ai eci rrugëve të Filistisë, duke shëruar të sëmurët, duke u kthyer dritën të verbërve dhe duke ngritur të vdekurit.”10

Ne, motrat e Kishës, nuk ecim nëpër rrugët e Filistisë duke shëruar të sëmurët, por mund të lutemi për dashurinë shëruese të Shlyerjes dhe ta zbatojmë atë kundrejt një marrëdhënieje të lënduar, të vështirë.

Edhe pse nuk do t’i bëjmë të verbrit të shohin sipas mënyrës së Shpëtimtarit, ne mund t’u dëshmojmë për planin e shpëtimit të verbërve shpirtërorë. Ne mund t’i hapim sytë e të kuptuarit të tyre ndaj nevojës për fuqinë e priftërisë në besëlidhjet e përjetshme.

Ne nuk do të ngremë në jetë të vdekurit, siç bëri Shpëtimtari, por mund t’i bekojmë të vdekurit duke i gjetur emrat e tyre për punën në tempull. Atëherë, me të vërtetë, ne do t’i ngremë ata nga burgu i tyre shpirtëror dhe do t’u ofrojmë shtegun e jetës së përjetshme.

Unë dëshmoj që ne kemi një Shpëtimtar të gjallë, Jezu Krishtin, dhe me fuqinë dhe dritën e Tij ne vërtet do të jemi në gjendje ta shtyjmë errësirën e botës, t’i japim zë të vërtetës që dimë dhe t’i ndikojmë të tjerët të vijnë tek Ai. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. M. Russell Ballard, “Men and Women and Priesthood Power”, Liahona, shtator 2014, f. 36.

  2. Harriet R. Uchtdorf, The Light We Share (2014), f. 41.

  3. Thomas S. Monson, “For I Was Blind, but Now I See”, Liahona, korrik 1999, f. 69.

  4. Doktrina e Besëlidhje 50:24.

  5. Doktrina e Besëlidhje 88:7.

  6. George Q. Cannon, në Preparing to Enter the Holy Temple (broshurë, 2002), f. 36.

  7. Mosia 3:19.

  8. D. Tod Kristoferson, “Forca Morale e Grave”, Liahona, nëntor 2013, f. 30.

  9. Doktrina e Besëlidhje 4:2.

  10. “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Liahona, prill 2000, f. 2.